​Kurti ofron mbështetje për Institutin Albanologjik në 70-vjetorin e themelimit

Kultura

​Kurti ofron mbështetje për Institutin Albanologjik në 70-vjetorin e themelimit

Më: 19 qershor 2023 Në ora: 13:35
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Instituti Albanologjik i Kosovës ka shënuar të hënën 70-vjetorin e themelimit. I njëjti u vlerësua se ka pasur rol të rëndësishëm ndër vite për studimin e historisë së kombit shqiptar, gjuhës shqipe, folklorit dhe etnografinë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ofroi mbështetjen ndaj Institutit Albanologjik në studimet e reja, derisa tha se evidentimi i së kaluarës hedh dritë për të tashmen dhe të ardhmen.

Kurti: Të merresh me të kaluarën do të thotë të hedhësh dritë për të tashmen dhe të ardhmen

“Të merresh me të kaluarën do të thotë të hedhësh dritë për të tashmen dhe të ardhmen. Nga ky vështrim Instituti Albanologjik paraqet institutin e dritës, sidomos për shqiptarët e Kosovës dhe për ata të trojeve të tjera nën ish-Jugosllavi. E kaluara jonë, gjuha, doket dhe zakonet përgjithësisht nuk ishin të studiuara sa duhet, por edhe ato studime që ishin bërë deri në kohën e themelimit të Institutit Albanologjik, ishin punë e studiuesve të huaj. Sidoqoftë sa do e largët që mundet të duket, themelimi i institutit ishte si rezultat i një pune të gjatë të gjithanshme që kishte nisur qysh me punën e madhe të rilindasëve tanë”, tha Kurti.

Me gjithë sfidat e shumta që potencoi, drejtori i Institutit Albanologjik, Hysen Matoshi, tha se deri tani ky institucion i ka mbajtur mbi 350 konferenca shkencore për historinë, folklorin, etnografinë, gjuhën dhe letërsinë shqipe.

Matoshi: Instituti Albanologjik e vijon punën e tij hulumtuese dhe studimore

“Instituti Albanologjik e vijon punën e tij hulumtuese dhe studimore duke u bërë referencë për çështjet që kanë të bëjnë me gjuhën shqipe, letërsinë shqipe, historinë, folklorin, etnografinë, entnomuzikën, arkeologjinë, madje edhe lidhur me relacionet gjuhësore kulturore historike të shqiptarëve me kombet në kontakt”, shtoi ai.

Të pranishmëve iu adresua edhe akademik Rexhep Qosja, i cili paraqiti vështirësinë e që ka kaluar Instituti Albanologjik në okupimin serb.

Qosja: Sigurimi shtetëror i ish-Jugosllavisë ka ushtruar dhunë të madhe ndaj shqiptarëve në Kosovës

“Në mënyrë të veçantë sigurimi shtetëror i ish-Jugosllavisë ka ushtruar dhunë të madhe ndaj shqiptarëve në Kosovë. Qëllimi i saj ka qenë që të bëhet i mundshëm dëbimi i një numri sa më të madh të shqiptarëve prej Kosovës. Jo rastësisht, në vitet e 1950, kur edhe është burgosur për herë të parë Adem Demaçi ka filluar një shpërngulje e shqiptarëve prej Kosovës”, theksoi ai.

Instituti Albanologjik i Kosovës është themeluar më 1 qershor të vitit 1953.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat