Në Kosovë Lindore viti i ri shkollor, me shumë probleme!

Lajme

Në Kosovë Lindore viti i ri shkollor, me shumë probleme!

Nga: Sevdail Hyseni Më: 4 shtator 2017 Në ora: 08:05
Kosovë Lindore

Java e parë e shtatorit, në Luginë të Preshevës, është e mbushur me shumë veprimtari në fushën e arsimit, njërës nga sferat më të ndjeshme të shoqërisë sonë.

Autoritetet institucionale dhe ato nga jeta e shoqërisë civile, në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, kanë ngre shqetësimin se viti i ri shkollor 2017/2018, përveç mungesës së teksteve shkollore e shpalljes tepricë teknologjike të kuadrit arsimor, ai, po përballet edhe me një fenomen tjetër, të zvogëlimit të numrit të nxënësve nëpër shkollat shqipe.

Në bazë të një informate, që vjen nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Zhvillimit  të Teknologjisë, të Republikës së Serbisë, bëhet e ditur se në listat e tepricës teknologjike nëpër shkollat fillore dhe të mesme, duke përfshirë edhe komunat: Bujanoc dhe Preshevë, gjenden 447 punëtorë arsimorë, të cilët  për shkak të zvogëlimit të numrit të nxënësve, do të ngelin pa punë.

Teprica teknologjike

Fenomeni i zvogëlimit të numri të nxënësve dhe paraqitjes së tepricës teknologjike, ka prekur pothuajse të gjitha shkollat shqipe, në mesin e të cilave veçohen shkollat e mesme: “Skënderbeu” dhe ajo teknike në Preshevë, pastaj Gjimnazi “Sezai Surroi” në Bujanoc, duke përfshirë edhe shkollat e tjera fillore në këto komuna si: “Selami Hallaçi”, “Dituria”, “9 Maji”, “Abdulla Krashnica”, “Zenel Hajdini”, “Muharrem Kadriu”, “Naim Frashri”, “Migjeni” etj.

Zvogëlimi i numrit të nxënësve, mësimdhënësve dhe paraleleve me mësim në gjuhën shqipe, në Luginë të Preshevës, vjen si rrjedhojë shpërnguljes në heshtje të shqiptarëve për në shtetet perëndim, për shkak varfërisë ekstreme dhe diskriminimit sistematik nga Beogradi.

Këtë dukuri shqetësuese, të ikjes së shqiptarëve nga Lugina, e ka vërejtur, më në fund edhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, i cili, madje edhe publikisht e tha se “duhet ndërmarrë masa për zbutjen e varfërisë në këto komuna, duke krijuar vende të reja të punës për rininë. Por, pavarësisht deklaratave të kreut të shtetit serb, gjendja në Luginë të Preshevës, vazhdon të jetë problematike edhe atë,  në të gjitha sferat e veprimtarisë njerëzore.

Mungesa e librave

Kryetari i Trupit Koordinues për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, Zoran Stankoviq, është shprehur preras se “Këtë vit, fatkeqësisht, nuk do të kemi rritje të librave shkollorë në gjuhën shqipe, pavarësisht se janë arritur marrëveshje mes kryeministrit të Shqipërisë dhe Serbisë”. Më tej, ai, ka konstatuar se “deri në vitin 2015, janë siguruar 86 tekste në gjuhën shqipe, 79 për shkollimin fillorë, tre libra parashkollorë dhe katër tekste për gjuhë dhe letërsi në shkollat e mesme”.

Ndërkaq, kryetari i Grupit Punues, në kuadër të Këshillit Kombëtar Shqiptar për Luginën e Preshevës, Zejni Fejzullahu, i cili njëherit është edhe drejtor i Shkollës së Mesme “Sezai Surroi”, në Bujanoc, ka paraqitur problematikën e mungesës së teksteve mësimore, si një pengesë serioze në funksionimin normal të procesit mësimor. Sipas tij, për shkollën e mesme janë siguruar vetëm 4 libra, nga viti i parë deri në të katërtin, ndërsa nevojiten afro 300 libra tjerë, në gjuhën amtare për nxënësit shqiptarë.

Neglizhenca

Në këtë vijë, qëndron edhe vlerësimi i përfaqësuesit të aktivit të drejtorëve të shkollave në Komunën e Preshevës, Gafurr Hyseni, i cili gjatë një emisioni në RTV “Aldi”, theksoi se për këtë çështje po veprohet pa strategji nga politika ditore lokale e cila ka përballë një politikën diskriminuese të Serbisë ndaj popullit shqiptarë në këtë rajon. Në një aspekt, ai, nuk ka lënë pa kritikuar edhe veprimet politike të Prishtinës dhe Tiranës, për neglizhencë ndaj problemit të librave shqip, në shkollat e Luginës së Preshevës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat