Dëshiroj të jam...

Kultura

Dëshiroj të jam...

Nga: Sefedin Përgjegjaj Më: 8 qershor 2018 Në ora: 16:06
Sefedin Përgjegjaj

Dëshiroj të jam si gurrë kroit që freskon

Në ditët me vapë në pikë të verës

Sikur lumi që asnjëherë s’shteron

E as nuk vërshon në fillim të pranverës.

 

Të jam si qielli me pafundësi

E në të si zogu duke kënduar

Pa e ndaluar kurrë këngën e tij

Qiellit të kaltërt duke fluturuar.

 

Të jam si ylli që vezullon

Në mes yjesh në kupën e qiellit

Për ta orjentuar udhëtarin vonë

Që nxiton drejt dritës së mëngjesit.

 

Dëshiroj të jam si ngrohtësia diellore

Që i jep gjallëri jetës mbi tokë

Për të përparuar qenia njerëzore

E të ketë sa më shumë harmoni në botë.

 

Të jam si zogu në fluturim

Si yjet që natën shndrisin

Derisa të zbardh i bukuri agim

E shqipet me hov fluturimin nisin.

 

Dëshiroj të jam si rrezja e diellit

Që depërton në çdo thellësi

Për t’i dhënë dritë tokës dhe qiellit

Të jam si kryekënga që mbjell atdhedashuri.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat