“Rezistenca e Kurtit ua dha mësimin e duhur tandemit Grennell-Hashim”/ Dekorata e Vuçiqit, dëshmi se Kosova rrezikohej seriozisht nga ndarja

Politika

“Rezistenca e Kurtit ua dha mësimin e duhur tandemit Grennell-Hashim”/ Dekorata e Vuçiqit, dëshmi se Kosova rrezikohej seriozisht nga ndarja

Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 29 tetor 2023 Në ora: 17:59
Aleksandër Vuçiç, Riçard Grennell dhe Hashim Thaçi

Pak ditë më parë Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ia ka dorëzuar ish-emisarit të SHBA-së për dialogun Kosovë – Serbi, Richard Grenell, “Urdhrin e flamurit serb”, për “shërbime të dalluara në zhvillimin dhe forcimin e bashkëpunimit paqësor dhe të marrëdhënieve mes Serbisë dhe SHBA-së”.   Ai tha se e do “Serbinë, popullin e Serbisë, Kosovën e popullin e Kosovës dhe se dëshiron që Serbia ta ketë një partner si Hashim Thaçi”.      

Një veprim të tillë të presidentit serb e kanë komentuar njohësit e çështjeve politike. 

Ata kanë folur rreth asaj se a është kjo një dëshmi që Kosova me Grenellin si ndërmjetësues dhe Thaçin president ka qenë më të vërtetë në rrezik ndarjeje? 

Mehmeti: Grenelli me Thaҫin dhe Vuҫiqin ishin projektuesit e ndarjes së Kosovës, ëndëren e tyre e prishën ata që e kundërshtuan me Gjermaninë dhe faktorin e brendshëm në Kosovë 

Këtë çështje e ka komentuar analisti Faton Mehmeti.  

Image
Faton Mehmeti

Ai thotë se, nuk ka asnjë dyshim se Grenelli është njeri i paguar nga lobi serb për interesat e tyre. 

“Jo kot Vuҫiqi i ndahu dekoratë, sepse ka mbrojtur dhe mbron me zell përpjekjet e Serbisë për ndarje të Kosovës, qoftë në mënyrën e vjetër klasike apo me Asociacion. Grenelli me Thaçin dhe Vuҫiqin ishin projektuesit e ndarjes së Kosovës, ëndrrën e tyre e prishën ata që e kundërshtuan me Gjermaninë dhe faktorin e brendshëm në Kosovë. Grenelli ditë e natë e mallkon Albinin që nuk u bë pjesë e ndarjes së Kosovës, me çka edhe dështoi plani i tij. Natyrisht se Grenellit i mungon Thaçi, shpejt do i mungojë edhe Vuçiqi, akoma edhe më shpejt do mbetët kujtim i keq për Kosovën. Kosova ishte në rrezik, fatmirësisht shpëtoi, Grenelli le të vajtojë se ajo kohë më nuk kthehet, as Thaçi jo”, vlerëson Mehmeti.  

Kurse, publicisti dhe analisti Idriz Zeqiraj thotë se dekorimi i ish-emisarit amerikan, për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grennell, me "Urdhrin e Flamurit serb", me motivacionin domethënës, për "Shërbime të dalluara në zhvillimin dhe forcimin e bashkëpunimin paqësor dhe të marrëdhënieve në mes të të Serbisë dhe SHBA-së", flet shumë se sa larg kishte shkuar intrigimet ndaj Kosovës.  

“Planin zhvillimor ekonomik, i shpalosur nga Grennell, për Kosovën dhe Serbinë, ishte shumë ambicioz: Ndërtimi i Autostradës Prizren-Nish; i Hekurudhës Nish-Durrës; shfrytëzimi i përbashkët i Liqenit të Ujmanit, ku edhe fillonte hilja e madhe, si dhe të tjera vepra, gjithnjë në funksion të përfitimit ekonomik reciprok dhe të krijimit të marrëdhënieve të mira, në mes të dy shteteve fqinjë. Por, nën çadrën e ekonomisë fshihej konspiracioni politik, i prirë nga ish-emisari Grennell, presidenti serb Aleksander Vuçiq, ish-presidenti Hashim Thaçi, me komandantët partiakë, të koalicionuar në PAN-in kriminal. Në fjalën falënderuese, me rastin e dhënies të dekoratës së lartë, të akorduar nga Serbia dhe të dorëzuar nga presidenti Vuçiq, ish-emisari Grennell, i njohur edhe si ambasador, pranoi miqësinë dhe dashurinë për Serbinë dhe popullin e saj. Madje i qau hallin Vuçiqit pse tani nuk ka një "partner si Hashim Thaçin", thotë Zeqiraj. 

Zeqiraj: Ka dosje me dëshmi të bollshme, të hartuara nga ndërkombëtarët dhe Serbia 

Ai pyet se çfarë e favorizoi emisarin Richard Grennell, për të arritur ke dekorata e Serbisë?  

Image
Idriz Zeqiraj

“Bërja e Gjykatës Speciale e Kosovës, me seli në Hagë, ishte reale, e drejtë, sepse ploja e krimeve serike, nga disa komandantë kriminelë, me vendimin e SHTAB-it të Përgjithshëm të UÇK-së, (të LPK-së), gjatë dhe pas luftës në Kosovë, është faktike. Dhe, për këtë ka dosje me dëshmi të bollshme, të hartuara nga ndërkombëtarët dhe Serbia. Krimet janë të dukshme, numerike, të përzgjedhura dhe të listuara për atentatime, ekzekutime, që nga politikanët e lartë të LDK-së, ushtarakët luftë-bërës të, FARK-ut e deri ke ushtarët dhe aktivistët, të konsideruar si kundërshtarë politikë, me qëllim të marrjes të pushtetit me dhunë, krejt njësoj siç veproi filoslavi Enver Hoxha, me komunistët e tij kriminelë, të instruktuar nga emisarët jugosllavë, Mugosha-Popoviq, për ardhjen në pushtet, me dhunë dhe terror, 8 (tetë) dekada më parë. Dosjet e parathonë shantazhimin. Kështu ndodhi edhe me Hashim Thaçin dhe komandantët e tij, pa ushtarë, por me banda të bollshme! Pierre Seramy, shef i Sigurimit Shtetëror francez, Dokumentar special ke TV "Canal +", tashmë i pensionuar, deklaron: "Hashim Thaçi është agjent i ynë, agjent i Francës. Atë e rekrutori agjenti i DGSE (sigurimi ushtarak), Arnaud Danjean, dhënderr i Serbisë, në Zyrich dhe Gjenevë, në vitin 1997-98". Para Seramy-së, këtë fakt e ka përshpëritë miku i Hashimit, Bardhyl Mahmuti, i ngarkuar me punë të Jashtme të LPK-së”, vlerëson Zeqiraj.  

Ndërkaq, ai thotë më tutje se edhe Presidenti Ibrahim Rugova kishte informacionin e saktë, për rekrutimin e Thaçit në agjenturë dhe parashikoi negativitetin e tij. Ai dha porosinë që "Hashimi të mos lejohet të ngritet në pozitë, sepse është i rrezikshëm për Kosovën". Një profeci, absolutisht e saktë". 

“Instruktimin politik enverist-stalinist, të disa "komandantëve" të Kosovës e bëri SHISH-i i Shqipërisë, duke themeluar edhe organizatën ilegale kriminale -SHIK-, të cilën, në pamundësi për ta hetuar drejtësia korruptive në Kosovë, vazhdojnë të hetohen dhe gjykohen nga juristët ndërkombëtarë, në Hagë. Rrjedhojat e komandantëve të shantazhuar, kanë qenë dhe mbetën fatale për Kosovën dhe shqiptarët e kudondodhur, sepse kanë zhvatur dhe përgjakur Kosovën, duke ia shtuar jetimët Kosovës, duke i veshur në zinë e përjetshme mijëra familje shqiptare. Komandantët e LPK-së, Tirana zyrtare social-komuniste, Sigurimi francez, në koordinim me Serbinë, ndikuan edhe te UNMIK-u, për t`i heshtur krimet faktike e numerike, edhe pse shumë mijëra policë dhe ushtarakë paguheshin, për lirinë dhe sigurinë e qytetarëve të Kosovës! Policia e UNMIK-ut, i zbulonte, i arrestonte, i hetonte dhe pas pak muajve, i lironte "për mungesë provash", kriminelët faktik në Kosovë, përfshi edhe organizatorët e protestave vandaliste, të përgjakshme të mars-prillit 2004, të cilat, realisht, ishin projekt i Serbisë që sollën decentralizimin e komunave, krijimin e fshat e komunë serbe, deri ke kërkesa për "Zajednicën" kanceroze të Kosovës”, thotë tutje ai. 

Zeqiraj tutje potencon se në këto rrethana, ‘në skenë doli edhe emisari i dialogut Kosovë-Serbi, Richard Grennell, i gatshëm për ta anashkaluar kryeministrin Kurti, madje ultimatuar edhe lidershipin klanor të LDK, të kryesuar nga Isa Mustafa, bisht e patericë të PDK-së, që brenda javës ta prishin koalicionin me LVV. Dhe, ashtu u bë. Ishte një goditje e rëndë për LDK-në dhe Kosovën’. 

 "Nëse Amerika e çliroi Kosovën, nuk është hiç e ndershme dhe as e drejtë, që tani të fillojë copëtimin e saj!"  

Zeqiraj thotë se miqtë e vjetër të Presidentit Rugova, gazetarë, profesorë, akademikë, kongresmenë, senatorë, disa syresh lobues për Trumpin president, në mes tyre edhe shqiptarë të zëshëm, i reaguan ashpër, me qortim e lutje - njëherësh, me një letër të gjatë dhe fort të argumentuar: "Nëse Amerika e çliroi Kosovën, nuk është hiç e ndershme dhe as e drejtë, që tani të fillojë copëtimin e saj!"  

“Fatmirësisht, presidenti Trump, reagoi shpejt dhe pozitivisht, duke e shkarkuar Bolton-in, me akuzën  e rëndë se "punonte fshehurazi, për ndarjen e Kosovës!" Por, e la në detyrë dhe të pacënuar emisarin e tij Grennell, i cili mori bekimin e komandantëve të shantazhuar Kosovës, për të vazhduar "avazin" e ndarjes, qoftë edhe me lobim të paguar. Hashimi në ethe, vazhdonte ecejakët në Amerikë, rrinte me ditë e javë, aktivizoi ambasadën tonë atje, përmes Ramës, edhe atë shqiptare. Edhe lobuesit shqiptarë, dikur të zëshëm në SHBA, për lirinë e Kosovës, tani, harruan Kosovën dhe lobonin për shpëtimin e Hashimit. Konkretisht, duke shfrytëzuar njohjet e hershme, me personalitetet amerikane, përfshi edhe presidentin shumë të dashur dhe të respektuar për shqiptarët e përbotshëm, Billd Clinton, kërkonin, me ngulm, zhbërjen e Gjykatës Speciale të Kosovës, me seli në Hagë. Vërtet, paradoks i skajshëm”, thekson Zeqiraj. 

Ai thotë se edhe diplomatja boshnjake, e zuri ambasadore n e Kosovës, Vlora Çitaku, duke lobuar, për ndarjen e Kosovës dhe i reagoi ashpër, duke e denoncuar publikisht atë. Ministrja për Integrime, Dhurata Hoxha, pagoi mijëra euro një agjenci lobuese në Paris, për lobim të ndarjes së Kosovës! 

“SHBA, Gjermania, Anglia kishin përcjellë lëvizjet gjithë ankth të presidentit Hashim Thaçi, për ndarjen e përshpejtuar të Kosovës. Por, shtetet e cituara nuk e donin një kufi me Serbinë, respektivisht, edhe me Rusinë, në mes të qytetit të Mitrovicës, në vend që të mbetet kufiri shtetëror i Kosovës atje ku është tani, prapa kodrave, maleve. Megjithatë, Grennell nuk dorëzohej lehtë. Por, rezistenca e Albin Kurtit, në cilësinë e kryeministrit, refuzimi për të shkuar në takim në Shtëpinë e Bardhë, arsyetimi i mençur të këtij refuzimi, ua dha mësimin e duhur tandemit Grennell-Hashim”, vlerësoi publicist Zeqiraj për ‘Bota sot’. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat