“Shumë studentë të universitetit shtetëror nuk e dinë se kush është Hasan Prishtina”?!

Kultura

“Shumë studentë të universitetit shtetëror nuk e dinë se kush është Hasan Prishtina”?!

Nga: Gani Demiri Më: 17 janar 2018 Në ora: 12:16
Hasan Prishtina

Nga ditët e para të janarit të 2018-ës e më saktë nga datat 8-9 janar dëgjova në Televizionin zyrtar të Prishtinës (RTK)  një njoftim mjaft interesant e të habitshëm për aq sa u shpreh folësi: “Shumë studentë të universitetit shtetëror nuk e dinë se kush është Hasan Prishtina” emër ky që mban universiteti i tyre.

Kjo shprehje e paimagjinueshme më tronditi pa masë. Dhe aq më tepër që në Shqipëri që nga ditët e çlirimit 1944 e në vazhdim, në vitin 1960 Hasan Prishtina është quajtur tradhtar në të gjitha tekstet shkollore.

Në vitin 1953 isha student në Institutin Pedagogjik  ku lëndën e Historisë së Shqipërisë e jepte profesor Aleks Buda. Në një nga leksionet që profesori në fjalë na shpjegonte e mbylli leksionin me sqarimin: “Kryengritja dështoi sepse tradhtoi Hasan Prishtina”. Në përfundim të mësimit, dola me të shpejtë nga klasa dhe iu drejtova: “Profesor, nuk jam dakord me ju, sepse Hasan Prishtina nuk është as nuk mund të jetë tradhtar. Sot nuk jam në gjendje t’ju përgjigjem me dokumente, por besoj se do të vijë koha për t’u sqaruar”.

Kam punuar 9 vjet si arsimtar dhe në vitet 1959-1960 erdhi koha. Ndërkohë, për dy ditë rresht kemi biseduar rreth kësaj figure. Si përfundim H. Prishtina e rehabilitua dhe më 17 nëntor të vitit 1962 botova një artikull të gjatë, dy faqe në gazetën “Zëri i rinisë”, që bëri bujë në publik.

Më 29 nëntor gazeta “Zëri i popullit”, organi kryesor i Partisë, ndër të tjera shkruante: “Pa kryengritjen e vitit 1912 nuk do ta kishim sot këtë Shqipëri londineze”.

Me rastin e 50-vjetorit të Pavarësisë Hasan Prishtina u dekorua  me Urdhrin e Lirisë të klasit të parë.

Për këtë mosnjohje  të studentë që përmenda në hyrje të shkrimit televiziv nga ana e studentëve prishtinas fajtorë janë mësuesit e historisë të shkollave të mesme.

Shkurtimisht  po flas për veprimtarinë kombëtare të këtij personaliteti dhe i bëj të njohur mbarë publikut emrin e  artikullshkruesit, dekoruar me titullin “Mësues i Popullit”.

Hasan Prishtina – një kapitull i lavdishëm i historisë  sonë kombëtare

 “Unë kam një rrugë të caktueme para mejet, atë kam shkelë dhe atë do të shkeli deri në vdekje: rrugën e indipendencës ma të plotë të tanë Shqipnisë”.

Hasani

Hasan Prishtinën edhe në periudhat më të turbullta, kur trajtimi i temave kombëtare të mirëfillta ishte anatemuar, historia e temës shqiptare e kishte vënë në rangun e personaliteteve të veta më të çmuara në panteonin kombëtar. Ai ishte figura kryesor e ngjarjeve të mëdha mbarëkombëtare nga viti 1908 dhe deri në vdekje, më 1933. Atij i dedikohet udhëheqja, organizimi dhe frymëzimi kryesor i kryengritjes së përgjithshme të vitit 1812, e cila e solli popullin tonë në shpalljen e pavarësisë.

Ky njeri i çmuar u lind në vitin 1873 në Vushtri (Vuçitern} të Kosovës në një familje me tradita kombëtare. Studimet e larta i kreu në Stamboll për drejtësi dhe diplomaci. Kishte një kulturë të gjerë dhe ishte njohës i shumë gjuhëve të huaja. Veprimtarinë e tij e filloi menjëherë në dobi të kombit. Në vitin 1908 u zgjodh deputet në Parlamentin perandorak. Tanimë njihet botërisht aktiviteti i tij  në këtë parlament në të mirë të popullit shqiptar. Shumë shpejt ai me një  trimëri, guxim, zgjuarsi dhe elokuencë të veçantë, me një ndjenjë të lartë drejtësie, duke denoncuar dhe demaskuar me vendosmëri barbarizmat e shtetit pushtues otoman, u bë mbrojtës it ë drejtave të mbarë atyre popujve që vuanin nën thundrën osmane. Kështu, ai u zgjodh kryetar i grupit parlamentar për popujt e shtypur.

Gazeta “Shqypeja e Shqyppnisë” atëherë shkruante për të: “Ky trim i Shqipnisë asht ba shembull me veprat e tij për të gjithë shqiptarët”. Ai dha një kontribut të lartë për zhvillimin e kulturës dhe të arsimit kombëtar, sidomos për hapjen e të parës shkollë normale në Elbasan. Ja ç’do të shkruajë për këtë Gurakuqi: “Nga Kosova kreshnike e trimoshe, me përpjekjet e të ndershmit Hasan Prishtina i cili na rroftë për jetë, na erdhën shumë nxënës”.

Në dhjetor të vitit 1911 “luani i maleve të Shqipërisë”, siç e quanin gazetat e kohës, e tronditi parlamentin otoman me fjalimin e tij të famshëm: “Në kjoftë se qeveria nuk ndërron politikë në Shqipni, në kjoftë se shqiptarët nuk i gëzojnë të drejtat e tyre politike, asht për t’u vu re se kanë me shpërthye një varg kryengritjesh të përgjakshme e ndoshta kam me kenë unë i pari që kam me ngritë flamurin e kryengritjes”.

Me nismën e Hasan Prishtinës dhe nën  kryesinë e Ismail Qemalit u mbajt një mbledhje e fshehtë në Stamboll, në të cilën morën pjesë Esat Toptani, Myfit Libohova e Syrja Vlora.  U vendos që të organizohej një kryengritje e përgjithshme e armatosur. Në fillim do ta vendoste Kosova dhe pastaj krahinat e tjera. Ismail Qemali do të dilte në Evropë për të siguruar armë dhe të holla të cilat do t’i dorëzoheshin Easan Prishtinës. Ismail Qemali nuk mundi të sigurojë as njërën as tjetrën, kurse Esati, Myfiti dhe Syrjai tradhtuan. Kështu, Hasan Prishtina mbeti i vetëm.

Qeveria e Stambollit duke parë rrezikun e kryengritjes i premtoi Hasanit postin e ministrit të Drejtësisë. Për këto ai do të dekaronte: “Në vend të një kolltuku perandorak me turp, unë preferova kryengritjen në Kosovë”. Ai filloi menjëherë përgatitjen e kësaj kryengritjeje.

Pasi bisedoi me tërë parinë e vendit, Hasani ua mori atyre fjalën. Edhe pse pa asnjë përkrahje dhe armatim, i mbështetur në besimin te populli, te përvoja e tij shekullore në luftë kundër zaptuesve që kishin një ushtri të stërvitur dhe të armatosur sipas kohës, më 5 maj të vitit 1912 ai lëshoi kushtrimin për kryengritje me këto fjalë: “Kur u binda se politika xhonturke po vijon mizorisht në Shqipni, ashtu si pata lajmërue në parlament, po ngrehi sot falurin e kryengritjes kundër sundimit perandorak”.

Me nismën dhe udhëheqjen e tij u mblodh Kuvendi i Junikut, fshat në mes të Gjakovës dhe Pejës ku morën pjesë 250 delegatë nga vilajeti i Kosovës. Në atë kuvend u hartuan kërkesat për autonominë politike me 4 (katër) vilajetet. Ndërkohë qeveria osmane dërgoi 70 mijë ushtarë për të shtypur kryengritjen  në Kosovë. Por kryengritësit, të udhëhequr nga Hasan Prishtina, Bajram Curri, Idriz Seferi, Isa Boletini e të tjerë, brenda një kohe të shkurtër çliruan mbarë Kosovën. Me çlirimin e Prishtinës, qeveria e Turqve të Rinj ra dhe qeveria e re dërgoi telegrame se do të dërgonte një delegacion të plotfuqishëm  për t’u marrë vesh me udhëheqësit e kryengritjes. Patrioti Hasan Prishtina dërgoi menjëherë telegrame në tri vilajetet që të dërgonin delegatë në Prishtinë për bisedimet me delegacionin turk, me qëllim që kërkesat të paraqiteshin zyrtarisht nga të katër vilajetet dhe jo vetëm në Kosovë. Për fat të keq këto delegacione nuk erdhën, për shkaqe objektive. Kështu që mbeti vetëm delegacioni i Kosovës.

Atdhetari Hasan Prishtina që në fillim u prish me delegacionin turk, sepse nuk e pranoi kërkesën për autonomi. Ai mori një telegram nga paria e Shqipërisë së Jugut dhe e Elbasanit që t’i përfaqësonte ato në bisedime. Ky telegram i dha fuqi dhe ai e paralajmëroi delegacionin osman, në qoftë se nuk i pranonte kërkesat brenda dy ditësh, kryengritësit do të hynin në Shkup.

Kërkesat në fjalë nuk u pranuan. Kështu, më 12 gusht kryengritësit me në krye Hasan Prishtinën çliruan Shkupin dhe atdhetari Bedri Pejani e ngriti flamurin. Ndërkohë plasi lufta ballkanike. Atdhetari Hasan Prishtina e lëshoi kushtrimin për të mbrojtur atdheun nga copëtimi i shteteve shoviniste ballkanike. Ai nuk mundi të marrë pjesë në ngritjen e flamurit në Vlorë për arsye objektive. Ai dërgoi delegatë pothuajse nga të gjitha krahinat e vilajetit të Kosovës. Kontributi i tij për pavarësinë kombëtare u vlerësua shumë nga Kuvendi i Vlorës. Ai e emëroi Hasan Prishtinën ministër të Bujqësisë (ndonëse në mungesë). Dihet se populli ynë nuk ishte e thënë t’i gëzonte frytet  e luftës dhe të përpjekjeve të veta. Konferenca e Ambasadorëve Evropianë në Londër  më 1912-1913 i copëtoi trojet shqiptare, duke lënë jashtë kufijve shtetërore dy të tretat e popullsisë  dhe të territorit shqiptar.

Patrioti Hasan Prishtina kundër kësaj padrejtësie protestoi energjikisht me anë të memorandumeve pranë kancelarive të Evropës. Ngjarjet po zhvilloheshin me shpejtësi të madhe. Hasani luftonte pa ndërprerje për të përfituar  në dobi të kombit brenda e jashtë kufijve shtetërorë për Kosovën, Çamërinë e trojet etnike. Ndërkohë, ai lëvizi shumë brenda e jashtë atdheut.

Mbas mbarimit të Luftës së Parë Botërore, me nismën e Hasanit, të Hoxha Kadrisë, Bajram Currit e të tjerëve, organizohet në Shkodër “Komiteti për mbrojtjen e Kosovës”, që do të luante një rol shumë të rëndësishëm  për konsolidimin e shtetit të ri shqiptar dhe për mbrojtjen e popullsisë shqiptare të Kosovës e të trevave të tjera për barbarizmat e qeverive të Serbisë e të Greqisë.

Në dhjetor të vitit 1918 “Komiteti për Mbrojtjen e Kosovës’ e dërgoi Hasan Prishtinën në krye të delegacionit në Konferencën e Paqes në Paris për mbrojtjen e Kosovës dhe për të demaskuar qeverinë serbe për masakrat që ajo bënte ndaj popullsisë shqiptare.

Hasani dha një kontribut të madh për organizimin e Kongresit të Lushnjës. Ai u zgjodh deputet në parlamentin e parë shqiptar duke dhënë një ndihmesë tepër të vyer për demokratizimin dhe bashkimin pa dallim feje, krahine dhe ideje të kombit shqiptar. Lidhur me sa më sipër, vlejnë të citohen këto fjalë të tij thënë në parlamentin e asaj kohe: “Unë për veten teme nuk jam as gegë as toskë, por vetëm shqiptar. Roja e kufijve të tokave shqiptare na përket ne e kërkujt tjetër. Shqipninë e kemi krijue vetëm me gjak e me mjaft mundime… Kosova e lëvizja e saj kanë qenë e janë aleati më i afërt , besnik e i sigurt për atdheun e tyne, Shqipninë”.

Në këtë kohë gjendja e vendit ishte shumë kritike. Qeveritë binin njëra pas tjetrës. Pikërisht në këto rrethana “Këshilli i Naltë” e pa të arsyeshme t’ia ngarkojë atij formimin e qeverisë. Edhe këtu ai tregoi nivelin e lartë të ideve demokratike që kishte qoftë me programin, qoftë me përbërjen e qeverisë. Mirëpo në vorbullën e kaosit që ekzistonte, kjo qeveri e pati jetën të shkurtër. Në këto kushte atdhetari Hasan Prishtina u detyra të largohej nga Tirana, në fillim brenda e pastaj në Ausrtri. Për t’u kthyer përsëri kur fitoi lëvizja demokratike ku spikati Fan Noli. Vetë Hasani nuk mund të angazhohej  në qeverinë e tij nga presioni që qeveria serbe kishte bërë pranë shtetit shqiptar për këtë qëllim.

Atdhetari Hasan Prishtina gjatë tërë jetës dhe veprimtarisë së tij, nuk  e reshti luftën për çlirimin e Kosovës dhe të trevave të tjera shqiptare duke kombinuar luftën diplomatike me atë politike, parlamentare me kryengritjen e armatosur.

Dihet që mbas rrëzimit të Qeverisë së Nolit, ai së bashku me shumë personalitete të tjera u arratisën jashtë atdheut. Por lufta dhe përkushtimi i tij për atdhe e komb vazhduan deri në fund të jetës. Deri atëherë ai ishte aktiv i papërkulur në dobi të interesave të larta të popullit. Ai nuk kurseu kurrë për atdheun, as pasurinë, as jetën.

Jashtë atdheut, së bashku me Nolin, u aktivizua për të organizuar lëvizjen e lirë në Shqipëri e në Kosovë të të arratisurve politikë në Evropë. Në Vjenë ai riformoi “Komitetin për çlirimin e Kosovës”, i cili luajti një rol të madh për të ndërkombëtarizuar problemin e Kosovës e të trevave  të tjera shqiptare.

Në vitin 1929 Hasan Prishtina i dëroi peticion Lidhjes së Kombeve në Gjenevë. Ai kërkoi nëpërmjet saj të dënonte qeverinë jugosllave për masakrat që ajo bënte në Kosovë. Në të kërkohej të lejohej populli që të bënte plebishit. Për këtë veprimtari titanike kombëtare, ky tribun popullor u dënua 5 herë me vdekje. Pikërisht lidhur me këtë ai ka deklaruar: “Mue n’idenë teme patriotike nuk ka mujtë e as do të muej me më shtrue ari i tanë botës, por as mënia e të tanë armiqve. Ka me më shtrue vetëm vdekja”. Dhe me të vërtetë, këtë luan të kombit tonë, të pushkës, të mendjes e të penës, të trimnisë të burrërisë e nënshtroi vetëm vdekja me atentat më 13 gusht 1933 në Seanik të Greqisë, por vepra e tij ka mbetur e përjetshme dhe shembull i shkëlqyer për brezat e ardhshëm.

Kontributi i atdhetarit të madh Hasan Prishtina në fushën e arsimit e të kulturës kombëtare

Veprimtaria e Hasan Prishtinës për zhvillimin e arsimit e të kulturës kombëtare është aq e madhe sa nuk mund t’i gjindet krahasimi me asnjë nga bashkëkohësit e tij.

Në atë kohë në Parlamentin Osman kishte 25 deputetë shqiptarë në gjendje ekonomike shumë të mirë. Përndryshe, në bazë të ligjit osman, ata nuk mund të zgjidheshin deputetë. Por asnjëri prej tyre nuk hapi ndonjë fondacion për të ndihmuar në hapjen e shkollave kombëtare. Asnjëri prej tyre nuk hapi një shkollë me shpenzimet e veta. Asnjëri prej tyre nuk bëri një mbledhje në vilajetin e vet, ku të fliste për rëndësinë e hapjes së shkollës së parë normale në Elbasan dhe t’u bënte thirrje zgjedhësve të vet për të dërguar nxënës në shkollën normale. Asnjë deputet, asnjë pasanik i madh në të katër vilajetet shqiptare s’ka kontribuar materialisht për zhvillimin e arsimit e të kulturës si Hasan Prishtina.

Asnjë deputet s’ka marrë telegrame urimi nga populli për kontributin e tij në të gjitha fushat sa Hasan Prishtina. Asnjë deputet s’ka marrë telegrame nga populli për padrejtësitë që i bëheshin popullit nga qeveria osmane sa ka marrë e                                                                     u ka zgjidhur hallet jo vetëm nga Vilajeti i Kosovës, por edhe nga të të gjitha vilajetet!

Për asnjë deputet s’ka shkruar shtypi i kohës, me kontribut të madh sa për Hasan Prishtinën.

Patrioti Hasan Prishtina zhvillimin e arsimit dhe të kulturës kombëtare e shikonte të barabartë mes tri feve në Shqipëri dhe në unitet të plotë mes tyre. Propaganda greke kishte bërë punë të madhe  në Perandorinë Osmane, duke i paraqitur ortodoksët shqiptarë  si grekë e që nuk u duhej shkolla shqipe, por shkolla greke. Lidhur me këtë, Hasan Prishtina bëri një dyluftim të vërtetë në parlament me ministrin e Brendshëm  perandorak, Telat Beun, duke argumentuar se ortodoksët në Shqipëri janë shqiptarë, që do t’u lejohet edhe atyre të hapin shkolla shqipe e jo greke. Ja çfarë shkruan gazeta “Shqiptari”: “Gjendja kombëtare e ortodoksëve ndodhej në gjendjen më të mjerë se besimet e tjera që ka në Shqipëri…Hasan Prishtina shfaqi sheshazi se është një nga të zgjedhurit e kombit dhe dtë mbrojë siç duhet çdo çështje shqiptare”.

Kontributi i Hasan Prishtinës për konsolidimin e alfabetit të sotëm

Kongresi i Parë i Manastirit dha një kontribut shumë të madh për hartimin e një alfabeti të vetëm, i cili nuk ia arriti qëllimit. Nga shumë alfabete që u paraqitën, vetëm dy ishin kryesorë, a ii Stambollit dhe a ii “Bashkimit”, hartuar nga poeti kombëtar, shumë i mirënjohuri e shumë i nderuari Atë Gjergj Fishta. Me gjithë përpjekjet e mëdha për të unifikuar një alfabet të njëjtë, nuk u arrit qëllimi. Si përfundim, mbetën të dyja alfabetet përkohësisht. Hasan Prishtina dhe mjaft të tjerë nuk e pritën mirë këtë përzgjedhje. Kjo bënte një ndarje mes dy krahinave të mëdha,toskë e gegë, dhe u shkonte për shtat armiqve të Shqipërisë, të cilët bënin propagandë të madhe në shtyp e me libra se këto dy krahina nuk ishin një komb.

Për fat të keq, edhe sot ka nga ata që duan të na ndajnë në dy kombe. Shqiptarët e Kosovës e të viseve të tjera të pushtuara nga sllavët na qenkan një komb dhe shqiptarët e Shqipërisë komb më vete. Flamurin për këtë e ka marrë Fatos Lubonja. Ish - “analisti” Ardian Klosi donte me na nda në “kantone” sipas krahinave, me një lloj pavarësie n ekonomi, në arsim e në kulturë. Atë që nuk mundën të bëjnë armiqtë tanë në kohën më të errët kur njerëzit me arsim numëroheshin me gishta, duan të na ndajnë sot në 8 universitete e me dy akademi shkencore.

Siç dihet, rolin për shpalljen e Kushtetutës Osmane e luajtën shqiptarët e Kosovës, ndaj lindi nevoja që të futej në shkollat ekzistuese gjuha shqipe. Për këtë duhej një qendër drejtuese. Prandaj, me iniciativën e Hasan Prishtinës e nën drejtimin e Bajram Currit, Bedri Pejanit, Nexhip Dragës, Rrok Berishës, Sali Gjukës, Nail Hysenit etj. u krijua Klubi shqiptar i Shkupit. Ky klub pati për detyrë të organizonte arsimin e kulturën në Vilajetin e Kosovës. Ndërsa anëtarët e klubit të Shkupit i jepnin llogari Komitetit shqiptar qendror “Bashkimi”n të Stambollit, i cili organizonte punën e klubeve të të katër vilajeteve në të gjitha drejtimet. Anëtari më aktiv i këtij klubi ishte Hasan Prishtina.

Propaganda e huaj po bënte një punë të madhe antishqiptare e sidomos kundër alfabetit shqip dhe përhapjes së arsimit në Shqipëri. Kësaj propaganda armiqësore iu kundërvunë një grup deputetësh me në krye Hasan Prishtinën, si Ismail Qemali, Nexhip Draga, Shahin Kolonja etj. Ata hartuan një program politik për punën e deputetëve në Parlamentin Osman. Ky program parashihte luftën e deputetëve shqiptarë për sigurimin e barazisë kombëtare shqiptare me kombësitë e tjera të perandorisë.

Në program parashihej:

1. Të njihet gjuha shqipe. Të vihet ajo në të tëra shkollat ku mësohet turqishtja dhe greqishtja si dhe në shkollat e tjera që do të hapeshin.

2. Në Shqipëri gjuha e parë në administratë të jetë gjuha shqipe.

3. Të njihet zyrtarisht kombësia shqiptare nga Perandoria Osmane (qeveria).

Qeveria xhonturke s’kishte ndërmend ta njihte kombësinë shqiptare. Ajo e organizoi si kundërpeshë të Kongresit të Manastirit Kongresin e Dibrës më 23 korrik 1909. Ky kongres xhonturk i thirrur në emër të osmanëve, duhej ta miratonte rezolutën që ishte hartuar në Stamboll turqisht e shqip. Në kongres ishin ftuar edhe përfaqësues të shoqatave serbe e maqedonase. Mirëpo ky kongres, në saj të një pune të madhe të Hasan Prishtinës, Hafiz Ali Korçës, Nexhip Dragës etj., mori një drejtim kombëtar shqiptar ku u njoh alfabeti latin i Kongresit të Manastirit.

Kongresi II i Manastirit vendosi përfundimisht alfabetin “Bashkimi”, këtëb që kemi sot.

Për t’i treguar opinionit botëror se janë vetë shqiptarët ata që luftojnë për ardhmërinë e vet kombëtare dhe joosmanët, pa vonuar ata organizuan Kongresin e Elbasanit më 2-9 shtator 1909. Edhe për organizimin e këtij kongresi dhe për programin e  tij kombëtar, një rol të rëndësishëm luajti po Hasan Prishtina. Në këtë kongres veç shumë mendimeve të rëndësishme kombëtare, u miratua hapja e Shkollës Normale të Elbasanit. Atdhetari i pakursyer dhe i pakrahasuar për çështjen e kombit, Hasan Prishtina, kishte krijuar një fondacion në Stamboll pranë Komitetit Qendror “Bashkimi” në të cilin grumbulloi ndihma në të holla që jepnin atdhetarët për përhapjen e arsimit e të kulturës duke dhuruar vetë një shumë të madhe të hollash në krahasim me të tjerët. Me t’u hapur Shkolla Normale e Elbasanit, ai menjëherë ia dërgoi drejtorisë së shkollës këto të holla. Në anën tjetër, iu drejtua me një thirrje të botuar në një gazetë, ku njoftonte të gjithë dhuruesit se tash e tutje ndihmat e tyre për shkollat shqipe që i dërgonin në Stamboll, do t’i dhuronin për Shkollën Normale në Elbasan.

Me të filluar nga puna Shkolla Normale, patrioti Hasan Prishtina dërgoi 50 nxënës nga Kosova. Lidhur me këtë, drejtori i parë i shkollës, patriot i nderuar Luigj Gurakuqi në pritjen që iu bë këtyre nxënësve në përshëndetje tha: “Nga kjo Kosovë fisnike e trimoshe me të përpjekurit e të ndershmit Hasan Prishtina, i cili na rroftë përjetë, na erdhën 50 nxënës që tani mund të themi pa frikë, është përfaqësuar e gjithë Shqipëria. Hasan Prishtina Normalen e Elbasanit e çmonte jo vetëm si një vatër arsimi e kulture, por edhe si një qendër politike, ku përgatiteshin  kuadro të afta për lëvizjen kombëtare. Ai e quante Normalen “Qendra e parë e vëllazërimit të rinisë shqiptare”.

Gazeta “Liria” shkruante: “Mirë se na erdhët e djelmtë e Kosovës trimoshe, o bijtë e atij vendi që ka qenë gjithmonë shtyllë e fortë e Shqipërisë”, dhe përfundonte: “Rroftë Shqipëria! Rroftë Hasan Prishtina!”

Me përpjekjet e Hasanit, në gjimnazin e Shkupit e të shkollave fillore krahas turqishtes kishte filluar të mësohej edhe gjuha shqipe. Mësuesit e parë kamë qenë patriotët e nderuar Bedri Pejani, Sali Gjuka, Jashar Erebara etj. Ndërsa vetë ai kishte hapur katër shkolla me shpenzimet e veta duke paguar edhe mësuesit në qytetin e lindjes në Vushtri, një në Drenicë në Polac, një në Gjilan dhe një në Pozhoran të Gjilanit. Në shkollat ekzistuese nëpër qytetet e Kosovës me përpjekjet e tij u fut gjuha shqipe që mësohej si lëndë më vete atje ku gjente mësues.

Hasan Prishtina gjatë gjithë kohës si deputet nuk e gjen veten në kolltukun e deputetit si shumë të tjerë, por në qytetet dhe në fshatrat e vilajetit të Kosovës e të Manastirit, duke propaganduar konsolidimin e alfabetit latin për zhvillimin e arsimit e të kulturës, për padrejtësinë e qeverisë xhonturke, për parapërgatitjen e popullit në kryengritjen e armatosur kundër sundimit shekullor osman për të fituar lirinë e pavarësinë.

Më 16 tetor 1909 i bëri një vizitë klubit “Bashkimi” të Manastirit. Në mbledhjen me anëtarët e klubit lidhur me problemet kombëtare ai mbajti një fjalim të zjarrtë. Ja si shkruante shtypi i kohës: “Hasan Prishtina kudo që vete, me ato që flet bën një përshtypje fort të madhe. Ky është burrë i ditur, i zgjuar, fort i mirë. Zemra e tij qenka e përvëluar për kombin e vet dhe për ta ndihmuar atë në dituri e për çdo gjë tjetër”. Dhe përfundonte: “Zoti i dhantë shëndet e jetë të gjatë Hasan Prishtinës!”

Atdhetari i madh Hasan Prishtina duke qenë i bindur se qeveria xhonturke nuk do t’i ndihmonte materialisht shkollat shqipe, kërkoi që vetë klubi qendror “Bashkimi” të merret me çështjen e arsimit dhe me anën financiare duke dhënë secili anëtar i klubit, deputet, pasanikët nga pesë për qind të të ardhurave të tyre si nga rroga ashtu edhe nga pasuria e tyre vetjake duke dhënë vetë shembullin personal.

Ky pesëpërqindsh i Hasan Prishtinës nuk ishte i vogël. Me këto mjete, ai mundi të mbante nja dy shkolla shqipe në Kosovë dhe t’i shkollonte në Normalen e Elbasanit mëse 60 nxënës… Të gjitha premtimet i vuri në jetë”.

Poeti patriot Hil Mosi lidhur më këtë shkruante: “Z. Hasan bej Prishtinën duhet të gjithë ta marrin për shembull për ndershmëri e që pasurinë e tij e përdor për lulëzim të kombit”. Edhe Faik Konica shkruante: “Po dolën dy burra Hasan Prishtina e Nexhip Draga dhe fuqia e Kosovës nisi të nderohet. Fanatizmi i tërbuar dhe keqbërës gjeti dy burra kundërshtarë të zotë, të cilët pushuan intrigat, vendosën a,b.c-në latine, hapën mësonjëtore, dërguan djem në Shkollën Normale, futën kudo një shpirt thjesht shqiptar”.

Në dhjetor të vitit 1911 patrioti Hasan Prishtina bëri vizita në shumë qytete e fshatra të Kosovës ku mbajti fjalime legale e bëri bisedime patriotike të veçanta ilegale. Ai u kthye në Stamboll dhe demaskoi qeverinë xhonturke për krimet që kishte bërë në popull pas shtypjes së kryengritjes së vitit 1910, mbylljes së Shkollës Normale të Elbasanit e shkollave fillore në Kosovë. Në parlament demaskoi ministrin e Arsimit që kishte njoftuar se kishte hapur 200 shkolla, ndërsa në fakt i kishte mbyllur 200 shkolla dhe shtypshkronjën  ku botoheshin tekstet në gjuhën shqipe. Të gjitha këto ai i quajti antikushtetuese dhe kërkoi me zë të lartë që të hapeshin ato menjëherë. Shtypi i kohës shkruante: “Më tepër zani Stendor i luanit, Hasan bej Prishtinës, do ta trembni qeverinë të urdhnojë që të mos ndalet hapja e shkollave tona”.

Premtimin se qeveria xhonturke do t’i rihapte shkollat dhe klubet shqiptare u detyrua ta bëjë nga shtrëngesa në parlament e Hasan Prishtinës dhe deputetëve të tjerë. Në dhjetor të vitit 1910, ky premtim nuk u zbatua menjëherë. Prandaj bëri që shumë deputetë të afrohen rreth Hasan Prishtinës dhe Dervish Himës, të lidhen me deputetë opozitarë osmanë e jo osmanë, me personalitete të larta të arsimit e të kulturës për t’iu kundërvu qeverisë edhe ma me forcë që ta zbatonte vendimin për njohjen zyrtarisht të alfabetit latin dhe për rihapjen e shkollave në gjuhën shqipe. Kështu, në qendër të perandorisë  në Stamboll ata formuan Shoqërinë Kulturore Botuese, e cila do të punonte në lokalet e gazetës “Shqiptare”, organ i Klubit Qendror. Rolin kryesor për hapjen e saj do ta luante po ashtu Hasan Prishtina. Shtëpia botuese për tekstet shkollore filloi botimin më 4 maj 1911. Qeveria osmane, pas shumë shtrëngimesh  u detyrua që më 2 gusht 1911 të shpallë ligjin për njohjen e përdorimit të mësimit shqip me alfabetin latin bë shkollat shqipe.

Patrioti Hasan Prishtina si diplomat i përkryer e arsimdashës i madh, më 2 maj në seancën parlamentare shtroi kërkesën: “Të çelet një shkollë bujqësore në Kosovë”, që është një vend pjellor i rrethuar me dy-tre shtete të huaja, dhe si nga pikëpamja e shumtë e popullsisë, nga pjelloria e tokës dhe nga gjerësia e saj, konsiderohet një nga vilajetet më të rëndësishme. Ndërsa Shkolla Normale e Elbasanit, tempulli më i dashur dhe më i shtrenjtë për Hasanin, për mbarëvajtjen  e së cilës shkriu pasurinë e vet dhe luftoi aq shumë e filloi punën vetëm më 5 mars 1912. Në këtë kohë atdhetari i madh, hasan Prishtina, e kishte braktisur kolltukun e parlamentit osman dhe në Vilajetin e Kosovës po organizonte kryengritjen e përgjithshme shqiptare kundër Perandorisë Osmane për të fituar lirinë e pavarësinë kombëtare me të katër vilajetet shqiptare për një Shqipëri etnike për të cilën shkriu mendjen, zemrën, pasurinë dhe shpirtin e tij. Ai e mbylli jetën e tij ashtu siç pat  deklaruar në deklaratën e tij: “Deri në vdekje” më 22 maj 1928.

“Mue n’idenë teme patriotike nuk ka mujtë as nuk do të muej me më shtrue ari i tanë botës, por as mënia e të tanë anmiqve. Ka me më shtrue vetëm vdekja”.

Hasan Prishtina ka qenë dhe mbetet figurë e shquar evropiane.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat