Fusha e Drenicës

Kultura

Fusha e Drenicës

Nga: Sokol Demaku Më: 4 tetor 2023 Në ora: 22:49
Romani

Një fushë që shtrihet në një hapësirë të gjerë në zemër të Kosovës, pra një ndër pjesët më vitale dhe më me vlerë të Arbërisë, e cila ka dhënë çdo herë bijët më të mirë për mbrojtjen dhe përparimin e saj. Vend, i cili i dha shumë trima dhe njerëz të fjalës këtij vendi.

E si mos të jetë vend i trimave, kur në këto troje edhe kreshnikët patën jetuar e vepruar, që nga Jutbina dhe Zadrima e deri në Jug e Fusha e Drenicës ishte një log, ku kreshnikët kalonin çaste të këndshme jete. Kjo fushë shtrihet mes dy maleve të larta në lindje të Çyçavicës, prej nga, si në pëllembë të dorës, sheh trojet arbërore deri në kufijët e vllehëve dhe bullgarëve e, në jug është mali krenar Kosmaçi legjendar, që të jep shikim deri në Malësi, por edhe në pjesët më të skajshme të Arbërisë.

Çyçavica ishte edhe vendstrehim i trimave të Drenicës. Ishte vend qëndrimi i atyre që i shtinin frikën Sulltanit dhe të gjithe atyre që bënin zullume mbi popullin e kësaj ane.

Pra, ishin Shpati dhe Kodra e Thatë, që ia shtonin madhështinë Fushës së Drenicës me pamjet madhështore e që edhe banorëve të kësaj treve i jepnin burrëri, por edhe trimëri në mbrojtjen e pragut dhe të jetës nga të huajt lakmitarë, të cilët pa nda vërsuleshin në këto bjeshkë, në këto fusha e lëndina, të cilave edhe Zanat u kishin dhënë bekimin.

Në Çyçavicë kishte strehimin edhe i madhi luftëtar Milosh Nikolla Kopiliqi, nga fshati Kopiliq i Drenicës.

Ai, kur shëtiste në fushat e Drenicës dhe kur vizitonte Logun e zanave, ku qëndronin tre “Gurët” e hedhur nga Muji, merrte forcë, merrte energji dhe mendonte se me të rinj të tjerë drenicarë, do të ishte ai që do mbronte çdo prag shtëpie nga hordhitë turke, nga jeniçerët dhe ushtarët turq.

Edhe osmanet, por edhe vet Sulltani kishte mësye këtë vend. Do ishte me vlerë po të vendosej ai këtu. Kështu e thonin ata që kujdeseshin për të. Por jo, ai vet. Këtu do të sillte vetëm sejmenët e tij, që do të kujdeseshin për ushtarët dhe jeniçerët turq, që do kamponin në këtë fushë.

Drenica që nga kohët e lashta, po ndoshta edhe nga koha Ilire e mbretëreshës Teuta dhe mbretit Agron, por edhe të mbretërve të mëvonshëm, do ketë qenë pararojë e truallit Ilir dhe arbëror.

Sulltan Murati I ishte vendosur në Fushën e Mëllenjave. Atje ai kishte komandën dhe forcat e mëdha osmane. Në drejtim i ndihmonin të bijët, Jakupi dhe Bajaziti.

Fusha e Mëllenjave, konkretisht Gazimestani, Mazgit dhe fshatra të Obiliqit, ishin zbardhur nga çadrat e ushtrisë së Sulltan Muratit I.

Sulltani ishte vendosur këtu pasi ishte terren i përshtatshëm për të dhe ushtrinë e tij, kishte ujë afër, sepse aty kalonte edhe lumi Sitnica dhe do u shërbente atyre.

Dhuna dhe keqtrajtimi i banorëve të Drenicës çdo ditë e më shumë bëhej i paduruar. Por qëllimi i turqve ishte që të ndikonin te popullata, pasi ata përgatiteshin për një betejë vendimtare për pushtim të këtyre trojeve dhe vendosjen e pushteti të tyre.

Drenica, si çdo herë, është therrë në sy edhe për turqit. Ishte një kundërshtare e denjë e dhunës dhe e keqtrajtimeve të jeniçerëve në këto anë. Terreni i përshtatshëm, malet jo të larta, por dhe dy vendstrehimet qëndrore, Çyçavica dhe Kosmaçi, ishin shtëpitë e dyta të trimave të Drenicës.

Ambicie për këto troje nuk kishte vetëm Sulltani, por të interesuar ishin edhe carët serbë të kohës, edhe fqinjë të tjerë, por falë Milosh Nikolla Kopiliçit, me trimat e tjerë, Drenica ishte e paprekur dhe e pathyer edhe nga turku, edhe nga serbi.

Milosh Nikolla Kopiliçi, kishte krijuar një grup luftëtarësh, të cilët ishin të gatshëm në çdo rast për mbrojtur truallin arbëror. Miloshi kishte bërë nam ndër fqinjët për timëri.

Milosh Nikolla Kopiliçi, është i pari trim i Drencës që njeh historia, luftëtar dhe prijës i njohur i këtyre anëve. Ishte një ndër pasanikët më të mëdhenjë të kohës dhe posedonte prona dhe toka të shumta në fashtin Kopiliq të Drenicës. Ishte një humanist, i cili ndihmoi bashkëfshatarët në kohët më të liga, por edhe më të vështira nën sundimet e huaja.

I biri i një bareshe delesh, nga malet e Drenicës, i biri i së resë Janja, e cila, në pamudësi që të kujdesej për të birin dhe ta rriste, ajo e kishte lënë në mal të sapolindur dhe kishte ikur nga ato troje.

Zëri i njomë i të sapolindurit dëgjohej larg në bjeshkët e Drenicës dhe bëri jehonë.

E para që dëgjoi vajin e të sapolindurit ishte Zana e malit, e cila menjëherë, fluturimthi, u nis në drejtim të zërit dhe, atje, në shkurre gjeti një bebe të sapolindur. E mori në ngrykë, e përkdheli me duart e saj të arta dhe e qetësoi atë shpirt të vogël. E mori pastaj në shtëpi, e rehatoj, e ushqeu, pastroi dhe e vuri në gjumë.

Zanat në këto anë ishin të njohura. Ishin të njohura nga koha e kreshnikëve, nga koha e Gjeto Basho Mujit me të vëllanë Halilin dhe treqind kreshnikët e tjerë të Jutbinës.

Ishin ato që kujdeseshin, jo vetëm për këto anë, por edhe për njerëzit dhe gjithë ata që lëviznin në këto troje.

Milloshi rritej nën kujdesin e Zanës dhe çdo ditë e me tepër lëshonte shtat dhe bëhej më i pashëm dhe i fortë. Miloshi u rrit dhe u bë i njohur me trimërinë dhe guximin e tij. Thuhet se kur mbushi vitet dhe ishte bërë madhorë dhe, kur osmanët ishin vërsulur përtej Dardaneleve dhe Bosforit, ai kishte bërë miqësi dhe ishte martuar me vajzën e Carit Llazar, kështu për të lidhur një koalicion të krishterë anti - osman.

Drenica, e thonë edhe të vjetrit, e thonë edhe të rinjtë, është vatër e trimërisë, është vatër e burrërisë, e dijes dhe e mençurisë. Drenica është vend i pathyeshëm nga i huaji.

Çdo herë, kjo Fushë, por edhe këto Male, kanë dhënë burra, por kanë dhënë edhe kushtrimin, kanë dhënë besën dhe kanë mbrojtur pragun nga pushtuesit. Ka shumë shembuj burrërie, shembuj qëndrese dhe trimërie të burrave, por edhe të grave trimëresha të kësaj ane në mbrojtje të vendit nga të huajt, nga lakmitarët, nga katilat dhe zullumqarët.

Këtyre trimave e trimëreshave, edhe nëna natyrë ua kishte lakmi, ishte në anën e tyre sikurse edhe Zanat e Malit, që ishin roje e këtyre trojeve dhe këtyre njerëzve të mirë.

Dimra të ashpër e stinë të nxehta vere, ndoshta ishin ato që kishin ndikuar që edhe këta njerëz të ishin të ashpër ndaj së keqes, por të ngrohtë dhe të afërt ndaj së mirës.

Ishin të kalitur dhe të regjur për t`i bërë ballë së keqes.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat