​Kastrati: Nexhmije Pagarusha na bëri të gjithë bashkë

Kultura

​Kastrati: Nexhmije Pagarusha na bëri të gjithë bashkë

Më: 21 tetor 2023 Në ora: 18:39
Foto nga vendi i ngjarjes

Sot në Pagarushë të Malishevës, u përurua busti i Bilbilit të Kosovës, mbretëreshës së këngës shqipe, apo primadonës së melosit popullor shqiptar, Nexhmije Pagarushës.

Kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, ka folur për mbretëreshën e këngës shqipe, Nexhmije Pagarusha, për vlerat e saj artistike dhe kombëtare, për dashurinë e saj ndaj vendlindjes dhe mbi të gjitha për vlerat e zërit të saj, që vendlindjes i dha përmasa ndërkombëtare.

Kastrati: Ajo na ka bërë bashkë të gjithëve

Ylli i muzikës shqiptare, Nexhmije Pagarusha edhe sa ishte gjallë ka mbledhur e ka bashkuar njerëz të mirë që kanë dashur muzikën, kulturën dhe atdheun në përgjithësi, mirëpo edhe kur ajo nuk është më mesin tonë ajo na ka bërë bashkë të gjithëve. Shpirti i saj prej një bilbili të këngës ishte aq i fortë saqë i dha fuqi të madhe idesë për ngritjen e bustit të saj në Pagarushë. Ide kjo, ku me njerëzit e parë me të cilët kemi diskutuar e jemi dakorduar në zyrën time ka qenë miku im i mirë, ambasadori Minxhozi, të cilit i jemi shumë mirënjohës për gjithë përkrahjen në këtë proces… Iniciator për ndërtimin e këtij busti, ishte ambasadori shqiptar, Qemal Minxhozi, ndërsa donator kryesor ishte mërgimtari Enver Kryeziu, për të vazhduar me përkrahjen e pakursyer të mërgatës sonë, të komunës dhe në fund për t’u punuar ky bust nga duart e skulptorit Agon Qosa”, tha Kastrati.

Ai foli edhe për jehonën dhe vlerat e këngëve të kënduara nga “Bilbili i Kosovës”, Nexhmije Pagarusha, vlera të cilat bënë muzika shqipe dhe zëri i saj, të marrin përmasa botërore.

Edhe ambasadori Minxhozi, në fjalën e tij, foli për takimet që kishte me “Mbretëreshën e muzikës shqiptare”, Nexhmije Pagarusha, për dashurinë që ajo kishte për vendlindjen.

Minxhozi: Nexhmije Pagarusha fliste plot dashuri për vendlindjen e saj

"Prej kohësh përpara se të ndërronte jetë, në takimet e herë pas hershme melodike që kam pasur me Nexhmijen, një ndër temat ishte Pagarusha. Nuk mund ta imagjinoni që në harkun kohor të 9 vjetëve që unë jam në Kosovë, që të kem gjetur njeri të flasë me aq dashuri, me aq zemër, për vendlindjen e vetë sesa Nexhmije Pagarusha. Më pati ftuar disa herë për të vizituar Pagarushën, që fatkeqësisht unë e vizitova pasi Nexhmija nuk ishte në jetë dhe thoshte të shkojmë dhe ta vizitojmë bashkë dhe fliste për njerëzit që jetojnë atje. Dhe sot me një dashuri të jashtë zakonshme, unë e bëra këtë dhe prapë e vizitova Pagarushën sot me Nexhmijen…Ne sot, e vizituan Pagarushën, së bashku me Nexhmijen, tashmë në bronz. Nexhmija është ikona e muzikës shqiptare, që artin shqiptar e bëri t’i njohur në gjithë botën”, ka thënë Minxhozi.

Ndryshe, në këtë ceremoni të organizuar nën përkujdesjen e kryetarit Kastrati dhe në bashkëpunim me komunitetin e fshatit Pagarushë, morën pjesë edhe ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, personalitete të kulturës e artit, deputetë të Kuvendit të Kosovës dhe qytetarë të shumtë, të cilët paraprakisht kanë bërë nderime te varri i saj dhe më pas e kanë përuruar bustin, për të vazhduar me një koncert në Malishevë, me artistë të njohur të skenës së muzikës shqiptare.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat