“Zgjidhja magjike”/ Komentohet deklarata e Hill-it – vjen kundërpërgjigjja e ashpër ndaj ambasadorit!

Politika

“Zgjidhja magjike”/ Komentohet deklarata e Hill-it – vjen kundërpërgjigjja e ashpër ndaj ambasadorit!

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 3 shkurt 2024 Në ora: 07:59
Christopher Hill

Raporti mes Kosovës dhe Serbisë po vazhdon ende në bisedime mes dy palëve, por pa një zgjidhje.

Serbia provokuese dhe arsyeja e tensionimeve të vazhdueshme nuk po lejon që as ndërkombëtarët të gjejnë një zgjidhje mes dy shteteve.

Kosova dhe Serbia duhet të fokusohen në zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, në mënyrë që ta gjejnë zgjidhjen dhe jo ta paramendojnë ndonjë zgjidhje magjike.

Kështu ka deklaruar ambasadori i Serbisë në Beograd, Christopher Hill.

Ndërsa sa i përket sulmit terrorist më 24 shtator të vitit të kaluar në Banjskë, Hill ka thënë se nuk beson se situata të tilla do të përsëriten.

“Do të thosha se rasti i Banjskës ishte i tmerrshëm si për Serbinë, ashtu edhe për Kosovën. Besoj se përpjekjet e përbashkëta në rajon mund të ndikojnë që raste të tilla most ë përsëriten”, ka pohuar Hill.

Kujtojmë që Hill ka realizuar një vizitë zyrtare në Luginë të Preshevës ku ka takuar kryetarin e Bujanocit, Nagip Arifin, atë të Preshevës, Shqiprim Arifin, si dhe kreun e Këshillit Nacional Shqiptar, Nevzad Lutfiun.

Kelmendi: Pa e dënuar shtetin serb nuk ka paqe në Ballkanin Perëndimor

Image
Muhamet Kelmendi

Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur profesori Muhamet Kelmendi.

Ai thotë që Serbia është fajtore që një marrëveshje finale nuk është ende, pasi e njëjta nuk e ka pranuar Kosovën si shtet të pavarur dhe nuk po i pranon marrëveshjet.

“Raportet midis Kosovës dhe Serbisë janë keqësuar edhe pas Marrëveshjes së Brukselit dhe të Ohrit. Nuk kemi veprime konkrete për të zbatuar këto dy marrëveshje. Kjo nuk ndodhi. Në shkaqet e mos zbatimit të marrëveshjeve mund të përmendet edhe Kosova, krahas Serbisë. Kjo nuk qëndron sa i takon Kosovës, sepse përgjegjësinë absolute e mban Serbia, e cila nuk po e pranon marrëveshjen dhe të njëjtën nuk po e nënshkruan. Serbia nuk dëshiron të kuptoj se Kosova është shtet dhe se asnjë marrëveshje që e dëmton shtetin e Kosovës nuk do të pranon. Asgjë pa e pranuar Serbia shtetësinë Kosovës nuk do të arrihet”, u shpreh ai.

Më tej, profesori thekson që thirrja e Hill për të bërë zgjidhje nuk duhet të mendohet zgjidhje magjike, si e mendon Serbia por duhet të jetë e drejtë dhe kushtetuese.

“Ambasadori i SHBA-ve në Beograd, z. Hill i bëri thirrje përsëri Kosovës dhe Serbisë që të gjejnë zgjidhje dhe jo të paramendojnë ndonjë zgjidhje magjike. Pikërisht, shteti serb po punon për zgjidhje magjike. Është thjeshtë magji që Kosova të ndahet apo të futet nën sundimin serb. Çdo veprim i Republikës së Kosovës është i drejtë dhe kushtetues. Këtu nuk ka vend për barazi midis Kosovës dhe shtetit serb. Serbia mban përgjegjësi për gjendjen dhe në Beograd është vendi ku sigurohet paqja në këtë pjesë të Evropës. Presioni duhet të bëhet mbi shtetin serb”, foli Kelmendi për “Bota sot”.

Mehmeti: Banjska është produkt i ledhatimi të Serbisë ku një pjesë të përgjegjësisë e mban vet ambasadori Hill

Image
Faton Mehmeti

Ndërsa analisti politik, Faton Mehmeti në një bashkëbisedim me “Bota sot”, thotë që Hill i ka dalur në mbrojtje Serbisë gjithmonë dhe se marrëveshja e Ohrit nuk po zbatohet nga Serbia.

“Fatkeqësisht, Chris Hilli nga fillimi ka dal në mbrojte të Serbisë dhe kështu po vazhdon të veprojë. Në këtë kuptim, edhe deklarata në fjalë përmban presion ndaj Kosovës. Për Marëveshjen e Ohrit është Serbia ajo që nuk e zbaton dhe jo Kosova, ndaj edhe presioni duhet të jetë mbi Vuçiqin që edhe refuzon nënshkrimin e marrëveshjes finale”, thekson ai.

Analisti nënvizon që sulmi në Banjskë ka ardhur nga ledhatimet që i janë bërë Serbisë, dhe se e njëjta duhet të ndëshkohet nëse nuk dëshirojmë të përsëriten sulme të tjera.

“Sa për Banjskë, e habitshme se si nuk tha një fjalë kundër Serbisë që ka përgatitur këtë sulm, dhe nëse kështu vazhdon ledhatimi i saj do të ketë edhe sulme të tjera. Banjska është produkt i ledhatimi të Serbisë ku një pjesë të përgjegjësisë e mban vet ambasadori Hill”, përfundoi Mehmeti për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat