“Braktisja” e krerëve të UÇK-së nga avokatët, Naim Miftari: Pasuria e Hashim Thaçit vlerësohet të jetë 530 milionë euro

Politika

“Braktisja” e krerëve të UÇK-së nga avokatët, Naim Miftari: Pasuria e Hashim Thaçit vlerësohet të jetë 530 milionë euro

Nga: N. Shaqiri Më: 9 shkurt 2024 Në ora: 15:53
Hashim Thaçi dhe Naim Miftari

Gregory Kehoe dhe ekipi i tij nga kompania “Greenberg Legal Associates” para disa ditësh kanë kërkuar të tërhiqen nga mbrojtja e ish-presidentit Hashim Thaçi në rastin e tij në Gjykatën Speciale.

Kjo kërkesë ka ndodhur për shkak të moskryerjes së obligimeve financiare.

Në kërkesën e tyre ndaj Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë thuhet se moskryerja e obligimeve ndaj tyre është arsyeja e kësaj kërkese.

“Z.Thaçi nuk ka përmbushur detyrimin ndaj Gregory Kehoe, Joe Reeder, Associates Greenbuerg Legal dhe anëtarëve të ekipit mbështetës dhe z.Thaçit i është dhënë një paralajmërim i arsyeshëm se do të kërkonin përfundimi nëse nuk u është përmbushur detyrimi”, thuhet në kërkesën e publikuar më 19 janar të këtij viti.

Aty përmendet edhe rregullorja sipas së cilës kur të caktohet grupi tjetër i mbrojtjes, avokatët paraprak duhet të vazhdojnë të bashkëpunojnë “në një periudhë prej jo më shumë se 45 ditë”.

Mirëpo, pas këtij zhvillimi ka reaguar Ministria e Drejtësisë (MD), e cila është përgjegjëse për kompensimin e ekipeve mbrojtëse në rastin e liderëve të UÇK-së dhe të tjerëve.

“Në përputhje me Udhëzimin Administrativ numër 08/2022 për mbrojtjen juridike të personave të akuzuar potencialë për krimet e pretenduara në proceset gjyqësore pranë Dhomave të Specializuara, Ministria e Drejtësisë ka lidhur marrëveshje për përfaqësim me avokatët përkatës të personave të akuzuar, në këtë rast, me mbrojtjen e z. Hashim Thaçi, për të cilin rast, raportohet tërheqja e mbrojtjes për shkak të mosrealizimit të pagesave. Në përputhje me udhëzimin dhe marrëveshjen e tillë (legjislacionin në fuqi), Ministria e Drejtësisë ka kryer të gjitha obligimet lidhur me pagesën apo kompensimin e mbrojtjes së z. Hashim Thaçi”, ka njoftuar MD-ja, duke shtuar se kjo ministri kryen pagesa vetëm me avokatët me të cilët ka marrëveshje, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Në lidhje me këtë çështje, ka reaguar edhe ish-eprori i lartë i UÇK-së dhe ish agjenti i SHIK-ut, Naim Miftari.

Ai tregon se, për vitin 2020, 2021, 2022 dhe 2023, Ministria e Drejtësisë për mbrojtjen e liderëve të UÇK-së në Hagë ka paguar shumën prej 3,566,401.41 euro.

Ai tutje shprehet se pasuria e Hashim Thaçit, sipas raporteve inteligjente gjermane vlerësohet të jetë 530 milionë euro.

“Ky profiteri i luftës (Hashim Thaçi), multimiloneri i hajnisë dhe korrupsionit pas luftës që familja e tij posedon sot asete të plaçkitura, të tjetërsuara nga fondet e luftës e të pas luftës, që vlerësohen deri 530 milionë euro sipas raporteve inteligjente gjermane, dhe Polari si fajtor si jo fajtor del nga burgu si milionerë, pa i llogaritë 530 milionë euro të tjera të hajnisë e të korrupsionit dhe shantazheve", thotë Miftari.

Miftari shprehet se edhe nga burgu Thaçi po ‘vjedhë’ pasurinë e Kosovës.

“A po dëshmohet pafajësiar, apo në fakt po blehet pafajësia me milionat e popullit të Kosovës, që ky vet e plaçkiti këtë popull deri në palcë, si duket pak na ka vjedhë sa ishte në pushtet e tash edhe nga burgu u dashtë me ia vjedhë pasurinë Kosovës”, shton tutje ai.

Ish-agjenti vazhdon kritikat e tij edhe ndaj disa figurave politike dhe publicistike.

“Duhet me ditë se Edi Rama, Hashim Thaçi, Ali Ahmeti, Talat Xhaferi, Isa Mustafa, Baton Haxhiu, Adriatik Kelmendi, Berat Buzhala, Grupi, Abazoviqi... janë produkte të komunizmit dhe direkt të UDB-së, shumica janë pasardhën të Dushan Mugoshes, Miladin Popoviqit dhe nipa të Ivisa Stanishiqit, Mihajlovit dhe Klosit dhe se dielli e hëna e tyre lindin dhe prarojnë në Moskë dhe zot e kanë dinarin”, përfundon Naim Miftari.

Ndryshe, duke iu referuar procesit gjyqësor në Gjykatën Speciale në Hagë dhe vështirësive për mbulimin e shpenzimeve për ekipet mbrojtëse, avokatët e katër liderëve të UÇK-së, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, në emër të katërshes i kanë bërë kërkesë Ministrisë së Drejtësisë që të ndryshohet dhe plotësohet Udhëzimi Administrativ nr. 08/2022, i cili parasheh tarifa të reja për avokatët dhe shpenzimet e tjera për mbrojtjen juridike të të akuzuarve në proceset gjyqësore pranë Gjykatës Speciale.

Kërkesa e liderëve të UÇK-së për ndryshimin dhe plotësimin e Udhëzimit Administrativ, ishte bërë më 24 prill të vitit 2023. Sipas kësaj kërkese, udhëzimi aktual administrativ është duke paraqitur vështirësi për mbrojtje adekuate sa iu përket të akuzuarve të cilët po mbahen në paraburgim nga Gjykata Speciale.

“Katër të akuzuarit shprehin shqetësimin e tyre se tavanet në tarifat e avokatëve dhe shpenzimet e tjera të prezantuara rishtazi në Udhëzimin Administrativ nr. 08/2022 nuk reflektojnë kostot aktuale që mbrojtja pëson në këto raste. Për rrjedhojë, mundësia që katër të akuzuarit të realizojnë një mbrojtje efikase dhe efektive është në rrezik. Me udhëzime bashkërisht nga katër të akuzuarit, po ju paraqesim një kërkesë për rritjen e tarifave të avokatëve dhe shpenzimet e tjera për kompensim për arsyet si në vijim. Që në fillim duam t’i shprehim shqetësimet tona sa i përket mënyrës dhe metodës së kalkulimit të shumave ligjore sipas Udhëzimit Administrativ nr. 08/2022. Ndonëse e respektojmë obligimin e organeve publike si Ministria e Drejtësisë për t’u kujdesur për fondet publike, theksojmë, gjithashtu, se ministria duhet të kujdeset për fondet publike në një mënyrë që nuk rrezikon mbrojtjen e katër të akuzuarve në proceset gjyqësore pranë Dhomave te Specializuara”, është thënë në kërkesën e katër liderëve të UÇK-së, e cila mban nënshkrimin e avokatëve të tyre.

Sipas kësaj kërkese, Udhëzimi Administrativ nuk pasqyron gjendjen faktike për mbrojtje efektive të liderëve të UÇK-së.

Më tutje, në këtë kërkesë është përmendur rasti i ish-presidentit Hashim Thaçi, i cili, sipas avokatëve, përmbush të gjitha kriteret për mbështetje institucionale.

Në fund të kësaj kërkese, ata kanë rikujtuar se Republika e Kosovës ka miratuar ligjin që garanton mbrojtje juridike adekuate dhe mbulon shpenzime për tarifat e avokatëve dhe shpenzimet e tjera për personat e akuzuar në proceset gjyqësore pranë Dhomave të Specializuara.

“Për fund, ndonëse orët mujore që ekipet tona punojnë tejkalojnë dukshëm orët mujore që mund të kompensohen sipas Udhëzimit Administrativ nr. 08/2022, dhe ndonëse tarifat për orë të caktuara në Udhëzimin Administrativ nr. 08/2022 janë më të ulëta se tarifa standarde për orë në juridiksionet përkatëse të avokatëve mbrojtës, ekipet mbrojtëse të katër të akuzuarve propozojnë vetëm që për secilin ekip mbrojtës të nderohet alokimi i paraparë për ekip siç është përcaktuar në Udhëzimin Administrativ nr. 08/2022, pra, tarifat e caktuara për orë të paguhen për të gjithë 12 anëtarët e ekipit siç parashihet nga Udhëzimi Administrativ nr. 08/2022. Pra, në rastin konkret, duke marrë parasysh se rasti Hashim Thaçi et al. është kategorizuar si rast i kompleksitetit 4, me mirësjellje ftojmë komisionin që t’i rishqyrtojë tarifat e avokatëve, ashtu që tarifat e të gjithë 12 anëtarëve të ekipit të mbulohen, siç edhe parashihet në Udhëzimin Administrativ nr. 08/202215 dhe, për rrjedhojë, të rritet shuma totale për tarifat e avokatëve për muaj në euro 242 mijë për muaj”, është thënë në kërkesën e cila mban firmën e avokatëve Luka Misetiq, Ben Emmerson, David Young  dhe Alegendra Venkatesëari.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi ndodhen në Qendrën e Paraburgimit në Hagë që nga nëntori i vitit 2020. Procesi gjyqësor ndaj tyre ka filluar më 3 prill të vitit 2023.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat