Asociacioni “temë e nxehtë”, nga Belgjika i vjen mbështetja e madhe Kurtit – parashikohet “dobësimi” i Vuçiqit!

Politika

Asociacioni “temë e nxehtë”, nga Belgjika i vjen mbështetja e madhe Kurtit – parashikohet “dobësimi” i Vuçiqit!

Nga: A.Morina Më: 2 janar 2024 Në ora: 16:01
Albin Kurti dhe Aleksandar Vuçiq

Së fundi, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, foli rreth një çështje të ndjeshme dhe të shumë komentuar siç është draft statuti i Asociacionit, ku me këtë rast erdhi me një propozim në lidhje me këtë gjë.

Presidentja tha se mënyra më e mirë sipas saj ka qenë që Kosova të ulet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe ta bëjë draftin si Republikë e Kosovës.

“Këtë gjë e kam thënë shumë para se ta them publikisht në çdo që e kemi pasur me institucionet e tjera sepse një iniciativë e tillë është dashur të vijë nga ata që e udhëheqin dialogun mirëpo pikërisht duke nuhatur që mund të na vijë një i cili jo domosdoshmërish na pëlqen në tërësi nga ana e BE-së, kam insistuar 2363 ulemi ne ta bëjë një draft tonin në tërësi në përputhje me Kushtetutën, sepse nuk i takon presidentes ta bëjë një draft”, tha Osmani.

E për këtë temë, në një prononcim për “Bota sot” foli juristi nga Belgjika, Skënder Musliu.

Fillimisht, ai u rikthye në kohë dhe ia rikujoti opozitës që ish-liderët e tyre, Thaçi e Mustafa e nënshkruan Asociacionin, për të cilin tani po e kritikojnë dhe akuzojnë Kurtin.

Image
Skender Musliu

Krahas kësaj, ai tha se Kosova nuk do duhej të lëshohej në këto ‘aventura politike’, pasi ia mundësuan Serbisë, që nga statusi i agresorit, të kaloj në atë të viktimës.

“Që nga ardhja në pushtet të Qeverisë Kurti, opozita në vazhdimësi, pa argumente dhe në mënyrë të vrazhdët e ka kritikuar kryeministrin Kurti për keqmenaxhim të dialogut dhe Asociacionit, edhe pse, kjo opozitë kur ishte në pushtet, fatkeqësisht e instaloi dialogun, kurse Thaçi dhe Isa Mustafa në mënyrë tinëzare dhe të paskrupullt, nënshkruan Asociacionin në 2013 dhe 2015, që tani me këmbëngulësi po e kërkon Vuçiqi.

Pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, pas përfundimit të pavarësisë së mbikqyrur trevjeçare, e sidomos pas Vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë se shpallja e pavarsisë së Kosovës ishte konform të Drejtës Ndërkombëtare, Kosova nuk është dashur të lëshohet në aventura hazardeske dhe t’a rrezikojë shtetësinë e Kosovës, mirëpo politikanët injorantë, pa vizion, të paformuar, të korruptuar, të lidhur me krimin e organizuar dhe të shantazhuar, ia mundësuan Serbisë, që nga statusi i agresorit, të kaloj në atë të viktimës”, deklaroi ai.

Po ashtu, Musliu u shpreh se mbështet kryeministrin dhe politikat e tij në raport me dialogun me Serbinë, derisa shtjelloi se si i gjeti disa gjëra Kurti kur erdhi në pushtet, përfshirë edhe planin për ndarjen e Kosovës.

“Edhe përkundër kritikave, jo vetëm të opozitës, por edhe të faktorit ndërkombëtar ndaj kryeministrit Kurti për mosformimin e Asociacionit, argumentet, faktet dhe realiteti i krijuar, i jep të drejtë kryeministrit Kurti. Ekzistojnë disa arsye për këto veprime të drejta të Kurtit, dhe me këtë rast do të përmendi, si në vijim: në kohën kur Kurti erdhi në krye të Qeverisë, dialogu ishte në krizë, kërkesat e ndërkombëtarëve për formimin e Asociacionit intensifikoheshin gjithnjë e më tepër, kurse nga ana tjetër, politikanët e papërgjegjshëm kishin lansuar në opinion idenë për ndarjen e Kosovës, me çka dukshëm kishin dobësuar pozicionin e Kosovës dhe faktorin ndërkmbëtar e kishin vendosur në lajthitje lidhur me subjektivitetin e Kosovës, si rrjedhojë edhe ishin ndalur njohjet e reja të pavarsisë së Kosovovës, Serbia punonte kundër njohjeve të reja por edhe për ç’njohje e shtetit të Kosovës, kjo ishte një periudhe e vështirë për Kosovës dhe paradoksalisht faktori ndërkombëtarë ishte në favor të politikave të Serbisë, edhe pse Vuçiqi haptazi manipulonte me ata. Konsideroj se, në këto konstalacione politike, nuk kishte kushte të favorshme se mund të kalonte një Asociacion që do të ishte në dobi të Kosovës, prandaj vlerësoj se kryeministri Kurti ka vepruar mirë që këtë çështje e ka prolonguar deri në një momentum më të favorshëm”.

Bazuar në këtë, juristi tregoi se si u përmbysë situata, duke përmend sulmet brutale ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, sulmi terrorist në Banjskë, mosndëshkimin e Serbisë, etj.

“Kështu edhe ndodhi, sepse ndërkohë procesi pësoi ndryshime radikale, që ishin në favor të Kosovës mbase situata u përmbys. Në ndryshimin e kësaj situate, përveç tjerash, ndikuan edhe: mos vendosja e sanksioneve të Serbisë, Rususë ; sulmi brutal i bandave dhe strukturave kriminale të serbëve në fund të muajit maj në Zveçan ndaj ushtarëve të KFOR-it, policisë së Kosvës dhe gazetarëve ; kidnapimi i zyrtarëve kufitar policor të Kosovës me 14 Qershor nga forcat speciale serbe ; agresioni mbi Kosovovën në Banjsko me 24 Shtator nga paramilitarët dhe forcat speciale të Serbisë ; letra e kryeministres së Serbisë, Ana Bernabiq drejtuar BE-së, se Serbia nuk do t’a zbatojë në tërësi Aneksin e Ohrit, dhe së fundmi në zgjedhjet parlamentare të 17 Dhjetorit në Serbi, BE-ja dhe SHBA-të pranojnë se në këto zgjedhje kishte vjedhje masive të votave. Këto që përmenda, kanë ndikuar që politikat ugurzi të Serbisë të zhvishen dhe faktori ndërkombëtar të « vetëdijsohet » se Serbia është faktori destabilizues, jo vetëm në Kosovë, por edhe në Ballkanin Perëndimor”, nënvizoi Musliu.

Më tej, ai tha se ka dyshimet e tij mbi draft-statutin e Asociacionit, derisa lavdëroi presidenten Osmanin dhe përkushtimin e saj për ta prezantuar Kosovën te ndërkombëtarët si një shtet serioz dhe partner të besueshëm lidhur me dialogun.

“Në ndërkohë kemi draft Statutin e propozuar për Asociacionin nga BE-ja dhe SHBA-të, për të cilin kam vërejtjet e mia, mirëpo kjo po ndodh në një realitet politik të favorshëm për Kosovën, sepse sipas Aneksit të Ohrit, ky dreft do t’i dërgohet për vlerësim Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, dhe në bazë të këtyre vërejtjeve do të përpilohet Statuti definitiv i Asociacionit, që do të jetë në pajtim të plotë me legjislacionin e Kosovës, për çka faktori ndërkombëtar është unanim.

Që nga marrja e postit të presidentes të Kosovës, Zonja Vjosa Osmani ka dhënë një kontribut të veçantë në ndërtimin e shtetësisë në të gjitha fushat, rrjedhimisht edhe në proçesin e dialogut duke përfshirë edhe Asociacionin. Së pari, Zonja Osmani në planin ndërkombëtar ka luajtur një rol substancial në prezentimin dhe senzibilizimin e Kosovës, duke i informuar kryetarët e shteteve, diplomatët dhe institucionet e BE-së dhe SHBA-të me të arriturat e Kosovës dhe duke e prezantuar ate si një shtet serioz dhe partner të besueshëm lidhur me dialogun dhe obligimet për Asociacionin. Madje, Zonja Osmani muaj më parë kishte propozuar që Kosova në bashkëpunim me SHBA-të t’a hartojnë një draft Statut, por edhe për draftin e propozuar nga BE-ja dhe SHBA-të, ajo është zotuar se vërejtjet dhe komentet e saja do t’ia dërgojë Gjykatës Kushtetuese”.

Ndër të tjera, shtoi se qeveria duhet të hartojë statutin e Asociacionit në përputhje me Kushtetutën, derisa tha se pavarësisht kritikave, Kurti ka pasur të drejtë në këtë proces.

Avokati tha se pozicioni i Vuçiqit në arenën ndërkombëtare qenësisht është dobësuar.

Mbase, faktori ndërkombëtar është deklaruar se do t’i pranojë vërejtjet e Gjykatës Kushtetuese dhe Statutin si rezultat të saj, konsideroj se tani është koha që, pas këtij procesi, Qeveria e Kosovës të hartojë një Statut, në të cilin do të eliminohen të gjitha dispozitat që dëmtojnë funksionimin normat të institucioneve të Kosovës, dhe të hartojnë një Statut të ngjajshëm me atë të Asociacionit ekzistues të komunave të Kosovës, duke i zhveshur të gjitha dyshimet dhe ambiguitetet në tekst. Hartimin e një Statuti të tillë, gati tërësisht të përpunuar, e mundëson momentumi i ri i krijuar, të cilin duhet shfrytëzuar me mençuri edhe për dialogun, dhe këtë Statut nuk duhet funksionalizuar pa e nënshkruar Serbia Marrëveshjen e Brukselit dhe Aneksin e Ohrit, sepse tani pozicioni i Vuçiqit në arenën ndërkombëtare qenësisht është dobësuar.

Kritikat e opozitës dhe ndërkombëtarëve se kryeministri Kurti është në vonesë për Asociacionin, konsideroj se nga ajo që theksova më lartë, n’a rezulton se Kurti ka patur arsye dhe të drejtë të plotë që këtë proçcs e ka shtyrë, andaj opozita, jo vetëm që nuk duhet t’a dramatizojë situatën, por ajo duhet të kontribuojë në mënyrë konstruktive për zgjidhjen e saj, që ata vet e krijuan”, përmbylli Skënder Musliu për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat