“Nga sot e tutje nuk jemi myslimanë”/ Lëvizja që “trazoi ujërat” në Kosovë - nismëtarët tregojnë qëllimin, flasin edhe përfaqësuesit e BIK-ut   

Politika

“Nga sot e tutje nuk jemi myslimanë”/ Lëvizja që “trazoi ujërat” në Kosovë - nismëtarët tregojnë qëllimin, flasin edhe përfaqësuesit e BIK-ut   

Mimozë Lakna Rogova  Nga Mimozë Lakna Rogova  Më 25 tetor 2023 Në ora: 18:00
Foto nga tubimi në Deçan

Nën moton atdhetare, përkatësisht vargjet e shkrimtarit Pashko Vasa: “Mos shikoni kisha e xhamia se feja e shqiptarit është shqiptaria”, të shtunën e javës së kaluar në qytetin e Deçanit u formua “Lëvizja për braktisjen vullnetare të fesë islame”.  

Në tubimin e së shtunës morën pjesë bashkëmendimtarë nga trevat dhe qytetet e Kosovës, të cilët u deklaruan mbi ekstremizmin dhe dëmin që shkaktojnë segmente të ndryshme të fesë islame dhe ortodoksizmi serb.  

“Deklarimi unanim ishte se nga sot e tutje nuk jemi myslimanë. Këto prononcime ishin njëzëri nga ky grup rreth 70 vetë dhe fillimisht ishte deklarim me emra personal.  Kishte ide se feja e shqiptarit është shqiptaria, se jemi ilirë etj. Pati mesazhe përkrahëse nga diaspora dhe vullnet për ta përkrahur nismën për të kaluar në katolicizëm, në rrënjët e tyre të hershme respektivisht në  identitetin dhe kulturën Evropiane. U bë apel që orientimet të jenë personale, të ketë vetëiniciativë demokratike dhe të ruhet me mençuri nisma”, thuhet në njoftimin e këshillit organizativ. 

Kjo nismë ngjalli reagime të shumta tek përfaqësuesit e Bashkësisë Islame në Kosovë.

Madje, mbështetësit e “Lëvizjes për braktisjen e fesë islame”, u përballen edhe me kërcënime të rënda deri në ato me vdekje për këtë organizim.  

Tahiraj: U larguam nga Islami politik që fyen vlerat kombëtare 

Image
Saim Tahiraj

Saim Tahiraj, pjesëtarë i “Lëvizjes për braktisjen e fesë islame” në një prononcim për gazetën “Bota sot” ka dhënë detaje për mënyrën se si u organizua tubimi. 

Ai ka treguar se fillimisht tubimi ishte planifikuar të mbahej në një lokal, por që më pas kjo gjë kishte ndryshuar për shkak të refuzimit të pronarëve.  

“Tubimi që u mbajt në Isniq me 20.10.2023, ishte ftuar të mbahet në restorantin "ILIRIA" në Deçan, por për shkaqe që vetëm ata i dinë e refuzuan të mbahet dy orë apo diçka më shumë, para se të fillonte tubimi”, ka theksuar Tahiraj. 

Sipas tij, ky tubim ishte një nismë qytetare që publikisht të largohen nga Myslimanizmi për shumë arsye, mbi të gjitha për shkak të ndikimit që e ka feja në zbehjen e vlerave kombëtare.  

“Fyerja e figurave tona kombëtar që nga Skënderbeu dhe të tjerët, fyerja e flamurit tonë kombëtar, gjuhës Shqipe, veshjeve tona kombëtare dhe zëvendësim me ato arabe, e çiftelisë instrumenti ynë tradicional etj. Propaganda për martesa me të afërm, si fëmijët e axhallarëve dhe të tjerëve, që është në kundërshtim të ashpër me kulturën dhe traditën tonë të lashtë. Në traditën tonë të lashtë nuk kemi pasur martesa brenda të njëjtit fisi. Paraqitja e Perandorisë Osmane si mbrojtëse e identitetit Shqiptarë e që Historia flet krejtësisht ndryshe, e paraqet si pushtuese gjakatare dhe shkatërruese e çdo gjëje që ishte Shqiptare. Paraqitja e Sulltan Muratit si çlirimtarë e në fakt ishte sulltani më kriminelë që shqiptarë i masakroi në format më barbare. Të gjitha këto fakte dhe shumë të tjera të cilat na kanë kontaminuar mbarë hapësirën shqiptare tani e mbi njëzet vite, janë faktorët kryesorë që më 20.10.2023 morëm një vendim publik, që të largohem nga ky Islam Politik”, shprehet Tahiraj. 

Ai thotë se “islami politik” nuk ka të bëjë fare me fenë Myslimane, thjeshtë është një ideologji politike e maskuar me petkun e Islamit.  

“Financohet dhe mbështetet nga çarqe anti Shqiptare që për qëllim ka shkatërrimin e kulturë, gjuhës dhe traditës sonë kombëtare. Duke parë këtë invazion anti kombëtar nuk na ka mbetur asnjë alternativë tjetër përpos kësaj që morëm në tubimin e datës së 20.10.2023, të largohemi përfundimisht nga ky Islam Politik shkatërrimtar i gjithçkaje që është shqiptare. Nuk jemi kundër asnjë feje normal që vepron brenda kornizave të saj pa prekur identitetin tonë kombëtar, andaj askush nuk guxon të na trajtoj si një lëvizje anti islamike apo anti ndonjë feje tjetër”, potencon ai. 

Tahiraj thekson se largimi i tyre nga “Islami Politik” është vendim personal, e drejtë demokratike dhe se zgjedhja e secilit kah do të orientohen, është zgjedhje personale e individit.  

“Ky veprim i yni nuk është kundër askujt dhe nuk duhet të merret si nxitje te urrejtjes ndër fetare. Ky veprim i yni ka mbështetje goxha të madhe dhe shtrihet në shumë regjione të Kosovë. Duhet të punohet në rrumbullakësimin e një platforme dhe konsolidimin e organizimi”, nënvizon ai. 

Rama: Tendencat janë që të jetë një lëvizje përçarëse 

Image
Enis Rama

Nga ana tjetër, në lidhje me këtë temë në një intervistë për gazetën “Bota sot” ka folur imami nga Mitrovica, Enis Rama. Ai ka thënë se kjo lëvizje ka tendencë të jetë përçarëse. 

“Sa i përket kësaj lëvizjeje, nuk dua të hyjë në paragjykime, të flasë çfarë prapavije ka, çfarë motivi ka, kush i ka shtyrë, kush i ka nxitur, nuk dua të flasë për këtë, kjo për shkak se për këtë duhet më tepër argumente dhe fakte, por, sa i përket rrjedhave të kësaj lëvizje, tendencat janë që të jetë një lëvizje përçarëse dhe me formacione që ajo ka nuk besoj që mund të ngrihet në nivel të destabilizimit, por në qoftë se nuk trajtohet me seriozitet dhe nëse nuk e trajtojmë të gjithë ne si qytetarë të këtyre trojeve me një lloj maturimi dhe urtësi mund të ketë përmasa të destabilizimit, Zoti na ruajte”, ka thënë Rama për gazetën “Bota sot”. 

Madje, ai nuk beson se “lëvizja për braktisjen vullnetare të fesë islame” mund të gjejë përkrahje në Kosovë.   

“Nuk besoj që si lëvizje mund të gjejnë përkrahje të madhe në vendin tonë, ngase kultura jonë, tradita jonë shumë shekullore refuzon lëvizje të tilla. Mund të ketë individ që të ketë frustrim ndaj fesë, mund të ketë një qasje të caktuar karshi fesë dhe mund t’i bashkëngjiten kushtimisht në fillim. Mirëpo, nuk besoj që me një përkatësi të sinqertë, apo me ndonjë qasje afatgjate mund të jenë pjesë e kësaj lëvizje. Kjo është e destinuar për t’u shuar, është destinuar për të përfunduar si shumë lëvizje tjera në histori që kanë pasur tendenca jo të mira dhe të rrezikshme për kombin tonë. Tash kur përfundon dhe si përfundon nuk e di, por dua të them që nuk do të ketë jetë të gjatë që të ketë kohë të mjaftueshme për të krijuar një bazament të gjerë të ndjekësve”, ka theksuar mes tjerash ai. 

Haziri: Të respektohet laiciteti i Republikës 

Image
Nexhat Haziri

Ndërkaq, Nexhat Haziri, njohës i rrethanave politike e shoqërore në Kosovë, ka thënë se besimi fetar është diçka krejt personale. 

Ai ka rikujtuar se Kosova shumë shpejt pritet ta ketë ligjin që rregullon statusin e bashkësive fetare, brenda të cilit duhet të sillen të gjithë dhe të respektohet laiciteti i Republikës.  

“E kam thënë edhe në një medium tjetër se në shoqëritë e emancipuara kulturalisht, besimi fetar është diçka krejt personale. Kujtoj se shoqëria jonë është duke u ballafaquar me shumë probleme duke filluar nga ato politike, socio-ekonomike dhe në sfera të tjera që e karakterizojnë jetën e qytetarit tonë, se sa problemi se kush dhe cfarë besimi fetar e ka apo e praktikon. Kjo e fundit është rregulluar edhe me Kushtetutën e republikës tonë dhe po ashtu pritet që shumë shpjet ta kemi një ligj që rregullon statusin e bashkësive fetare në vend. Dhe brenda kësaj kushtetute dhe ligjeve të tjera mbi lirinë e praktikimit të  besimit fetar në Kosovë duhet të sillen të gjithë dhe po ashtu duhet të respektohet lajiciteti i Republikës tonë. Çdo tendencë për imponim,  dominim, politizim, nuk i kontribuon harmonisë ndër fetare në Kosovë”, ka nënvizuar Haziri. 

Kelmendi: "Mos shikoni kisha dhe xhamia, se feja e shqiptarit është shqiptaria" është me vend 

Image
Muhamet Kelmendi

Edhe sipas profesorit dhe juristit Muhamet Kelmendi, besimi fetar është çështje individuale dhe parimisht produkt i njeriut.  

“Në një kohë të caktuar, kur njeriu nuk dinte te shpjegonte fenomenet ne natyre, lindi një fuqi e pakapshme mbi natyrore, si krijues i fenomeneve, përkatësisht si fuqi nga vinin fenomenet në natyrë. Me këtë shpjegoheshin ato dukuri. Gradualisht u kalua nga besimi në shumë zotena te besimi në një fuqi mbi natyrore, në një zot.. Me këtë u krijuan edhe besimet fetare. Si e tillë është besimi fetar çështje individuale dhe vullnetare. Këtej, nuk kam koment për largimet e bëra nga feja në takimin e mbajtur në Deçan. Duhet shikuar se nga ka rrjedhur kjo iniciative. Është e shqiptarëve apo e ndokujt tjetër për të futur përçarje në kombin tonë. E thëna e shprehur në takim: "Mos shikoni kisha dhe xhamia, se feja e shqiptarit është shqiptaria" është me vend Këtu nuk ka paqartësi. Nuk kam të dhëna të tjera”, ka thënë ai.  

Kelmendi ka potencuar se nëse pretendohet që të bëhet një lufte kundër fesë myslimane në llogari të asaj katolike apo anasjelltas, atëherë duhet kundërshtuar.  

“Çdo herë ka raste ku ka pakënaqësi. Por, ato nuk duhet të futin në dualizem dhe në konflikte kombin apo fetë në mes veti. Shqiptarët e kanë një të kaluar tolerante midis besimeve fetare. Këtë tolerance duhet përshëndetur dhe përkrahur. Mirëpo, kjo nuk do të thotë se nuk duhet te luftohen idetë rakcionare dhe fanatike të çdo besimi. Në këtë vijë po. Në të kundërtën, besimi është vullnetar dhe çdo kush ka të drejt të merre këtë a atë besim. Feja është e lirë. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat