Tarifa e akcizës së naftës, VMRO-DPMNE kërkon çmimin e vjetër

Maqedonia

Tarifa e akcizës së naftës, VMRO-DPMNE kërkon çmimin e vjetër

Më: 18 maj 2018 Në ora: 18:36

VMRO-DPMNE propozon ndryshime në Ligjin për akciza, gjegjësisht kërkon që të kthehet tarifa e vjetër e akcizës së naftës.Nga opozita kërkojnë që akciza e naftës të ulet nga 15.121 denarë në 12.121 denarë për litër, për tre denarë kërkojnë që të ulet edhe çmimi i akcizës së naftës, e cila shfrytëzohet për ngrohje. Edhe pse qeveria tentoi që rritjen e akcizës ta justifikojë me mbrojtje të ambientit jetësor, sipas opozitës, rritja e çmimit të akcizës ndikoi negativisht në buxhetin familjar të qytetarëve, kurse ndotja e ajrit vazhdon të jetë alarmante. 

 “Me rritjen e akcizës u rritën edhe çmimet e derivateve për 30%, ndërsa me këtë u shtuan shpenzimet e qytetarëve. Vetë rritja e akcizës kishte ndikim në rritjen e shërbimeve tjera të transportit, të cilat ndikojnë drejtpërdrejt te qytetarët. Jo vetëm qytetarëve, akciza do t’u kushtojë edhe transportuesit dhe afaristëve dhe do të ndikojë në të gjitha segmenten e jetesës në Maqedoni”,- deklaroi deputeti i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Micevski. Por, ky propozim është i papranueshëm për qeverinë. 
 
Zëvendësministrja e financave, Shirete Elezi, theksoi se ulja e çmimit të akcizës së naftës do të ndikojë në të hyrat e buxhetit si dhe do të shkaktojë rritje të ndotjes së ajrit. Ndërsa rritja e çmimit të derivateve të naftës, për Elezin, është si shkak i zhvillimeve në bursat botërore dhe nuk ka lidhje me rritje të akcizës së naftës. 
 
“Duhet të kihet parasysh se rritja e akcizës për 3 denarë paraqet rreth 6% nga çmimi i naftës, që është shumë më e ulët se sa shuma që thoni ju. Në rritjen e përgjithshme të çmimit të naftës, ndikim më të madh kanë zhvillimet aktuale në bursat botërore, siç është çmimi i naftës, i cili po lëviz në një linjë të lartë dhe pavarësisht nga kjo, inflacioni në RM mbetet i ulët dhe stabil, i cili në nivel vjetor dhe në tre muajt e vitit 2018 është 1.5%”,- tha zëvendësministrja e financave, Shirete Elezi.
 
Pas deklarimit të Ministrisë së Financave lidhur me këtë propozim, VMRO-DPMNE akuzoi qeverinë se nuk di të menaxhojë me të hyrat e buxhetit dhe po zbraz xhepin e qytetarëve. Qeveria i rikujtoi opozitës se në kohën kur ata ishin në pushtet, vendi ka hyrë në borxhe të mëdha vetëm për të mbushur nevojat buxhetore.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat