Rruga e ardhmërisë së dibranëve

Kultura

Rruga e ardhmërisë së dibranëve

Nga: Ndue Dedaj Më: 14 mars 2024 Në ora: 09:10
Ndue Dedaj

Mëngjes i së dielës. Përshkojmë “Rrugën e Dibrës”, një nga më të vjetrat rrugë tironase, ndërtuar disa shekuj para se Tirana të bëhej kryeqytet dhe hyjmë në Rrugën e Arbrit, në Shkallën e Tujanit. Rruga e Dibrës dikur përshkonte fshatrat e malësisë së Tiranës, Matit, Dibrës dhe mbërrinte deri në Shkup. Kur u mbyllën kufijtë në 13-ën ajo tashmë ishte gjymtuar dhe i shërbente vetëm Dibrës së “vogël” me qendër Peshkopinë, derisa erdhi e u rrudh në këtë lagje veriake të kryeqytetit, një a dy mijë metra e gjatë, sa të mos i humbte emri; kryesisht rrugë bluzash të bardha, uniformash të gjelbra dhe artistësh të kinemasë. Por dhe e “broduejsave” shqiptarë. I vetmi simbol i atyre pyjeve marremendëse nga kishte kaluar dikur rruga e famshme ishte një selvi, edhe ajo pemë qyteti dhe jo mali. Urbanizimi kishte marrë tjetër kah duke e lënë rrugën e dibranëve në shkretim të plotë, përfshi dhe Urën e Vashës mbi lumin Mat, ndonëse monument i rrallë arkitekturor në ato anë.

Rruga e Arbërit është në të vërtetë ajo rruga e vjetër e Dibrës, doemos e pakrahasueshme me rrugën “plakë”, që kapërcen të njëjtat lugina, gryka, kreshta, por, kuptohet, jo në të njëjtën trase. Kemi kaluar Zall-Dajtin dhe i jemi afruar të përpjetës që të ngjit te tuneli i Murrizit. Njëri nga bashkudhëtarët thotë se në fillim qe menduar që tuneli, që rezultoi problematik, të hapej jo në atë shembjen, nga e cila nuk po dilet dot, por në këtë grykëzën këtu poshtë, mirëpo qeveritarët nuk e pranuan, ngaqë tuneli do të ishte 1.8 kilometra më i gjatë. Mbase ky është njëri nga ato rastet, kur mendon se po ndjek rrugën më të shkurtër, por në të vërtetë ke zgjedhur më të gjatën. Diçka ka në këtë mes, përderisa rruga më e lakuar në vend, ka ngecur te tuneli i Murrizit prej të paktën tre vitesh!?

Ngjitemi të përpjetës së Qafë - Murrizit, që ndan Tiranën me Matin dhe pyesim për fshatrat në të dy anët e rrugës dhe më tej, por në makinën tonë nuk është dikush që i di saktësisht ato, aq më tepër që ende tabelat nuk janë vënë... Xibri, Shkalla, Darsi etj, ndërkohë që e dimë se pasi të kemi bërë dhe disa kilometra në drejtim të Klosit, duke përshkuar tunelet dhe urat e “varura” mbi greminë, sipër Urës së Vashës, mbërrijmë në derë të Pjetër Budit, në Gur të Bardhë. Kullat e mbledhura në një shpat ndanë rrugës nxjerrin në pah një kulturë jetese që shpesh nuk mendohet në malësi, mbasi kohë pas kohe janë etiketuar si “kulla reaksionare”, “kulla të verdha” etj. Por ja që banorët e “fiseve” shqiptare të maleve kanë jetuar për bukuri ngjitur njëri me tjetrin, si të jesh diku në Shkodër a Gjirokastër. Një kompleks i tillë kullash gjendet dhe në Shulbatër, jo larg nga rruga e re, që “fluturon” lartësive të thyera panoramike. Në të djathtë shtrihet Martaneshi, Batra, që kurrë nuk e meriton heshtjen që e ka mbuluar si një mjegull e trishtë. Nuk zgjat shumë e mbasi përshkojmë Planin e Bardhë na pret tuneli i fundit, ai i Qafës së Buallit, që është dhe hyrja për në Bulqizë, kryeqendrën e kromit shqiptar, qytet në dy pjesë. Është kënaqësi një kafe këtu, duke shkuar apo duke ardhur për në Dibër, apo edhe njëra edhe tjetra. Bulqizakët janë qytetarë të kultivuar, njerëz pa paragjykime, ndaj dhe bar-kafetë e kësaj të diele paradite janë plot, nga të gjitha kategoritë, të vjetër, të rinj, gra e vajza, pa asnjë dallim nga kryeqyteti.

Mali i Duriçit, “zona D” lart në shpatin e malit, “zona e parë” sipër qytetit të vjetër janë disa nga adresat e mbitokshme të minierës afro 80-vjeçare, por ajo që nuk ka “adresë” askund, përveçse në dhimbjen e pamatë njerëzore të familjarëve, është tragjedia e nëntokës që ka nisur nga viti 1946 e nuk ka pushuar as sot. Kanë ndodhur aty aq shumë vdekje minatorësh, sa nuk e përligj as fjala qindra, ndër të cilët, një numër i madh kanë qenë ish - të dënuar politikë dhe jo vetëm, që vuanin dënimin galerive e puseve të Bulqizës. Ka pasur aksidente nga plasjet e minave, shembjet etj. ku janë vrarë në galeri dhe 9 veta njëherësh. Është një kronikë që e ka përpirë dheu, edhe për faktin tronditës se drejtuesit komunistë dhe më vonë ata kapitalistë kanë dashur t’i zvogëlojnë përmasat e humbjeve njerëzore, të parët në emër të realizimit të planit dhe ndërtimit të socalizmit “ngadhnjimtar”, të dytët në emër të fitimit me çdo kusht.

Nga Tirana deri në Bulqizë kemi bërë vetëm një orë e një çerek dhe kur rruga të ketë përfunduar, Dibra do të jetë veçse një orë larg nga kryeqyteti. Po, po, kaq pak. Dhe dibranët e presin këtë ditë me padurim. Rruga vazhdon gjithkund nëpër fushë, Fusha e Vajkalit, Fushë – Bulqiza, Valikardha, Zerqani, Shupenza, Ura e Çerenecit, Fusha e Gjoricës, Maqellara. Por Rruga e Arbërit do të shkojë deri në Shkup e për këtë kanë bërë marrëveshje dy qeveritë, e Shqipërisë dhe e Maqedonisë së Veriut.

2

Është e treta herë në pak vite që vijmë në Dibër të Madhe dhe na duket se jeta pak ka bërë përpara. Pse kjo gjendje, pyesim dhe marrim një përgjigje alegorike befasuese. “Dibra e Madhe asht në Amerikë!” (A nuk kemi dëgjuar dhe në Krumë: “Hasi asht në Angli” etj.) Tri fjalë që thonë gjithçka, që dibranët kanë emigruar, duke bërë zakonin e gjyshërve, ndonëse tashmë në Perëndim; ata dhe mund të kthehen me investime, nëse këtu nis e zhvillohet diçka. Dibranët që kanë bërë jo pak dhe Tiranën në fillesat e saj!...

Në qendër të qytetit, aty ku është dhe përmendorja e Gjergj Kastriotit, shtatorja e Elez Isufit dhe bustet e Said Najdenit e Josif Bagerit, takojmë njerëz të rastësishëm që shijojnë të dielën në shoqërinë e njëri - tjetrit. Na ngjajnë të njohur, ngaqë janë miqësorë. I pyesim se çfarë pret Dibra e Madhe nga Rruga e Arbrit? Ata pa u menduar, thonë gati njëzëri “Ardhmëri, ekonomi, turizëm...” Ecim nëpër shëtitoren kryesore, që ngjan e vjetër, por që veç disa rrugica ta krijojnë fiks këtë ide, kur njëri nga tregtarët, që i ka ekspozuar mallrat në trotuar, na fton për të na qerasur me nga një lugë mjaltë e një dorë arra. Quhet Atli Duraku, me origjinë të hershme nga Kukësi, që drejton shoqatën e invalidëve të Luftës. Njeri i lidhur ngushtë me Shqipërinë, me zemër. Thotë se me shoqatën e tij e vizitojnë çdo vit vendin amë nga Shkodra në Butrint. Përmend miq e të njohur në Tiranë, Durrës, Fier, gjithandej. I bëjmë dhe Atliut të njëjtën pyetje: Çfarë pret Dibra e Madhe nga Rruga e Arbrit? Ai, ashtu si dibranët e tjerë që hasëm, e ka gati përgjigjën, por disi më konkrete: “Kuptoje vetë, po u mbyll qoftë dhe për njëzet e katër orë dogana e Bllatës, në këtu nuk hamë bukë!”

Trevë me histori skenderbegiane dhe rilindase, ku në shekullin XX veçohet Kongresi i Dibrës më 1909, sipas historianëve: një tubim të përmasave ballkanike, që shënon një hap të madh përpara në parashtrimin hapur, autoriteteve osmane, të kërkesave themelore kombëtare të Rilindjes. Por Dibra e Madhe nuk dëshiron të mbetet vetëm te historia, ajo ka një përiferi turistike të admirueshme, liqeni artificial, gryka e Radikes, llixhat termale etj. Shohim një grup i madh pelegrinësh, gra, fëmijë, të rinj, që kanë ardhur me autobusa nga Ohri në Manastirin e Shëngjergjit në kodër e do ta kalojnë ditën në këtë tempull të hershëm. Në fshatin Kosovrast, që shtrihet në breg të lumit të Radikes, takojmë Veziren, që e shqipton me krenari se është bijë Manastiri. Ajo na fton në shtëpi për kafe, por neve na mjafton guida “shqiptare” që ajo na bën në një vend ku shqipja mjerisht është rudhur nga trysnia e gjuhëve sllave. Kosovrasti, që vjen nga Kosovë, është një llagap i njohur në Tiranë, mbiemër që e mbajnë vëllezërit “Kosovrasti”, me kontrubut të spikatur në lëvizjen demokratike të 90-s: Muhameti, mjek, që bëri 21 vite burg politik në Spaç, Njaziu, deputet dhe sekretar shteti në qeveri për pushtetin vendor, Llukmani, mësues i shquar i matematikës në Mirditë dhe në gjimnazin “Sami Frashëri”, Tiranë.

Në epilog, i kthehemi një shkrimi të para tre viteve me titullin “Edhe Dibra e Madhe pret Rrugën e Arbrit”, të cilin e përfundonim me fjalët: “Kjo rrugë duhet të përfundojë sa më shpejt, që Dibra e Nëntë Maleve të mos mbetet si Doruntina përtej nëntë malesh…”

Të shpresojmë që Tuneli i Murrizit do të mbarojë këtë vit, kësaj here duke u shprehur “dibrançe”, që Dibra e Madhe të mos vazhdojë të jet(oj)ë vetëm në Amerikë, por dhe në Atdhe...

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat