Udhëtimi historik, në vargje

Kultura

Udhëtimi historik, në vargje

Xheladin Mjeku Nga Xheladin Mjeku Më 23 janar 2018 Në ora: 06:16
Kopertina e librit

Naxhije Doçi (1946), e njohur tashmë për opinionin letrar, si poete dhe krijuese  zhanresh të shumta letrare dhe publicistike, vjen me përmbledhjen poetike ”Udha e kombit-Ëndërr e dehur e rrënjës”, për t’na shtruar fushën e blertë të vargjeve të saj të pashterrshme shtigjeve të jetës, mbi bazamentin historik dhe atë kombëtar, që si dy bashkudhtarë të pandarë dhe të pandalshëm, njëkohësisht, synim të përbashkët kanë vlerat e punës këmbëngulëse dhe frutat e sakrificave shekullore në kurorëzimin me fitore.

Shpalosja në cilësinë e lexuesit të pasionuar dhe të vëmendshëm të kësaj përmbledhje poetike, na shpie katërcipërisht një rrugëtimi të gjatë sa historia, duke takuar ngjarje e vende të kujtesës sonë të lavdishme, të përshkuar me emra e figura të pakontestueshme historike, të cilët, secili në mënyrën e vet vunë nga një gur zemre, për ta ngritur kështjellën e pavdekshme të lirisë sonë kombëtare.   

Ecje heroike shtigjeve të lirisë

 

Përmbledhja poetike ”Udha e kombit-Ëndërr e dehur e rrënjës” është sajuar nga cikle, apo si pretendon t’i paraqes autorja si nënkapituj, që bën të besojmë se ka menduar që tërësia e kësaj e poezie është kapitull i përgjithësuar i një historie të gjatë të kombit, për ta radhitur pastaj në nënkapitujt “Përfytyrim bujshmërie ky mijëvjeçar i tretë”, “Pishtar që nuk i plakë koha”, “Peizazhe krenarie” dhe “Në shfletim kujtimesh”.

Që në fillim, mund ta shpreh mendimin se kjo poezi, sa është krijimtari e pashkëputshme tematikisht, poaq ka edhe lidhjen zinxhirore, që gjarpëron në rrugëtimin e pandalur historik, për ta shtruar rrugën e lidhjeve të të gjitha trojeve, për ta bashkuar pastaj me frymën komunikuese dhe kontaktuese  çdo cep të atdheut. 

 

 

                                                            “Udha e Kombit

                                                  lidhja tokë-tokë

                                                  e tërësisë sime krahështrirë

                                                  harkut flakërues për diellin

                                                  e gjuhës shqipe të shenjtë

                                                  komunikim nga perënditë,

                                                  lidhja e çdo gjëje të njëjtë

                                                  që nga parahistoritë”

 

                                                                                                      (“Udha e Kombit”, fq. 9)

 

     Poetja Naxhije Doçi, gjithë shtrirjen hapsinore të kësaj udhe e sheh si ristrukturim dhe ngjallje të “Via Egnatia” antike e përtrirë”, e cila ishte kapilar i fuqishëm i lidhjeve etnike dhe një dëshmi e qëndrueshme se veç këtu ku fillon jeta, është dashuria e pambarim për atdheun, prej nga shtrihen krahët e gjallërimit nëpër trojet tona. 

    Të kësaj natyre janë edhe poezitë: “Urime me gjuhë zemre”, “Vlora heroike”, “Mall i pashuar Çamëri”, “Liria ime e hipokrizuar”, e ndonjë tjetër, edhe nga trajtimi që bëjnë, po edhe titujt, kuptohen se janë përkushtime për atdheun, përvjetorët dhe sakrificat nëpër shekuj. 

    Këtyre shtigjeve të rrugëtimit drejt lirisë, nuk iu ndanë për asnjë çast gjatë historisë edhe figura e emra të përveçëm, që lanë gjurmë të pashlyera në histori, me përkushtimin e tyre patriotrik, me gjakun dhe angazhimet e ndryshme gjatë viteve e shekujve, kur atdheut i duhej sakrifica e pakushtëzuar për ta gëzuar larine. Të tillë ishin: Adem Demaçi, Ibrahim Rugova,  Nënë Tereza, Adem Jashari, Ilaz Kodra, Antigonë Fazliu, Yllka Domi, etj. që “për liri sfidojnë” gjithçkla nga vetja, i takojmë të skalitur e të portretizuar poetikisht në cilklin “Pishtarë që nuk i plakë koha”.

Pasqyrim i “Peisazheve…” të etnisë në vargje

Në “Peisazhe krenarie” shtrihet gjeografia e pamjeve të atdheut nga një cep në cepin tjetër, duke pasqyruar pamjet e etnisë në kohë e stinë të ndryshme. Kjo bukuri magjepëse e atdheut vjen e paraqitur përmes vargjeve të Naxhije Doçit, si në pëlhurë të piktorit të rryer, gjithnjë duke prekur shijen e tij, që të sjell sa më shumë ngjarje e vende të njohura për karakteristikat e tyre që i veçojnë për vlerat e dëshmuara në kohë. 

 

                                                   “Ndezur përmallimesh prush

                                                   vargu në gufim të virgjër frymëzimi

                                                   në gjurmim ninullash të ruajtura

                                                   përkundur në djepin e lashtësisë

                                                   liqenit të përgjumur,

                                                   peizazhe të shirta të Gërmisë.”

    

                                                                                                 (“Mbi qytetin akuarel”, fq. 55)

Autorja nuk pushon për asnjë çast. Ajo i këndon gjithandej atdheut, duke qëndruar pranë vendeve e objekteve historike dhe nga trashëgimia kulturore, që të shpërfaq bindshëm atë që ka mbetur në kujtesën e popullit, qoftë si ngjarje historike, a si simbolikë e një ndodhie të veçantë që e karakterizon atë regjion. Kështu, pena e saj prek bukuritë natyrore, sa “Buzë detit në Durrës”, sa kthen vëmendjen e lexuesit te “Rrapi 400 vjeçar në Prizren”, për t’i dhënë “Ngjyrë kohe” gjithë asaj bukurie shekullore të skajeve të etnisë, për ta prekur ardhmërinë “Në ditë të re”.  Këtu do të veçoja “pikturimin poetik” të Prishtinës në disa pamje në poezitë: “Mbi qytetin akuarel”, “Qyteti im pa lumë”, “Je si një muzë e gjallë” dhe “Antikë e dëshmuar Ulpianë”, që, si duket autorja nuk mjaftohet me një përkushtim, po këtij qyteti i çaset në disa pamje, për ta sjellur sa më  original, më të  bukur dhe më joshës për lexuesin e saj.

Shpërfaqja e kujtesës në sfond

Cikli i fundit “Në shfletim kujtimesh” shquhet për realizimin e poezive, kryesisht për trajtimin e temave nga dashuria për jetën, për evokimin e kujtimeve të bukura dhe të hidhura, etj. duke shpalosur çaste të ikura mes “Valesh të dalldisura me suvalë/ madhështi rinore krejt çiltërsi/ e madhe sa bota,/ sa yjet vezullues në gjithësi/ që na kishin lakmi” (“Shfletim kujtimesh”, fq. 84). Naxhije Doçi, gjithnjë në frymën e kujtesës, shpalos kujdesshëm dhe plot emocione të kaluarën e ndryrë në shpirtin e trazuar prej poeteje, duke iu rikthyer “Logut të zgjimit”, ku shquhet për ndjeshmërinë e situatave, duke e rifreskuar kujtesën e saj:

 

                                             “Vlugut të përgjegjësisë 

                                              Me ngazëllime të pashuara dashurie

                                              Vrapoja pa rreshtur

                                              Pas imagjinatës së derdhur në tela lyre

                                              Në mposhtje fanitjesh provokuese

                                              Që m’i uzurponin lumturitë

                                              Ndezur në krah shpresash.”

 

                                                                                                              (Po aty, fq. 108)

Ky cikël poetik shquhet, veçanërisht për ndërlidhje të vazhdueshme të poezive, që mëtojnë të shkrihen në një poemë të vetme, ku dashuria ka krijuar folen në shpirtin poetik të saj, duke ecur pandalshëm “Në hapsirën e shpresave”, gjithnjë duke u ambientuar “Me ritmin e jetës”,  edhe “Kur rigon shi”, herë duke kujtuar kohën si “Nuse me vello të bardhë”, në përjetim të bukurisë së stinëve “Si perla nusërie”,  herën tjetër me “Vrull të ndezur”,  gjithnjë duke ruajtur me xhelozi “Bukurinë e brendisë”, që përfundimisht jetës i jep krah “Në dridhje zemre…”:                                             “me gufime të çmendura frymëzimi/ në thurje vargjesh për diellin/                                            rimash të derdhura”,  (fq. 112).  

Një mbyllje e tillë e librit, paralajmëron se autorja ka ende imagjinatë krijuese, fal muzës së saj provokuese për të derdhur rima e vargje në poezitë që do të pasojnë dhe, pse të dyshohet, edhe në përmbledhjet e reja, poaq frymëzuese dhe me mesazhe të kapshme për të gjitha shtresat e lexuesve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat