Polemika pas zgjedhjes së Talat Xhaferi kryeministër/ Moment historik për shqiptarët? Ja përse kanë vlerë 100 ditët e tij!

Politika

Polemika pas zgjedhjes së Talat Xhaferi kryeministër/ Moment historik për shqiptarët? Ja përse kanë vlerë 100 ditët e tij!

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 31 janar 2024 Në ora: 21:19
Talat Xhaferi

Të dielën që kaloi, Talat Xhaferi është zgjedhur kryeministër i Qeverisë teknike të Maqedonisë së Veriut, duke u bërë shqiptari i parë që do të mbajë këtë post në këtë shtet.

Për zgjedhjen e ekzekutivit në Maqedoni, që ka mandat prej 100 ditësh, votuan 65 deputetë, 3 ishin kundër dhe asnjë abstenim.

Opozita shqiptare në Maqedoni e bojkotoi seancën, duke mos marrë pjesë në votim.

Kjo Qeveri teknike e Xhaferit ka mandat organizimin dhe mbarëvajtjen e zgjedhjeve parlamentare të caktuara për 8 maj.

Zgjedhja e tij duke se është pritur mirë nga Kosova e Shqipëria, por ka pasur edhe kritika, mospajtime?

Lama: 100 ditë janë mandat i kufizuar por kanë vlerë sepse u thye akulli

Image
Alma Lama

Në një përgjigje për “Bota sot”, ish ambasadorja Alma Lama, zgjedhjen e Xhaferit si kryeministër i parë shqiptar në Maqedoninë Veriore e sheh si arritje historike duke shtuar se kjo erdhi në bashkëpunim konstruktiv me perëndimin.

Më tej, ajo thotë se kjo është meritë e BDI-së, duke ndjekur politikat properëndimore.

“Së pari zgjedhja e Talat Xhaferit si kryeministër i RMV është një arritje historike për shqiptarët e Maqedonisë të cilët përmes një procesi politik në bashkëpunim konstruktiv me perëndimin po farkëtojnë të tashmen dhe të ardhmen e tyre si popull shtet-formues. Një barrierë e madhe është tejkaluar dhe kjo është meritë e BDI dhe Ali Ahmetit e bashkëpunëtorëve të tij. Ata kanë ndjekur politikë properëndimore duke afirmuar vlerat e demokracisë dhe të të drejtave, jo duke nxitur tensione nacionaliste dhe përdorur gjuhë përçarëse. 100 ditë janë mandat i kufizuar por kanë vlerë sepse u thye akulli. Por jam e bindur se z. Xhaferi do të ketë sukses në punën e tij si kreu i ekzekutivit për të arritur objektivat qeveritare si dhe për të menaxhuar procesin zgjedhor nga i cili do të dalë qeveria e ardhshme.

Siç e pamë zgjedhja e tij u zhvillua në një atmosferë të qetë të konsensusit me partitë maqedonase dhe mund të thuhet se shqiptarët kanë avancuar rolin e tyre përtej kuotave apo marrëveshjes se Ohrit”, deklaron ai.

Maraj: Kjo nuk është fitore historike, ky për mandatin e tij të shkurtër nuk mund të ndërroj historinë në Maqedoninë e V.

Image
Milazim Maraj

Analisti Milazim Maraj për zgjedhjen e Xhaferit si kryeministër thotë se gëzimi që u bë në Kosovë, Shqipëri e vet Maqedoni është paksa i pa arsyeshëm, duke thënë se i ka vetëm 100 ditë dhe se kjo do të jetë qeveri vetëm për përgatitje të zgjedhjeve të cilat do të mbahen më 8 maj.

“Këto ditë në Maqedoninë e V. U zgjodh Qeveria Teknike e cila do të përgatis zgjedhjet në Maqedoni e V të cilat do të mbahen më( 8.Maji 2024). Kryeministër i kësaj Qeveria u zgjodhe z. Talat Xhaferi ish kryetar i parlamentit të Maqedonisë. Zgjedhja nga kryetar i parlamentit në Kryeministre të qeverisë teknike nuk është ngritje por zbritje. Parlamenti është organ më i lartë së Qeveria, nga se Parlamenti del nga votat e popullit kurse qeveria del nga parlamenti, i përgjigjet parlamentit dhe e shkarkon parlamenti. Për ta parë nga ky kënd nuk del ndonjë arsye për kaq gëzim. Kjo zgjedhje e politikanit të ekuilibruar Z. Talat Xhaferi u përcoll më shumë gëzim si në Maqedoninë e V. Në Shqipëri dhe Kosovë. Dukej gëzim shumë i pa arsyeshëm deri në një gëzim fëmijëror. Për çka do të duhej të gëzohen shqiptarët kaq shumë për këtë zgjedhje. Mandati i Qeverisë Xhaferi zgjatë vetëm 100 ditë. Buxheti për këtë vit është përcaktuar në dhjetorin e vitit të kaluar. Projektet për këtë vite janë të përcaktuara, puna e vetme që mbetët në këtë mandat xhuxh është përgatitja e zgjedhje të ardhshme që duhet të mbahen pas 100 ditësh. Çka mund të ju sjell shqiptarëve kryeministri i  ri shqiptarë për këtë afat kaq të shkurt?”, thotë ai.

Më tej, ai thotë se Xhaferi nuk mund të bëjë asnjë ndryshim, duke thënë se as nuk është në fitore historike sepse nuk mund ta ndërrojë historinë e Maqedonisë.

“Pa dashtë të neglizhojmë këtë zgjedhje duhet ta determinojmë çartë. Ky është kryeministri i parë shqiptarë në Maqedoni e V. Por kjo nuk është fitore historike, ky për mandatin e tij të shkurtër nuk mund të ndërroj historinë në Maqedoninë e V. Nuk mund as të sjell ndonjë ndryshim historik. Përkundër gjatë këtyre zgjedhjeve dhe në përgatitjen e tyre që është një punë mjaftë delikate mund të prodhoj ndonjë aferë që do të jetë shumë e dëmshme për te dhe imazhin e tij. Për këtë mandat z. Xhaferi nuk mund ta ndërroj Kushtetutën e Maqedonisë që shqiptarët të mos kenë më tutje pozitën e minoritetit madje të llogaritën minoriteti i fundit në Maqedoninë e V. kur janë përbërës me 50% të e popullatës së këtij vendi.

A do të mund të ndërrojë diçka në gjendjen e shqiptarëve të diskriminuar nga elementet ekstremiste maqedonase dhe serbe në këtë vend ku ende nëpër disa shkolla nuk u lejohet mësimi në gjuhë amtare?

A mundet kjo Qeveri teknike të frenojë shpërthimin ekstremizmit islam që po përkrahet më të madhe nga armiqtë tonë Serbia, Rusia, Iraku etj dhe po dëmton tmerrësisht vlerat tona kombëtare?

A mund të ndikojë për 100 ditë që nxënësit shqiptarë kudo që janë në Maqedoninë e Veriut të kenë të drejt dhe mundësi shkollimi në gjuhën e tyre amtare?”, pyet Maraj.

Në fund, ai komenton edhe deklaratat e Xhaferit duke lavdëruar Ali Ahmetin duke e krahasuar me Kurtin dhe “politikën e tij të gabuar”, që siç thotë Maraj “në fund kuptohet projekti i “Mini-shengenit” në të cilin ka hyrë dhe nuk heqë dorë nga ky projekt antishqiptar, kurse Kryeministri i Kosovës po e kundërshton”.

Kryeministri shqiptarë e lavdëroi shumë z. Ali Ahmeti, për politikën e tij të mençur evropiane që po udhëheq në Maqedoninë e V. Ai bëri krahasime në mes të Ali Ahmetit të mençur dhe Kryeministrit të Kosovës Albin Kurti me një “politikë të gabuar” dhe në fund kuptohet projekti i “Mini-shengenit” në të cilin ka hyrë dhe nuk heqë dorë nga ky projekt antishqiptar, kurse Kryeministri i Kosovës po e kundërshton. Ndërsa të gjithë të tjerë e quajtën fitore historike të shqiptarëve në Maqedoninë e V kuptohet ata që e votuan. A duhet të kujtojmë së ekstremizmi shovinist maqedonas dhe serb në Maqedoninë e Veriut kaloj? Tani u krijua mendësia demokratike dhe paqja u inaugurua me ardhjen e  Qeverisë së Teknike të Z. Xhaferi. Kjo qeveri duke qenë teknike nuk ka kompetenca për ndryshime të mëdha dhe as kohë për projekte më peshë kombëtare. Duke qenë Ministrat e përkohshëm që nuk e kanë të sigurt zgjedhjen ose ndoshta ndonjë prej atyre e ka të sigurte që nuk do të zgjidhet kurrë, mandej duke e pas parasysh që këta nuk janë ekspert për pozitat e tyre nuk pritet ndryshim mjafton të mos shpërthej ndonjë korrupsion që do ta komplikonte gjendjen parazgjedhore edhe më shumë në dëme të shqiptarëve. Z. Ali Ahmeti me deklarimet e tij pompoze nuk e përkrah dhe as nuk e ndihmon Z Xhaferi, ai më këtë e komenton si arritjet e tij për ta zgjedhur Kryeministrin e  teknik, dhe si sakrificë që po e bënë për popullin shqiptarë në Maqedoninë e Veriut që nuk është reale. Çka mund të pritet nga zgjedhjet e ardhshme pas acarimit të marrëdhënieve me aleancën e deri tashme dhe partive shqiptare varët nga rezultati numerik dhe cilësor i zgjedhjeve. Shqiptarët nuk do të ishte mirë tani të përplasën por të ulën dhe të zgjedhin vlera nga subjektet e tyre për konkurruar në këto zgjedhje.  Do të ishte mirë të mendojnë për projekte afatgjata kombëtare dhe të lirohen nga ndjenja e përfitimeve të vogla”, përfundon ai për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat