Grafomania

Kultura

Grafomania

Nga: Mehmetali Rexhepi Më: 2 janar 2024 Në ora: 12:48
Mehmetali Rexhepi

Në Kosovë organizohen veprimtari vjetore kulturore, letrare, artistike. Lidhja e Shkrimtarëve e Kosovës organizon takimin vjetor poetik “Drini poetik” në Prishtinë, Prizren e Kukës; po ashtu, në Gjakovë vijon të mbahet “Mitingu i Poezisë”; në Vushtrri “Takimi i poeteshave”; në Stubëll të Vitisë “Takimet e Dom Mikel Tarabulluzit”. Në Gjilan, për çdo janar, organizohet veprimtaria, tashmë tradicionale, e katër shtyllave të artit: pamor, dramatik, muzikor dhe letrar, “Flaka e Janarit”, për të mbajtur gjallë frymën e dëshmorëve të lirisë, me theks të veçantë, rënien në Janar të vitit 1982 të Jusuf Gërvallës, Bardhosh Gërvallës dhe Kadri Zekës dhe të dëshmorëve të janarit nëpër periudha të ndryshme kohore…

Sa vlerësohen këto veprimtari, që i japin gjallëri e shtytje krijimtarisë letrare-artistike në Kosovë e më gjerë etnisë dhe gjeografisë shqiptare?

Padyshim veprimtaritë e tilla ushtrojnë ndikim. Duhet përqendruar vëmendjen se si këto veprimtari i përcjellin një varg dobësish… Për dobësitë mund të flasin ata të cilët janë afër pikëtakimeve e pikëvështrimeve të tyre. Dobësia kryesore është tendenca e ngushtimit në rrethe lokale, dhënia e mundësive shprehëse vetëm mjedisit lokal…

LSHK (Lidhja e Shkrimtarëve e Kosovës), pas përmbylljes së “Drinit poetik” në Prizren e rrethinë, duke bashkëvepruar dhe me poetë të Kukësit, nxjerr poezi të disa pjesëmarrësve të kësaj veprimtarie poetike në revistën “Metafora”. Përzgjedhja e poezive për publikim në revistën e LSHK-së, të shumtën e herëve nuk është gjithëpërfshirëse… “Mitingu i Poezisë” në Gjakovë, duhet të kultivojë karakterin kombëtar dhe, të mos e ngufasë atë në përmasën e ngushtimit lokal.

Le të shfaq një qasje më të përqendruar për manifestimin e shumanshëm të Gjilanit “Flaka e Janarit”, që vit pas viti shënon përvjetorët e dëshmorëve, spikatë frymën e tyre përmes bartjes të flakës atdhetare e kulturore, dramatike e letrare, duke iu dhënë shtytje dhe artistëve pamorë, skulptorëve, muziktarëve, këngëtarëve, madje me frymë garuese poetëve e të tjerëve.

“Flaka e Janarit” është themeluar, mbase pa u fikur as në rrethanat e përndjekjes serbe në Gjilan e gjetiu në Kosovë. Kam pasur fatin të jem njëri nga krushqit, bartës i flakadanit poetik të lirisë, së bashku me veprimtarët e përkushtuar kulturorë, si: Beqir Musliu, Zejnullah Halili, Ibrahim Kadriu, Hydajet Hyseni, Shefik Shkodra, Hysen Këqiku, Hasan Bujaku Sabit Rrustemi, Beqir Buzuku, Ramadan Mehmeti, Avdush Canaj, Bajram Kosumi, Sarë Gjergji, Nexhat Rexha, Aziz Mustafa, Albinë Idrizi, Xhevat Latifi, Nijazi Ramadani… Secilin prej atyre që nuk i përmenda dua t`i nderoj. Ka pasur pyetje: kush është ideatori i “Flakës…? Më pak ka rëndësi ideatori se sa mbajtja ndezur e “Flakës…” Mund të ishte shkrimtari Beqir Musliu… Hajdar Paçarada a Hasan Bunjaku? Nuk jam i sigurt... Ka peshë se “Flaka…” asnjëherë nuk u shua. Ajo barti porosinë madhore në breza; herë më me nivel, herë më e zbehtë, por nuk lejoi fikjen e kujtimit dhe të frymëzimit për dëshmorët; megjithëse secilën herë partitë politike u përpoqën t`i jepnin ngjyrimet e veta manifestimit.

“Flaka e Janarit” është ngritur mbi katër shtylla të artit dhe ka karakter garues. Tashmë veprimtaria shumë disiplinash e “Flakës… ”përkrahet në mënyrë institucionale nga Komuna e Gjilanit, përkatësisht, drejtpërsëdrejti, nga kryetari i Komunës dhe Ministria e Kulturës. Kjo veprimtari e shënuar për më të çmuarit tanë, do të duhej të përkrahej dhe me më shumë mjete financiare. Manifestimi i tillë tradicional të mos i lihet barrë vetëm Komunës së Gjilanit. Gjithsesi, pse të mos inkuadrohej edhe Ministria e Kulturës e Shqipërisë, që kjo veprimtari të jetë vërtet gjithëkombëtare?

Nëse dalim tek pyetja a jemi të kënaqur me përbërjet e jurive që nxjerr “Flaka…”?

Gati e kapërceva çfarë desha të pohoja: “Flaka e Janarit” është bashkim veprimtarish vetëm për dëshmorët e kombit, jo për figura të profilit politik, qoftë madje dhe figura e Kryetarit të Parë të Kosovës, të ndjerit Ibrahim Rugova. Filozofia e politikës paqësore e Rugovës e ka vendin në profilin e vet. “Flaka e Janarit” u ngrit për dëshmorët.

***T. Selimi: Juritë e “Flakës…”?

Mehmetali Rexhepi: Juritë për përzgjedhje dhe vlerësime të shkrimeve letrare: poezi, prozë, pikturë, arti dramatik, skulpturë, për këngët, gjithsesi të mos jenë të njëjtit njerëz… Të dëshmojnë se njohin dhe vlerësojnë vetëm vlerat, të mos iu jepet përparësi të njëjtëve, ngase nuk ka të pazëvendësueshëm e gjëra të tilla të ngjashme. Gjatë tri-katër viteve të fundit, vërehet një qasje më e kujdesshme, sa u përket jurive letrare, të cilat përurojnë cilësinë e vlerave. Gabimet e qasjet e pakëndshme, pas shpalljes së çmimeve nga ana e jurive, janë përfolur gjithandej me vite. Nëse para disa vitesh kishte ankesa, gjithnjë kam parasysh artin letrar, tashmë duket një mbarëvajtje e përzgjedhjes vlerësuese… Viteve të kaluara në “Orën e madhe letrare” kishte mjaftë parregullësi, mungesë rendi, kriteri e përzgjedhjeje… Cili kriter vlerësues e përzgjedhës është ai, kur paraprakisht dihet se kush do ta fitojë shpërblimin e parë për poezi në Orën e Madhe Letrare?!

Sivjet “Ora letrare” e “Flakës…”ishte më e përzgjedhur, solli vlera të lakmuara dhe vlen të merret si model për vijimin e dinjitetshëm të kësaj shtylle fisnike… Shtrirja e pjesëmarrja e poetëve mori përmasën etnike e gjeografike. Dhe kjo shënoi një arritje të kënaqshme kaherë të dëshiruar. Mirëpo, ende mbetet për të dëshiruar…

Doemos dua të theksoj këmbënguljen për botimin vjetor të revistës letrare, “Agmia”, pasqyruese e shkrimeve letrare të “Flakës së Janarit”.Tashmë kjo revistë ka fizionominë e veçantinë e vet. E çmuar është përkujdesja e vijueshme e shkrimtarit Sabit Rrustemi, për përgatitjen, përzgjedhjen e renditjen e shkrimeve që publikohen në këtë revistë. Gjithsesi, z. Rrustemi iu ka shmangur personalizimit të revistës, andaj kjo është për tu vënë në pah. Për vonesat e daljes së kësaj reviste nuk është faji i kryeredaktorit.

T. Selimi: Ndonëse letërsia nuk njeh ndarje regjionale, ngase ajo ose është ose nuk është letërsi; cili, sipas Jush, është kontributi i trevës së Gjilanit për pasurimin e mozaikut letrar të kulturës e të letërsisë kombëtare?

Mehmetali Rexhepi: Gjilani me rrethinë çështjes madhore shqiptare, luftës për pavarësi e mëvetësi i dha veprimtarë e luftëtarë të sakrificës, si Idriz Seferi në luftërat për pavarësi nga Perandoria Turke; në periudhën e LDB-së, prijësin e vullnetarëve të Lidhjes së Dytë të Prizrenit, Idriz Hajrullahu, përkatësisht Mulla Idriz Gjilani; vijojnë figura të qëndresës në Jugosllavinë Federative, si Metush Krasniqi, Rexhep Mala, Kadri Zeka, Zijah Shemsiu, Skender Kastrati, Isa Kastrati, Hydajet Hyseni, Bajram Kosumi... Malbrezi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës… Agim Ramadani...

Kjo trevë, etnisë e letërsisë shqiptare i dha poetë e stilistë të veçantë: poetët për fëmijë: Ali Huruglica e Zejnulla Halili, poetin martir Rexhep Elmazi, bohemin Mirko Gashi; shkrimtarët: Beqir Musliu, Musa Ramadani, Ibrahim Kadriu, Ramadan Mehmeti… Disa nga këta, tashmë e kanë përmbyllur veprimtarinë letrare, të tjerë vijojnë vokacionin e tyre shkrimor. Në qoftë se në këtë mes ka të tillë, që e kanë përmbushur opusin e tyre letrar, ndonjëri është ndërprerë nga censura politike, si Rexhep Elmazi…Disa pena të penguara, si Mehmetali Rexhepi e ndonjë tjetër, vijojnë lëvrimin e shkrimit në fushën e letrave shqipe; përderisa kaheve të përmbushjes letrare janë: Musa Ramadani, Shefik Shkodra, Hysen Këqiku, Sabit Rrustemi, Sabile Keçmezi-Basha, Isak Ahmeti, Ibrahim Kadriu, Ramadan Musliu, Avdush Canaj, Zeqir Fazliu, Beqir Buzuku, Avni Azizi, Nexhat Rexha, Sarë Gjergji, Aziz Mustafa, Xhevat Latifi, Albinë Idrizi, Sinan Sadiku…

Megjithatë, le të më lejohet të nënvizoj se përmasat dhe depërtimet poetike të Beqir Musliut, sipas peshores sime artistike, mbeten të pa tejkaluara dhe një model i pa përsëritur në letrat shqipe. Ndërsa mendimit kritik, eseistik e vlerësues i kontribuojnë: Faik Shkodra, Isak Ahmeti, Hasan Bunjaku, Shefik Shkodra, Ramadan Musliu, Mehmetali Rexhepi, Nuhi Ismajli (i ndjerë), Hysen Matoshi, Sarë Gjergji, Tahir Arifi, Nexhat Rexha… Sherafedin Kadriu... Polemikës do t`i mungojë, tashmë i ndjeri, Nuhi Ismajli.

Si individualitete poetike, të cilët e kanë gjetur botën e vet poetike, do të veçoja Shefik Shkodrën, Sabit Rrustemin e Halil Matoshin; si kultivues të prozës Tahir Dalipin, për prozën e të cilit heshti kritika. Për llojin e prozës së shkurtë janë premtues Aziz Mustafa e Muhamet Halili…Për gazetari e publicistikë, ritme dinamike e depërtuese në rrjedhat shoqërore sollën gazetarët e çmuar: si Halil Matoshi, Nexhat Buzuku, Enver Sadiku, Musa Sabedini… Nga ky mjedis kulturor letrar e artistik, pos Ibrahim Kadriut, nuk përjashtohet angazhimi i dendur i gazetarit e publicistit Tefik Selimi.

T. Selimi: Cilat janë planet tua për të publikuar ndonjë libër të ri?

Mehmetali Rexhepi: Brezave të rinj do të dëshiroja t`ua nënvizoja një fragment të përvojës sime: libri i mirë nuk bëhet lehtë e shpejtë. Libri pa kritere letrare-artistike e shkencore do të dal, por pas daljes do të duken dobësitë, lëshimet, gabimet e pakthyeshme. Do të dëshiroje të zhbëhej, mirëpo libri kalon dorë më dorë…

Botimi i librave pa talent i solli opinionit tonë lexues ftohje për librin. Kështu ndodh kur me çdo kusht autorët e shpifur, duan të botojnë librin sa për tu dukur, sipas modës se ja: jemi poetë, prozatorë e kritikë letrarë! Sa më përket mua, ndjek parimin krijues: nxito ngadalë. Deri më tash kam nxjerr tre libra, njërin me bashkautorë. Pra, janë pak për moshën time, megjithatë do të mund t`i nxirrja 30 libra… Tri dorëshkrime: poezi, prozë dhe kritikë me eseistikë i kam në dorëshkrim. Do të përpiqem që brenda gjashtëmujorit të vitit 2016, të shoh dritën e botimit një tip proze moderne, me synimin për të sjellë risi metodologjike e stilistike në prozën shqipe. Dorëshkrimeve iu kthehem dendur, pa prerë, gjithnjë duke shtuar e hequr, për të arritur një shkallë, mundësisht, përsosmërie?

T. Selimi: Shkrimtari nuk është indiferent për politikë-bërje të keqe, për keq qeverisje të shqiptarëve. Si ndjehesh përballë këtij korrupsioni e papërgjegjshmërie, ngase keni qenë i burgosur politik?

Mehmetali Rexhepi: Kurrë nuk i kam shikuar gjerat nga këndvështrimi i përfitimit personal, as grupor. Kjo është arsyeja e mungesave të vazhdueshme materiale për vete dhe familjen time. Kombi tragjik shqiptar nuk e meritoi këtë qeverisje kaq të vrazhdë, kaq të pa përgjegjshme, kaq feudale, kaq servile… Por tragjedinë e komedinë për shqiptarët po e shkruajnë vetë shqiptarët, klasa politike tejet e etur për pushtet dhe e pa angazhuar për shtet! Fatkeqësisht politikë-bërësit tanë, me përjashtime të vogla, i ka mbuluar materialja.

Çfarë të ardhme mund të kenë shqiptarët, si në Shqipërinë administrative, si në Kosovë, së fundmi e shpallur shtet, kur çdo i ri nuk mendon tjetër, pos si të ikin nga Kosova përkatësisht nga Shqipëria?! Si të mos zhgënjehesh kur asgjë tek ne nuk funksionon sipas ligjit?! Nuk jemi çliruar ende nga mendësia feudale! Po jetësohet pohimi parashikues i para një shekulli, i vizionarit rilindës, i mendjes së ndritur kritike, Faik Konicës, se”Armiqtë e Shqipërisë janë vetë shqiptarët” Politikë-bërja jonë sillet asisoj sikur me Serbinë ka përfunduar gjithçka!!! Kjo ndodh kështu, për derisa Serbia me të gjitha mënyrat e mjetet, vepron pa ndalur, si në veriun e shkëputur të Kosovës, ashtu edhe përmes enklavave të saja brenda Kosovës, ndërsa pjesa lindore e Kosovës, e quajtur Luginë e Preshevës është lënë në mëshirën e vetvetes!

Për të gjitha këto këndvështrime, doemos të ketë kthesa rrënjësore sa nuk është bërë tepër vonë! Këndellja dhe shërimi ynë moral është i ngutshëm, sepse a po e shihni se si na ka mallkuar gjaku i dëshmorëve, i martirëve dhe qindra-mijëra viktimave të pafajshme!

O Zot! Shpëto shqiptarët nga vetvetja dhe armiqtë e tyre!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat