Merreni më qetë, ju lutem

Kultura

Merreni më qetë, ju lutem

Nga: Ramadan M. Pasmaciu Më: 1 shkurt 2024 Në ora: 15:35
Autori Ramadan M. Pasmaciu

Merreni më qetë, ju lutem, dhe mos më kritikoni kaq ashpër pse mbeta kështu, pa arsim përkatës! Se, që ta them troç, nuk mund të renditem kurrsesi në radhën e atyre mësuesve, që s’e kanë vrarë ndonjëherë mendjen për të kryer shkollën e lartë.

A s’jam unë që përgatita me urgjencë dokumentat, pa më shtytur kush, për të vazhduar fakultetin dhe që brodha gjithandej, gjersa e sigurova të drejtën e studimit me korrespondencë? Flisni! A s’jam unë? E ndiej që s’keni si të më kundërshtoni. Pra, më lini t’ju tregoj përse numërohem ndër ata që s’kanë universitet!

Kryesisht, që ta themi troç, më morën në qafë disa rregulla burokratike. Të mos ekzistonin ato, do të më shihnit mua! Bile, tituj shkencorë do të kisha fituar. Po, po. Të jeni të bindur!

U regjistrova për herë të parë në fakultet, që ta themi troç, aty ndonja tetë a nëntë vjet të shkuar. Në çastin e regjistrimit pyeta sekretarin:

- A dispononi, ju lutem, program provimesh?

- Posi jo! - m’u përgjigj dhe më zgjati një fletë të shaptilografuar.

- Bukur! - pëshpërita dhe i hodha programit një vështrim të shpejtë. - Me ç’vërej, - vazhdova me zë të lartë, - po t’i jap provimet rregullisht, pas pesë vjetësh diplomohem, apo jo?

- Sigurisht! - Sekretari e shoqëroi pohimin me një të tundur të lehtë të kokës përpara.

- Në rast se gjej forca në vetvete për të shlyer në një sesion jo vetëm gjashtë provime, sa përmban programi, po dymbëdhjetë, pra edhe ato të sesionit pasardhës, ç’ndodh, a mund të më thoni, ju lutem?

- Ç’do të ndodhë! Ju e mbaroni fakultetin më herët nga shokët.

- Në dy vjet, a jam i lejuar ta mbaroj?

- Përse jo! Edhe vetëm në një, po të mundni.

- Ju faleminderit shumë! - ia ktheva më në fund tërë gaz. - Jam mjaft i kënaqur nga sqarimet tuaja.

- Me sukses! - më uroi dhe më dha dorën. Ia shtrëngova fort, duke i buzëqeshur me entusiazëm.

Pra, asaj dite e vendosa në formë të prerë: O do të bëja mrekullira si student, o rrugë tjetër s’më mbetej! Dhe, që ta themi troç, pse të mos ia dilja mbanë? Ç’më pengonte! Të gjitha kushtet i kisha.

Me të mbërritur tek ime ëmë, u interesova të grumbulloja dispenca, leksione, deri edhe konspekte seminaresh të lëndëve të ndryshme për provimet e sesionit të parë dhe të dytë, të cilët u mpreha t’i likuidoja brenda janarit. Eh, mor vëllezër, që ta themi troç, të rrallë janë njerëzit me vullnet si ai që më përfshiu mua atëherë. Por, ç’t’u bësh rregullave burokratike!

Mësoja natë e mësoja ditë. Kishte rëndësi çështja. Do të diplomohesha ndofta edhe pas një viti, ose shumë - shumë pas dy vjetësh. Pa do të më shtohej edhe rroga… U treta disi, është e qartë, po s’doja t’ia dija. Gjithçka e bëja hallall, se ja, vetëm pas katër muajve nga çasti i regjistrimit, po udhëtoja me taksi për në universitet, që të jepja dymbëdhjetë provime, ose, që ta themi troç, po paraqitesha për të likuiduar vitin e parë.

Në korridorin e katit të dytë takova sekretarin. Më njohu aty për aty. M’u afrua, më buzëqeshi dhe i mbërtheu sytë mbi librat e dispencat, që më rëndonin nën sqetulla.

- Ç’i keni tërë këto!? - më foli i habitur.

- Shkencë, kulturë, - iu përgjigja në konfidencë. - Pa të tilla, njeriu është i destinuar të mbetet në vend. Kështu që…

- Shumë mirë, shumë mirë! - më ndërpreu ai dhe më ftoi në zyrën e vet. E ndoqa me hap të vendosur.

- Çfarë provimi do të jepni sot? - më pyeti dhe mori në dorë penën për të plotësuar shkresën.

Nxora paksa gjoksin përpara, u kolla për të kruajtur disi fytin, që të më dilte zëri sa më i qartë dhe original e iu përgjigja gojëplot:

- Sot do të jap Letërsinë antike, Historinë e kohës së lashtë dhe Folklorin.

- Si!? - sa s’luajti mendsh sekretari. Mbështeti pëllëmbët mbi tryezë, u ngrit njëherësh në këmbë dhe u zgjat drejt meje, si të donte të më prekte me hundë. - Tre provime vetëm në një ditë!?

- Po! - vazhdova me të njëjtin ton. - Në një ditë tre dhe në katër - dymbëdhjetë!

- Vërtet!?

- Si guxoni të çuditeni, përderia kam thënë se do ta kryej universitetin vetëm në një vit, ose shumë - shumë në dy!? Unë, që ta themi troç, s’jam nga ata që i ndajnë fjalët nga veprat.

- Më falni, po nuk thashë se jeni i atillë! - u tërhoq sekretari, plotësoi radhazi tri shkresat, që do t’ua paraqisja pedagogëve, m’i la në dorë dhe tha:

- Letërsia antike jepet në auditorin 43, Historia e lashtë në 22 - shin…

- Mirë fort! - e ndërpreva dhe dola.

U futa në Letërsinë antike. Iu drejtova pedagogut, që rrinte ulur pranë tavolinës me tezat e përmbysura në vijë të drejtë. Me dorën e majtë shtrëngova çantën, të djathtën ia zgjata atij miqësisht.

- Si jeni, si shkoni, apo lodheni? - e pyeta buzëgaz.

Ishte edhe ai i sjellshëm si sekretari. Më takoi ëmbël, duke m’u përgjigjur me përzemërsi dhe më tregoi një karrige, që kishte në të djathtë:

- Urdhëroni, uluni!

- Jo, faleminderit! - ia prita.

Pedagogu hapi sytë:

- S’jeni gazetar ju!?

- Aspak! Mësues jam.

- Student me korrespondencë?

- Natyrisht.

- Merrni tezën! - foli duke u bërë menjëherë serioz.

E mora. U ula te një cep.

Të tjerët përgjigjeshin, kurse unë vështroja nga dritaret. Përpara syve të mi shtrihej panorama interesante e natyrës me kodrat e bukura plot plepa e pisha. Plepat qenë zhveshur, po mua më dukej sikur jeshilonin, se e zotëroja lëndën. Prandaj, që ta themi troç, nuk isha kureshtar të shihja as se ç’përmbante teza. Veçse kësaj, ta merr mendja, nuk mund t’i shmangesha…

Kur kisha përpara vetëm një prej studentëve, e ktheva tezën së mbari dhe e lexova, duke u mbështetur në karrige. Besomëni se në atë çast provova një çudi të madhe! Njëra nga pyetjet kërkonte që unë të flisja për “Zogjtë” dhe “Bretkosat”!

Për zogjtë dhe bretkosat në letërsi! A nuk ishte me të vërtetë diçka për t’u çuditur? “Interesant!” - belbëzova. Por, më pas m’u duk se kisha qëlluar në shenjë. “Kjo pyetje do të jetë për të provuar njohuritë e mia të përgjithshme. Po, po. Me siguri. Se, në fund të fundit, ç’kandar ngre, nëse e di ujë letërsinë dhe s’je në gjendje të formulosh dy fjalë të thata për zogjtë dhe brektkosat? A nuk do ta meritoje në këtë rast të të thërrisnin “njeri i mbyllur në guaskën e letërsisë”? Pra, gjithçka ishte e qartë. Pyetje të tilla qenë shtuar në program qëllimisht, për të vërejtur se ç’bagazh dijenish ka aksh apo ypsilon student mbi botën që e rrethon. Kësisoj, kjo shtesë duhej të kishte lidhje patjetër me revolucionarizimin e mëtejshëm të shkollës së lartë. Po cili më shumë se unë mund ta kishte më të madh bagazhin e njohurive të tilla jashtë lënde? Cili më shumë se unë mund të fliste më gjatë e më shkoqur për shpendë e amfibë? Në klasën e gjashtë të 7-vjeçares kam qenë ylli i zoologjisë. “Eh, or shoku pedagog! - fillova të mërmërisja. - Kujton se mund të më zësh edhe në zoologji! Të gënjen mendja, bre burrë i dheut!” Ia ngula sytë, duke nënqeshur në mënyrë ironike. Por, duket, ai e lidhi vështrimin tim me ndodhinë e momentit, kur hyra në auditor. Vrëri vetullat, si për t’i dhënë më tepër rëndësi vetes e si për të më shtytur të merrja vesh, se me të nuk më bashkonte asnjë konfidencë. Mblodhi buzët paksa dhe u kthye drejtpërdrejt nga studenti, që vazhdonte të përgjigjej.

… Më erdhi radha të ngrihesha. Dola rëndë - rëndë. Isha njeri me kapacitet e jo sidokudo. Nuk më trembej syri fare nga provimi. U ula kundruall pedagogut.

- Flisni, ju dëgjoj! - tha ai, pa më vështruar në sy. Fillova:

- Pyetja e parë kërkon që të ligjëroj për “Bretkosat” dhe për “Zogjtë”.

- Po! - ma ktheu në formë të prerë.

- Unë jam i vetëdijshëm se kjo pyetje ka për qëllim të zbulojë…

- Ju lutem, - më ndërpreu, - pa komente të gjata! Hyni në temë!

- Si të dëshironi! - ia prita dhe e lashë “lëngun” mënjanë. - Që ta themi troç, bretkosat jetojnë më shumë në brigjet e lumenjve, të kënetave dhe të pellgjeve artificiale. Megjithatë, kudo që dëgjojmë “guak - guak!”, duhet të kuptojmë menjëherë se edhe atje ka bretkosa. Pesha e këtij amfibi lëkundet nga zero në 500 gramë. Vërtet rrallë, por bretkosën e gjejmë edhe me peshën 1 kg. Kështu që, ajo paraqet leverdi ekonomike edhe për eksport…

Pedagogu kishte çakaritur sytë dhe se përse ishte tërhequr paksa pas. Sikur të mos isha student si tërë të tjerët, po ndonjë krijesë e frikshme dhe agresive, që matesha t’i hidhesha në fyt prej njërit çast në tjetrin. Vëreja se edhe frymëmarrja e tij po ndryshonte. Ndoshta po ndiente emocione. Ku ta dije! S’ishte gjë e vogël të të përgjigjej aq lirshëm studenti i letërsisë në pyetjen, që qe thjesht për njohuri të përgjithshme. Ky mendim më dha hov, ndaj vazhdova edhe më me zjarr:

- Bretkosat kanë trup të shkurtër dhe të gjerë, i cili në pjesën e prapme mbaron me bisht. Goja e bretkosave është e çarë gjer te veshët. Në majën e turirit, përmbi gojë, ato kanë dy vrimat e hundës.

- Mjaft! - thirri pedagogu, duke ngritur lart me të shpejtë krahët e gjatë dhe duke më lëshuar në fytyrë një valë të nxehtë fryme. Unë e ndërpreva “apologjinë” dhe buzëqesha. Ai përsëri thirri:

- Mjaft!

Këtë herë zëri i tij ishte më pak i fuqishëm. U lëkund si i trullosur ai dhe mbështeti kokën mbi tavolinë.

I fola ngadalë, duke e prekur lehtë te bërryli:

- A të vazhdoj me “Zogjtë”?

- Si!? - më tha. - Akoma kërkon të vazhdosh!?

- Po! - iu përgjigja flakë për flakë dhe vazhdova:

- Ata janë shpendë, që kalojnë ditë të tëra, duke fluturuar në ajër. Në tokë ata ulen vetëm për t’u çlodhur, ose për të kërkuar ndonjë krimb…

Pedagogut filluan t’i rridhnin djersët çurk.

- Të lutem shumë, - m’u lut vërtet ai, - mjaft! - Dhe mënyra se si i lëvizi duart e se si e zgjati qafën ishte e njëjtë si e atyre, që thërresin: “Mjaft, se më luajte mendsh! Mjaft, se do të më shtysh të hidhem nga dritarja!” Pra, që ta themi troç, nuk mora vesh aspak se ç’pësoi aq papritur. Por, heshtja nuk vazhdoi. Fshiu ballin dhe foli i lodhur:

- Pyetja kërkon që të flisni për veprat e Aristofanit, kurse ju se ç’na ngatërroni disa gjëra, që na hutojnë krejt. Prandaj, ma merr mendja, kaq është boll.

Troç, shokë, miq e vëllezër, më vuri notë pakaluese. Në shenjë revolte i thashë me ton të ashpër:

- Ditën e mir4.

Me sa u duk, përgjigjja ime nuk e kënaqi as pedagogun e Historisë së lashtë. Ndaj edhe ky u bë gati të më vinte katër. Veç, kush e linte! Këtë herë nuk do të tërhiqesha lehtë nga beteja.

- Më pyesni ku të dëshironi! - ia ktheva shkurt. - Unë kam studiuar!

- Mirë! - ma priti dhe shtoi:

- Më thoni ç’dini për kulturën greke në shekullin e pestë para erës sonë!

Fillova t’i përgjigjesha në mënyrë konçize:

- Kultura greke në kohën që përmendët mori një zhvillim të madh. Bile, që ta themi troç, mori një zhvillim me të vërtetë shumë të madh. Një zhvillim, që…

Ai u thartua në fytyrë dhe tha:

- Vazhdoni!

- Pra, esenca e çështjes, për të cilën po flasim, është krejtësisht e qartë! - vazhdova.

Pedagogu ndërhyri:

- Në Greqinë e asaj kohe burrat e lirë merreshin në pjesën më të madhe të kohës me argëtime. Me çfarë konkretisht? Di të na thuash?

- Me shah, bilardo, tavëll, pingpong… Pse jo? Edhe me futboll! - iu përgjigja pa marrë frymë.

Ai qeshi fort dhe pastaj, si fshiu lotët, foli:

- Me shkencë, art dhe sport, mor djalë; me shkencë, art dhe sport!

- Edhe unë kështu thashë! - u mbrojta aty për aty.

Ai nuk i vuri vesh mbrojtjes sime.

- Tani më thuaj, - shtoi, - me punët e rënda kush merrej?

- Gratë, sigurisht! - ia ktheva me rrëmbim. - Ato në shekuj kanë vuajtur dhe janë munduar nga burrat.

- Jo, jo! Skllevërit merreshin, skllevërit!

Kafshova gjuhën.

- Një vend të rëndësishëm në lojërat olimpike, - po më jepte ndihmë profesori, - zinte vrapimi me kuaj, por në këtë garë merrnin pjesë… vazhdo!

- Ç’të vazhdoj? Ajo dihet! Edhe pelat, mushkat, mbase edhe ndonjë gomar i bëshëm, si ata të fshatit Malinat, që ka Berati! Të shtoj edhe devetë, s’mundem, se Greqia s’ka shkretëtira, tek ato durojnë gjatë pa ujë, se ashtu janë ndërtuar, që e kanë rezervuarin në organizëm! - thashë me hov dhe e ndjeva veten të çliruar.

- Ç’ngatërron kështu!? - bërtiti ai. - Vetëm të pasurit pranoheshin për të garuar, duhej të thoshje!

Që ta themi troç, e mbylla me kaq edhe Historinë e kohës së lashtë.

Më thoni tani, a kisha kurajo të hyja në provimet që pasonin? Kurrsesi jo! Ishte krejt e qartë se më qenë bërë të tëra sallatë. Duhej të kthehesha me çdo kusht në shtëpi pranë nënës, që të merrja veten.

Pa u takuar as me sekretarin, u drejtova duke u lëkundur, si ata që kthehen të shpartalluar nga fronti, për tek stacioni i trenit. Në rrugë e sipër më gjëmonin veshët nga melodia e këngës:

“O moj Alie e Veterikut,

Pse m’ia bën me sy ashikut?”

Shkundja kokën, por më kot. Kjo melodi nuk më shqitej, ndonëse askush s’e këndonte! Pra, me sa dukej, kisha pësuar lodhje mendore.

Kur u ktheva në shkollë, në mes të kolektivit, të gjithë më pyetën:

- E, si dole?

- Mirë dola! - i përgjigjesha secilit.

- Sa provime more?

- Plot mora.

- Të lumtë, për nder! Je kollos!

Erdhi koha kur do të bënim mbledhjen e këshillit pedagogjik. Drejtori u ngrit dhe foli shumë i preokupuar:

- Punët me rrethin letrar, shokë, na çalojnë. Shoqes Sabahet, që ëshë e ngarkuar me këtë rreth, i kemi tërhequr sa herë vëmendjen, e megjithatë nuk vërejmë asnjë përmirësim. Jam i mendimit që qysh sot e tutje me detyrën e drejtuesit të rrethit në fjalë, të ngarkohet shoku… shoku Isuf.

- Ç’thoni! - thirra dhe u hodha përpjetë, porsa dëgjova emrin tim. - Përse tregoheni i palogjikshëm?

- Kam parasysh se ti tani, - kumboi përsëri në sallë zëri i drejtorit, - je edhe më i përgatitur, pasi vazhdon universitetin për…

- Mos e zgjatni! - e ndërpreva. - Unë nuk mund të mbaj shumë sharqinj nën një sqetull!

- Isufi ka të drejtë! - ia priti Sadullahu. - Ai duhet lënë disi më i lirë! E meriton. Vetëm në janar dha dymbëdhjetë provime.

Desha të bërtisja: “Dale, mor Sadullah! Lëri mënjanë e mos i zër më në gojë ata dymbëdhjetë provimet!”, por e qepa. Përse ta bëja muhabetin lëmsh?

Kështu, rrethi letrar i mbeti përsëri Sabahetit.

Pra, mësova ta ngre zërin, edhe kur deshën të më merrnin në marshim, edhe kur deshën të më jepnin për të përgatitur tema pedagogjike, edhe kur deshën, edhe kur deshën… eu - aaa! Sa herë deshën dhe sa herë s’desha! Se e thashë qartë arsyen: Shumë sharqinj nën një sqetull s’mbahen!

E, kësisoj, që ta themi troç, rrodhën… vite. Por, ama, këmba e shejtanit u thye. Prapë i hipa taksisë e u nisa të likuidoja provimet në universitet.

Për çudi, kësaj here sekretari po më shikonte shumë i habitur, sikur të isha kozmonaut, pra sikur të kisha zbritur nga qielli e sikur ai të mos më kishte parë kurrë.

- Si e keni emrin? - më pyeti.

- Ne njihemi! - i thashë ëmbël.

- Ashtu! - buzëqeshi. - Sidoqoftë…

Kishte ndryshuar shumë gjatë atyre viteve. Jo vetëm që ishte plakur, por kishte pësuar edhe cungime në kujtesë… Shfletoi regjistrin dhe më në fund u ndal te dy viza të trasha të kuqe, që kishin mbuluar emrin tim.

- Më vjen keq, - më tha, - por ju është prerë e drejta për të vazhduar studimet, pasi…

- Vërtet!? Po ç’domethënë kjo!? - bërtita i revoltuar.

- Ndonëse jeni regjistruar tetë - nëntë vjet më parë, nuk keni dhënë ende asnjë provim. - Pastaj, duke dashur të më zbuste, shtoi: - Po të keni ankesë, drejtohuni më lart!

- Çfarë më lart, more! Ku është parë kjo! Të të presin të drejtën e studimit, pa të pyetur aspak, nëse je dakord, a s’je! Ku kullosim këtu!? Ka vijë masash, apo s’ka!?

Nxora shaminë dhe fshiva ballin. Pastaj vazhdova me të njëjtin ton:

- Dihet se ka kaluar ca kohë pa u paraqitur për provime, por, ama, gjithçka është e arsyetueshme. Kërcet puna në bazë. Nuk rrjedh çdo gjë si këtu, tek të thithin gjakun shkresurinat. Kur më thonë të drejtoj rrethin letrar, si thua zotrote, të mos e drejtoj?!

- Unë s’them asgjë, - tha sekretari, - veç të lutem…

- Kur më thonë të vete me nxënësit në marshim, - e ndërpreva, - si thua zotrote të mos vete?!

- More djalë…

- Kur më thonë të bëj tema pedagogjike, hë, fol, si thua zotrote, të kundërshtoj?

- Jo, or, jo, s’them ashtu, - bërtiti ai, - vetëm më lër të qetë, të lutem!

- Posi, të të lë të qetë, - ia prita, - se nuk e di ti që…

Sekretari doli nga dera e më la në zyrën e tij fillikat. Demek: “Jepi ti, o vëllaçko, jepi, se ke nge!”. Po unë nuk u dhashë. Dola menjëherë pas tij, duke folur me zë të lartë:

- Oj, të përjashtohet tjetri kot së koti nga universiteti! I ka mbytur njerëzit burokracia dhe s’dinë ç’bëjnë!

Ai ndaloi, u kthye nga unë dhe më qortoi:

- Nuk është mirë të bërtisni këtu! Jeni në institucion pedagogjik!

E pashë në sy vëngër dhe ia ktheva:

- Hajde në bazë, në bazë, atje të flasësh me mua, e jo tek je, ku ju kanë zënë frymën rregullat burokratike!

I ktheva krahët dhe e shpërfilla. S’ia vlente t’ia zgjasja! Pa pastaj edhe isha lodhur shumë duke folur. Zbrita shkallët ngadalë, kalova platenë e poshtme dhe e lashë fakultetin pas. Arrita, më në fund, në “Vollga” dhe piva dy shishe birrë të ftohtë me biftekë të furrës. Ç’të bëja!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat