Ndikimi rus “trazon” Ballkanin, Parlamenti Evropian ngre shqetësimin/ Ekspertët alarmojnë për situatën

Politika

Ndikimi rus “trazon” Ballkanin, Parlamenti Evropian ngre shqetësimin/ Ekspertët alarmojnë për situatën

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 29 prill 2023 Në ora: 08:13
Presidenti rus, Vladimir Putin dhe presidenti serb, Aleksander Vuciq

Parlamenti Evropian, në një raport kushtuar ndërhyrjes së huaj në Evropë dhe në Ballkanin Perëndimor, e ka dënuar mundësinë që Serbia i ka dhënë kanalit rus, Russia Today, për të përhapur fushatën e saj në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Ky kanal shtetëror i Rusisë është nën sanksionet e Bashkimit Evropian (BE) për shkak se akuzohet se shërben për përhapjen e propagandës së Rusisë, ndërsa në Serbi ka hapur një zyrë dhe një kanal në gjuhën serbe.

Rusia, sipas këtij raporti, përdor ndikimin e saj në Serbi duke tentuar që të destabilizojë vendet fqinje, për shembull:

“Në Bosnje e Hercegovinë përmes Republika Sërspkas; në Mal të Zi përmes ndjenjave pro-serbe si dhe Kishës ortodokse serbe; në Kosovë duke përdorur mospajtimet ekzistuese në veri”.

Islami: Ja pse nuk ka mundësi të rrezikohet vetëm Kosova e të mos rrezikohen vendet tjera

Duke folur rreth rrezikut të ndikimit rus në Kosovë, profesori i shkencave të sigurisë, Avni Islami, thotë se Rusia jo vetëm në Kosovë, po në tërë Ballkanin Perëndimor dëshiron ta ngrit nivelin e saj.

“Jo vetëm tash në këtë kohë, por që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, aleati tradicional dhe i besueshëm i Rusisë është Serbia. Rusia jo vetëm në Kosovë, por është e interesuar që në Ballkanin Perëndimor ta ngrit nivelin e asaj që të ndikojë në aspektin politik, të inteligjencës dhe në aspektet tjera ekonomike, ta shtrijë ndikimin e vet në mënyrë që përmes Ballkanit Perëndimor që duket si një hallkë më e dobët në Bashkimin Evropian ta shtrijë aktivitetin e vet edhe më tutje”, shprehet Islami.

Qëllimi i Rusisë, sipas Islamit, është të dobësohet jo vetëm Ballkani Perëndimor, por edhe Evropa.

Por, sipas Islamit, Rusisë i ka ikur mundësia që të ndikojë në stabilitetin e Kosovës.

“Qëllimi i Rusisë është që të dobësohet jo vetëm Ballkani Perëndimor, por edhe Evropa, tashmë me luftën që është duke u zhvilluar në Ukrainë, Serbisë dhe Rusisë i konvenon një vatër e re e krizës që bota demokratike të shpërqendrohet nga Ukraina dhe ta lë paksa anash atje në mënyrë që të fitojë terren Rusia. Duke pasur parasysh që në vendin tonë, në Kosovë janë të vendosura forcat e KFOR-it dhe EULEX-i, pra në një mënyrë në Kosovë është i instaluar sistemi evropian, duke pasur parasysh që kemi Boonsteel-in amerikan, nuk ka mundësi të rrezikohet vetëm Kosova e të mos rrezikohen vendet tjera. Duke e pasur parasysh që institucionet e Kosovës kanë një bashkëpunim të shkëlqyeshëm me bashkësinë ndërkombëtare, me vendet demokratike, pavarësisht insistimeve që bën Rusia përmes Serbisë që të ndikojë në stabilitetin e Kosovës, unë mendoj dhe besoj se ajo mundësi i ka ikur kaherë Rusisë, për shkak se Kosova është e rrethuar me aleatët e Aleancës Verio- atlantike, kështu që unë nuk shoh rrezik permanent për shtrirjen e ndikimit rus përmes Serbisë në Kosovë”, shprehet Islami.

Image
Avni Islami

Ashtu siç e ka vlerësuar edhe Islami në prononcim, se Rusia e përdor Serbinë për ta shtrirë ndikimin, edhe në raportin e Parlamentit Evropian thuhet se qëndrimet pro-ruse përhapen në rajon përmes mediave serbe dhe hungareze. Sa i përket Serbisë shprehet shqetësim sidomos për faktin se “Serbia është vendi më i përshtatshëm për ndikimin e huaj në Ballkanin Perëndimor, posaçërisht nga Rusia dhe Kina”.

Në të njëjtën kohë theksohet edhe fakti se Serbia vazhdon të mos i mbështesë sanksionet e Bashkimit Evropian ndaj Rusisë.

Në këtë pikë edhe në raportin e Parlamentit Evropian për Serbinë shprehet keqardhje për mospërshtatjen e Beogradit zyrtar me këto sanksione. Në mënyrë të veçantë përmendet hapja e kanalit Russia Today në Beograd.

“Me këtë i mundësohet këtij aktori qëllimkeq që të përhapë dezinformata në tërë rajonin e Ballkanit”, thuhet në raport dhe kërkohet nga autoritetet në Serbi që të ndërpresin emetimin e këtij kanali, si dhe të shërbimit Sputnik.

Bytyçi: Serbia ka krijuar një varësi të frikshme ndaj Rusisë

Ndërsa, profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Enver Bytyçi, thotë se komisioni, Parlamenti Evropian, lidershipi, pra Këshilli i Ministrave dhe Këshilli Evropian nuk janë shqetësuar kaq shumë për bashkëpunimin serbo- rus në të gjitha fushat.

Sipas tij, ky bashkëpunim është thelluar vazhdimisht, aq sa Serbia ka varësi ndaj Rusisë.

“Shpesh herë thuhet me besim se “Koha është ajo që e nxjerr në shesh të vërtetën”! Edhe të vërtetën e vonuar. Sepse kjo që po ndodh sot në raportet e Serbisë me Rusinë ka ndodhur historikisht, si dhe gjatë gjithë periudhës që kur me Serbinë janë hapur negociatat për pranimin e saj në Bashkimin Europian. Prej 11 vitesh Serbia zhvillon bisedime me Brukselin për kapitujt e shumtë të plotësimit të kritereve të pranimit në BE. Gjatë gjithë kësaj kohe Beogradi dhe më së shumti presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiç, kanë thelluar të gjitha lidhjet e mundshme me Rusinë e Vladimir Putin. Gjatë kësaj periudhe presidenti dhe qeveria serbe më shumë kanë shkuar në drejtim të Moskës sesa në drejtim të Brukselit. Megjithatë Komisioni, Parlamenti Evropian, lidershipi, pra Këshilli i Ministrave dhe Këshilli Evropian nuk janë shqetësuar kaq shumë për bashkëpunimin serbo-rus në të gjitha fushat. Ky bashkëpunim është thelluar vazhdimisht në planin strategjik e gjeopolitik, në rrafshin ushtarak e të shërbimit sekret, në fushën e armatimit dhe të furnizimit me gaz e karburante etj. Aq sa Serbia ka krijuar një varësi të frikshme ndaj Rusisë”, thotë Bytyçi.

Image
Enver Bytyçi

Sipas tij, në raport Parlamenti Evropian vetëm ka pohuar atë që po ndodh gjatë gjithë historisë në marrëdhëniet midis Serbisë e Rusisë.

“Politika serbe gjatë gjithë kohës së zhvillimit të bisedimeve për pranim në BE ka zbatuar pikë për pikë kërkesat dhe interesat politike të Rusisë në Ballkan. Parlamenti Evropian thjesht ka pohuar ditën e djeshme atë që po ndodh gjatë gjithë historisë në marrëdhëniet midis Serbisë e Rusisë. Ka ndodhur kjo edhe gjatë këtyre viteve të presidentit Vuçiç. Madje Vuçiç ka forcuar retoriken nacionaliste te Serbisë së Madhe e të botës serbe në shkallën e retorikës kur ai ishte ministër i Milosheviçit. Dhe evropianët bënin sehir. Tani kanë nisur të reagojnë. Është vërtet një akt pozitiv në shërbim të paqes, stabilitetit dhe sigurisë në rajonin tonë. Duhej një sulm ushtarak i Kremlinit kundër Ukrainës që qendrat evropiane të zgjohen dhe të vendosin pikat të destruktiviteti i Serbisë në Ballkan, në funksion të politikave destruktive të Moskës. Përsëri mendoj se është kjo është një e mirë e shtuar”, deklaron profesori.

Bytyçi: Kjo është rruga e vetme e realizimit të një Ballkani në paqe, siguri e stabilitet

Sipas tij, BE ka filluar të ndryshojë ndaj Serbisë dhe kjo shihet nga përkrahja në zgjedhjet e 23 prillit në katër komuna në veri të Kosovës.

“Raporti i Parlamentit Evropian ve në shënjestër Beogradin në këtë aspekt. Për mrekulli! Në fakt kjo sjellje e BE-së ndaj Serbisë ka nisur të ndryshojë me përkrahjen që iu dha zgjedhjeve të 23 prillit në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës, pavarësisht bojkotit të Listës Srpska. Në këtë rast bashkësia perëndimore dëshmoi se i përmbahet parimeve të mbrojtjes së sovranitetit kombëtar e shtetëror të Republikës së Kosovës. Mbrojtja e sovranitetit, integritetit territorial dhe ruajtja e kufijve aktualë të paprekshëm është rruga e vetme e realizimit të një Ballkani në paqe, siguri e stabilitet. Ndërkaq, qendrat e mëdha të BE-së më në fund kanë kuptuar se përpjekjet e Serbisë për ndryshim kufijsh me Kosovën dhe Bosnjë-Hercegovinën çojnë në konflikt të pashmangshëm të armatosur. Kjo është arsyeja kryesore pse Parlamenti Europian po i tërheq vëmendjen Beogradit dhe me siguri që rrugëtimin e saj drejt BE-së do ta kushtëzojë me sjelljen e saj korrekte ndaj fqinjëve të saj. Ndërkaq ka dhe arsye të tjera. Kryesore është fakti që në Serbi janë gjithsej 27 qendra ruse të shërbimit ushtarak dhe shërbimit sekret të Rusisë. Në Nish është epiqendra e logjistikës ushtarake e kundër-zbuluese e vendosur dhe financuar nga Kremlini. Por jo vetëm kaq. Shumica e medieve serbe i thurin lavde agresionit të Rusisë në Ukrainë dhe lartësojnë emrin dhe figurën e presidentit Vladimir Putin, pavarësisht se është akuzuar për krime lufte nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës”, thekson Bytyçi.

Edhe pse vonë, por sipas Bytyçit, BE po kupton se në Beograd ka një partner dredharak, të pa besë dhe të lidhur ngushtë, madje të marrë peng nga Moska dhe Kremlini.

“Të gjitha këto që ndodhin kanë autorë, kanë përgjegjës. Nëse e vëmë re raportin kritik të Parlamentit Evropian, aty tërhiqet vëmendja për emërimin e Aleksandër Vulin në krye të shërbimit sekret të Serbisë. Kritika është serioze, sepse aty thuhet se Vulin është njeriu më i afërt në Serbi me autoritetet ruse të shërbimit diplomatik, ushtarak e sekret. Mjafton ky lloj konkretizimi i kritikës së Parlamentit Evropian për të kuptuar se konflikti Serbi BE është shumë i thellë dhe nuk lidhet thjesht me disa vendime politike, të cilat Beogradi nuk i merr kundër Serbisë. Kur organi më i lartë legjislativ i Bashkimit Evropian hyn në hollësi të tilla deri te emri i shërbimit sekret të një vendi, në rastin konkret të Serbisë, imagjino sa të thella janë problemet e lidhjeve Serbi, Rusi. Duket qartë se presidenti Aleksandër Vuçiç vazhdon lojën e mashtrimit ndaj Perëndimit. Ndonëse vonë, BE po kupton se në Beograd ka një partner dredharak, të pa besë dhe të lidhur ngushtë e madje të marrë peng nga Moska dhe Kremlimi”, përfundon Bytyçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat