Forcat e Armatosura të Maqedonisë të interesuara për Qendrën e Trajnimit të FSK-së

Lajme

Forcat e Armatosura të Maqedonisë të interesuara për Qendrën e Trajnimit të FSK-së

Më: 14 dhjetor 2016 Në ora: 15:03
Drejtori i Drejtorisë për Operacione në Forcën e Sigurisë së Kosovës Zymer Halimi

Drejtori i Drejtorisë për Operacione në Forcën e Sigurisë së Kosovës Zymer Halimi, ka pritur sot në takim, në mjediset e Ministrisë, një delegacion nga Forcat e Armatosura të Republikës së Maqedonisë në krye me Azim Nuredini, shef i Shtabit të Komandës së Bashkuar të Operacioneve.

Halimi foli për marrëdhëniet dypalëshe mjaft të frytshme në mes të Ministrisë për Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe Ministrisë së Mbrojtjes të Republikës së Maqedonisë, e në veçanti  në mes dy Forcave të dy shteteve si dhe për nevojën e vazhdimit të këtij bashkëpunimi edhe në të ardhmen.

Halimi tha se, fushat e bashkëpunimit ndërmjet FSK-së dhe FARM-së kanë qenë të gjera dhe konkrete, si dhe shprehu kënaqësinë që të njëjtat, me angazhimin e të dyja palëve, të begatohen dhe të konkretizohen edhe më tutje.

Me këtë rast, drejtori i Drejtorisë për Operacione, gjeneral Halimi,  u shpreh i kënaqur me interesimin e Ushtrisë së Maqedonisë për të vizituar FSK-në, përkatësisht Qendrën e Trajnimit për Kërkim Shpëtim të inauguruar këtë vit, e cila siç tha ai,  mëton të jetë jo vetëm qendër trajnuese për FSK-në dhe agjencitë tjera civile të emergjencave në Kosovë, por synon  të hap dyert edhe për pjesëtarë të Forcave të Armatosura të shteteve të rajonit dhe për agjencitë  civile  për t’u trajnuar dhe stërvitur në lëmin e kërkim-shpëtimit urban, në ujëra dhe në male.

Nga ana e tij, oficeri i lartë maqedonas, gjeneral brigade Azim Nuredini tha se, qëllimi i vizitës së tyre në MFSK, FSK dhe Regjimentin e Mbrojtjes Civile(RMC) është hulumtimi dhe koordinimi i mundësive që kapacitetet e FSK-së, të investuara në Qendrën Trajnuese të Kërkim Shpëtimit, të mund të ofrohen për shërbime trajnimi dhe stërvitjeje edhe për pjesëtarët e Forcave të Armatosura të Republikës së Maqedonisë  në të ardhmen.

Gjeneral Nuredini e përgëzoi gjeneralin Halimi për themelimin dhe funksionalizimin e Qendrës së Trajnimit për Kërkim -Shpëtim për nevoja të FSK-së fillimisht, e  pastaj edhe për ofrimin e mundësive për trajnim të ushtrive të vendeve të rajonit.

Më tej, delegacioni i Forcave të Armatosura të Maqedonisë vazhdoi vizitën në Regjimentin e Mbrojtjes Civile të FSK-së dhe në Qendrën e Trajnimit për Kërkim Shpëtim, për të parë nga afër kapacitetet trajnuese dhe stërvitore të kësaj qendre.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat