Ngërçi për emrin e ri të Maqedonisë, raund i ri bisedimesh Athinë-Shkup në Nju Jork

Maqedonia

Ngërçi për emrin e ri të Maqedonisë, raund i ri bisedimesh Athinë-Shkup në Nju Jork

Më: 10 janar 2018 Në ora: 18:19
Foto ilustrim

Raundi i ri i bisedimeve për zgjidhjen e çështjes së emrit pritet të mbahet më 17 janar në Nju-Jork, konfirmoi Ministria maqedonase e Punëve të Jashtme.

Qeveria maqedonase theksoi se shpresonte për një propozim specifik nga OKB-ja, më 19 janar, për një zgjidhje të mosmarrëveshjes mes Athinës dhe Shkupit për emrin e ardhshëm të Maqedonisë, për të cilin dy kryeqytetet kanë nisur kërkimet.

Është parashikuar që ndërmjetësuesi i OKB-së, Methju Nimic të takohet me negociuesit nga Maqedonia dhe nga Greqia, respektivisht Vasko Naumovski dhe Adamantios Vasilaqis.

Ky afat u vendos nga zëvendëskryeministri maqedonas i ngarkuar me Çështjet Evropiane, Bujar Osmani në përfundim të takimeve në Athinë me kreun e diplomacisë greke, Nikos Kotzias.

“Ne shpresojmë se do të ketë një propozim specifik nga ana e Methju Nimic, ndërmjetësuesit të OKB-së për këtë çështje, gjatë takimit të ardhshëm të parashikuar në Nju Jork me negociatorët grekë dhe maqedonas”, theksoi Osmani një konferencë shtypi.

Raundi i fundit i bisedimeve për emrin, pas bllokimit trevjeçar, u mbajt në Bruksel më 11 dhe 12 dhjetor.

Ndërmjetësuesi i OKB-së për këtë çështje, Nimic do të zhvillojë takime çdo muaj me negociuesit, me qëllim që të gjendet zgjidhje.

Raundi i ri i bisedimeve vjen në periudhë të aktiviteteve të intensifikuara dhe optimizmit në Shkup, Athinë, Bruksel dhe Uashington, për mbylljen përfundimtare të çështjes për emrin që zgjat prej dy dekadash.

Kryeministrat e Maqedonisë dhe të Greqisë, Zoran Zaev dhe Aleksis Cipras, në ditët e kaluara deklaruan se ekzistojnë mundësi që të gjendet zgjidhje për kontestin në gjysmën e parë të vitit 2018.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat