“Gaboi”/ Dorëheqja e Mehmetit – juristët kanë disa fjalë për ish-drejtorin e Policisë!

Politika

“Gaboi”/ Dorëheqja e Mehmetit – juristët kanë disa fjalë për ish-drejtorin e Policisë!

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 31 gusht 2022 Në ora: 20:20
Samidin Mehmeti

Ka dy ditë që vëmendjen e opinonit publik ka marr ngjarja e rëndë që ndodhi në kryeqytetin e Prishtinës.

Bëhet fjalë për përdhunimin tsë mitures, 11 vjeçare nga 5 burra, për 7 orë të tëra.

Denoncimi për këtë dhunim e ka bërë vet viktima me të ëmën, ku të arrestuar janë 5 burrat.

E të gjendur në këtë situatë, gjatë ditës së djeshme Drejtori i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti ka ofruar dorëheqjen e tij.

Këtë e ka konfirmuar Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla.

“Gjatë ditës kam pranuar kërkesën për dorëheqje nga z. Samedin Mehmeti drejtor i Policisë së Kosovës”, ka thënë Sveçla gjatë ditës së djeshme.

Sipas këtij të fundit, dorëheqja e Mehmetit, erdhi për arsye personale dhe ndërgjegje profesionale, pas rastit të fundit të dhunimit të 11-vjeçares në Prishtinë, para tri ditësh.

“Tashmë kryeministri Kurti ka liruar nga detyra z. Mehmeti dhe ka caktuar si ushtrues detyre të drejtorit të përgjithshëm z. Fehmi Hoti, zëvendësdrejtor i Policisë së Kosovës”, thuhet tutje në njoftimin e Sveçlës.

Mirëpo a ishte e duhura dorëheqja në këtë situatë?

A do të ishte më e duhur përveshja në punë për zbardhjen e rastit sesa “dorëzimi”?

Juristët për “Bota sot”, u shprehen se nuk ishte momenti që të dorëhiqej z.Mehmeti, por të zbardhej rastin.

Kelmendi: Dhunimi i 11 vjeçares është dështim i tërë shoqërisë në Kosovë

Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur juristi Muhamet Kelmendi.

Image
Muhamet Kelmendi

Ai u shpreh se dhunimi i të miturës është dështim i gjithë shoqërisë dhe se dorëheqja e drejtorit të policisë nuk e përmirëson gjendjen.

Sipas tij kjo dorëheqje tregon që kemi shumë çalime në polici.

“Çështja e mbrojtjes së të miturve, fëmijëve, si dhe të gjinisë femërore, në shoqërinë e Kosovës nuk është në nivel të duhur të mbrojtjes. Rasti që ndodhi me të miturën 11 vjeçe, duke e dhunuar, është shumë i rëndë dhe tregon se në Kosovë nuk kemi mbrojtje dhe edukim adekuat të masave. Dorëheqja e Drejtorit të Policisë nuk e përmirëson gjendjen. Megjithatë, ajo dorëheqje tregon se kjo shtresë shoqërore është në gjendje të rëndë dhe se vet në polici ka çalime në këtë fushë. Mbrojtja e fëmijëve dhe të grave nuk është detyrë vetëm e policisë. Ajo është detyrë e të gjitha mekanizmave të shtetit. Nga ministritë, deputetet, komunat, policia, shkollat, gjykatat, prokuroritë institucionet edukuese e riedukuese e kanë obligim”, u shpreh ai.

Kelmendi më tej, thotë që shumë pak bëhet për rastet e dhunimeve pasi në shumicën e kohës lihen anash.

Mjafton një dështim në një hallkë dhe ndodhin rastet makabre të dhunimit edhe të të miturës 11 vjeçare. Kryesisht bëhet shumë pak punë sqaruese me masat dhe me kategoritë e ndryshme të shoqërisë. Shumë herë lihen anash dhe nuk kanë mbrojtje adekuate në shkollë, në rrugë, në qendrat sportive dhe të rinisë. Ka raste kur ka prova dhe nuk vepron drejtësia ndaj elementëve të rrezikshëm. Ata lihen të lirë. Prokuroria nuk i ndjek dhe gjykatat nuk i dënojnë. Nuk dënohen ose nuk vihen nën përkujdesje të veçantë shoqërore. Natyrisht se përgjegjës është edhe familja”, thotë juristi.

Ndër të tjera, ai shton që ky rast i rëndë e ngarkon edhe qeverinë.

“Është gjë normale se ky rast i rëndë e ngarkon edhe qeverinë. Shumë digastere të qeverisë kanë dështuar. Ka dështuar policia, gjykatat, organet sociale dhe të edukimit, shkollat, familja dhe mbarë mekanizmat e shtetit. Është koha të shqyrtohen këto çështje dhe të merren masa adekuate”, përmbylli Kelmendi për “Bota sot”.

Burjani: Krimi nuk luftohet me dorëheqje

Ndërsa juristi tjetër, Blerim Burjani, në një bashkëbisedim me “Bota sot”, thotë që dorëheqja e Mehmetit është akt moral, mirëpo që nuk ka qenë koha të dorëhiqet por të punohet.

Image
Blerim Burjani

“Dorëheqja është akt tjetër i rëndësisë së vecantë , por këtu nuk kemi të bëjmë me një dorëheqje të kësaj natyre. Organet rendit përballë krimit mund të dështojnë por jo edhe të dorëhiqen tërë kohën, pra duhet punuar në drejtim të parandalimit”, tha ai.

Burjani thekson që krimi nuk luftohet me dorëheqje.

“Një fakt juridik thotë qartë se krimi është gjithmonë një hapë para drejtësisë, pra duhet të punojnë pa ndal organet e rendit, pra gjithmonë të punojnë në këtë drejtim, krimi nuk luftohet me dorëheqje . Në botë dhe gjithkund ka përplot raste vetëm në raste ekstreme ndodhë dorëheqje, akti i dorëheqjes është akt moral, por jo zgjidhje”, shpjegon juristi.

Në fund, ai thotë që ky akt i shëmtuar duhet të zbardhet dhe të dënohet nga policia.

“Akti dhunues që ka ndodhë është akt i shëmtuar i personave që kanë kryer krimin e rëndë, rasti duhet të zbardhet plotësisht dhe profesionalisht nga policia”, përfundoi Burjani për “Bota sot”.

Kujtojmë se të mërkurën, Ali Gashi ka dhënë dorëheqje nga pozita e Drejtorit të Drejtoratit për Trajtimin e të Burgosurve dhe të Miturve.

Dorëheqjen e tij, Gashit e ka arsyetuar me rastin të rëndë që ndodhi në Prishtinë, ku një 11-vjeçare dyshohet se është dhunuar nga pesë persona.

“Pas rastit të dhunimit të 11-vjeçares, si akt moral jep dorëheqje Drejtori i Drejtoratit për Trajtimin e të Burgosurve dhe të Miturve, Ali Gashi”, thuhet në njoftimin për media të Shërbimit Korrektues të Kosovës.

Tutje, thuhet se dorëheqja ka ardhur si akt moral i Gashit, pasi që njëri nga të dyshuarit për dhunim ka qenë në mbajtje të dënimit në institucione korrektuese për disa vepra penale.

“Dorëheqja është miratuar nga Shërbimi Korrektues i Kosovës”, thuhet në njoftim.

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat