Një letër e kahershme në xhepin e shpirtit!

Kultura

Një letër e kahershme në xhepin e shpirtit!

Nga: Agron Shabani Më: 29 mars 2024 Në ora: 10:22
Autori Agron Shabani

Vajzë, gocë, grua, dreqë! Që kur jemi ndarë, jam gjithmonë në tension dhe depresion të madh. Lumturia ime është që të jem pranë teje. I rikujtoj vazhdimisht në kujtesën time përkëdheljet e tua, lotët, përkujdesjen tënde engjëllore, femërorin... Trupin tënd, sytë, vetullat dhe buzëqeshjet tua. Fletërat e buzëve, qimet në faqe... Hëm... Puthjet tua...! Auuuu!

Bukuria jote e pakrahasueshme, ndez një flakë me ngjyra të zjarrta në zemrën time. Mos harro se të kam burgosur ose robëruar në zemrën time e dikund thellë në shpirt. Edhe vetvetën time aty, bashkë me ty. Po, po bashkë me ty. Po, pasha shpirtin dhe trupin tand pjellor!

Sytë e mi të verbër presin dëshpërimisht që të të shohin. Por ti natyrisht se nuk e kupton sa e bukur dhe tërheqëse ke qenë gjithmonë për mua, dhe si ke shtuar një vlerë speciale dhe të rrezikshme në zemrën time!

Ndaj, më lejo të di specifikisht qëllimin që ke ose kishe për sa i përket dashurisë sonë. Nevoja më detyron që të kërkoj këtë përgjigje, duke qenë goditur për shumë vite ose muaj nga shigjeta e dashurisë dhe ende nuk jam i sigurt, nëse ia kam arritur të kem një vend në zemrën tënde...?! Më trego, të lutem, se nuk e di ç'të bëj me veten time të humbur për ty. Më kupto! Allahile, më do apo jo...?!

Dreqi e marrtë! Në atë stuhi të madhe syçkash të lazdruara; mezi i gjeta sytë tu të kaltërt me flakë zjarri në maja të tyre, që po shihnin ose shikonin dikund largë si dy "pika të vogla çuditëse", si për të më rrezatuar dhe goditur mua të shkretin dikund thellë me 'shigjetën e zjarrtë" të Psikës së cilën dikur e goditi ose shqitësoi Erosin...

Ishin sytë tu olimpik që po shihnin dhe kërkonin nxitimisht dhe plot vëmendje në një diçka të mistershme ose enigmatike që më ngjante si në ëndërr...

Ëndërrat janë një diçka përtej meje, përtej nesh... Ëndërrat janë vetëm për heronjt ose guximtarët, ashtu si lufta, arti, gruaja, deti, dashuria...

Me kujtohet edhe kjo se Erosi kishte frikë nga drita, ndërsa Psikha nga terr-i ose errësira. Apo, jam i gabuar unë...?! Nuk e di, shoqe e pites...?!

Thuhet se arti lind ose buron nga deshira dhe gjurmimi për të bukurën, dashuria nga deshira ose nevoja e pashmangshme për artin, ndërsa, shkenca nga etja ose nevoja e madhe për të vërtetën." (Sakaq, m'u kujtua edhe kjo në këtë cep natë.) Nata qenka një ditë më herët... e dita një natë më pak. Po lexoj se paskësh thënë Tallesi.

Gjithashtu, po lexoj edhe një letër tjetër, sipas të cilës, ndryshimi janë rregullat ose ligjet e jetës. Ata që shohin fortë në të sotmen dhe të djeshmen ose të kaluarën, patjetër do e humbasin të nesërmen ose të ardhmen. (Po shoh se ka thënë diku e dikur Plutarku.)

Ndaj, mos më harro, Allahu im! Sepse të dua shumë!

Unë i yt (joti) jashtë teje! Sa keq kjo!"

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat