Masakra e Srebrenicës kthehet në film, kërkohet mbështetje edhe nga Serbia - Bota Sot
Masakra e Srebrenicës kthehet në film, kërkohet mbështetje edhe nga Serbia

Kultura

E shtunë, 17 nëntor 2018

Masakra e Srebrenicës kthehet në film, kërkohet mbështetje edhe nga Serbia

Më: 9 korrik 2018 Në ora: 15:54

Producentët e filmit për masakrën e Srebrenicës më 1995, që po e përgatit regjisorja nga Bosnja e Hercegovina, Jasmila Zhbaniq, do të kërkojnë mbështetje financiare edhe nga Serbia.

Ajo planifikon t’i ofrojë Serbisë të bëhet bashkëproducente e projektit, i cili merret me njërën nga temat më të dhimbshme të historisë së saj më të re, protagonist i së cilës është komandanti i luftës së Ushtrisë së Republikës Serbe, Ratko Mlladiq, i dënuar në shkallën e parë nga Tribunali i Hagës me burgim të përjetshëm, ndër të tjera, për shkak të vrasjes së tetë mijë boshnjakëve në Srebrenicë.

Jasmila Zhbaniq (44), bashkë me fituesin e Oscarit Danis Tanoviq, i prin grupit të krijuesve filmikë nga BeH të formuar dhe të bërë publik pas luftës. Për filmin “Gërbavica” më 2006 ka marrë çmimin Ariu i Artë.

Ajo ka bërë të ditur se partnere në këtë projekt e ka Xhemile Taliq Gabrijel, e cila jeton në Australi, dhe e cila ka qenë producente në filmin e saj paraprak “Për ata që nuk mund të flasin”.

Ende nuk është publikuar se kush cilin rol do ta luajë, pra as rolin e Mlladiqit.

Sulmi mbi Srebrenicën kishte filluar më 6 korrik të vitit 1995 dhe ka përfunduar pesë ditë më vonë, pas hyrjes në qytet të ushtrisë së Republika Serpska nën komandën e gjeneralit Ratko Mlladiq. Sipas aktakuzës së Tribunalit të Hagës, ushtarët nën komandën e Ratko Mlladiqit deri më 19 korrik në mënyrë të organizuar dhe sistematike vranë rreth tetë mijë meshkuj e djem boshnjakë (myslimanë). Rreth 30 mijë gra e fëmijë u deportuan brenda dy ditësh.

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë masakrën e Srebrenicës më 2007-ën e cilësoi si akt gjenocidi. Rezolutat me të cilat u vërtetua ky aktgjykim u morën në Parlamentin e vendeve të BE-së, Kanadasë, SHBA-së dhe të Australisë.

Kuvendi i Serbisë më 2010-ën miratoi Deklaratën me të cilën dënohen krimet në Srebrenicë, duke konfirmuar aktgjykimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, por në tekstin e Deklaratës nuk përmendej shprehja gjenocid.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test