Lasgush Poradeci, ylli ndër yje

Kultura

Lasgush Poradeci, ylli ndër yje

Nga: Agim Xh. Deshnica Më: 27 dhjetor 2023 Në ora: 10:29
Lasgush Poradeci

27 dhjetor 1899, familjes së Sotir Gushos në Pogradec, u lindi djalë. Atë ditë feste e pagëzuan me emrin Llazar, por nga viti 1933, me botimin e librit “Vallja e yjeve “ do të njihej ne boten letrare vetëm me emrin Lasgush Poradeci.

Mësimet e para i mori në qytetin e lindjes. Shkollën e mesme e nisi në Manastir. Ishte kohë me tronditje të brendëshme, me rebelimin e vitit 1914 kundër Qeverisë së Vlorës dhe me zjarrin e Luftës së parë Botërore, kur pavarësia humbi paqen e qetësinë. Shkollat u mbyllën dhe Llazar Gusho u kthye në Pogradec. Pas mbarimit të luftës, i ati e nisi për në Athinë të mësonte në Liceun Francez arumun. Mësimet i mbaroi në vitin 1921 në Silistra, aso kohe qytet bregdetar i Rumanisë e sot i Bullgarisë. Po atë vit vajti në Bukuresht për të ndjekur studimet e larta në Akademinë e arteve dhe të letërsisë. Gjatë asaj kohe iu desh të punonte dhe njëherazi të studionte. Në ato vite mori pjesë në lëvizjen atdhetare të Kolonisë Shqiptare, krahas me Asdrenin dhe atdhetarët e tjerë dhe u zgjodh sekretar i përgjithshëm i saj. Në vitin 1924, me bursën e Qeverisë së Nolit kreu studimet në Grac-Austri në Fakultetin e Filologjisë Romano - Gjermane. Në mbarim, mbrojti temën: “Eminesku dhe poezia popullore rumune.” Me ndihmën bujare të Kutelit dhe bashkatdhetarëve në Rumani. u botuan në Bukuresht dy vëllime me poezi të Lasgushit "Vallja e yjeve" më 1933, dhe "Ylli i zemrës” më 1937. Atëherë Lasgushi shkruan edhe një histori për lëvizjen kombëtare të shqiptarëve të Rumanisë dhe jetëshkrimin e veteranit të kësaj lëvizjeje, Nikolla Naço. Me këto vepra ai u bë i njohur në Shqipëri e jashtë saj. I kthyer në atdhe më 1934, dha mësim në Liceun e Korçës dhe në Gjimnazin e Tiranës.

Lasgush Poradeci jetoi në kohën e luftrave e kryengritjeve të mëdha për liri, ndaj në krijimtarinë e tij ndihet shqetësimi për kombin, sipas ideve të Rilindjes kombëtare, edhe ëndrrave për përparimin demokratik. Ai ishte dhe mbeti një nga lirikët tanë më të mëdhej, i shquar për ndjeshmërinë dhe ëmbëlsinë e vargjeve si rrallëkush, Në vitet e para të jetës krijuese ai u këndoi luftëtarëve të lirisë e të pavarësisë, bukurive të vendlindjes me vargje plot tinguj, rima e ritme me ngjyrime nga me te larmishmet. Ja si shprehet Lasgushi për poezinë: “Pse shkruaj, pse parapëlqej të shkruaj vargje dhe jo prozë? Kur them vargje, kuptoj që duhet të jenë të përsosur nga arti. Vetëm vargjet e përsosur rrojnë (dhe mezi edhe këta).” Më tej: “Nuk ka poezi të madhe ose të vogël, të mirë ose të keqe, por vetëm që i përshtatet plotësisht potencialit jetësor dhe poezi që s’i përshtatet. Ajo që i përshtatet, është POEZIJA…”

Jemi në mbarim të vitit 2023 dhe vargjet e përsosur të Lasgushit rrojnë, të freskët, me një gjuhë të kulluar shqipe, me ritme e rima të përpikta, me simbole të kuptueshme. Janë poezi për të gjitha moshat, që i “përshtaten plotësisht potencialit jetësor”. Ja, tek na vijnë ndër mend vargje prej poezisë “Poradeci”:

“Në katund troket një portë,

në liqen hesht një lopatë,

një shqiponjë e arratisur

fluturon në Mal të Thatë…

Tërë fisi, tërë jeta,

ra…u dergj …e zuri gjumi…”.

Në ato poezi dëgjojmë fërfërimën e flatrave të shqiponjës në kërkim të burimeve në Shën Naum, mbrëmjen e qetësinë e natës, shushurimën e valëve, që shtrohen buzë liqenit.

Gjatë viteve ’30 – ‘40, poezitë e tij u botuan në librat shkollore, në gazeta e revistat letrare. Pas mbarimit të luftës, Lasgush Poradeci nuk iu nënshtrua kërkesave të letërsisë soc.realiste dhe pothuaj e theu penën. Arti i vargjeve të veta dhe mendimet e tij filozofike binin ndesh me ideologjinë e mohimit të vlerave demokratike, ndaj i mbyllur në vetmi, në gjendje të vështirë ekonomike, jetoi me punën e lodhshme të përkthimeve. Gjuha e bukur popullore e përdorur me mjeshtëri nga Lasgushi në poezi, u hijeshua me ngjyrime plot art. Me vargjet e krijuar ai e pasuroi gjuhën shqipe dhe letërsinë me fjalë e frazeologji të reja. Duke trajtuar çështjen e gjuhës shqipe, ai shkruan: “Përsa i përket toskërishtes, kjo siç duket, njëherë mund të mënjanohet prej gjuhës “së mesme”, që s’është veçse një gegërishte e zbutur, nga influencimi armonioz i toskërishtes. Gegërishtja ka energji fizike, toskërishtja ëmbëlsi shpirtërore. Dyke bashkuar gegërishten me toskërishten, gegërishtja gjith dyke mos humbur forcën, energjinë, fiton dhe harmoni, e ëmbëlsi, si gjuhë e “mesme” me karakter geg. Lufton, pra, forca fizike me harmoninë shpirtërore, trupi me shpirtin. Sa më e fortë, më e fuqishme, më e shumanëshme të jetë toskërishtja në harmoninë e saj, aq më shumë do të ndjehet fryma mirëbërëse që ajo ka në gegërishten e “mesme.” Me këtë bindje ai mori pjesë në Kongresin e Drejtshkrimit - 1972. Në çastet fatale të vendimit, ai u largua nga mbledhja pa u ndjerë e pa e nënshkruar dokumentin e standardit të shqipes të diktuar nga lart.

***

Lasgushi jetoi i shqetesuar si gjithë intelektualët e përndjekur, shihej tek ecte gjatë trotuarit në sheshin Skënderbej dhe hipte me vështirësi në autobusin e Kombinatit, mbushur plot me punëtorë e nëpunes, që ndalonte edhe pranë Shtëpisë Botuese Naim Frashëri, Poeti i zbardhur dhe i dobësuar mezi mbahej më këmbë. Në disa raste ndonjë student i afrohej dhe e mbronte nga turma, që shtyhej para e prapa.

Në vetminë e studios së varfër, Lasgushi krijoi edhe poemat "Eskursioni teologjik i Sokratit","Mbi ta", "Kamadeva"e baladat për Muharrem e Reshit Çollakun. Të gjitha u botuan në vitin 1989, kur poeti ishte larguar nga jeta dhe gjemia e zyrtarëve të lartë pa kulturë, po fuste ujë e pak nga pak po fundosej. Do të vinte një ditë dhe kumti i poetit në vargje do të jetonte: "Kur të mos jem në jetë vetë, do të jetë zemra ime.”

Vlerësimi i veprës së tij

Lasgush Poradeci la një krijimtari nga më të këndëshmet të poezisë shqiptare. Poezia e tij lexohet me ëndje brenda e jashtë Shqipërisë. Veprat e tij u vlerësuan nga dijetarët e shquar të kulturës, si Eqrem Çabej, , Skënder Luarasi, Sabri Hamiti, Rexhep Ismajli ndersa Mitrush Kuteli në letrat nga Bukureshti i skruante me adhurim për poezitë e përkryera, ndër to Durim: “Ta kendova me gezim vjershen Durim Me pëlqen alternanca e tetë dhe e pesë rrokjeve. Kjo i jep intesitet dhembjeve të brendëshme. Prej shumë kohësh në arrati të vjetra e të reja, nuk pata dëgjuar të folur shqip.

***

Me përkthimin e krijimeve të Lasgushit në anglisht nga Robert Elsi, bota u njoh me krijimet e një poeti shqiptar, të panjohur më parë. Meqë Lasgush Poradeci renditej krahas Fishtës, Mjedës e Prennushit, Nolit e Konicës, Kutelit e Koliqit, ai u la në harresë nga shtypi i mefshtë i kohës së mbrapshtë.

Në librin Historia e Letërsisë Shqiptare - 1983, krijuesi i poezive mahnitëse “Poradeci”, “Dremit Liqeni”, “Zemra e Liqenit” “Mbarim Vjeshte” e të tjera si këto, trajtohet si poet i mbyllur në vetvete, herë popullor e herë kontradiktor, i ndikuar nga poezia dekadente… E kush se, përkthyesi mjeshtër i Gëtes e Hajnes, Lenaut e Brehtit, Hygoit e Mysesë, Bajronit e Shellit, Pushkinit, Lermontovit e Bërnsit!

Lasgush Poradeci deri në fund të jetës, sado në moshë të thyer, si një poet i zgjuar nga ëndrrat e rinisë, kthehej i përmalluar në Pogradec, te liqeni i tij, pranë lundrave, zambakëve e krojeve.

vitit 1991, shkollat, rrugët në disa qytete, mbajnë emrin e tij. Librat me krijimet poetike botohen e ribotohen me ngjyra nga më të larmishmet. Edhe ata që nuk e lanë të qetë dikur, tani vrapojnë e shkruajnë ndryshe.

Kujtimet na kthejnë mbrapsht në kohë, kur diktatura ende nuk kishte hyrë aq thellë në mjediset e kulturës. Në një rreth letrarësh të rinj në sallën e Bibliotekës së Vjetër Kombëtare, një poet me njohuri të cekta, teksa trajtonte poezinë shqipe, krahasoi disa poezi të paraluftës, epikën e Fishtës me lirikën e Lasgushit. Me ato njohuri sigurisht ai s’mund të arrinte në përfundime të sakta, se këta poetë te medhenj në kohën e tyre i shërbenin një qëllimi, njëri këndonte për lirinë, tjetri me ëmbëlsinë e vargjeve u këndonte bukurive të atdheut. Fishta e Lasgushi shpesh shkëmbenin letra, duke çmuar krijimet e gjuhën e njeri - tjetrit. Një foto e asaj kohe dëshmon për këtë të vërtetë. Aty duken qartë Lasgush Poradeci, Ernest Koliqi, Gjergj Fishta dhe Asdreni.

 

 

 

Shumë vetëve, teksa zbresin nga Qaf-Thana në Pogradec, sodisin mirazhin e poetit të dashurisë dhe të magjisë së yjeve, duke ecur i menduar, në kërkim të kohëve të rinisë, kur në çaste frymëzimi krijonte vargjet-peizazhe plot harmoni për muzgun e heshjen në liqen e në qytet, për fluturimin e shtërgut, për krojet, lundrat e zambakët mbi ujë, për shqiponjën, Malin e Thatë, ShënNaumin e Drinin e kaltërt. Emri Lasgush na sjell ndër mend hiret e lirikut romantik e simbolist, ndërsa mbiemri Poradeci ka thyer një emërvend të huaj për qytetin e tij të bukur. Aso kohe i njohur si poet romantik kudo,

edhe për thjeshtësinë e dashurinë ndaj njeriut, miqve e krijuesve të tjerë. të moshuar apo të rinj si Fishta, Mjedja, Asdreni, Noli, Kuteli, Buharaja etj

Në shenimet e veta Aleks Buda, kujton kohën e bukur të studimeve takimet e këndëshme me Lasgushin në rrethe miqsh, në Vienë, Tiranë e Pogradec, recitimet e poezive romantike dhe bisedat për letërsinë artin,e muziken klasike gjermane.

****

Disa nga botuesit e veprave të Lasgush Poradecit

për çudi mbi mbulesën e librave me poezi, vendosin fotot e poetit të moshuar e të ngrysur, kurse shtatorja pranë liqenit në Pogradec, nuk tregon aspak poetin e hijshëm djaloshar, por një plak të trishhtuar.

Lasgush Poradeci si të gjithë poetët romantik iku jeta para kohe pa dhënë tërë thesarin poetik që kishte në shprt e në mendje sepse ai nuk mund të merrej me lavde kushtuar regjimit poltik të dhunshëm, por la veprarat e ndritura e kohëve të rinisë dhe kumtin: “Po të mos jem në jetë do të jetë zemra ime.”

Japim disa nga poezitë e magjishme të rinisë.

Se dashuron dashuria

Ku shtrohet vala përmi zall

E fryn një këng´ e pakuptuar,

Të pashë, motër, plot me mall,

Më pe më shpirt të llaftaruar.

Q´ahere silleshim më nge

Gjith vet-i dytë, vet-e dytë…

Dh´i shtinja sytë gjith përdhe —

Gjithë përdhe m´i shtinje sytë…

Po me t´u ndarë vet e vet,

Më s´kishim turp që s´kishte fjalë…

Na rritej malli posi det,

Posi një det që vjen me valë:

E prapë silleshim më nge

Gjith vet-i dytë, vet-e dytë;

E prapë sytë gjith përdhe,

Gjithë përdhe pikonin sytë.

Q´ahere qamë plot me mall

Atë vështrimin e kaluar,

Ku shtrohet vala përmi zall

E fryn një këng´ e pakuptuar.

Se kish kuptim, që s´kish kuptim,

Kuptim´ i fellë-i mallit t´onë;

Se malli jon´ ish zotërim,

Që robëron përgjithëmonë;

Se s´dashuronja-as un´ as ti,

Po dashuronte dashurija:

Një dashuri — një fshehtësi

M´e fshehur sesa fshehtësij

Zog i qiejve

Këng’ e lasht’ e vjershërisë më pëlqeu aq fare pak…

Do t’ja marr që sot e tutje si bilbill parëverak

Që nga fund’ i vetëvetes do këndoj një mall të ri:

Brenda tufës së junapit që mbleroj me kaq stoli,

Kur po shoh ndaj ryn bilbili e sakaq zë qan nër fletë,

Këng’ e ti më ngjan kulluar posi këng’ e Zotit Vetë.

E prandaj, dyke filluar, ay Lart i shpije kryet

Dh’ i ngreh sipër- e më-sipër, gjersa qafa ment i thyet.

Asoherë e ndjej si foli: Të jam falë, o Zoti im!

E pastaj i ulet gusha më përposh- e- më- përposh,

I venitet me-nga-dale syri-i qarë- e bukurosh.

Ay sheh që nëpër fletë me vështrimin e çuditur

Ndaj çkëlqen nër mijë ngjyra Vëndi’i ti ku pati zbritur,

E pra ja q’i mbylli sytë, e që gojëzën e hapi:

Tungjatjeta! tungjatjeta! Vënd, o Vënd, ku çel junapi!

Haj! Bilbil, se Vëndi jonë ka liqere - e anë detesh,

Nëpër bimëzat e tyre po vërej si qan e tretesh;

Po dëgjoj prej largësire, si nër male - e si nër fusha,

Si nër kopshte jargavanësh dhemshurisht të fryhet gusha;

E çdo lis që mban të gjelbër e çdo pemë e çdo rakitë,

E çdo bar i lulëzuar ças-për-ças t’i ndjen çuditë…

______________

Viti 1921

Poradeci

Perëndimi i vagëlluar mi Liqerin pa kufir

Po përhapet dal-nga-dalë një pluhurë si një hije.

Nëpër Mal e në Lëndina shkrumb’ i natës që po bie,

Dyke zbritur që nga qielli përmi Fshat po bëhet fir…

E kudo krahin’e gjerë më s’po qit as pipëtim:

Në katund kërcet një portë… në Liqer hesht një lopatë,

Një shqiponjë e arratisur fluturon në Mal të Thatë…

Futet zemra djaloshare mun në fund të shpirtit tim.

Tërë fisi, tërë jeta, ra…u dergj…e zuri gjumi…

Zotëroj më katër anët errësira… Po tashi: Dyke nisur udhëtimi

Dremit liqeri

Mi zall të pyllit vjeshtarak

Dremit liqeri pa kufi,

Aty nga fundesh u përflak

Posi me zjarr e me flori.

Posi me flakë u ndez e kroj,

E vetëtit plot magji,

E yll’ i ditës perëndoj

Në qetësi dhe dashuri.

Tashi po shuhet nënë mal,

Qytet’ i ngrysur në të zi.

Pa ndizen yjtë dal-nga-dal

Plot bukuri! Plot fshehtësi!

Në këtë ças perëndimor,

Ndaj po më dehen sytë e mi,

Kuptoj si shpirtin vjershëror

M’a frymëzon një mall i ri.

Vallja e yjeve

Yjtë e ndezur si fingjill,

Që vërtiten palë - palë,

Prej mosgjëje zunë fill

Plot me mall të valë

Zunë fill me dashuri

Që kur bota zu të ngjizet,

Pa sikush për shok të ti

Përvëlohet edhe ndizet.

Ndizet ças edhe për ças

E si kurrë s’ka të shuar,

Pa pushim i vete pas

Me një sulm të llaftaruar.

E si kurrë nuku mund

Ylli yllin që t’a kapë,

Rrotull qiejve pa fund

Venë e vinë e venë prapë.

Mbarim vjeshte

Fluturoj dhe shtërg i fundit,

madhështor, me shpirt të gjorë

Dyke shkuar që me-natë

sipër malesh me dëborë…

Iku rëndë e i përmallshëm,

dhe me sqep të ti të fortë

Zotëriut q’i la folezën i trokiti

mun në portë…

Pra, më s’duket shpes’ i fatit

prapa bujqish edhe plorësh,

Prapa brazdës së rëxuar

hap-me-hap prej qe malorësh;

Më s’dëgjohet nër ugare të kërcasë

miu i hirtë,

Vdiq nëpërka pikëlore

ndaj blatish’ e shkretëtirë.

Dheri i mardhur prej thëllimi

dirgjet heshtur nënë brymë

Fryn veriu në pyll të thatë

me zembrim e me fërtymë

E si shtohet cingërima…

ja! se ku dinak dh’i voçër

Nëpër gardhe- e nëpër ferra

dërdëllet gazmor një çoçërr.

,

O! sa hir që kishte shtërgu,

aq fisnik me shtat të gjorë.

Kur bariste dal-nga-dale-

posi dhëndër me kurorë.!...

E kur pranë vinte krilla,

që shëndrij në kraharuar,

Me sy lart, me hap të matur –

posi vashë e nusëruar.!...

Kroi i fshatit tonë

Kroi i fshatit tonë, ujë i kullua

Ç’na mburon nga mali dyke mërmëruar.

Venë mbushin ujë vashat an’e-mbanë

Cipëzën me hoja lidhur më-një-anë;

Cipëzën e bardhë, cipëzën e kuqe,

Gushën si zëmbaku, buzët si burbuqe.

E si mbushin ujë! bubu! ç’m’ju ka hije

Ndaj kthehen prapë me hap nusërije,

Ndezur yll’ i ballit si yll shëntërie.

II

Kroi i fshatit tonë, - ngjyr' ergjënd i lyer

Që nga rrëz’e malit ç’na mburon rrëmbyer.

Venë pijnë ujë trimat an’-e-mbanë,

Takijen me lule përmi sy më-nj’-anë.

Takijen e dlirë, takijen e nxirë,

Buzën më të qeshur…më të psherëtirë…

Mbrëmave kur uji mërmëron nga-dalë,

Vjen t’i thotë trimi vashës nj’a dy fjalë:

Vashëzën bujare që po vij në krua

Seç e përshëndeta, seç’ m’u turpërua

ula kryet e shkova si grua.

Kroj i fshatit tonë, tetë sylynjarë,

Në tetë krahina qenke kroi i parë;

Qenke një në botë, s’paskërke të dytë

Ç’na shëroke plagët, ç’na shëroke sytë.

Kroi i fshatit tonë, n’atë mal me fletë,

Derdhet aq i egër, derdhet aq i qetë.

Posi malli i zemrës, mun në gjit të shkretë:

Derdhet aq i egër, derdhet aq i qetë,

Posi mall’ i vashës, që djeg më të fshehtë .

Posi mall’ i trimit, që buçet përpjetë,

Obobo! Si malli, që nuk vdes përjetë.

Lundra dhe flamuri

Që larg po vi.., që larg.

Më turren valët varg-e-varg,
Un´ ik dh´ hepohem mund si harg..
E sipër tyre shkas,
Valoj me sulmë-e gas,
I le tallazet pas:
.Kur val´ e egër ze më tund,
E s´mund të mpruhem asgjëkund
Prej gjeratoreve pa fund, —
Dënimi im s´më tremb aspak!
Dënimi im nis e m´i lak
Fingjijtë-e shpirtit varfanjak:
E si më mbyt i tmershmi det.
Pushon ah! zemra që buçet,
Mbaron ah! zjarri që më tret.
E s´duket gjë kur humb,
Veç pluhurës si shkrumb
Lart mi katart si thumb:
Flamur i pastër që m´u nxi
Në sulm të lumtur për liri,
Qëndron gazmor në lartësi!...
Tashi katarti-u çduk në det
Tashi flamuri-u ngrit përpjet,
Valon lirisht si shpirt i let

***

Dy poezi nga autori i shkrimit kushtuar Lasgush Poradecit:

Përskuqen retë

mbi Qaf-Thanë.

Qiell e ujë ndaluan pranë,

brigjet humbën e mbrëmja vjen.

Kotet në lundër peshkatari,

harroi koran, rrjetë e lopatë,

rreth zambakësh nosit pendë ari,

shqiponjë e arratisur në Mal të Thatë.

Sodit vagëllim H

yjet e ndritur numëron,

mbi valë në efirin pa mbarim.

malli djeg e shpirtin zgjon.

Në Shën Naum burimet gjen,

lanë sytë e ballin e menduar,

me ujët e Drinit të bekuar

dhe pyet yjet, për ç'ka po vjen.

pa shuan etjen ndër sylynjarë

me luleshtrydhe, thellë në pyll,

fton zanën me sytë e shkruar pranë,

t'i rrëfejë, për liqer e yll.

________________________

Pogradec, 1989

Liqeni

Sa më pëlqen të eci qetë

në ajër të pastër kur zhduken retë

kur edhe nuk ka mërguar gushti.

Të eci bregut me ngadalë

atje, ku psherëtijnë valët

nën shelgje, në çastet kur shtërgu

përgatitet për udhën e largët.

Atje, ku zambaku

i bardhë mblidhet,

pushon, dremit mbi fletë

dhe rrënjë e jetës shtillet,

e dridhet lehtë e lehtë

në ujin blu me arratisje

për te rrjedhë e Drinit,

maleve, këputur në zemër

nga vargonj kufiri.

Me pamje Shën Naumi,

në mjegull Mal i Thatë,

ky dëshmitar i shenjtë,

përflakje dritash nëpër natë.

Mbi shkëmb me myshk e gurë

ku llokoçitej uji nën drurë

e sillej qark ndër shtylla.

si në ëndërr sytë mbylla

Pranë kallamishtesh,

ku varka tundet e hesht lopata,

ndër pasqyrime, ku bredh

poeti yll mengjesi iken nata

Përgjoj çuçurimë gushkuqësh

mbi degëz, fshehur nën fletë,

sodis ngjalat, tek lëvrijnë

zbrapsjen vetëtimë,

hedhjen vërtik të rrjetës

mbi koranët e fjetur.

U iki hijeve të ftohta,

te rrezet e ngrohta

dhimbje e lashtë qetohet

e kthehet kënaqësi e plotë.

Shtillen ngjyrat valë mbi valë

ndërrohen nga gri në allë .

tek më fton liqeni i dlirë

zhytem në blu e kaltërsirë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat