Kultura e sporti bashkë, nis Festivali Ndërkombëtar i Filmit Sportiv “Prishtina 2023”

Kultura

Kultura e sporti bashkë, nis Festivali Ndërkombëtar i Filmit Sportiv “Prishtina 2023”

Më: 20 tetor 2023 Në ora: 20:59
Foto nga vendi i ngjarjes

U mbajt sot ceremonia e hapjes së Festivalit të 3-të Ndërkombëtar i FICTS Filmit Sportiv “Prishtina 2023”, i cili po organizohet nga Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK) në mbështetje të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Tetë filma sportivë vendorë të metrazhit të shkurtër dhe të gjatë, të cilët pasqyrojnë vlerat olimpike dhe paralimpike, sportistë, ish-sportistë, trajnerë dhe kontribues të sportit të Kosovës do të shfaqen gjatë këtij festivali, raporton KosovaPress.

Me rastin e ceremonisë hapëse të edicionit të tretë të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit Sportiv “Prishtina 2023”, foli anëtarja e KOK-ut Besire Domaniku, e cila tha se kjo është ngjarje tjetër e rëndësishme ku përmes saj bën bashkë sporti dhe kultura, për të promovuar vlerat olimpike dhe sportive.

Domaniku: Historia jonë e sportit meriton të dokumentohet

“Festivali Ndërkombëtar i Filmit Sportiv Prishtina 2023 është një tjetër ngjarje e rëndësishme ku sporti dhe kultura bëhen bashkë përmes filmave sportivë, me të cilët promovojmë vlerat olimpike dhe sportive. Historia jonë e sportit, ku shumica prej jush jeni pjesë e saj, meriton të dokumentohet përmes filmave dhe dokumenteve të ndryshme, me të cilat ne konkurrojmë për çmime edhe në Festivalin Botëror të Filmit Sportiv që mbahet në Milano të Italisë”, tha Domaniku.

Pas Domanikut fjalën morri edhe drejtori i Departamentit të Sportit në MKRS, Ibër Alaj, i cili tha se ky dokumentim i filmave është i një rëndësie të veçantë, pasi përmes tyre mund të shohim kontributin edhe angazhimin e njerëzve në periudha të ndryshme kohore.

Alaj: Dokumentimi i këtyre filmave është i një rëndësie të veçantë

“Mbështetja e Ministrisë së Kulturës Rinisë dhe Sportit lidhur me zhvillimin e këtyre filmave ka qenë e përhershme, dhe do të jetë, sepse dokumentimi i tyre është i një rëndësie të veçantë, duke parë që kontributi dhe angazhimi i gjithë njerëzve në periudha të ndryshme kohore ka lënë gjurmë të cilat sot ne i shohim përmes filmave të cilët janë organizu nga autorët. Duke i përgëzuar autorët lidhur me skenarin e tyre, e konsiderojmë që ne, trashëgiminë tonë dhe kulturën tonë e tregojmë përmes filmit dhe artit”, tha Alaj.

Ndërkaq, këtë ceremoni hapëse e përmbylli një video-mesazh nga Presidenti i Federatës Ndërkombëtare të Kinematografisë Sportive, Franco Ascani, i cili tha se ky festival shfaq mundësinë e promovimit të vlerave kulturore të lëvizjes olimpike dhe kulturën përmes sportit.

Ascani: Vlerat kulturore të lëvizjes olimpike shfaqen përmes sportit

Ju përcjell përshëndetjet më të ngrohta për të gjithë pjesëmarrësit në edicionin e tretë të FICTS festivalit ndërkombëtar Prishtina 2023. Festivali, i përfshirë në rrethin ndërkombëtar të ‘Garës botërore të FICTS’ shfaq mundësinë e promovimit të vlerave kulturore të lëvizjes olimpike dhe kulturën përmes sportit. Festivali ‘Prishtina 2023’ përfaqëson një mundësi për të nderuar dhe për të festuar regjisorët dhe operatorët tjerë të kësaj fushe, si dhe protagonistët e sportit në fushën e bashkëpunimit më të gjerë, më të frytshëm dhe të ndërsjellë, ju përcjellë urimet më të mira të gjithë juve ‘Ambasadorëve të vlerave olimpike të ekselencës’ përfaqësuesve të Ministrisë për Kulturë, Rini e Sport, trajnerëve, sportistëve dhe gazetarëve sportivë. Falënderim i veçantë për Ismet Krasniqin, President i KOK-ut dhe stafit të tij, të cilët fuqishëm duan ta organizojnë festivalin për të promovuar kulturën sportive, e cila ka plotësisht mesazhin edukativ se vetëm vlerat olimpike dhe sporti përmes kinemasë dhe televizionit mund të përçojnë. Ky mision i përbashkët për të përhapur frymën e Lojërave Olimpike, është ajo që na bashkon të gjithëve. FICTS rritet me ju, falë jush dhe falë miqësisë tuaj. I uroj festivalit suksesin e merituar!”, tha Ascani.

Pas ceremonisë hapëse të këtij festivali, seria e filmave u hap me “Kryemjeshtrin”, të realizuar nga KOK-u për nder të trajnerit me tri medalje të arta olimpike, Driton Kuka.

Më pas u shfaq filmi “Pa vend” i autorit Samir Karahoda, që për tematikë kishte dy pingpongistë, të cilët enden nga një vend i panjohur në tjetrin me pronën e vetme të klubit, tavolinën.

Dy storjet për sportistët paralimpistë, “Vrapuesi që humbi një dorë, synon Lojërat Paralimpike Paris 2024”, me autor Amir Rama dhe “Storja inspiruese për futbollistin Enis Xhemajli”, të autorit Dilaver Polisi u shfaqën më tej.

Për fund u shfaq edhe premiera e filmit “Mija”, nga autorja Vjosa Maqedonci - Osmani, që iu kushtua legjendës së basketbollit, Resmije Juniku dhe klubit të basketbollit Universiteti. /A.Arifi/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat