Libër i rrallë me skenarë filmash

Kultura

Libër i rrallë me skenarë filmash

Nga: Ahmet Pllana Më: 5 dhjetor 2023 Në ora: 06:37

Kohë më parë doli nga shtypi libri me skenarë filmash me titull “Përmbledhje skenarësh” i autorit Ali Sh. Berisha, botim i Shtëpisë Botuese “Lena Graphic”. Ali Sh. Berisha është një studjues i mirëfilltë dhe i pandalshëm në lëmi të ndryshëm të artit dhe të letërsisë. Ai pos që ka shkruar dhe ka botuar disa libra me poezi, por ka shkruar edhe prozë, tregime dhe disa romane. Gjithashtu Ali Sh. Berisha është marrë edhe me hulumtime trashëgimore dhe historike. Ka shkruar dhe botuar edhe monografi dhe studime të ndryshme nga letërsia popullore, sidomos etnografi dhe onomastikë.

Ali Sh. Berisha që nga mosha e rinisë qysh kur ishte gjimnazist asnjëherë nuk ka rreshtur së shkruari. Gjithmonë ka qenë i palodhshëm dhe puna e tij krijuese e pandalshme ka bërë që ai sot t’i ketë të botuara gjithsejtë 49 libra, duke e llogaritur edhe këtë libër më të fundit të tij me skenare filmash.

Vërtet ky është një bagazh i madh i një krijuesi, i cili gjatë tërë jetës së tij nuk u ndalë së shkruari, qoftë poezi, qoftë tregime, qoftë romane, qoftë libra shkencorë apo edhe libra dokumentarë e monogfrafi. I lumtë mendja dhe pena poetit, shkrimtarit, studjuesit, kronistit…Ali Sh. Berisha nga Prishtina.

Kohë më parë Ali Sh. Berisha ka dalë edhe me një libër të ri me titull mjaft interesant dhe që zgjon kurreshtje për skenaristët dhe regjisorët e filmave, andaj edhe librin e ka titulluar “Përmbledhje skenarësh”, ku përfshihen pesë skenarë filmash artistik dhe filmash dokumentarë.

Libri i ka 178 faqe, ndërsa redaktor i këtij libri është Alban Fejzullahi, recensent Arben Berisha, kurse lektor autori. Librin e botoi dhe e shtypi Shtëpia Botuese “Lena Grafik” në Prishtinë. Në këtë libër të rrallë të këtij lloji, autori shkruan skenare mjaft interesante dhe të suksesshme filmash. Shkruan skenarin për filmin dokumentar “Kujtimi për kroin”, si dhe skenarin për dramën televizive “Plaga e fundit”.

Në këtë libër mjaft interesant autori Berisha pastaj shkruan skenarin për dramën për fëmijë me titull “Shoqja ime artiste”, ndërsa më pas shkruan skenarin për filmin artistik “Nga dasma në dasmë”. Gjithashtu, në këtë libër autori Berisha shkruan skenarin për dramën për fëmijë “Dajë, merrma çantën” dhe në fund të librit autori shkruan një skenar për një skeç për fëmijë me titull “Kurora”.

Ali Sh. Berisha me këtë libër ka nxjerrë në pah disa skenarë filmash, të cilët kanë një rëndësi në shoqëri, si në edukimin e brezave, po ashtu edhe në kujtimin historik të kohërave të ndryshme me përplot krajata dhe sfida që u janë imponuar popullit tonë nëpër periudha të ndryshme historike.

Autori Berisha që në fillim të librit jep disa sqarime ku shkruan: Në këtë përmbledhje skenarësh renditjen e kam bërë sipas kohës kur janë punuar, qoftë për dokumentarë, qoftë për dramë filmi, qoftë për film artistik apo skeç për fëmijë. Përmes tyre pasqyrohet ecja nëpër kohë përmes dhembjes, ëndrrave, akti i viteve civile e ushtarake, shkruan autori në fillim të librit.

Prandaj, libri përmbanë pesë skenare filmash që janë mjaft interesante nga përmbajtja e tyre, sepse shënojnë ngjarje nga koha nëpër të cilën ka kaluar populli i Kosovës nëpër etapa dhe periudha kohore jo shumë të largëta, konkretisht në vitet e shtatëdhjeta, tetëdhjeta e nëntëdhjeta.

Autori Ali Sh. Berisha përmes këtyre skenareve të filmave ka synim dhe qëllim që t’i demaskojë të metat dhe gabimet që kanë bërë njerëzit nëpër kohë, duke shkaktuar pezmë dhe irritim nga ato gabime, ndërsa njëkohësisht duke sygjeruar dhe këshilluar që ato gabime nuk duhet të përsëriten më.

Pra, skenarët në këtë libër kanë mesazhe të qarta se nga gabimet e bëra të njerëzve që janë cekur nëpër këto skenare, nuk duhet të përsëriten më dhe natyrisht se ato gjithsesi duhet të eliminohen.

E përgëzojmë autorin Ali Sh. Berisha për këtë libër të këtij zhanri letrar që është me plot domethënie dhe kuptim për lexuesit, ndërsa në veçanti për regjisorët të cilët nga ky libër mund të nxjerrin filma shumë të mirë dhe të shikueshëm.

I urojmë rrugëtim të mbarë librit dhe lutemi që të bie në duar të regjisorëve të filmave që pastaj ata të nxjerrin skenarët dhe të bëjnë filma! Megjithatë, kjo nuk don të thotë që libri është i shkruar nergut vetëm për regjisorët. Libri “Përmbledhje skenarësh” i autorit Ali Sh. Berisha është i mirëseardhur për të gjithë lexuesit, sepse nga ky libër ata mund të mësojnë shumë.

Mirëpo, e mira e së mirës do të ishte që ky libër me skenare filmash të bie në duar të regjisorëve dhe të bëhen filma nga këto skenare mjaft interesante. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat