Magjia e lirikave të bukura dhe të mrekullueshme

Kultura

Magjia e lirikave të bukura dhe të mrekullueshme

Nga: Baki Ymeri Më: 18 tetor 2023 Në ora: 17:26
Kopertina e librit

Poeti është profeti që hap portat e parajsës dhe poezia e vërtetë fillimisht lind në frymën hyjnore, pastaj zbret në perandorinë e muzave dhe mund të pushtohet vetëm nga ata që janë të destinuar për pavdekësi. Gjithmonë e bukur, impresionuese dhe e talentuar, Carina Anqa është bërë një zë i dalluar në bibliotekën e sentimenteve letrare. Poezia e saj lind nga gjendja e kërkimit dhe e shndërrimit të së pamundurës në të mundshme, por edhe nga etja për monolog në një kohë dialogu të etshëm për kuptim dhe mirëkuptim. Carina shpërndan mesazhe dhe detaje për jetën, në të cilat trazohet bota njerëzore, në kuadrin e meditimeve të universit lirik. Ajo na ofron vargje të ndjeshme dhe të thella përmes autenticitetit dhe sinqeritetit të shprehjes së emocioneve në një regjistër stilistik të zgjedhur. Për të rregulluar vendin e saj në bashkëkohësi, atë mund ta inkorporojmë mes poeteshave që i japin një ton të ri lirizmit rumun.

Fjala e bukur poetike rumune u gjurmua edhe në këto komunitete bashkëkohore. Në themelet e panteonit të modernitetit poetik rumun, një kontribut meritor dha edhe “babai” i madh që do ta quaja poezi moderne, me në krye poetin e famshëm Mihai Eminesck, i cili u pasua nga një grup poetësh të talentuar, si: Octavian Goga, Xheorxhe Koshbuk, Tudor Argezi, Lucian Blaga, Nikita Stënesku, Marin Soresku dhe të tjerë. Në kuptimin femëror, vazhdimisht mbi bazën e këtij moderniteti poetik, në panteonin e letërsisë rumune veçanërisht, militon një brez i ri, me në krye Ana Blandina, Gabriela Melinesku, Florika Bud, Camelia Radulian, Mariana Grigore, Beatrice Silvia Soresku, Angela Kërçel, Carina Anqa e të tjerë. Ky grup poetësh bashkëkohorë rumunë rindërton ndërtesën e modernitetit me kodifikime të reja poetike, në kuptimin e risive universale të fjalës së bukur.

Carina Anqa na ofron poezi të frymëzuara dhe të shkarkuara nga zemra dhe shpirti. Autorja krijon një poezi reflektuese që shpaloset në disa shtresa medituese. Jehona e vargut të saj lind rezonanca të gjera hulumtuese. Projektohen imazhe dhe tema përmes të cilave marrin formë ylberi me konotacione të reja lirike, të artikuluara në përballje fjalësh që i bëjnë përshtypje të fortë poezisë dhe krijuesit të saj. Poezitë e saj pasqyrojnë pikturën dhe kaligrafinë, dritën dhe hijen, një alkimi origjinale mes mendimit dhe tekstit, sepse poetesha mbart gjithmonë në vargje atë mister që rrjedh si një ngjyrë e lëngshme në fytyrën e kanavacës mahnitëse: „shtigjet më çojnë përtej kufirit / rrezikshëm pranë anijes së argonautëve / që ende lëviz, / nëpër ujërat e errëta të kozmosit, / duke kërkuar qethin e artë / që zgjidh fillin e dritës / nga Canopus / në afërsi të shpirtit tënd...”

Në mënyrë metaforike, autorja ndjen se poezia është pjesë e qenies së saj. Ajo dhe poezia. Çfarë dialogu i mrekullueshëm! Ajo kurrë nuk u ndje vetëm me të. Poezia nuk ka kufi. Fjalët, poashtu. Ato shërojnë plagët, hapin sytë e të verbërve. Fjalët e vërteta shpengojnë dhimbjen dhe errësirën brenda nesh. Në to reflektohet aroma, shpirti dhe zëri i zemrës. Njeri, nga vjen fjala? Buka është fjalë, drita, po kështu, urrejtja dhe errësira janë fjalë. Fjalë që shërojnë dhe fjalë që vrasin, fjalë që ndriçojnë dhe fjalë që errësojnë. Nevoja për të shqiptuar fjalë është një nga nevojat më të zjarrta dhe më të nevojshme të njeriut, krahas nevojës për ushqim, veshje, dashuri, vërtetetësi dhe drejtësi. Skulptori përballë ajrit shqipton fjalë, piktori dhe muzikanti, poashtu. Për një poet, nevoja për të folur fjalë është si nevoja për të marrë frymë.

Në poezinë e Zonjës Carina zbulojmë një varg të pasur mendimesh dhe ndjenjash, në thelb një gjendje të botës në aspektin estetik, një rigjallërim të së tashmes së vazhdueshme, por edhe të kujtesës afektive. Vizioni i tsaj poetik turbullohet nga pyetjet e mëdha ekzistenciale, me një shprehje lirike konvencionale, nga e cila shpërthen një un i korsetuar nga të kundërtat, por gjithmonë i aftë për të gjetur përgjigje për tepricën e qytetërimit të përditshëm. Është një krijim lirik ndezës, madje dashuria është plot forcë, me trupa që dashurojnë. Krejt qenia poetike dridhet para mistereve të ekzistencës, me kujtimet e heshtjeve stërgjyshore dhe mbivendosjet e gjeografive të brendshme antagoniste, që ngrihen magjepsëse nëpër shirat pranverore, kur liqeni e dashurisë është plot zambakë uji: „më thoshin fluturat e qytetit,/ kur përhapin mantelin e bardhë në rrugë,/ se të dua në solstic të plotë të ftohtë/ si nuk kam dashur kurrë në botë...”

Numrat janë specialiteti i autores, por kur shpreh mendime, ndjenja dhe ide, përdor me kujdes fjalët që e ndihmojnë të shprehet, duke pasur gjithmonë diçka për të thënë. Autora e ndjen dhe e sheh bukurinë aty ku askush nuk e vë re. Fjalët e saj kanë fuqinë për t'i dhënë jetë një universi të pafund. Ata mund të sjellin në ekzistencë një regjistër të pafund ideshë dhe ndjenjash. Pra, imagjinoni se keni në dorë një violinë që keni marrë si dhuratë nga prindërit tuaj, ajo duke qenë një shpirt i ndjeshëm dhe delikat. Nëpërmjet saj, ju keni aftësinë për të transmetuar dridhjet e dashurisë deri në fund të botës. Sidoqoftë, varet nga mënyra se si e keni zotëruar artin e transpozimit të aspiratave fisnike të shpirtit në realitetin e ndjeshëm: „rruga ime në botë është e shaluar/ dhe hapi im është i pazbutur në shtigjet:/ një murg-ujit ëndrrat e saj-në shkumon/dhe- më pas vrapon nëpër valët e ftohta.”

Carina Anqa është një poete me një shprehje artistike të pjekur, reflektuese, origjinale në fjalë dhe në emocionin që gdhend në vargje të paharrueshme. Poetesha prezantohet para lexuesve me një vëllim dygjuhësh (rumanisht-shqip). Ajo është një qenie me temperament të zjarrtë, me një imagjinatë të bujshme dhe me një natyrë të mirë, siç janë pak në letërsinë tonë bashkëkohore. Poezitë e saj janë të shkumëzuara si shampanjë që djeg fytin e etur për dashuri. Kalimi i kohës ngjall nostalgji në shpirtin e poetes, që ndjen se nuk i trembet dimrit të ekzistencës, si në shtëpi: „dashuria ime, dua rruzullin e dritës, / në të cilin ti ke fshehur një pikë të vetes / që ta mbaj në zemrën time plot errësirë, si kaleidoskop...”

Fjalët e Carinës janë flutura të metamorfozuara në mendime. Të gjitha këto maska ​​nëpër të cilat kalojnë mendimet e poeteshës përvijojnë një profil lirik mbresëlënës, real dhe origjinal. Nga fryti i ëndrrave të saj ndjejmë tingujt e psherëtimave tona. Dëgjuar vetëm nga ne, në absolutin e përjetshëm. Poezia e autores është e ngarkuar me imazhe specifike, të cilat jo vetëm shprehin asociacione, por edhe tema shpesh befasuese. Zbulimet filozofike janë gjithmonë të veshura me marrëdhëniet e thjeshta të jetës së përditshme. Kaligrafja e gjendjeve dhe trazirave shpirtërore, Carina Anqa ka guximin të thotë të vërteta, të rikrijojë jetën nga fragmente ëndrrash, heshtje dhe mistere: „heshtjet mund të zbulojnë/ dashuritë e fshehura thellë në ndjenja/ ose/ mund të jenë heshtje të thjeshta, krenare, vrastare.” Dendësia e ideve, vrulli i kontabilitetit verbal, zbulojnë një përditshmëri të butë apo të trazuar, por jo banale në thelbin e saj. E gjithë kjo është dëshmi e një poezie të thellë, e vaditur nga kaq shumë përpëlitje shpirtërore, e hijeshisë së disponimeve të mirëfillta lirike.

Carina Anqa është një burim mrekullish që qetëson çdo mundim të brendshëm. Ajo është arkitektja që riorganizon poetikisht botën, sipas shpirtit të saj, aq të thellë dhe misterioze. Autorja rindërton një rrugë për të dhënë një përkufizim të shkretëtirës që na pret nëse nuk gjejmë forcën të njohim përjetësinë e poezisë. Pronarja e këtyre vargjeve është një qenie e trazuar nga natyra e saj. E bukura hyjnore në poezi, zgjon shqisat e gjumit. Vargu i Carinës na mbush shpirtin me ndjenja të bukura. Në zemrën e saj ka vetëm një gjë hyjnore: Dashuria: „bora më puth thembrën, e ngrohtë,/ bashkëpunëtor si për ditën që ka mbetur;/ nga veriu vijnë erërat për të turbulluar ëndrrën/ dhe gjurmët për të zënë hapin tim.” Nostalgjia e saj është e qetë. Intensiteti i ndjenjave është i jashtëzakonshëm. Carina Anqa nuk është poetja e heshtjes apo e habisë. Ajo është poetesha e një dhuratë hyjnore me aromën e kerubinit. (Autori i kësaj parathënieje është kryeredaktor i revistës Albanezul (Shqiptari) dhe anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Rumanisë)

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat