"Mos e beso atë që mendon!" Ose thënë ndryshe: pse shpesh marrim vendime të gabuara? 

Kultura

"Mos e beso atë që mendon!" Ose thënë ndryshe: pse shpesh marrim vendime të gabuara? 

Nga: Zejnullah Jakupi Më: 27 shkurt 2024 Në ora: 00:12
Zejnullah Jakupi

Gjuha shqipe

Javën që e lam pas ishte tema e gjuhës shqipe dhe Peticioni i intelektualëve nga dy Akademitë e Shkencave, ajo e Shqipërisë dhe ajo e Kosovës përmes përfaqësuesve të tyre. Me të drejtë është dhënë alarmi se të gjithë, kush më pak e kush më shumë, po e degradojmë gjuhën tonë të bukur shqipe. Natyrisht duhet të ketë debat të gjerë në media dhe në komunikimet shkencore dhe në ato ndërpersonale për këtë temë. Në këto debate duhet gjithsesi të ketë pjesëmarrje nga profesorët eminent dhe jo vetëm nga gazetarët apo edhe ekspertët e vetëdeklaruar, që nuk thonë asgjë.

Një është e ditur: Shteti duhet të investojë në mirëmbajtjen dhe kultivimin e gjuhës. E kjo duhet të fillohet nga UP, Ministria e Arsimit, mediet dhe duhet të praktikohet në të gjitha institucionet, në shkollat e gjitha niveleve etj. Profesori në UP, redaktori në RTK, RTV21, KTV, ose në media tjera duhet të dij ose të ketë aftësinë që të korrigjojë ose redaktojë një punim shkencor, shkrimin gazetaresk, për media të shkruara dhe ato audiovizive.

Ashtu si në kuptimin e gjuhës dhe kultivimin e saj edhe në ekonomi funksionon ngjashëm, por duhet ditur që të mos veprohet duke menduar shpejtë.

"Homo economicus"

Sikur në rastin e gjuhës, ashtu edhe në ekonomi, nuk mund të ecin punët mirë nëse nuk janë përcaktuar rolet si duhet, pa u mbështetur nė veprime racionale.

Ta marrim shembull: Si po vepron "homo economicus" në arealin tonë shoqëror? Sa jemi racional në veprime që lidhen me ekonomi?

Ky është një koncept i përdorur në shkencat sociale, veçanërisht në ekonomi, për të përshkruar një model të idealizuar të sjelljes së njeriut në marrëdhëniet ekonomike.

"Homo economicus" përkufizohet si një person që vepron në mënyrë intencionale dhe egoiste, duke u përpjekur për të maksimizuar përfitimin personal në mënyrë konsistente dhe të përparuar. Kjo përfshin pranimin e informacionit dhe analizën e saj për të marrë vendime mbi blerjen, shitjen, investimin dhe përdorimin e burimeve të tjera ekonomike në mënyrë që të maksimizojë të ardhurat e tij ose të arriturat e tjera personale.

Megjithëse ky model është përdorur gjatë shumë viteve për të shpjeguar sjelljen e konsumatorëve dhe prodhuesve në ekonomi, shumë ekonomistë e kritikojnë atë si një shkëputje të madhe nga realiteti. Kritikat bëjnë të ditur se njerëzit nuk janë gjithmonë tërësisht racionalë në vendimmarrjen e tyre, ata mund të jenë të prekur nga faktorë emocionalë, biaset kognitive, kushtet sociale, dhe faktorë të tjerë që ndikojnë në sjelljen e tyre ekonomike.

Për këtë arsye, psikologët me renome botërore me prejardhje hebreje Daniel Kahneman dhe Amos Tverski (shih më poshtë) kanë punuar në zhvillimin e modeleve më të avancuara të sjelljes njerëzore në ekonomi, duke përfshirë elementë të tilla si psikologjia e sjelljes, sociologjia, dhe të tjerë. Ky trend ka çuar në zhvillimin e fushave si ekonomia e sjelljes dhe ekonomia e eksperimenteve, që synojnë të përfshijnë një përshkrim më të plotë dhe më të besueshëm të sjelljes njerëzore në kontekstin ekonomik.

Ekonomia Keynesiane dhe ajo e Tregut të Lirë

Në teorinë shkencore, në shkencat sociale dallohen dy lloje të orientimeve të tilla: 1.Ekonomia Keynesiane dhe ajo 2.) e Tregut të Lirë. Dyjat janë dy shkolla të ndryshme të mendimit në fushën e ekonomisë, të cilat kanë qasje të ndryshme në rolin dhe funksionimin e tregjeve.

Ekonomia Keynesiane: Kjo është një shkollë e mendimit ekonomik që ka origjinën në punën e ekonomistit britanik John Maynard Keynes. Teoria Keynesiane është më e përqendruar në rolit e shtetit në ekonomi dhe në përdorimin e politikave fiskale dhe monetare për të menaxhuar ciklet ekonomike dhe për të përmirësuar performancën ekonomike.

Në thelb të teorisë Keynesiane është koncepti i kërkesës agregate dhe aftësia e shtetit për të përdorur politika fiskale për të ndikuar në nivelin e kërkesës agregate për të rritur prodhimin dhe për të reduktuar papunësinë në periudha të dobësisë ekonomike. Keynesianizmi gjithashtu përmban konceptin e "multiplikuesit fiskal", sipas së cilit një ndryshim në shpenzimet e qeverisë ose në taksat mund të ketë efekte shumëfishuese në ekonominë e përgjithshme.

Ekonomia e Tregut të Lirë: Kjo është një qasje në ekonomi që vë theksin në lirinë e tregut dhe në minimizimin e ndërhyrjeve të shtetit në aktivitetet ekonomike. Përfaqësuesit kryesorë të kësaj qasje janë shkolla austriake dhe shkolla e Chicagos. Ata besojnë se tregu është në gjendje të koordinojë aktivitetet ekonomike dhe të përcaktojë çmimet në një mënyrë efikase dhe të drejtë, dhe se ndërhyrjet e shtetit shpesh mund të sjellin efekte të papëlqyeshme, duke krijuar distorsione dhe pengesa për zhvillimin ekonomik. Këto qasje përpiqen të promovojnë konkurrencën e lirë dhe lirinë e tregut si mjetet më të mira për të arritur rritje ekonomike dhe efikasitet.

Në përgjithësi, ekonomia Keynesiane përqendrohet në nevojën për ndërhyrje të shtetit për të menaxhuar ekonominë, ekonomia e tregut të lirë promovon lirinë e tregut dhe minimizimin e ndërhyrjeve shtetërore. Këto qasje kanë pasur një ndikim të ndjeshëm në politikën ekonomike dhe debatin publik rreth mënyrës së menaxhimit të ekonomisë. Sidomos ekonomia Keynesiane interpretohet se ka përafrime me teorinë e mendimit të ngadalshëm, ndërsa ekonomia e Tregut të Lirë më shumë gjason me "mendimin e shpejtë", që orientohet në profit e më pak në veprime të arsyeshme.

"Mendimi i Shpejtë dhe i Ngadalshëm"

Ky është titulli i veprës kapitale të shkruar nga Daniel Kahneman, një psikolog famoz, laureat i çmimit Nobel për ekonomi në vitin 2002. Në këtë libër, Kahneman shpalos idetë dhe hulumtimet e tij të mëdha mbi dy mënyrat e mendimit: mendimi i shpejtë dhe mendimi i ngadalshëm. Ai shpjegon se si mendimi ynë funksionon në mënyra të ndryshme dhe si këto mënyra ndikojnë në vendimmarrjen tonë, në perceptimin tonë të botës dhe në sjelljen tonë në përgjithësi.

Kahneman argumenton në „teorinë e prospektit“ të punuar me bashkëpunëtorin e tij Amos Tversky se mendimi i shpejtë, i cili është intuitiv dhe i përparuar, shpesh mund të jetë i prirur drejt gabimeve, ndërsa mendimi i ngadalshëm, i cili është më reflektues dhe i hollësishëm, mund të ndihmojë në përmirësimin e vendimmarrjes dhe në minimizimin e gabimeve. Libri është një studim i thellë mbi proceset kognitive dhe sjelljen njerëzore dhe ofron perspektiva të rëndësishme për të kuptuar se si funksionojmë ne si njerëz, edhe në fushën e ekonomisë, si homo economicus- të ndikuar nga veprimet heuristike, siç veprojnë agjentët heuristikë.

Kahneman i drejtohet teorisë së perspektivës që ai zhvilloi duke shkruar për tendencën për t'i parë problemet në izolim dhe se si zgjedhja e kornizës mund të ndikojë masivisht në vendime. Kahneman diskuton ndryshimin midis dy këndvështrimeve të ndryshme për mirëqenien: mendimin restrospektiv dhe ate të përjetuar duke e lidhur me përvojën e tij jetësore në kohën kur i shpëtoi rezhimit nazist. Një ofier nazist e kishte falur nga pushkatimi sepse Kahneman i përngjante djalit të oficerit.Nga këndej Kahneman nxorri përfundimin se restrospektiva është më dominante se sa përjetimi.

Perspektiva e teorive që ndryshojnë

E solla ketë temë, pasi që në shumë debate në media mbi gjuhën, kulturën politike dhe qeverisjen në Kosovë ka shumë më shumë mendime të shpejta se aso të ngadalshme, të peshuara dhe racionale, se sa vendimeve që mbështeten në mendime instinktive.

Prandaj, si lexues duhet të jemi të kujdesshëm (siç dëgjonim teori lidhur me prejardhjen e gjuhës shqipe) se gjoja teoritë nuk ndryshohen.

E kur dikush pretendon se ekziston një marrëveshje shkencore dhe se një teori e caktuar nuk mund të ndryshojë, duket se është mendim i shpejtë.

Përkundrazi, shkenca nënkupton testimin e vazhdueshëm të teorive. Për këtë qëllim, të dhënat dhe shifrat shkencore mbi të cilat bazohen teoritë duhet të vihen në dispozicion të të gjithë shkencëtarëve, në mënyrë që të mund të bëhet kontroll i pavarur. Kjo metodë mund të përdoret për të sulmuar një teori dhe, nëse është e nevojshme, për ta rrëzuar atë. Kushdo që mbron teorinë Ilire dhe kundërshton atë Pellazgjike, dhe anasjelltas, jo me fakte, por me një konsensus të pretenduar, për ta deklasuar njëra - tjetrën, tregon se nuk e ka kuptuar shkencën ose ka diçka për të fshehur.

Konotacionet negative nga raportimi i medieve

Përurimi i përmendores së kryeministrit Albin Kurti nga një mërgimtar në fshatin Peran të Podujevës dha alarmin tek mediet, të cilat ranë në grackë sepse e bën lajm viral, disa madje për ta përqeshur Albin Kurtin, por lajmi e arriti të kundërtën. Ky është një nga kundërshembujt më të mirë se si nuk duhet lejuar që vëmendja publike në transmetimin e lajmeve të keqpërdoret pa masë. Siç e dijmë, në Kosovë nuk ka agjenci lajmesh të cilat vendosin se kush dhe cilat tema do të deminojnë në media.

Jemi dëshmitarë mbi ate se informacioni mediatik është i ndarë në copa të shumta të shkurtra dhe të përziera me opinione dhe natyrisht gazetarët prodhojnë lajme sipas interesave të tyre private, shpesh edhe për të dëmtuar kundërshtarët e tyre që kanë preferenca të caktuara politike të cilat nuk ju shkojnë përshtati disa gazetarëve. Shumica dërrmuese e këtyre fragmenteve kanë konotacione negative.

Shikuesi bombardohet nga lajmet të shumëta dhe për shkak të shkurtësisë së informacionit, pak prej tyre arrin në kujtesën tonë afatgjatë dhe disponimi negativ i lajmit ka një ndikim të thellë tek secili prej nesh. Asnjë psikoterapist nuk mund të luftojë kundër një depresioni kaq të vazhdueshëm.

A mos duhet vallë të nxjerrim mësim nga Raymond Hull. Në fund të fundit, secili prej nesh duhet të jetë kritik kur pranon informacionin dhe të mos të bëhemi viktimë e ndonjë manipulimi të fshehtë ose të hapur shoqëror, por natyrisht do të duhej që secili të gjejë dhe të përcaktojë konkretisht qëllimet e jetës.

Dhe kjo është pikërisht ajo që ka të bëjë me jetën. Jo për të ndjekur dhe bërë atë që shteti dhe shoqëria, ekonomia ka planifikuar për ju, por për të përcaktuar qëllimet tuaja të jetës në mënyrë të vetë-përcaktuar (Kjo vlenë edhe në fushat tjera si ajo e religjionit. Asesi nuk duhet tu besojmë njerëzve që predikojnë se janë fetarë, të cilët pargjykojnë dhe kërcënojnë të tjerët, për mosbesim, ose u përzihen të tjerëve për mënyrën e të jetuarit, të besimit etj. Absurde apo?!).

Prandaj duhet të jetë përpjekja jonë maksimale për të kuptuar realitetin ashtu siç paraqitet në të vërtetë për përmbushjen e qëllimeve jetësore. Në këtë pikë mund të vë në dukje vetëm fjalinë e historianit Daniele Ganser: "Mos e beso atë që mendon!" 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat