Të gjithë librat: “Zogjtë e Qyqes”, libri që ma kujton fëmijërinë

Kultura

Të gjithë librat: “Zogjtë e Qyqes”, libri që ma kujton fëmijërinë

Suadela Balliu Nga Suadela Balliu Më 5 shkurt 2024 Në ora: 15:03
Kopertina

Libri i parë dhe ai i fundit që ka në dorëshkrim. Libri më i dashur dhe ai që dhemb më shumë. Libri që ka trazuar, ai që ka hezituar ta botojë e ata që dëshiron t’i përpunojë e ribotojë. Ata që janë përkthyer në gjuhën frënge dhe të tjerë që presin të ndezin diskutime në publik.

Gazetari, publicisti, kineasti dhe shkrimtari rrëfen të gjithë veprat e tij dhe ca hollësi që i ndan për herë të parë me lexuesin nga Shqipëria, të cilit i erdhi kohë më vonë nga fama në Kosovë. Flet për vete censurën e njerëzve të letrave nën Serbinë, por edhe për rëndësinë e elementëve estetikë të kopertinës...

Intervistën e bëri: Suadela Balliu, kryeredaktore e Uetpress-it, Tiranë.

Libri i parë që keni shkruar...

“Magjia e ekranit”, ishte libri im i parë. Është përzgjedhje e recensioneve, ese filmi, studime kinematografike, raportime-analiza nga Festivalet Ndërkombëtare (Kana, Berlini, Brukseli, Damasku, Pula, Beogradi), që i kam botuar në gazetën e përditshme “Rilindja”, kur isha kritikë filmi. Në këtë libër i kam botuar intervistat me regjisorët e famshëm Bernardo Bertolucci, Franko Zefireli, shkrimet për kolosët e filmit Federiko Felini, Ingmar Bergman,

Stiven Spilberg, Serxhio Leone, por edhe bisedat me regjisorët shqiptarë Viktor Gjika, Dhimitër Anagnosti, Xhanfize Keko, Saimir Kumbaro, Rikard Ljarja, Kujtim Cashku, Esat Mysliu, Bujar Kapexhiu, Ekrem Kryeziu, Besim Sahatciu, Agim Sopi, Isa Qosja, Ismail Ymeri, etj. Pastaj aktorët Bujar Lako, Timo Flloko, Marjeta Ljarja, Xhevat Qorraj.

Në një kaptinë të veçantë i kam analizat e disa nga filmat më të mirë të kinematografisë botërore, por edhe pjesën më të mirë të filmave shqiptarë. Ishte libri më voluminoz i imi. Pastaj botova librin “Sharmi i filmit”, “Adaptim filmi (doracak për studentët e Akademisë së filmit). Librat publicistikë “Për shtetin e Dardanisë”, “Udhëkryqet pas Rugovës”, “A di Zoti shqip”, etj.

Ku dhe kur e keni botuar?

Librin “Magjia e ekranit” e kam botuar në vitin 2005, me siglën e Kosovafilmit, kur isha drejtor i saj, ndërsa njëkohësisht punoja në realizimin e filmit artistik “Kukumi”, me Isa Qosjen regjisor.

A hasët vështirësi në botim?

Jo, ajo që nuk është politikë lehtë pranohet. Libri u prit mirë në një kohë të politizimeve të skajshme. Ishte nostalgji për filmin dhe kohën kur filmi e kultura trajtoheshin mirë nga shtypi ynë. Vetëm rubrika e kulturës në “Rilindje” kishte trembëdhjetë gazetarë të specializuar në kritikë teatri, filmi, arti figurativ, letërsie, muzikë, arkitekturë, etj.

E mbani mend kopertinën? Si u konceptua?

Kopertinën e punoi Nexhat Krasniqi- Nekra, dizajneri më i mirë që e kishim jo vetëm në Kosovë, po edhe në Shqipëri ku e kishte edhe studion e dizajnit. Ishte po ashtu autor i dy filmave vizatimor të Kosovafilmit. Debatuam sa herë për konceptin, kurse ai i bëri tri versione të kopertinës. Mua me mbetej të përcaktohesha për njërën nga zgjidhjet.

Si njeri i medies dhe i kinemasë, besoj keni pasur gjithnjë kërkesat tuaja edhe për anën estetike, të kopertinave të librave...apo ia keni lënë në dorë shtëpisë botuese?

Për të gjitha kopertinat e librave që i kam botuar në Prishtinë jam kujdes dhe kam debatuar gjatë për dizajnin e faqosjen deri në detaje. Për anën estetike jam kujdesur edhe në pllakatin e filmave që i ka prodhuar Kosovafilm, apo për pllakatin e Festivalit Ndërkombëtar, që e organizova në Prishtinë. Ana estetike e kopertinës ka shumë rëndësi: mbështjellësja e bukur e shet mallin, kurse gjetja estetike e kopertinës e provokon lexuesin, pllakati i gjetur e mbush kinemanë.

Cila është kopertina që ju pëlqen më shumë?

E kam pak vështirtë ta them, sepse pastaj mund t’u mbetet hatri dizajnerëve që kanë punuar në librat e mia, disa prej të cilëve me emër kumbues në profesionin e tyre, ndërsa i kam botuar 32 vepra letrare, publicistike dhe kinematografike. Por kur e shoh, prapë me pëlqen dizajni a kopertina e romanit të parë “Qyteti në ankth”. Është një foto panoramike gri e qytetit në vjeshtë, ndërsa pamja përthyhet nga grilat e një burgu.

Kush kanë qenë lexuesit e parë të librave tuaj, në dorëshkrim?

Dorëshkrimet ua jep disa miqve dhe të afërmve të mi, që ishin lexues të pasionuar të shkrimeve publicistike, prandaj më interesonte se si do t’u duken romanët, a tregimet që dallonin nga ajo që kisha shkruara deri atëherë. Asnjëri prej tyre nuk kanë qenë kritikë letrarë a shkrimtarë, kanë qenë lexues të kultivuar. Por me kanë ndihmuar me ndonjë ide a sugjerim në plotësimin e dorëshkrimit. Në librat e mia për film e publicistikë nuk kisha shumë mëdyshje, sepse kisha përvojë të gjatë dhe kisha bërë emër. Por në letërsi kisha nevojë për mbështetje morale.

Në Shqipëri kemi pasur specifika të tjera të vështirësive për të botuar libra, V eçanërisht para viteve ’90- për shkak të regjimit diktatorial – po në Kosovë cilat ishin vështirësitë e botimit, në kohët kur vendi kalonte nëpër kalvar mbijetese dhe luftërash?

Mekanizmi i veprimit të censurës ka qenë pothuajse i njëjtë. Te ne më shumë kishte vetëcensurë. Nuk e lodhnim censorin. Nuk të pengonte askush të lëvroje stile të ndryshme e rryma letrare “dekadente”, por duhej të ishe shumë i kujdesshëm në trajtimin e temave të caktuara dhe aluzionet që dilnin nga një vepër artistike. Mund të shkruaje për yje e për hënë, por diktaturën e krimet e regjimit komunist nuk mund t’i trajtoje, sepse të grinte sistemi. Nuk guxoje të trajtoje as krimet e regjimit të ushtrisë serbe, kur e pushtoi për herë të parë Kosovën më 1912. Pastaj marrëdhëniet shqiptaro-serbe ishin temë tabu, nëse nuk ishin brenda klisheve të vëllazërim-bashkimit. Prandaj kufizimet ishin të ndjeshme, nuk kishte romane kundër sistemit komunist dhe kundër diktaturës “liberale”, pos kur ikje nga konkretësia me rrjedhën e ndërdijes a lumit të nëndheshëm. Filmi ishte më i guximshëm, trajtoi temat e diktaturës, por gjithnjë duke u kujdesur të gjykonte kohën që tashmë ishte dënuar nga sistemi.

Cili është libri më i dashur për ju, nga krijimtaria juaj? Po ai që ju dhemb më shumë?

Libri im më i dashur që ma kujton një pjesë të fëmijërisë është “Zogjtë e qyqes”. Duke e shkruar e kam rijetuar edhe një herë. Me dilnin parasysh fytyrat reale që pastaj i stisja me shumë frymëzim, më përftonte fëmijëria dhe rinia në një mënyrë të veçantë si në një shirit filmi që lëviz e lëviz, ndërsa e kisha vështirë ta ndalja që të ngopesha me ajër. Kisha shumë emocione e dhimbje derisa e shkruaja. Pastaj dëgjoja muzikë të viteve të shtatëdhjetë të shekullit të kaluar me orë të tëra mu si dikur. Me del parasysh ndonjë kujtim që s’mund ta shkruaj, që të mos i lëndoj njerëzit, dhe rri e imagjinoj orë të tëra. dhe biseduam si “Zogjtë e qyqes” ma kujton se me të dola pak në sipërfaqe në Shqipëri, sepse në Kosovë e kisha pushtuar tregun mediatik.

Ndërkaq, romani “Muri i heshtjes” është libri që dhemb më shumë, gjithë bota ime aty është me gëzimin dhe pikëllimin, me sukseset dhe dështimet, me kujtimet e mira dhe ato të hidhura.

Ka pasur ndonjë libër që keni hezituar fillimisht ta botoni?

Po. Është “Muri i heshtjes” që më ka vënë në mëdyshje të mëdha një kohë të gjatë, edhe pse e kam shkruar njëkohësisht me romanin “Zogjtë e qyqes” (2019-2020). Kam mëdyshje edhe për disa zgjidhje dramaturgjike.

Nuk është se i kam bërë që të dukem më “cool” siç do të thoshin të rinjtë, por më shumë më duket që e bëra që të realizoja ëndrrën e parealizuar të protagonistit. Ka një zgjidhje dramaturgjike që askush nuk e ka pritur. Disa miq janë skandalizuar, të tjerët më kanë thënë të ndryshoja fundin që të mos më keqkuptonin, por unë megjithatë

nuk e kam ndryshuar. Nuk brengosem me keqkuptojnë apo jo. Vepra artistike nuk është program politik as pamflete.

Po ndonjë libër për të cilin keni thënë “pas këtij nuk do të shkruaj më”?

Pas romanit “Zogjtë e qyqes” që u prit mirë në Shqipëri dhe në Kosovë, thashë se nuk do të botoj më. E kam arritur kulmin dhe vetëm sa do të bie. Mirëpo kur ia dhashë dy-tre miqve romanin tim “Nata e trazuar”, që e kam botuar para dy vjetësh, njëkohësisht me “Zogjtë e qyqes”, por ende nuk e kam nxjerrë në shitje, më thanë: “Mos gabo, sepse është nëse jo më i mirë, i afërt me “Zogjtë e qyqes””. Pastaj më kishte mbetur peng të realizoja skenarin e filmit “Nata e fantazmave”, që e kisha shkruar para më shumë se dhjetë vjetësh për një shtëpi filmike jashtë Kosovës, që e pëlqyen, me shpresën se do ta financonte edhe Ministria jonë e Kulturës. Por tanët nuk ishin të gatshëm të

jepnin para, kështu që e ktheva në vepër letrare me titull të ri “Lufta e pengjeve”. Shpresoj ta bëj film në produksion të shtëpisë sime filmike, në bashkëprodhim me Kroacinë, Slloveninë dhe Bosnjë-Hercegovinën, mbase edhe me Shqipërinë, pasi të përkthehet në frëngjisht dhe në kroatisht, që është në proces.

Cili libër ka pasur jehonën më të madhe?

“Kalorësit e Dardanisë” është romani im më i kërkuar dhe më i shituri, e kam ribotuar disa herë. Por realisht është edhe romani im më i dashur. Kam shumë emocione për të, në kuptimin se ne dikur përpiqeshim të krijonim shtetin e Dardanisë, ashtu si ishte në antikë. Edhe lexuesit e kapën momentin “patriotik”, atdhedashurinë e luftëtarëve për vendin e tyre deri në sakrificë sublime. Në dukje të parë është roman kalorësiak, por titulli të mashtron, është roman i sakrificës sublime të luftëtarëve, ushtarë profesionistë, që pasi bëjnë luftë në gjithë botën që njihej atëherë, kthehen në atdhe që ta mbrojnë nga hordhitë avare, sllave dhe pomake. Të 300 kalorësit dardanë luftojnë dhe vdesin. Vetëm kronisti i këtyre ngjarjeve mbetet për të rrëfyer trimërinë dhe sakrificën. Kalorësit dardanë kanë qenë formacion i njohur në antikë, ushtarë të ngjashëm më spartanët apo si treqind kalorësit e Gjergj Kastriotit që braktisën fushëbetejën turke dhe erdhën të çlironin atdheun e tyre. Kam hulumtuar gjatë për lëndën e këtij romani.

Kam shëtitur gati në të gjitha lokalitetet arkeologjike ku supozohet se kanë bërë beteja për jetë a vdekje. Tre muaj kam qenë në ekspeditë arkeologjike këmbë nëpër një territor të gjerë, fare pak të hulumtuar. Kishte aq shumë legjenda që vinin nga antika. Çdo ditë ecnim nga katër orë rrugë të mundimshme malore. Kështjellat e braktisura për të cilat dimë pak, rrënojat e kështjellave që i kam hasur në terren me kanë frymëzuar. Por nga tërë ajo lavdi kanë mbetur vetëm emrat dhe muret e gjëra deri në dhjetë metra. Pakkush ka dëgjuar për Kështjellën e Jerinës, një kështjellë malore në mes të kufirit të sotëm Shqipëri-Dardani, që më ka frymëzuar në mënyrë të veçantë. Pastaj kështjellën e Lekës, një tjetër kështjellë antike që ka komunikuar me kështjellën e parë dhe e ka mbikëqyrur tërë Rrafshin e Dukagjinit deri në Ndrenikë (Drenicë) e Prishtinë.

Nga këto kështjella misterioze e kam nis rrëfimin, duke i ndjekur protagonistët e mi nëpër Naisus (Nish) e Panoni, ku janë sot rrënojat e qyteteve antike ilire dhe selia e prejardhjes së disa perandorëve ilirë të Romës, për të vazhduar pastaj atje ku kanë luftuar në Thraki e Skithi. Romani nuk është komercial por lexohet me një frymë, ka dendësi ngjarjesh dhe është material i mirë për një spektakël kinematografik, por që kushton disa milionë euro.

A ka pasur ndonjë libër të cilin keni dashur ta ripunoni dhe ribotoni?

Disa nga romanet planifikoj t’i ripunoj dhe t’i ribotoj, sepse më duket se kanë nevojë të plotësohen. Mirëpo angazhimi në disa fusha: letërsi, prodhim filmi, skenarë, publicistikë ma hanë kohën që më duhet t’i ripunoj. Shpresoj të rikthehem në ripunim pasi t’i realizoj disa nga projektet e filmit (një film të gjatë dokumentar për Rugovën dhe dy filma artistikë).

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat