Në tren

Kultura

Në tren

Nga: Ramadan Pasmaçiu Më: 10 nëntor 2023 Në ora: 18:18
Ramadan Pasmaçiu

Me të hyrë në tren, vura re se në ndenjëset e radhës së tretë kishte një vend të lirë. U drejtova për atje me hap të shpejtë, se e di që shkathtësia nuk është kurrë e dëmshme. - A mund të ulem? - pyeta një burrë rreth të dyzetave, me syze dielli e trup të bëshëm, dhe një djalosh kryekuq, që lexonte gazetën. - Jo, nuk mund të ulesh, - m’u përgjigj me ngut djaloshi, - pasi, si të thuash, është i zënë, ose më qartë, i rezervuar. Burri e pasoi në çast: - Po, po. Kjo është katërcipërisht e vërtetë. - Më falni! - mërmërita dhe u largova buzëvarur. Sa pa hedhur ende tre hapa, ndjeva se dikush më kapi lehtë nga pas. U ktheva në çast. Ishte një djalë me xhaketë sport. - Ulu këtu! - më tha. - Mos u vër mend atyre! Pra, ai paskësh soditur tërë ç’më kishte ndodhur. … Erdhi koha e nisjes. Jashtë filluan të fërshëllenin bilbilat e konduktorëve. Sakaq, treni bëri një kolpo të shkurtër e të shpejtë para - prapa dhe u vu në lëvizje. - Ndize një! - më zgjati paqetën djali me xhaketën sport… E ndeza. - Po ju e pini! - iu kthye të tjerëve, një çifti me stazh, që ndodhej pranë nesh tok me dy fëmijët. Burri e ndezi, kurse gruaja - jo. - Ku shkoni kështu? - pyeta burrin, se nuk m’u duk tip i rëndë. - Në Vlorë, tek djali i tezes së sime shoqeje, - m’u përgjigj. - Sot morëm pesëmbëdhjetëditëshin dhe themi ta kalojmë atje. Na ka marrë malli shumë për të. Kemi dy muaj pa vajtur, qysh në Vitin e Ri, se e kaluam së bashku. - Posi, posi, na ka marrë malli shumë, - u hodh gruaja, - se edhe ai rrallë vjen tek ne në Tiranë, një herë a dy herë në mot. Vetëm sa për ndonjë drekë dhe, fësht, kërcet e ikën. - S’ka faj, moj grua! Është me pesë kalamaj dhe bëhet merak për ‘ta. - Po, mor, po, xhanëm, - ia priti burrit e shoqja, - veç edhe ky treni ka prishur ca punë. Arrin në kryeqytet i biri i botës, sillet nga sillet tërë ditën, e hop, në darkë kthehet në koliben e vet. Po sikur të mos e kishte trenin, hë, thuaj, kthehej dot?

Jo. Prandaj, donte s’donte, do të mbetej një natë se s’bën nëpër farefis. Kështu që, ka prishur ca punë ky treni, ka prishur. - Ashtu, ashtu, - shtoi i shoqi dhe u kthye nga ne. - Është xhevair njeri djali i tezes së gruas sime. Apo s’ka edhe goxha muhabet të ëmbël! Gjithë fisi e rrethi i krushqisë e do e s’e ndan nga goja. Dhe nuk e harrojnë kurrë. Ja, vjet në verë, për shembull, kur ishte koha e plazhit, dyzet vetë i qemë mbledhur në shtëpi. E besoni, apo s’e besoni?! Përse t’ju betohem? Vetëm të vegjël qenë bërë nja shtatëmbëdhjetë. Po… kemi kaluar mirë, ama.

- E ka edhe nusen të pritur, veç! - e ndërpreu burrin gruaja. - Nikoqire për kokë të nikoqires është Servetja. Na bënte ballë për bukuri të gjithëve sa ishim, me ngrënie e me pirje. - Po, po, - kërceu burri. - Mëngjesi mëngjes. Dreka drekë, e darka darkë. Me të parë, me të dytë e me të tretë. Dhe çfarë gjellësh se! Të lëpije gishtat, për sytë e ballit! Di të kullandrisë nusja e Meleqit, s’është si gruaja ime, që më thotë gjithnjë pesë ditë përpara rrogës: “Mish mos prit më, se lekët u sosën!” Dhe më zë frymën me oriz e makarona! - S’je i kënaqur prej meje ti?! Me televizor të bëra, me frigorifer po, me lavatriçe po. Ç’do më! Tani vetëm një qilim i trashë nga ata të Korçës na duhet për dhomën e pritjes. Kurse Meleqi vërtet e ka Serveten të mirë, por nga këto soje gjer sot ajo s’ka mundur të fusë dot brenda. - Sa për atë ke hakë! Djali me xhaketë sport nxori një libër dhe filloi të lexonte. Çifti, me ç’dukej, s’kishte ndër mend t’i jepte fund bisedës, që kishte nisur. - Ti, mor qyq, akoma nuk ia di kimetin sat shoqeje! - foli gruaja si e vrarë në shpirt.

Në çast nga altoparlanti u përhap melodia e një kënge të bukur popullore. - Ja, e sheh se si e kanë gratë? - m’u drejtua mua burri në konfidencë. - Kjo këngë më pëlqen shumë, - i thashë, duke i treguar me gisht altoparlantin, sikur të mos e kisha dëgjuar pyetjen që më bëri. - Fillove të ankohesh?! - iu kthye prapë atij e shoqja, me një ton sikur të ishin duke u grindur. - Na jep edhe një cigare, byrazer! - i tha burri djalit me xhaketë sport. - Se kjo, më duket, po ia nis prapë avazit. Djali ia dha cigaren pa e parë në sy. Burri filloi të tymoste. Gruaja të heshtte. Këngët në altoparlant vazhdonin. I transmetonte Radio - Tirana. Po më tërhiqnin mjaft. Por jo vetëm mua. Edhe çifti, që kishim pranë, sikur u ngroh prej këngëve. Dy fëmijët e tyre dëgjonin dhe përplasnin pëllëmbët. Meloditë e Radio - Tiranës e arritën kulmin me këngën shkodrane “Bishtalecat palë mbi palë” Djali me xhaketë sport e vuri re gëzimin që më kishte përfshirë, ndaj nisi të më buzëqeshte. Kur, papritur, altoparlanti heshti. - Defekt? - pyeta me shqetësim dhe pa e kuptuar se kë. - Ku e gjeti tani! - përplasi shpinën e dorës së djathtë mbi pëllëmbën e së majtës mashkulli i çiftit. - Hapeni, hapeni! - sekush thirri fort në drejtim të kabinës së konduktorëve. Altoparlanti prapë u gjallërua, veç jo me muzikë. “Shoqe dhe shokë udhëtarë! - filloi të fliste përgjegjësja e trenit. - Në vagonin 73 është gjetur një person pa biletë. Me gjithë metodën e bindjes, që po përdor me të konduktorja përkatëse ai nuk po pranon të paguajë as gjobën dhe as biletën. Ne jemi të mendimit se personi në fjalë nuk i ka kuptuar si duhet rregullat e udhëtimit dhe nuk e njeh disiplinën proletare në punë. Prandaj pyesim: 1. - Po në ndërmarrje, vallë, kështu sillet ky person? - Ç’bën kolektivi i tij punonjës për ta edukuar atë? 3. - Ç’qëndrim mban shoqëria për të mos e lejuar personin e lartpërmendur që të veprojë në këtë mënyrë? 4. - A mund të themi se ka ndërgjegje socialiste një person i tillë?...” - Moj po mjaft e zgjate, se na iku muzika! - bërtiti burri i gruas.

- Le të paguajë biletën aty dhe jepini fund! - shtoi gruaja e burrit. Por fjalët e tyre nuk arritën në veshin e përgjegjëses së trenit, e cila ku ta dije se nga ç’kabinë po e mbante konferencën. Ndaj përsëri nisi avazin e Mukës: - Shoqe dhe shokë udhëtarë! Tani ju drejtohemi juve: 1. - A është e rregullt të udhëtojë tjetri pa biletë? - Nuk është e rregullt, nuk është, po vërini kapak, se mbaruan këngët! - sokëlliu një nga ata, që rrinin pas nesh. - Lidhe me Radio - Tiranën, ta hajë dreqi! Çifti, me sa u duk, u mërzit më shumë. Burrë e grua filluan të këndonin së bashku “Hipi Xhikja në majë të murit”. Tashmë përzierë me zërat e tyre, dëgjohej përgjegjësja e trenit, e cila vazhdonte të përsëriste: - Shoqe dhe shokë udhëtarë! Na vagonin 73 është gjetur një person pa biletë. Me gjithë metodën e bindjes…” etj. etj. “Ne jemi të mendimit se personi në fjalë…” etj. etj. “Prandaj pyesim: 1. - Po në ndërmarrje, vallë, kështu sillet ky person?” etj. etj. Shoqe dhe shokë udhëtarë, ju ftojmë të jepni ndihmën tuaj, për të dënuar sjelljen e personit kundërvajtës!” Aty për aty altoparlanti heshti. - Të vete unë t’i them atij të paguajë? - i tha burri së shoqes. - Rri, ore, në vend! Ç’të duhet ty?! - e ndali e shoqja, duke e ulur nga krahu. - Sa ka të tjerë këtu! Ndërkohë kaloi para nesh një nga konduktoret. - Si është puna me atë personin? - e pyeti me të shpejtë djali me xhaketë sport. - Cilin person!? - u habit ajo. - Atë, de, që s’pagon biletën… -… Dhe gjobën, hë? - e ndërpreu konduktorja. - Po! - Nuk e di, për nder! - u përgjigj ajo dhe vazhdoi të ecte më tutje… S’kaluan as dy minuta dhe prej altoparlantit buçiti zëri i trashë i një plaku: - Më thotë mendja që ky zabërhan të paguajë çfarë ka për të paguar dhe “stop!” Pas tij u dëgjua një i ri: - S’jam dakord që shoku të gjobitet. Gjoba më duket burokraci e trashëguar nga e kaluara. Ca më tepër kur ai po tregon qartë, se ka hipur në tren pa biletë, jo me qëllim mashtrimi. - Unë them, - ia priti një tjetër, - që ky birçe të japë vetëm gjobën, pasi gjoba… Diskutimet u ndërprenë papritur. Altoparlanti u mbyll. Kur ja, përgjegjësja e trenit njoftoi: - Shoqe dhe shokë udhëtarë! Personi kundërvajtës u bind për fajin e vet. Ai pagoi menjëherë. Sugjerojmë ndërmarrjen ku punon… etj. etj. që të ketë parasysh se ky person nuk është njeri i pabindur. Altoparlanti vazhdoi me këngën “Me gëzim po shkoj në punë!” - Shiko, mor, shiko se çfarë këngësh paskësh pasur, kurse ajo shoqja na mori mendjen me… - më tha djali me xhaketën sport. - Po, për sytë e ballit! - foli në vendin tim burri i gruas, duke u mbështetur në sup të së shoqes për të dremitur. Në çast folësi i Radio - Tiranës, si të donte t’i shkonte burrit pas oreksit, tha: “Me kaq programi ynë me muzikë mbaroi.” Djali me xhaketë sport psherëtiu i pakënaqur, nxori nga çanta numrin e fundit të revistës “Ylli” dhe filloi ta shfletonte. Pas një çikë pashë në këmbë pranë tij burrin me syze dielli e trup të bëshëm, pikërisht atë, tek qeshë drejtuar në fillim për vend, i cili pasi kapërceu pështymën, pyeti tërë mirësjellje:

Në qoftë se nuk ju duhet më revista, a mund të ma jepni pak edhe mua? - Me gjithë qejf, po nuk e kam lexuar ende as vetë. Tani sa e hapa. - ia priti djali me xhaketën sport. - Po, po, - ndërhyra me të shpejtë. - Kjo është “katërcipërisht e vërtetë”. Ai ktheu kokën nga unë, më pa ca si gjatë e, si më njohu, çoç mërmëriti nëpër dhëmbë në të larguar e sipër. - Akoma s’na ka ardhur radha neve, që jemi këtu pranë, - foli vajza e tezes e Meleqit. - Dashka të na e marrë tjetri nga ana e anës! Interesant! - Dua kukurec! - u hodh përpjetë, duke bërtitur me zë të lartë njëri prej fëmijëve të saj. I ati e pa, picërroi sytë dhe iu kthye së shoqes: - Mbyllua gojën të pjellëve të tu dhe lëna ta trembim pak gjumin! Arritëm në Durrës. Treni ndali. - Zbrit e bleju ndonjë send kalamajve! - i tha e shoqja të shoqit. Burri veshi pardesynë dhe zbriti. Unë dhe djali me xhaketë sport, i cili qenkësh beratas, nisëm të diskutonim mbi rrugët e kalimit të skuadrës së futbollit “Tomori” nga vendi i fundit i kategorisë së dytë në kampione të Republikës. Një mustaqelli, që pushonte duke pirë cigare pas supeve tona, na tha: - Ç’vrisni kohën kot, byrazera! Vetëm kur të qethen viçat, bëhet ajo punë. “Tomori” ka marrë fund, që kur hëngri dru edhe nga “Tërbuni”. S’arritëm t’i jepnim përgjigje, se na e tërhoqi vëmendjen bashkëudhëtari ynë, burri i gruas, i cili erdhi me të shpejtë me ballin të djersitur e duke iu mbajtur fryma: - Çohu! - i foli së shoqes si duke e urdhëruar. - Ç’ndodhi?! - e pyeti ajo e trembur. - Asgjë, asgjë. Meleqi është në trenin që po këmbehet. Po vjen tek ne në Tiranë tok me Serveten e me kalamajtë. Më tha se do ta vizitoka gruan te një doktor i zoti dhe, me këtë rast, do të qëndroka ca ditë andej nga ne. Pse nuk thua që… - Lëri ato, po hajde, se po na merr treni me vete! A nuk e dëgjon sirenën? Vërtet sirena po ushtonte. Gruaja u skuq. Mblodhi buzët dhe u ngrit me përtesë. - Ky treni ka prishur ca punë, s’them keq unë. S’guxon tjetri të marrë një udhë, se “bëlldum!” i pëllcet soji e sorrollopi në shtëpi papritur e pakujtuar! - tha me nevrik të papërmbajtur. Fëmijët e saj filluan të thërrisnin të gëzuar e me zë të fuqishëm, duke rrahur shuplakat: - Xhaxhi Meleqi, xhaxhi Meleqi, hye, hye! - Plaç, more, se na muartë mendjen! - u bërtiti e ëma, dhe i qëlloi nëpër duar. I shoqi mori dy valixhet, na përshëndeti vetëm me kokë me një shprehje sikur donte të na thoshte “Ç’të bësh, kështu e ka jeta!” dhe çau përpara. E shoqja e qortoi nga pas, pa dashur t’ia dinte fare në e dëgjonte kush: - Ngadalë, or ti, ngadalë! Ç’nget ashtu zdrënkthi, se na vdiqe! - Po ikën treni, të thashë, po ikën treni! - E po, le të ikë, de! Sikur u ftoh pilafi dhe i ngriu dhjamët! - u nxeh gruaja në të zbritur e sipër. Djali me xhaketën sport u ul lirshëm në sedilje, si i çliruar prej një mundimi të madh, dhe qeshi sa mundi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat