“Ideja fatale për shkëmbimin e territoreve”

Politika

“Ideja fatale për shkëmbimin e territoreve”

Nga: A.M. Më: 29 dhjetor 2021 Në ora: 22:25
Ilustrim

Para disa viteve, ishte shfaqur tema për shkëmbimin e territoreve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Por, ata të cilët e dhanë këtë ide më vonë, u penduan duke e mohuar këtë ide.

Për të lobuar për këtë çështje ishte kontraktuar edhe një kompani franceze në vlerë 180 mijë euro.

Profesori Milazim Maraj, në një prononcim për “Bota sot”, ka rrëfyer se si ishte situata në atë kohë pas vendimit të  GJND-së .

“Në prag të vendimit të GJND-së  për ligjësinë e pavarësisë së Kosovës, u hap një temë sa interesante, aq edhe rrëqethëse: tema e bisedimeve të reja me Serbinë. Për këto bisedime, fillimisht u thanë  se do të jenë “teknike”. Për to, u deklaruan edhe nivelet më të larta shtetërore të Kosovës. Siç janë shprehur ata, “ i pranojnë vetëm për çështje teknike”. Është thënë, po ashtu, se nuk do të pranohen çfarëdo bisedimesh, por do të bisedohet vetëm për çështjet që duhen të rregullohen në mes të fqinjëve.  Niveli i bisedimeve do të jetë në mes dy shteteve të barabarta dhe se në çfarëdo varianti tjetër, nuk do të ketë biseda. Në të gjitha këto deklarata, vërehej   një drojë për bisedimet  për çështje të statusit të vendit. (Ndoshta druheshin lexuesit patriotë, luftëtarët, familjet e dëshmorëve, invalidët e luftës, familjarët e të zhdukurve etj. Thënë më shkurt,  ata që lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, e kanë paguar shtrenjtë)”, ka shpjeguar ai.

Me tej, ai ka përmendur edhe propozim për shkëmbimin e territoreve.  

“E keqja, thotë populli, nuk del rrenë. Jo zyrtarisht doli një propozim serb për këmbim të territoreve. Pra, për t’i këmbyer tri komuna të Mitrovicës me tri komuna të Luginës së Preshevës. Hajde, “marifet”, hajde!!! T’i  këmbejmë tokat tona për tokat  tona!!! Pse thotë kështu Serbia, nuk është për t’u çuditur, sepse kësaj i thonë: “kapu për pronë që nuk ka qenë  jotja kurrë, se edhe nëse nuk fiton, nuk ke çka humb”.  Por kur këtë fjalë e thotë ndonjë analist politik, publicist e madje edhe ndonjë akademik shqiptar- është për të  ardhur keq! Tokat shqiptare janë copëtuar  në etapa të ndryshme të  historisë, në rrethana të pafavorshme për shqiptarët,  pa pasur mundësi këta  që ta pengojnë një gjë të tillë. Por kurrë shqiptarët nuk e kanë  miratuar ndonjëherë këtë copëtim. Madje, në ato kohë, ishin të pashkolluar, por nuk e morën mallkimin historisë mbi vete  dhe as nuk e pranuan humbjen.  Ata e lanë të hapur çështjen tonë, të pazgjidhur, që të zgjidhet kur të  vijë dita.  Kështu si të pashkolluar që  ishin, dhe me mundësitë që i kishin, na i treguan kufijtë tanë. Na udhëzuan dhe na e lanë amanet që të shkollohemi e të punojmë e të luftojmë, për t’i çliruar trojet tona. Dhe ashtu të lira t’ua trashëgojmë pasardhësve tonë”, ka thënë profesori.

Më tej, Maraj ka parashtruar disa pyetje lidhur me çështjen e shkëmbimet të territoreve.

“Tash, si duket, doli në skenë një barojë e keqe, si ide: ideja e këmbimit të territoreve!!! Kjo nuk do të ishte shumë fatale sikur të bisedohej për demarkacionin, diku përtej të Nishit. Por të bisedohet për rrethin e Mitrovicës, është shumë fatale dhe katastrofave për Kosovën dhe rajonin. Në këtë situatë, shtrohen shumë pyetje. Si dhe kur u mboll kjo farë e rrezikshme për Kosovën?! Apo ka qenë këtu e strukur si një virus që pret kushtet  e volitshme për të dalë në sipërfaqe?! A ka lidhje kjo rrymë me djegien e flamujve të Dardanisë, para disa vjetësh?! A është  qëndrim  politik i ndonjërës  prej partive tona, ose qëndrim i ndonjë kryetari të ndonjë partie?! Dhe, nëse është, a ka të bëjë gjë  filozofia politike e ndonjë partie  me filozofinë politike të Dr. Ibrahim Rugovës?!  (Dr. Rugova  Kosovën e quante “Pjesë e Dardanisë antike”).  A janë edhe tri komunat e Mitrovicës pjesë e  Dardanisë Antike? A është kjo besnikëria ndaj filozofisë politike të presidentit Rugova, apo identiteti i ri politik?! Ideja për të dhënë nga troje tona, për trojet tona, është legjitimim i copëtimit të tokave tona dhe aprovim i ish- kolonizimit të Kosovës”, ka deklaruar ai për “Bota sot”.

Gjithashtu, Maraj ka përmendur edhe luftën e bërë ndaj serbe, duke thënë se kjo luftë nuk është bërë për shkëmbimin e territoreve.

“Lufta në Kosovë dhe në Luginën e Preshevës nuk u bë për të ndërruar  troje, por për t’i çliruar ato. Në qoftë se tash ne nuk po kemi mundësi t’i çlirojmë, nuk do të thotë se kemi të drejtë ta nënshkruajmë kapitullimin, sepse për këtë  vinë gjeneratat  e reja dhe e vazhdojnë aty ku kemi mbetur ne, sikur që vazhduam ne aty ku kanë mbetur  prindërit tanë.  Kjo nuk do të thotë që  domosdo duhet luftë e armatosur.  Gjermania u bashkua pa luftë, e Greqia do të i shet ishujt. Ka sa të duash shembuj në botë, që tregojnë se po ndodhin korrigjimet e gabimeve historike, pa luftë e pa dhunë”, ka thënë ai.

Po ashtu, ai ka përmendur edhe projektin e presidenti historik të Kosovës, Ibrahim Rugovës, ku ka cekur se ai ishte Dardania antike.

“Atyre që pretendojnë se nga afër e kanë njohur presidentin historik, Dr. Ibrahim Rugovën,  madje se këta i paskan dhënë atij edhe shumë ide(!), ua sjellim ndërmend,  se projekti i tij ka qenë dhe ka mbetur Dardania antike.  Këtë nuk e kanë  kuptuar  mirë rrahagjoksit se qenkan ata që “aspiratat e Rugovës,  i bëjnë realitet” etj., etj edhe atyre që therrë në sy e patën jo vetëm sa ishte gjallë dhe aktiv por edhe sot.  Ndoshta e kanë kuptuar, por nuk e pranojnë,  ose iu duket i parealizueshëm, i gjatë e i lodhshëm, deri në padurim, sikur dikur që dukeshin të  parealizueshme ndërhyrja e SHBA-ve, e NATO-s, pavarësia e Kosove, autostrada tradicionale Prizren-Lezhë, Durrës, pranimi i Kosovës së pavarur nga fqinjët etj”, ka thënë ai.

Profesori Maraj ka thënë se politika e Dr. Rugovës duhet të jetë  bazë themeltare për politikën tonë kombëtare.

“Projektet kombëtare, që bëjnë korrigjimin e gabimeve, që në dëmin tonë janë vendosur gjatë historisë, realizohen me  politikën e Dr. Rugovës. Me përcaktim të çartë kombëtar, me qëndrim të  palëkundur, me durim dhe punë të pandërprerë e të palodhshme dhe me thurjen e interesit tonë kombëtar në interesat evropiane e amerikane, në atë mënyrë që çdo projekt amerikan dhe evropian, të jetë  në favorin tonë. Pra, politika e Dr. Rugovës duhet të jetë bazë themeltare për politikën tonë kombëtare.  Akademia e  Arteve dhe Shkencave e  Kosovës, si dhe  ajo e Shqipërisë, duhet të hartojnë projektet afatgjata  kombëtare mbi bazën e kësaj politike, për të siguruar të ardhme të sigurt kombëtare dhe paqe në ”këtë pjesë të Evropës dhe botës “,  siç  thoshte vetë Dr. Rugova”, ka deklaruar Maraj për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat