E tanishmja dhe ardhmëria, vlastare të së shkuarës

Kultura

E tanishmja dhe ardhmëria, vlastare të së shkuarës

Nga: Marius Chelaru Më: 17 janar 2024 Në ora: 12:53
Kopertina

Kushdo që do të arrinte në ato brigje të bekuara shqiptare, do të përpiqej të flasë me njerëzit, për të kuptuar tejmatanë fjalëve dhe klisheve, se mund të shohë nëse e kanë zemrën e hapur, njësoj si gjithë ato faqe pasqyrash që e përbëjnë spektrin e popujve në këtë botë.

***

Bota ka përshkuar një rrugë interesante, plot e përplot kthesash të pakufishme, në ndërkohë duke u fanitur nynca tjera, drita tjera që hedhin një hije tjetër. Kështusoj, shpesh herë, ajo që në një moment të dhënë dukej një “nyje”, një pikënisje nga e cila mund të shkohet nga më e mira, në një pikë tjetër, më vonë, fanitej një blasfemi, e konsideruar kështusoj si një fushë e së shkuarës, diçka retrograde, apo, madje, e dëmshme. Kështu duket sot, në sytë e disave, një dhunti hyjnore që preferon dashurinë, atdhetarizmin, apo patriotizmin. Për të tjerët, për ata që e njohin Izet Shalën me këtë vëllim vlerash të veçanta, mund të krijojnë të njëjtën përshtypje, se kombi yt përfaqëson esencën, respektivisht thelbin e jetës. Ngase, shkruan autori, nuk digjen shkronjat shqiptare, as nuk vriten, as nuk priten, “Ato kanë kundërmimin e Lirisë”. Në këtë kontekst, ndoshta mund të flasim edhe për një autor të “angazhuar”, po qe se i deshifrojmë këto fjalë: “Dërgoni porosinë, se Kosova është Shqipëri”, apo tekste si: “Në flakën e shkrimeve të mia, Viti i melodisë kombëtare, etj.

Izet Shala vjen nga një rajon që ka përjetuar konflikte të tmerrshme gjatë viteve të fundit të shekullit të shkuar. E kundruar nga bota e jashtme, “drejtësia” mund të duket si një pasqyrë me më shumë faqe. Më poezinë “Hapat e babait tim”, autori trason shtigjet e admirimit duke u nisur nga dashuria ndaj familjes së tij: “Për të satën herë nisem/ Hapave të babait tim/ Dhe jo rikthim/ Hapat e mi dhe të babait/ Janë vazhdimësi e bekuar/ Për të arritur/ Në kulmin e piramidës/ Tremijë vjet rrugëtim/ Hapave të babait eca unë/ Dhe tani pas hapave të mi/ Dhe babait tim/ Ec biri im…” Kushdo që do të arrinte në ato brigje të bekuara shqiptare, do të përpiqej të flasë me njerëzit, për të kuptuar tejmatanë fjalëve dhe klisheve, se mund të shohë nëse e kanë zemrën e hapur, njësoj si gjithë ato faqe pasqyrash që e përbëjnë spektrin e popujve në këtë botë.

Nga një analizë e parë, duket se ana më e mire e teksteve të këtij vëllimi, është e lidhur me dashurinë për komb e atdhe, për shpirtin që e mbëlton në fjalët e tij, nga të cilat krijon konstrukcione të versifikuara/vjershëruara, disa herë tejet të përsosura, herë tjera duke prurë ndonjë hulumtim të ri. Emra vendesh e personazhesh nga historia e shqiptarëve të bekuar me gjakun e shenjtë të Gjergj Kastriotit (Fusha e Mjellmave, Fusha e Himarës, Iliria, Dardania, Isa Boletini, Rozafata, Gjergj Fishta etj.), janë të evokuara aq shpesh, e të ftuara thuajse në mbështetje të idealeve të shenjta kombëtare, duke ta përkujtuar këngën e Isa Boletinit, apo etjen e paskajshme për ta parë Kështjellën e Rozafës, Muzeun e Krujës, shtëpinë e Fishtës etj.

Nga pikëshikimi letrar i frazimit apo të shprehjes, është një diskutim më i gjatë, vëllimi duke patur edhe disa metafora tejet të qëlluara, paralelisht me përfytyrime dhe përkime fjalësh interesante. Gjenden, siç thoja, edhe “kërkime”, pohime, sentenca, “udhëzime”, por edhe shprehje vlerash të rralla poetike në tekstet e Izet Shalës, si ato ku me laps grafiti “Vriten fëmijët e gjakut tim”, apo, “Fjala heshtje varri/ E kyçur me lule artificiale”. Vëllimi “Xhepat e kohës” është strukturuar në dy degë, “Lulet që nuk flasin”, për të cilin fola deri tani, dhe “Poezia – art filozofik”. Në pjesën e dytë gjenden poema (më pak komparative), që ta përkujtojnë përmbajtjen e kapitullit të parë, si: Copa jete, Vazhdon kënga ime, Tani i përkas atdheut, Shtegtim, Kronika e legjendave të reja, por edhe vjersha tjera, si: Xhepat e kohës, Unë jam unë, Klithje, Filozofia ime etj., poezi të bukura që e tejkalojnë këtë fushë tematike.

Nëse bie fjala të zgjedhim diçka që i bashkon tekstet e këtij vëllimi, atëherë ndoshta do të mbështesnim opcionin mbi idenë e kontinuitetit, duke kundruar përmes “xhepave të kohës” të tanishmen dhe ardhmërinë, si do vlastarë të së shkuarës, duke u bazuar në idenë e një vazhdimësie të përfytyruar dhe të kënduar nga autori i kësaj vepre, që të josh ta lexosh dhe rilexosh. Në këtë drejtim, një tekst përcaktues, nga më shumë pikëshikime, do të thoja, sipas pikëshikimit tim, se poezia që e vulos vlerën e këtij libri, është “Hapat e babait tim”. Duke përfunduar, vlen të theksojmë se Izet Shala është një autor i sinqertë dhe i ndershëm, për të cilin të shkruash don të thotë të jesh i bindshëm dhe besnik ndaj atdheut, me rrethanat që t’i mundëson dhe që i ke në disponim. Me një fjalë, t’i besosh historisë, tanishmërisë dhe ardhmërisë së kombit tnnd, ky është thelbi i aktit të krijimtarisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat