Faridin Tafallari dhe dëshmorët e kombit

Kultura

Faridin Tafallari dhe dëshmorët e kombit

Nga: Baki Ymeri Më: 10 mars 2024 Në ora: 19:37
Faridin Tafallari

Nga historia mësojmë se tre pishtarët e Rilindjes ishin Samiu, Abdyli e Naimi. Nga Faridin Tafallari kuptojmë se tre pishtarët e parë të Kosovës martire ishin Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka. Çështjen e Shqipërisë ata e kishin si pikën kryesore dhe fener ndriçues në veprimtarinë e vet. Në veprat e tyre ata kanë dhënë orientimin e luftës që duhet të bënte populli shqiptar, për liri, pavarësi dhe bashkim kombëtar. Kosova në kohën e Jusuf Gërvallës kalonte nëpër etapa të koklavitura historike. Nga veprat e Faridinit kuptojmë se dëshmorët tanë e kanë pasur të qartë se si duhet ta fitonte Kosova pavarësinë dhe bashkimin me Shqipërinë.

Kryepersonazhi i lavdishëm i shkrimeve, i artikujve dhe veprave të Faridin Tafallarit është Jusuf Gërvalla, emri i të ciit u shndërrua në felinar që na e tregonte rrugën e bekuar të Bashkimit të madh Kombëtar të Kosovës martire me Shqipërinë e zemrave tona, për krijimin e një shteti të ri, të rrumbuaktë, të lirë dhe të pavarur. Ja përse emri i tij u bë një smbol për patriotët shqiptarë të diasporës sonë, burim i pashtershëm frymëzimi në përpjekjet e tyre historike. Sa ishte e rëndë kjo vrasje tregojnë zhvillimet e mëvonshme, ku mungesa e Jusuf Gërvallës ishte shumë e hetueshme në frontin e çështjes kombëtare në mërgatën kosovare, aq sa, nuk ka dyshim se, po të mos ishte vra ky vigan, gjithçka do të ishte zhvilluar ndryshe dhe, ndryshe do të kishte ndodhur çlirimi, liria dhe pavarësia e Kosovës.

Mirëpo, historia e ka rrugën e vet dhe ajo shkruhet me sakrificat e korifenjve, siç janë Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka, që për fatin tonë të keq, as 41- vjet pas atentatit nuk është zbardhur vrasja! Por jo vetëm kaq, rreth vrasjes ka pasur thashetheme të shumta nga vet shqiptarët, shumica nga të cilat e kanë mjegulluar rastin, aq sa, tashmë është shumë vështirë të zbardhe e vërteta, madje edhe po u zbardh, nuk e di sa e vlen, sepse, mund të ndodh ajo që e ka parandie vet Jusufi në çastet e fundit të jetës kur ka thënë: "Nëse është shqiptarë, kurrë mos u zbuloftë!”.

Nga Faridin Tafallari kuptojmë se 17 Janari është datë e trishtë për Kosovën. E trishtë dhe e dhimbshme pse ende nuk u zbardh vrasja e vëllezërve Gërvalla dhe Kadri Zeka. Me vrasjen e tre lajmëtarëve të lirisë u tentua të shuhej zëri i Kosovës dhe e vërteta e saj. Mund të ndodhë ajo që e ka parandie vet Jusufi në çastet e fundit të jetës kur ka thënë: "Nëse është shqiptarë, kurrë mos u zbuloftë!” Kanë kaluar 41 vite që nga dita kur u vranë në një atentat vëllezërit Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka.

Atentati ndaj dy vëllezërve Gërvalla dhe Kadri Zeka ndodhi me 17 janar, 1982 në Untergrupenbach të Gjermanisë. Nga autoritet shtetërore gjermane është lajmëruar se vrasës të panjohur kanë vrarë tre jugosllavë dhe se ky ishte kulminacion i ri në luftën e fshehtë në të cilën agjentët e sigurimit jugosllav i luftojnë kundërshtarët e pushtetit. Media gjermane, Der Spiegel (25 janar 1982) për motivin e krimit shkruante se identifikimi i shpejt i viktimave e ka sqaruar edhe motivin dhe drejtimin politik të tyre: "Jugosllavë në ekzil që i takonin kombësisë shqiptare nga provinca e Kosovës në jug të shtetit ballkanik, dhe që të tre veprimtarë kundër qeverisjes së Beogradit".

Edhe për autorët e vrasjes pati shënjime. Në vendin e ngjarjes, Jusuf Gërvalla, i cili më vonë vdes në spital, i kishte pëshpëritur policisë "Ka qenë UDB-ja". Që nga ajo kohë askush nuk është dënuar, dhe nuk është e sigurt nëse porositësit dhe autorët e atentatit janë ende gjallë. Kosova zyrtarisht asnjëherë nuk ka hapur hetime lidhur me këtë rast. Është shumë e çuditshme, se si ende nuk u zbardhë atentati ndaj tre heronjve shqiptarë në Gjermani. Prandaj, nga shteti i Kosovës kërkohet më shumë punë dhe hetime në këtë rast.

Në 41 vjetorin e vrasjes së veprimtarëve të çështjes kombëtare, Jusuf e Bardhosh Gërvallën dhe Kadri Zekën, është përkujtesa që nuk mund t'i mundë tirania e kohës e as t'i kapë ndryshku i harresës. Aktiviteti dhe kontributi i jashtëzakonshëm i Jusuf Gërvallës dhe bashkëveprimtarëve të tij, pati ndikim vendimtar në dinamizimin e tërësishëm të lëvizjes kombëtare shqiptare kundër regjimit ish-jugosllav. Vrasja e tyre ishte një goditje e rëndë për lëvizjen e shqiptarëve të Kosovës, por gjithashtu ata u shndërruan në prijës të kauzës për lirinë e Kosovës, duke trasuar rrugën e qartë drejt lirisë, pavarësisë dhe demokracisë në Kosovë. Veprimtaria e vëllezërve Gërvalla dhe e Kadri Zekës pengonte në mënyrë të drejtpërdrejtë shërbimet e sigurimit, ish jugosllave jashtë dhe brenda Kosovës.

17 janari i vitit 1982, dita kur u vranë mizorisht vëllezërit Gërvalla e Kadri Zeka, është një datë e dhimbshme në historinë e shqiptarëve. Edhe pse kanë kaluar 41 vjet, ajo ditë mbetet përgjithnjë e freskët me zinë e saj jo vetëm për familjet, por edhe për një numër njerëzish që kanë qenë të lidhur shpirtërisht e organizativisht me ta. Pra, bëhet fjalë për pjesëtarët e brezit që i vuri kazmën Jugosllavisë së fuqishme, vetëm me një synim: të çlirohet Kosova dhe territoret e tjera shqiptare në këtë ish-shtet komunist Jugosllav.

Gjatë kësaj kohe në Kosovë, pas demonstratave të vitit 1981, pati filluar në përmasa të pabesueshme, diferencimi politik që nënkuptonte terrorizimin psiqik e fizik, largimin nga shkolla e nga puna, arrestimin, torturën dhe burgimin e gjatë. Në këto rrethana veprimtaria e gjithanshme e vëllezërve Gërvalla dhe e Kadri Zekës pengonte në mënyrë të drejtpërdrejtë shërbimet ish-jugosllave jashtë dhe brenda. Dihet se gjatë kësaj kohe, Jusufi ishte një penë e fortë që kishte bërë emër në Kosovë, gjithashtu Kadriu ishte jo vetëm gazetar i mirë, por sidomos organizator efikas me përvojë shumëvjeçare në organizimin ilegal, ndërsa Bardhoshi fliste shumë mirë gjermanishten e anglishten dhe ishte komunikator i talentuar. Që të tre ishin të rinj dhe të brumosur me një idealizëm e gatishmëri për çdo flijim”, nënvizoi ish-kryetar i degës së LDK-së në Zvicër.

Sipas tij, udhëheqja e ish Jugosllavisë në atë kohë ishte e vetëdijshme për rëndësinë e mërgatës shqiptare, dhe si kundërvënie e kishte futur aparatin e gjithë sistemit të shërbimeve informative, civile e ushtarake. “Shërbimet e sigurimit të ish-Jugosllavisë përmes arrestimeve i kishin dhënë një grusht të rëndë Lëvizjes për liri dhe pavarësi, duke i burgosur me mijëra njerëz të kombësisë shqiptare. Në këto rrethana mërgata shqiptare përbënte një eshalon të veçantë të Lëvizjes për pavarësi. Përparësia e saj ishte se ajo ishte larg veprimit të drejtpërdrejtë të aparatit shtetëror, ishte prezente në vend, sepse një pjesë e madhe e mërgimtarëve qarkullonin rregullisht brenda e jashtë, kishte kontakte familjare e personale. Kuptohet se udhëheqja e ish Jugosllavisë në atë kohë ishin të vetëdijshëm për rëndësinë e mërgatës shqiptare, dhe si kundërvënie kishte futur aparatin e gjithë sistemit të shërbimeve informative civile e ushtarake, e që atëherë udhëhiqej nga slloveni Stane Dollanc”, vlerësoi Latifi.

Gjithashtu, ai tha se me ardhjen Dollancit në krye të ish-Jugosllavisë ndryshuan shumë gjëra, ku një nga ndryshimet më të mëdha është UDB-ja, e cila filloi eliminimin e kundërshtarëve politik.

“Me ardhjen e Dollancit në Kryesi të ish-Jugosllavisë, shërbimet informative ndryshojnë dukshëm metodat e veprimit. Njëra prej ndryshimeve është ajo se UDB-ja fillon të angazhojë nëntokën jugosllave, shtyllat e mafisë, për të eliminuar kundërshtarët politikë jashtë. Në këtë vijë u organizua dhe u ekzekutua vrasja e vëllezërve Gërvalla dhe e Kadri Zekës. Atentati u krye në kohën kur krejt aparati shtetëror i Jugosllavisë ishte përqendruar në Kosovë dhe në territoret e tjera shqiptare; atëherë kur Kosovës po i dërrmoheshin njëra pas tjetrës të gjitha të drejtat dhe institucionet vetanake që ishin fituar me shumë përpjekje e flijime”, shpjegoi ai.

Ndër të tjera, ish-kryetari i degës së LDK-së në Zvicër, kërkoi nga institucionet e drejtësisë së Kosovës që të bashkëpunojnë me shtetet e tjera, në veçanti me Republikën Federale të Gjermanisë, për t’i gjetur ekzekutorët e vëllezërve Gërvalla dhe Kadri Zekës. “Me vrasjen e tre lajmëtarëve të lirisë u tentua të shuhej zëri i Kosovës dhe e vërteta e saj. Vepra e vizioni i tyre ishin frymëzim dhe udhërrëfyes i të gjitha gjeneratave vijuese në angazhimet për lirinë e vendit, deri në mobilizimin e përgjithshëm të popullit tonë, në fundin e shekullit të njëzet. Nderim i përjetshëm heronjve të kombit, që i dhanë drejtim projektit të shumë brezave, deri në lirinë e plotë.

Mendoj se institucionet e drejtësisë të Republikës së Kosovës duhet të bashkëpunojnë me shtetet e tjera, në veçanti me Republikën Federale të Gjermanisë, për t’i gjetur ekzekutorët e vëllezërve Gërvalla dhe Kadri Zekës. Në mënyrë që të zbardhet e vërteta edhe sa i përket urdhërdhënësve si dhe ekzekutorëve. Vetëkuptohet se bindjet dhe orientimi dhe qendra e të cilëve natyrisht se dihet, ky është shërbimi sekret serbo-sllav, mirëpo emrat e përveçëm të atyre natyrisht se duhet të ndriçohen dhe asisoj të mundësohet drejtësia e ndëshkimi i autorëve të krimit”, përfundoi Haki Latifi për “Bota sot”.

Skënder Zogaj: Jusufi është pishtari, i cili kundërvu okupatorit serbo-komunist jugosllav

Kolegu i Jusufës Gërvallës, Skënder Zogaj në një bashkëbisedim me “Bota sot” foli për veprimtarinë e Gërvallës, dhe e cilëson atë si pishtar të nismës çlirimtare të Kosovës. “Jusuf Gërvallën e kam pasur kolegë në gazetën Rilindja dhe kemi punuar në të njëjtën rubrikë, deri në ditën kur në vendin e punës është arrestuar. Jusufi është pishtari i nismës çlirimtare të Kosovës, flakadani guximtar, i cili i pari iu është kundërvënë okupatorit serbo-komunist jugosllav, duke organizuar aktivitetin e fuqishëm ilegal kundër regjimit titist, i cili pas tri dekadash të shtypjes barbare të shqiptarëve, pas demonstratave të 1968-tës, po përpiqej që me lajka t'i mashtronte shqiptarët që Kosova të vazhdonte të mbetej pjesë e Jugosllavisë”.

Zogaj rrëfeu se si regjimi titist e zbuloi Gërvallën, se ishte ai që e priti me parulla anti-titste diktatorin Tito në Prishtinë. Po ashtu, ai tregoi edhe se si u arratis Jusufi nga burgu, ku më pas vazhdoi veprimtarinë në Gjermani. “Zëri më i fuqishëm kundër kësaj politike perfide reagon Jusuf Gërvalla që vizitën e Titos në Prishtinë e pret me parullat antititiste. Regjimi alarmohet nga trishtimi dhe për fat të keq, arrin të zbuloj se Jusuf Gërvalla ishte koka e rezistencës. Jusufi burgoset, por arrin të arratiset dhe të vendoset në Gjermani, ku e vazhdon edhe më fuqishëm veprimtarinë atdhetare! UDB-a jugosllave duke e ditur rrezikshmërinë e Jusufit, i vihet pas dhe, nuk lë gurë pa lëvizur, derisa arrin ta vrasë, bashkë me vëllain Bardhoshin dhe patriotin Kadri Zeka! Kjo ishte një gjëmë e madhe, tepër e dhimbshme, sepse Kosova mbet pa burrin më të vendosur të shpresës së lirisë”, shpjegoi publicisti. Në fund, Zogaj foli për mungesën që Kosova e ka me humbjen e një veprimtari si Gërvalla. Ai beson se po të mos ishte vrarë ai, gjithçka do të ishte zhvilluar ndryshe dhe, ndryshe do të kishte ndodhur çlirimi, liria dhe pavarësia e Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat