Ka vdekur Paolo Muner albanologu i madh nga Trieste

Kultura

Ka vdekur Paolo Muner albanologu i madh nga Trieste

Nga: Gëzim Muçolli Më: 1 janar 2024 Në ora: 17:31
Paolo Muner

Natën midis 30 dhe 31 dhjetor, na la edhe një figurë e madhe dhe e mirënjohur, që pjesën më të rëndësishme të jetës së tij ia kushtoi Shqipërisë dhe studimeve të historisë shqiptare.

Ishte oficer madhor i marinës ushtarake italiane dhe në vitin 1992, shkoi në mision të rëndësishëm për të ndihmuar në riorganizimin modern të ushtrisë shqiptare në Durrës, në cilësinë e komandantit të seksionit të Forcave Detare dhe komandant i Projektit të Rojës Bregdetare të Shqipërisë.

Ishte i laureuar në shkenca politike (drejtimi ndërkombëtar) dhe pas largimit nga shërbimi aktiv në Marinën italiane, Muner iu kushtua me zell studimit të thellë të historisë dhe kulturës së popullit shqiptar.

Në Shqipëri ishte i njohur në qarqe kulturore dhe ka publikuar këto libra në të dy gjuhët:

1) “Një histori shkodrane – Flamujt e parë të anijeve tregtare shqiptare (1913-1914, Prej arkivave të Qeverisë Detare Austriake në Trieste) ;

2) “Jo vetëm “Hymni i Flamurit” – Disa kuriozitete mbi “himnet e tjera kombëtare” shqiptare, në ag’ të Pavarësisë ;

3) “Shpnésa e Schypeniis (Shqiptarë të Trieshtit) / La speranza dell’ Albania (Albanesi di Trieste)”,

Studiuesi i zellshëm i albanologjisë nga Trieste,ka lënë gati për botim edhe dy libra:

“Capitano di Porto di Antivari – 1879-1907”, në version me tri gjuhë: italiane,shqipe dhe malazeze.

“Pse vdiq Ushtria e Gjeneralit? (Per chi è morta l’Armata del Generale?), një studim monografik joletrar dhjetë vjeçar mbi romanin r Ismail Kadaresë.

Muner ka qenë i hapur për bashkëpunim me gazetat periodike shqiptare në Shqipëri e kudo tjetër në botë dhe ishte përherë i interesuar të kontribuonte intelektualisht në revistën “Iliria” që e nxjerr Shoqata kulturore shqiptare me të njëjtin emër në Koper të Sllovenisë e udhëhequr nga patrioti Heset Ahmeti nga Kosova në bashkëpunim me albanologun e mirënjohur slloven Peter Štoka.

Poashtu ka qenë pjesëmarrës aktiv në konferenca e seminare kushtuar temave historike e kulturore shqiptare në universitete si në Trieshte, Molise, Venecia, Shkodër, etj.

Kujtoj me respekt bisedat, takimet në konferenca dhe bashkëpunimin me albanologun Muner i cili do të mbetet në kujtesë se ishte i pakompromos në zbulimin e burimeve historike dhe nuk lejonte askënd të ndryshonte asnjë detaj qoftë edhe te titulli, data ose domethënia e një fotografie e kronike historike.

Ishte i kënaqur dhe falenderues për përkthimin e disa shkrimeve të tij që i kam bërë. Kujtonte shpesh gjatë bisedave telefonike edhe vizitën që kishte bërë në Prishtinë dhe diskutimin e tij në Bibliotekën kombëtare të Kosovës.

Kishte ndërmend të shkonte prap në Prishtinë dhe ishte përkrahës i madh i shtetit të Kosovës.

Paolo Muner na la në moshën 73 vjeçare, por kontributi i tij në shkencat albanologjike do të kujtohet si sjellje origjinale e dëshmive materiale dhe shpirtërore të një italiani të dashuruar përjetësisht në Shqipërinë.

Faleminderit për jetë zotëri Paolo!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat