Avokatët shqiptarë ankohen për diskriminim nga Oda e Avokatëve të Maqedonisë

Maqedonia

Avokatët shqiptarë ankohen për diskriminim nga Oda e Avokatëve të Maqedonisë

Më: 13 maj 2018 Në ora: 16:56
Oda e Avokatëve të Maqedonisë

Avokatët shqiptarë ndjehen të diskriminuar nga Oda e Avokatëve të Maqedonisë. Në konferencë për media, disa nga avokatët thanë se diskriminimi etnik në Odën e Avokatëve është tepër i madh, por se edhe kuvendi i mbajtur është organizuar me shumë padrejtësi. Sipas avokatit Naser Raufi, prej 272 delegatëve të pranishëm në Kuvend, janë zgjedhur vetëm shtatë shqiptarë, edhe pse, siç nënvizoi, numri i avokatëve shqiptarë në vend sillet prej 15 deri në 20 për qind, njofton Shenja.

Avokati Raufi tha se nga qytetet më të mëdha shqiptare nuk ka asnjë përfaqësues shqiptar të zgjedhur.

Qëndrimet e avokatit Naser Raufi i mbështetën edhe avokatët, Agron Halimi dhe Asmir Alispahiq. Avokati Halimi madje tha se edhe pse paguan anëtarësi, ai nuk është informuar aspak për mbajtjen e Kuvendit. Ai tha se puna e Odës së Avokatëve është jotransparente dhe se duhet të gjendet mënyrë për inkuadrimin e shqiptarëve në këtë institucion të pavarur të avokatëve.

Ndërsa, avokati Asmir Alispahiq, nënvizon se si pjesëmarrës në Kuvendin e 73-të, ka vërejtur shumë lëshime në mënyrën e numërimit të votave dhe propozimeve për zgjedhje të anëtarëve të Bordit Drejtues. Alispahiq nënvizon se duhet të vendoset votim por edhe numërim elektronik gjatë zgjedhjes së kryetarit dhe organeve drejtuese të Odës së Avokatëve.

Avokatët Naser Raufi, Agron Halimi dhe Asmir Alispahiq thanë se qëndrimet e tyre të cilat i shprehën sot, janë qëndrime edhe të më shumë kolegëve që janë në qytete tjera në Maqedoni dhe që u përkasin etniteteve të ndryshme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat