Me rastin e 140 vjetorit të lindjes dhe 70 vjetorit të vdekjes - Bota Sot
Me rastin e 140 vjetorit të lindjes dhe 70 vjetorit të vdekjes

Kultura

E martë, 13 nëntor 2018

Me rastin e 140 vjetorit të lindjes dhe 70 vjetorit të vdekjes

Nga: Lush Culaj Më: 22 tetor 2018 Në ora: 11:28
Isa Boletini me bashkëpunëtorët e tij

Zef Gjidoda ishte një personalitet  me aktivitet dhe me kontribut të spikatur në dobi të çështjes kombëtare.  Aktiviteti i i tij fillon në moshën fare të re për të vazhduar për më tepër se 50 vjet me radhë me pushkë në dorë kundër pushtuesve turq, serbë e bullgar.

Familja Gjidoda e ka origjinën nga fshati Kimzë - Kodra e Spaçit e krahinës të Mirditës. Zefi u lind në fshatin Plançor të rrethit të Gjakovës më 2 maj 1878. Rrjedh prej një familje me tradita  patriotike.  Nëna e tij ishte bijë e familjes Gjergjaj nga Krusheva e Vogël e Klinës.

Për shak të ndjekjes së Zefit nga pushteti  familja Gjidoda ishte gjithëmonë në shenjë të pushtetarëve si familje kryengritëse dhe përndiqej vazhdimisht.

Përkrah Isa Boletinit

Image
Zef Gjidoda

At Engjëll Palaj gjatë veprimtarisë së tij nuk u muar thjesht vetëm me shërbime fetare. Ai e orientoi veprimtarinë e vet edhe në shërbim të interesave kombëtare. Sipas të dhënave të gazetës "Vardar" të Shkupit të datës 18 janar 1909 dhe 11 mars 1909 Patër Engjëll Palaj kishte formuar një çetë luftarake antiosmane në Budisalc të Rrafshit  të Dukagjinit dhe e kishe vënë nën komandën e Zef Gjidodës dhe Çelit të Lukës. Këtë njësi që kishte afro 400 luftarë shqiptarë të besimit katolik, Patër Engjëlli e dorëzoi në komandën supreme të Isa Boletinit. Formimi i kësaj çete antiosmane me përbërje të shqiptarëve katolik, për kohën dhe rrethanat eksistuese kishte një rëndësi të veçantë, dhe ishte përkrahje konkrete që i bëhej luftës për çlirim kombëtar. Çeta zhvilloi aktivitete luftarake në rrethin e Pejës dhe para se të sulmohej nga ushtria turke, e cila ishte duke i vënë në rreth, u tërhoqen nga Kosova dhe me Isa Boletinin në krye, shkoi në vise të Plavës.Vetë vëndosja e Isa Boletinit në ballë të njësisë shqiptare kryesisht katolike ku e kishte përkrah edhe Zef Gjidodën  ishte dëshmi para faktorit ndërkombëtar mbi qëllimet kombëtare të  lëvizjës.

Në kuvendin te Verrat e Llukës të vitit 1910 ku merrnin pjesë atdhetarë dhe kryengritës nga të gjitha viset e  Kosovës mori pjesë edhe Zef Gjidoda. Përveç dëshmitarëve që ishin njohës të mirë të veprimtarisë të Zef Gjidodës, pjesëmarrjen e tij dhe shokëve të tij me bashkëluftëtarë të Verrat e Llukës e konfirmon edhe revista "Leka"  e botuar në Shkodër me shkrim të titulluar:  "E treta mbledhje te Verrat e Llukës" ku ndër të tjera thekson ":  Parësia e Gjakovës   e Pejës dau prapë me u mledhë te Verrat e Llugës. Këtu erdh edhe Drenica dhe Rrafshi i madh i Kosovës. Edhe një herë u lidh besa, u përsritën dishirët e lirisë. Edhe fandësit e nahijës së Gjakovës, të Pejës e të Prizrenit nuk iu ndan Bajram Beg Currit. Zef Gjidoda, Pjetër Çeli e Zefi i Vogël nuk largohen kurrë. Ata janë gjithëherë të gatshëm për shkado dhe bajnë kudo trimnina të mdhaja..”

Bashkëpunëtor i Bajram Currit dhe Sadik Ramës

Bashkëpunimin dhe unitetin në mes krerëve të kryengritjes na dëshmon edhe  Ernest Koliqi në librin Kryengritja e Dedë Gjo Lulit (1911-1971) të botuar në Romë në vitin 1971 ku ndër të  tjera  në nëndarjën "Vllaznimi i elementeve" theksonte:  “Fandësit e Kosovës, nën prirjën e Zef Gji Dodës, prej Videjës qi sot a gjallë e banon në Laç të Kurbinit, të Pjetër Çelit e të Zefit të Vogël trima në za, luftuen përherë e luftojnë me partinë e Bajram Currit".  

Zef  Gjidoda kishte lidhje të ngushtë dhe të përheshme me Bajram Currin. Bazuar në gjithë aktivitetin e tij të vazhdueshëm atdhetar gjatë atyre viteve dhe raportet e tij me  të gjithë krerët e lëvizjes e në veçanti me Bajram Currin, Isa Boletinin dhe Zefin e Vogël, padyshim që edhe Zef Gjidoda ka qenë pjesëmarrës në çlirimin e Shkupit më 1912.

Pas çlirimit nga Perandoria Osmane trevat shqiptare u pushtuan menjeherë nga okupatori serbo-malazez. Përpjekjët për çlirim edhe nga ky okupator ishin të vazhdueshme.

Më 6 maj 1919 kryengritja shpërtheu në Llapushë, nën udhëheqjen e Sadik Ramës, Zef Gjidodës, Ramadan Shabanit etj. Në ballë të luftëtarëve të tij më 11 maj 1919 Sadik Rama i preu lidhjet telefonike me Mitrovicën. Forcat shoviniste serbe i ranë në gjurmë Sadik Ramës në fshatin Gjurgjevik të Vogël, ku edhe u rrethua. Pas gjashtë orësh luftimesh  Sadikut i vajtën në ndihmë shokët e tij nga Gjurgjeviku i Madh, si dhe forca të tjera kryengritëse të komanduara nga Zef Gjidoda, i cili u printe kryengritësve të Lugut të Drinit. Në kryengritje komandonte Sadik Rama e ndihmësi i tij ishte Zef Gjidoda. Posa filloi luftën Bali Fazliu ndihmohet menjëherë nga Zef Gjidoda, kryetar çete në Lugun e Drinit, e për këtë kënga popullore thotë: “Bash si llava tue shkue mas tij Lugu i Drinit treqind shpi Zef Gjidoda tu u pri”.  Në fakt kjo periudhë kohore në popull njihët më tepër si djegja e Lugut të Drinit. Pas shuarjës të kryengritjës pjesa më e madhe e banorëve të Lugut të Drinit u vëndos në rrethin e Gjakovës tek te afermit e tyre.

Bashkëpunimi i çetës të Zef Gjidodës me çeta tjera çlirimtare ishte i vazhdueshëm.  Bashkëpunim  në mes në çetës së Zef Gjidodës dhe asaj të Bajram Currit kishte edhe gjatë qëndrimit në Zonën Neutrale të Junikut në vitët 1921-1923. Sipas të dhënave të gazetës "Vreme" të Beogradit të datës 29.1.1923 Bajram Curri bënte kombinimin e veprimeve të çetave duke ua ndarë operacionet e veprimit.

Gjatë viteve 1925-1926  Zef Gjidoda do të bashkëpunonte edhe me çetën e luftëtarit të Lugut të Drinit Kolë Gojanit nga fshati Jagodë i komunës së Klinës.

Vendosja në Laç dhe rikthimi në Kosovë

Për shkak të veprimtarisë së tij atdhetare ai ishte bërë halë në sy për okupatorin serb dhe ndiqej këmba-këmbës. Me dhembje dhe mall për Kosovën kjo pjesë e familjes Gjidoda e lëshon Kosovën në vitin 1926 dhe vendosët në Zogaj të Tropojës. Zefi kishte me vete përveç bashkëshortës Zojes e lindur më 14.8.1888 edhe vajzat Marijen të lindur më 7.4.1913 dhe Janën të lindur më 25.3.1918. Në Tropojë dy vite qëndruan në kushte shumë të rënda. Pas dy vitesh me ndërmjetësimin e priftit të Laçit At Klement Mirajt vëndosën  në Laç. Lidhjet në mes Zef Gjidodës dhe At Klement Mirajt ishin të hershme. Ata i kishte lidhur lufta për çlirimin e Kosovës. Pater Klementi gjatë viteve 1910-1912 shërbeu në kishën e Zllakuqanit, pastaj në Pejë dhe Gllogjan, prej ku u transferua në Shqipëri. Për shkak të veprimtarisë së tij të “rrezikshme” për pushtetin jugosllav Patër Klementi dëbohet jashtë Jugosllavisë dhe vendoset në Shqipëri.

Zefi do të qëndrojë i vendosur në Laç deri në vitin 1941në periudhën e pushtimit fashist kur u kthye prapë në Kosovë dhe u vendos me familje në fshatin Videjë të Klinës.          

Menjëherë u vu në krah të shokëve për t’i kontribuar çështjes kombëtare. Admirohej shumë nga të gjithë shokët e idealit. Nipi i Isa Boletinit Tafili e nderonte në mënyrë të veçantë  veprimtarinë e Zefit si atdhetar të vjetër dhe një ndër drejtuesit e çetave të Kosovës në vitet ’20, që luftonin për çlirim e bashkim kombëtar. Kjo shihët edhe nga kujtimët e tij të botuara më vonë.  Në periudhën kur po shihëj që shqiptarët prapë do të mbesin nën sundimin jugosllav Zefi u vu përkrah forcave nacionaliste.

Ai e përkrahu formimin e çetës së Ukë Sadikut dhe të prof. Ymer Berishës  por ishte edhe përkrahës i denjë edhe i luftëtarëve të Drenicës nën udhëheqjen e Shaban Polluzhës. Filluar nga përvoja e gjatë luftarake, pasi që e njihte mirë strategjinë serbe dhe përpjekjet e tyre për t’i përçarë çetat shqiptare Zef Gjidoda përmes autoritetit që gëzonte te të gjithë përpiqej që t’i unifikojë veprimet e çetave kombëtare.

Në çetën e Ndue Përlleshit dhe Kuvendin e Doberdolit

Formimi i çetës së Ndue Përlleshit nga Paskalica afër Klinës, në fillim të nëntorit të vitit 1944, ishte edhe një kurajo e madhe për Zef Gjidodën. Ndue Përlleshi kishte bashkëpunim dhe respekt të veçantë  për të dhe të kaluarën e tij. Respekti ishte i ndërsjelltë e këtë e dëshmon më së miri fakti që Zef Gjidoda iu bashkua pikërisht çetës së Ndue Përlleshit. Bashkëluftëtari Zef Shllaku dëshmonte se Ndue Përlleshi konsultohej për çdo veprim me Zef Gjidodën. Ndonëse kishte mjaft luftëtarë të tjerë të rinj që mund të kujdeseshin për Zefin, Ndou në shenjë respekti dëshironte që vetë të kujdesej për të.

Për unifikimin e veprimëve çlirimtare më 24 gusht filloi tubimi i madh i ilegales, ku merrnin pjesë 19 grupe me gjithsej 158 veta. Kuvendi zgjodhi Ukë Sadikun udhëheqës të sektorit ushtarak, ndërsa profesor Ymer Berisha u caktua udhëheqës i sektorit politik. Pasi Kosova dhe Dukagjini u ndanë në 12 sektorë dhe u emëruan 12 komandantë dhe po aq komisarë politikë.

Kuvendi vëndosi që  Zef Gjidoda të jetë udhëheqës politik i rrethit të Pejës kurse Ndue Përlleshi udheheqës ushtarak. Kjo nuk ishte rastësi. Pikërisht ishte besimi në njeriun që e shkriu krejt jetën  për çlirim kombëtar.

Pranimi i detyrës nga Kuvendi i Doberdolit si udhëheqës politik për tërë rajonin e Pejës tregon për karakterin e fortë dhe vendosshmërinë e Zef Gjidodës që edhe në atë moshë të shtyrë afër 70-vjeçare ta pranojë një përgjegjësi të tillë të madhe dhe të përballet me një detyrë të vështirë të organizimit politik.

Në vazhdën e përpjekjeve për të krijuar aleatë me 22 tetor 1945 profesor Ymer Berisha i shkruante një raport gjeneralit anglez Hadsonit ku e informonte atë dhe përmes tij qeverinë angleze për situatën politike në Kosovë. Me atë rast theksohej:

 "Ushtria jonë nëpër male është gatshme për luftë. Me vete e ka me zemër e me shpirt tërë popullin. Fatkeqësisht, na mungojnë armët dhe pajisjet. Presim çdo urdhër dhe ndihmë ". Raporti që i dërgohet gjeneralit Hadson ishte shumë i gjatë. Ai përmbante më tepër se 2500 fjalë. Këtë letër e nëshkruan profesor Ymer Berisha, si kryetar i organizatës "Besa Kombëtare", ndërsa si anëtar të këshilit të organizatës nënshkruajnë veteranët e luftës. Zef Gjidoda, Mulla Ilaz Broja, Hysen Bajraktari, Ndue Përlleshi, Feriz Boja, Ndrecë Lleshi, Mehmet Aga, Sokol Dini, Shaqë Gaca, Zeqir Lutani, Bardhec Rogani dhe Jetullah Rezalla. Ishte kjo edhe një përpjekje e Zef Gjidodës me shokë që përmes ndihmës së aleatëve anglo-amerikanë të jetësohëj çlirimi kombëtar.

Shpëtimi nga general Tuk Jakova

Pas keqësimit të rethanave në nëntor 1945 Ndue Perlleshi me shokë mëndonin që Zefin ta dërgojnë në Shqipëri në mënyrë që t’i shpëtonte gjykimit në Jugosllavi, sepse ishin të vetëdijshëm që në rast të arrestimit të Zefit nga forcat jugosllave ç’farë dënimi do të merrte. Zefi u rikthye në Laç. Megjithatë i akuzuar si antikomunist vetëm disa ditë u la  i lirë. Në fakt edhe gjatë atyre ditëve ai ishte nën përcjelljen e pushtetit. Pritej vetëm rasti për ta arrestuar.  Kjo ndodhi më 1. 12. 1945.

Zefin e  mbajtën në hetuesi në burgun e Durrësit sepse Laçi ishte pjesë e rrethit të Krujës kurse Kruja ishte nën prefekturën e Durrësit. U burgosën edhe pjesëtar të tjerë të familjës Gjidoda në Laç. Burgosjët u pritën me indinjatë të madhe nga banorët e Laçit.      I liruan për një periudhë të shkurtër kurse pas disa ditësh partizanët shqiptarë në bashkëpunim me jugosllavët e arrestojnë për të dytën herë Zef Gjidodën. Tani kishin ardhur oficerë nga sigurimi shtetëror jugosllav për ta rikthyer dhe për ta dënuar në Jugosllavi. Situata tani ishte edhe më kritike. Gjithsesi duhej të ndërmerrej diçka. Për arrestimin e Zefit u informua  gjenerali Tuk Jakova,  mbeshtetur në një lidhje familjare që kishin. Emisarët jugosllav iu drejtuan Tukut:  Shoku Tuk kemi ardh ta marrim këtë kriminel dhe ta dërgojmë në Kosovë për të dhënë llogari për krimet e tij.  Kur paska bërë krim u përgjegj Tuku. Ai gjatë luftës ka qenë këtu në Shqipëri.  E çfarë llogari kërkoni nga ai? Atë e dijnë ata që na dërguan këtu. Ne u bindëmi urdhërave të eprorëve tonë. Por edhe ne u bindëmi urdhërave dhe ligjeve tona ua ktheu Tuku. Kur paska dalë kjo modë e re të dënohen shqiptarët e Kosovës që mbronin tokën dhe trojet e tyre në kohën e krajlit. Pastaj, Zef Gjidoda nuk ishte nënshtetas jugosllav. Ai ka nënshtetësi shqiptare. Këmbëngulja gjenerali Tuk Jakova që kishte edhe pozitën e zëvëndëskryeministrit e shpëtoi Zef Gjidodën pa e kthyer në Jugosllavi që të gjykohëj.

Vuajtjët e mëdha gjysmëshekullore të luftërave e benë të vetën. Përkundër përkujdesjës të madhe nga familja Gjidopda në Laç  ai vdiq më  20 tetor 1948. U vorros në Laç.

Sikur shumë njerëz meritor që nuk u vlerësuan për veprimtarinë e tyre atdhetare, një fat të tillë e pati edhe Zef Gjidoda. Ai nuk e pati vlerësimin e duhur as në Shqipëri e as në Kosovë. Vepra e tij do të jetësohet vetëm me ngadhënjimin e demokracisë.

Presidenti i Republikës së Shqipërisë,  Z. Sali Berisha, me 23 janar 1993 do ta dekorojë Zef Gjidodën me urdhër për veprimtari patriotike të klasit të parë (I) si: "Udhëheqës, prapagandues e luftëtar për mbrojtjën e trojeve nga pushtuesi dhe ripushtuesi, duke qenë shembull për pasuesit në luftën për pavarësi e çlirim”.                           

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test