Teatri Shqiptar i Shkupit, me shfaqjen “Gratë” është fituesi absolut i edicionit të 17-të të festivalit “Teatri Shqiptar në Maqedoni”, që tradicionalisht mbahet në Dibër.
Kjo shfaqje me të cilën mbrëmë u mbyll sipari i festivalit, ka marrë pesë çmimet kryesore.
Ajo u shpall si shfaqja më e mirë, Qëndrim Rijani fitoi çmimin e regjisorit më të mirë, ndërsa çmimin “Aktorja më e mirë në rolin kryesor” e mori Vjollca Bekteshi Hamiti, kurse çmimi “Aktorja më e mirë në rol joprotagonist” iu dha aktores Teuta Ajdini-Jegeni.
Në shtatë ditët e kaluara të festivalit, para publikut të Dibrës u paraqitën teatro nga Tetova, Presheva, Gjirokastra, Gjilani dhe Shkupi.
Dibranët kishin mundësinë që në ditën e parë të festivalit, jashtë konkurrimit, ta ndjekin dramën koreografike “Nuni” në ekzekutimin e Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve “Shota” nga Prishtina”.
Shfaqja i është kushtuar heroit kombëtar Gjergj Kastriot Skenderbeut ndërsa është përgatitur me rastin e 550-vjetorit të vdekjes së tij, që shënohet sivjet.
Ky manifestim edhe sivjet financiarisht është mbështetur nga Ministria e Kulturës së Maqedonisë, me 600 mijë denarë, si dhe nga sponsor të tjerë. Për herë të parë festivali sivjet nuk u mbështet nga pushteti lokal.