Recension: Romani “Nata e trazuar”, Gani Mehmetaj

Kultura

Recension: Romani “Nata e trazuar”, Gani Mehmetaj

Nga: Ma.sc. Idriz Morina Më: 1 shkurt 2024 Në ora: 12:47
Kopertina e librit

Romani “Nata e trazuar”, i Ganit Mehmetajt është shkruar në veten e autorit homodiegjetik, i cili në vetvete përfshin narratorin e gjithëdijshëm, të kudondodhshëm, dhe që njeh jo vetëm kujtesën, qëllimet dhe motivet e çdo personazhi, por edhe përcakton mënyrën dhe deri diku edhe rrjedhën e rrëfimit.

Kështu narratori i Ganiut, s’pushon së treguari shumëfishësinë e përvojave jetësore, të një morie personazhesh, nga ata që bëjnë një jetë të dhënë pas qejfeve, që nuk ‘njohin kufi’, për shembull politik, që një i ri shqiptar të dashurohet në një serbe, pavarësisht që shumë të tjerë për rreth e shohin me përçmim e injorim deri në përbuzje, sikur ai po nëpërkëmbë historinë më të re, të dhunës dhe gjenocidit të kryer ndaj shqiptarëve, me theks vrasjet, dhe dhunimet e femrave, që na i ‘kujton’ nëpërmjet tregimeve, rrëfimtari i gjithëdijshëm, që mbart me vete edhe ‘kujtesën kolektive’ dhe madje ‘respektin’ për të kaluarën e një nacioni. Dhe në anën tjetër, krijon polaritetin me botën ‘arkaike’, e cila sillet po nëpërmjet rrëfimtarit ‘të gjithëdijshëm’ si alarm, se e keqja- tragjikja do të ndodhë pashmangshëm, ‘sepse bota është prishur’, si një botë, që jetën dhe kohën e shpjegon nëpërmjet moralizimit, por këtu në roman, ajo është sjell, si një ekzistencë e gjallë, dhe me shumë mjeshtëri narrative e shije stilistike!

Në këtë roman dallohet natyra ekspresive e shkrimit, me tendenca eruptive, sidomos gjatë kalimit nga narracioni në përshkrim, dhe më pas nëpërmjet shqyrtimit ideor - konstatimit të gjendjeve emotive.

Por, jo në pak raste karakterizohet edhe me sekuencën ‘filmike’, sigurisht si refleksion i shkrimit nga ndërgjegjja e një kineasti apo kritiku të filmit.

Ngjarja e rrëfyer në roman, ka si bosht qendror, temën e krimit masiv, e cila konstituohet me dëshirën për të provokuar ‘kujtesën kolektive’, e cila ndërthuret si evidencë e një ‘harrese kolektive’, për dhunën dhe poshtërimin e përjetuar nga pushtuesit serb.

Ngjarja fillon me një ndodhi shqetësuese të krimit të rëndë, por që një shoqëri e dal vetëm pak vite nga lufta, i ripërjeton traumat e saj, duke u ballafaquar me situata të papritura të krimit masiv.

Ngjarjet ndodhin në kryeqytetin e Kosovës, në Prishtinë. Ndërsa, bashkësia ndërkombëtare (shtetet kryesore perëndimore) përpiqet të gjejë forma të pajtimit ndërnacional, projekton nisjen e kësaj paqeje-pajtimi, me ndërtimin e një diskoteke të jashtëzakonshme, ku në hapje të saj dhe më tej, të rinjtë shqiptarë dhe serbë, do të takoheshin, argëtoheshin e miqësoheshin, dhe që shqiptarët t’i harronin plagët e luftës. Por, pikërisht ky qëllim do të komprometohet, pasi diplomacia perëndimore, kishte gabuar në llogaritë e saj, duke e anashkaluar sjelljen historike kriminale serbe, që refuzon pajtimin, dhe nuk ngopet me krimet. Pasoj e kësaj, nëpërmjet këtij rrëfimi fiksional, hamendësohet, se edhe në një përpjekje të tillë, kaq dashamirëse, serbët të udhëhequr nga ideologjitë fashiste, do të shkaktonin një krim të ri masiv ndaj të rinjve shqiptarë krejtësisht të pafajshëm.

Me shkathtësi rrëfimi e mendimi, autori si nëntemë të rrëfimit kryesor, vendos, rrëfimin e dytë, ku e njëjta ideologji, nëpërmjet propagandës -komunikimit publik- përpiqet të fajësojë të rinjtë shqiptarë si nxitës të dhunës, të cilët, kinse, sulmojnë një të re serbe, fotot e së cilës bëhen ‘virale’ për shkak të imazhit të dhunës së përjetuar, e cila kishte shkuar në atë ngjarje argëtimi, dhe se kërkesa e saj për ndihmë, kishte nxitur një ‘ndërhyrje’ me armë të një grupi të organizuar serb, të armatosur dhe të përgatitur për përmasa luftimi.

Në fakt, serbja sipas linjës kryesore të rrëfimit, ishte sulmuar nga serbët e armatosur, pikërisht sepse ajo po sillej me dashuri e simpati me të rinjtë shqiptarë, veçmas me njërin nga personazhet e ngjarjes, Engjëllin, i cili kthehet në njërin prej protagonistëve, pikërisht pse kthehet në cak sulmi, sepse po flirtonte me serben.

Nëpërmjet këtij preteksti, serbët ngjarjen kriminale duan ta kthejnë në dobi politike, që të realizojnë qëllimet serbomëdha, dhe madje mendojnë ta përmbysin sovranitetin e shtetit të ri, Kosovës!

Fabula përmbyllet me tragjicitet, pasi janë dhjetëra të rinjtë që vriten, plagosen, vajza që dhunohen dhe të rinjë që u rrahën brutalisht dhe tronditen psiqikisht. Ndërsa, vetëm një grup i vogël të rinjsh arrijnë të krijojnë një rezistencë, dhe të vrasin disa nga kriminelët.

E gjithë ngjarja kryesore, zhvillohet në një hark kohor më pak se 24 orë, ndërsa përmbyllja e spastrimit të grupit kriminal, merr thuaja një ditë tjetër, duke arrestuar grupin kriminal terrorist, që përmbyllet me dështim të planit serb.

Në aspektin e rrëfimit kohor, zhvillimit të ngjarjes, fabula sikur përputhet me tragjedinë greke, që duhej të përmbyllej, brenda një cikli diellor, nga lindja në perëndim, parim që e simplifikonte Aristoteli.

Ndërsa, në aspektin e aksionit, romani merr karakter, të romanit policor, dhe të filmit aksion, por që në “fakt”, këtu zëvendësohet, me ndërhyrjen e njësive speciale ushtarake të KFOR-it!

Një nga tiparet e rrëfimit të Mehmetajt është se ai kontekstualizon rrëfimin popullor, duke e bërë pjesë të tij, rrëfimin etno-psikologjik shqiptar.

Personazhet pleq, të ndryshëm, e bëjnë karakterizimin e qartë, të etnopsikologjisë shqiptare, dhe njëkohësisht pasqyrojnë prerjen jo më të thjesht breznive, por të ndryshimit të thellë dramatik e kulturor, ku vërtetë e vjetra me të renë, ballafaqohet, për jetë a vdekje, por që s’ngadhënjen dot, veçse duke pretenduar të mbijetojë si kujtesë.

Po ashtu në shkrimin e tij letrar, vërehet tonaliteti apo një inkoshiencë, nga përvoja e shkrimit gazetaresk. Duke qenë dikur kolegë në redaksi të njëjtë, është e pashmangshme të thuhet, se natyra e tij, karakteristike e shkrimit dhe reagimit ndaj ngjarjeve negative në politikë dhe në jetën tonë, e kanë përcjell jo pak, natyrën e shkrimit letrar, por që për lexuesin, ajo është pasurim i tekstit letrar, duke i dhënë ekspresivitet, emocion, por edhe mendim, që shprehet në intonacionin rritës.

Evidencat, “dokumentimi” i ngjarjeve të rrëfyera, bëhet ilustrativisht, me raportin policor, që te ne u bë i njohur, nga komunikimi me publikun i KFOR-it dhe policisë së UNMIK-ut, të cilët jepnin raportet, përkatësish “pres release-at” e përditshme, për ndodhitë në vend, kryesisht duke fshehur detajet, por duke dhënë shkoqur vetëm ndodhinë!

Këto copëza ‘faksioni’ përdoren për ta bërë të besueshme ngjarjen dhe vetë rrëfimin!

Në këtë kuptim ndërtohen edhe modelet e personazheve, si Bardhi e Engjëlli. I pari në kuptimin e modeleve të Frajit, është një hero që sipas mendimit tim ‘udhëton’ ndërmjet heroit të romancës, dhe heroit “të mimetikës së lartë”, që kthehet në një hero prijës të grupit, duke e marrë atë në mbrojtje dhe duke fituar ballafaqimin, në duelin me grupin paramilitar serbë. Ndërsa, Engjëlli, sipas koncepteve të Frajit, është një “hero i modusit të mimetikës së ulët”... “të krijimi realist”.

Ky roman është vetëm një nga shfaqjet nëse mund të themi befasuese të Mehmetajt, i cili arrin një kapërcim të shkëlqyeshëm nga publicistika e gazetaria, në letërsi, duke u kthyer në një romancier të vlerësuar në letërsinë shqipe, dhe madje duke përjetuar jehonën e pranimit shumë të mirë nga kritika dhe lexuesit e letërsisë, veçanërisht në Shqipëri!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat