“Zhurmë dhe asgjë tjetër”, Kelmendi flet për zgjedhjen e Talat Xhaferit si kryeministër: Kam dyshime në këtë pjesë!

Politika

“Zhurmë dhe asgjë tjetër”, Kelmendi flet për zgjedhjen e Talat Xhaferit si kryeministër: Kam dyshime në këtë pjesë!

Nga: A.M. Më: 30 janar 2024 Në ora: 14:29
Talat Xhaferi

Parlamenti në Shkup miratoi qeverinë teknike, të cilën do ta drejtojë Talat Xhaferi, ish-kryetar i Parlamentit.

Kjo është hera e parë që një shqiptar e merr postin e kryeministrit në Maqedoninë e Veriut dhe kjo ka nxitur mjaft reagime, ku kjo gjë u cilësu si historike.

Mirëpo, njohësi i çështjeve kushtetuese, Muhamet Kelmendi gjithë këto reagime i cilësoi vetëm si “zhurmë”.

Ai në një prononcim për “Bota sot” u shpreh se zgjedhja e Xhaferit si kryeministër teknik, së pari nuk ndikon në realizimin e një bashkimi ndërshqiptar.

Madje, ai tha se kjo nuk është një arritje e madhe për kombin shqiptar, e për këtë kishte disa arsyje.

Image
Muhamet Kelmendi

“Vendosja e një Talati në krye të qeverisë së Maqedonisë së Veriut për 100 ditë është një çështje që nuk do të ndikon fare në realizimin e një bashkimi ndërshqiptar.

Po thuhet se u bë një arritje e madhe për kombin shqiptar, por kjo nuk qëndron!

Ka shumë raste në historinë e shqiptarëve ku më keq kanë kaluar shqiptarët me një kryeministër a kryetar shqiptar se me një përfaqësues të një kombi tjetër.

Shih këtu: Sinan Hasanin dhe Fadil Hoxhën në ish-Jugosllavi.

Megjithatë, duke u mbështetur në situatën ka disa mundësi që gjendja të përmirësohet. Por, për atë kërkohet guxim në marrjen e masave konkrete në fushën politike, ekonomike dhe të lirive e të drejtave të qytetarëve. Se sa do të bëhet kjo, kam shumë dyshim”.

Krahas kësaj, Kelmendi e potencoi faktin se Xhaferi si kryeministër teknik, nuk ka kompetenca për vendime të mëdha, të cilat mund ta ndryshonin situatën e shqiptarëve në RMV.

Ndër të tjera, këtë “fitore” të Talatit e krahasoi me atë të Dritan Abazoviçit, ku ky i fundit sa ishte në pushtet, nuk shënoi ndonjë rezultat në të mirë të shqiptarëve të Malit të Zi.

“Duhet thënë gjithashtu se Talat Xhaferi është kryeministër teknik. Nuk ka kompetenca për të marrë vendime që ndryshojnë gjendjen rrënjësisht. Përmirësime mund të bëjë. Mundësitë e ndryshimit të gjendjes janë të kufizuara.

Fitorja është vetëm formale dhe sa për të propaganduar "fitoren" si produkt i mirë për t’u shitur tek populli.

Kështu ishte në historinë e re edhe me kryeministrin Dritan Abazoviç në Malin e Zi. U bë zhurmë, ku në realitet asgjë nuk realizoi për shqiptarët. Nuk u bë asnjë ndryshim pozitiv në asnjë fushë. Për më tepër, iu dha përkrahja forcave serbe në këtë shtet dhe tash ata e udhëheqin Malin e Zi.

Kështu do të jetë edhe në Maqedoninë e Veriut, zhurmë dhe asgjë tjetër”, përfundoi Muhamet Kelmendi për “Bota sot”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat