Paralajmërohet ‘dështimi’ i takimit Bislimi-Petkoviq, analistët hedhin disa dyshime – ja çka mund të ndodhë me çështjen e dinarit

Politika

Paralajmërohet ‘dështimi’ i takimit Bislimi-Petkoviq, analistët hedhin disa dyshime – ja çka mund të ndodhë me çështjen e dinarit

Arife Morina Nga Arife Morina Më 18 mars 2024 Në ora: 19:59
Besnik Bislimi, MIroslav Lajçak, Petar Petkoviq

Nesër (e martë) pritet të mbahet takimi i radhës në kuadër të bisedimeve Kosovë-Serbi, ku përball njëri-tjetrit do jenë krye-negociatorët e të dyja vendeve, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq.

Këtë takim në nivel të kryenegociatorëve, ditë më parë e konfirmoi zëdhënësi i Bashkimit Evropian (BE), Peter Stano.

Stano tha se në takim, i cili zhvillohet në Bruksel, do të bisedohet për çështjen e dinarit serb, përdorimin e të cilit autoritetet kosovare e ndaluan përmes një rregulloreje të re për valutën që hyri në fuqi në shkurt.

“Do ta kemi takimin e radhës në kuadër të dialogut të martën. Janë ftuar për këtë takim kryenegociatorët për të vazhduar diskutimet aty ku kishim mbetur pas takimit të fundit”, tha Stano.

Zëvendëskryeministri i vendit, Besnik Bislimi, ka pranuar një ftesë nga emisari special i BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, për takim në nivel kryenegociatorësh për të martën e 19 marsit.

Kjo u konfirmua para dy ditësh nga këshilltari për media i Bislimit, Klisman Kadiu, i cili tha se ftesa potencon si fokus të agjendës së diskutimeve avancimin e zbatimit të Marrëveshjes së Brukselit dhe Aneksit Zbatues të Ohrit.

“Kosova i përgjigjet pozitivisht ftesave të cilat kanë për qëllim përqëndrimin në rrugën përpara e zbatimin e marrëveshjeve në kuadër të procesit të dialogut, të cilat duhet të çojnë drejt normalizimit të marrëdhënieve dhe finalizimit të procesit. Qasja jonë konstruktive duhet të njihet me konstruktivitet e bashkëpunim dhe nga pala tjetër”, shkroi Kadiu.

Sot drejtori i të ashtuquajturës Zyrës për Kosovë Petar Petkoviq, ka njoftuar se sot do të niset për në Bruksel, ku të martën do të zhvillojë diskutime në nivel teknik për çështje të rëndësishme për deeskalimin.

Mirëpo, sa mund të pritet ndryshime dhe progres kuadër të këtyre negociatave, kur dihet se tash e sa kohë takimet po mbahen në nivel kryenegociatorësh dhe se po mungojnë takimet Kurti-Vuçiq.

Elezaj: Nga ky takim nuk do të ketë ndonjë rezultat konkret

Image
Rexhep Elezaj

Opinionisti Rexhep Elezaj në një prononcim për “Bota sot” u shpreh se tema e vetme e takimit Bislimi-Petkoviq do jetë dinari dhe gjetja e një zgjidhjeje kalimtare për këtë çështje.

“Takimi i ftuar nga BE-ja për të martën, me 19 mars, mes dy krye-negociatorëve, Bislimi-Petkoviq në Bruksel, si temë të vetme do ta ketë çështjen e gjetjes së një zgjidhjeje kalimtare për përdorimin e dinarit serb në Kosovë, takim ky i cili ka ardhur si rezultat i presionit të ndërmjetësuesit të BE-së në dialogun Kosovë-Serbi, z. M. Lajçak si dhe z. G. Escobar, përfaqësues i SHBA-ve për Ballkanin perëndimor, meqë pas disa përpjekjeve të tyre që ta bindin Prishtinën zyrtare që ta suspendon për disa muaj vendimin e BQK-së për ndalim të dinarit serb në Kosovë, nuk patën sukses”, deklaroi ai.

Sipas Elezajt, nga ky takim nuk mund të priten rezultate konkrete, pasi Kosova nuk do pranojë të suspendohet vendimi për dinarin, pavarësisht presionit ndërkombëtarë.

“Prandaj, janë ftuar në këtë takim në Bruksel të martën dy krye-negociatorët që të gjejnë ndonjë zgjidhje të pranuar për pagesën e serbëve në Kosovë të cilët marrin rroga në dinar nga Serbia edhe për një periudhë disa mujore, ashtu siç kanë kërkuar me ngulm miqtë tanë amerikan. Mirëpo, nga ky takim nuk do të ketë ndonjë rezultat konkret, sepse pala kosovare nuk do lëshon pe dhe as që do të pranojë që të suspendohet vendimi i BQK-së për mospërdorim të dinarit serb në Kosovë, ashtu siç nuk e pranoi as kryeministri Kurti kërkesën e z. G. Escobar gjatë vizitës së tij javën e kaluar në Prishtinë, që përkohësisht qeveria ta anulojë vendimin e BQK-së, gjë që të njëjtin refuzim do ta bëjë edhe z. Bislimi. Pra, nuk do të ketë ndryshim të vendimit për ndalim të dinarit serb në Kosovë, përveç ashtu siç ka vendosur qeveria për shtyrje të implementimit të tij për tre muaj, si fazë kalimtare derisa të kryhen procedurat zyrtare për transaksion të dinarit në euro”, shpjegoi opinionisti.

Ndër të tjera, ai theksoi se nuk do ndryshojë kahje dialogu mes dy palëve, kjo pasi Serbia është ajo e cila nuk dëshiron të arrijë dhe as nënshkruajë kurrfarë marrëveshjeje.

“Po ashtu, në pyetjen tuaj, se a do të ketë ky takim ndikim në ndryshimin e kahjes së dialogut Kosovë-Serbi, nuk besoj se një gjë e tillë mund të ndodhë, ngase sado që udhëheqësve në shkuarje të BE-së po iu ngutet që të arrijnë ndonjë sukses në ndërmjetësimin e tyre katër vjeçar në dialogun Kosovë-Serbi, dialogu nuk ka alternativë, sepse është një proces i cili do të zgjatë me vite, edhe pas zgjedhjeve të reja në BE, për faktin e vetëm, sepse është Serbia fashiste ajo e cila nuk dëshiron të arrijë dhe as nënshkruajë kurrfarë marrëveshjeje me palën kosovare, ngase e dinë mirë se çdo marrëveshje me Kosovën do ta ketë si rezultat final njohjen e pavarësisë së Kosovës nga ana e saj, gjë të cilën vështirë se do ta pranojnë udhëheqësit shtetëror të Serbisë ndonjëherë, pa marrë parasysh se cila parti serbe do jetë në pushtet në Beograd”, përfundoi Rexhep Elezaj për “Bota sot”.

Latifi: Jam skeptik për suksesin e bisedimeve në dobi të interesave të Kosovës

Image
Haki Latifi

Ndërsa, analisti tjetër, Haki Latifi takimin e thirrur në Bruksel nga ndërkombëtarët, e sheh si një përpjekje të tyre për të gjetur një zgjidhje për raportet Kosovë-Serbi.

“Konfirmimi i zëdhënësit të Bashkimit Evropian (BE), Peter Stano, për nismën e radhës të bllokut për caktimin e një takimi për të martën, më 19 mars, në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë në nivel të kryenegociatorëve e shohë si përpjekje për të ndihmuar palët në rrugën e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Kuptohet se çdo përpjekje është e një rëndësie të madhe për ruajtjen qetësisë dhe sigurisë, stabilitetit dhe paqes në Ballkanin Perëndimor.

Por në bazë të rrethanave aktuale mendoj se, politika kosovare është e pa përvojë dhe nuk ka përgatitje diplomatike e strategjike, andaj i duhen njerëz me përgatitje më të fortë që bashkojnë forcat dhe të jenë më vigjilentë në strategjinë e politikë bërjes dhe në mbrojtjen e interesave të Kosovës”, tha ai.

Megjithatë, Latifi nuk pret që këto bisedime të kenë sukses, madje komentoi se si emisarët e BE-së në dialogun Kosovë-Serbi, janë nga shtetet që nuk e njohin Kosovën.

“Jam skeptik për suksesin e bisedimeve në dobi të interesave të Kosovës, kur shohim mosnjohjen e Spanjës dhe Sllovakisë nga vjen edhe vet Peter Stano!  Njëherit askush nga shtetet e BE-së që e kanë njohur Kosovën nuk është komisionar për bisedime!? Siç janë; Borell nga Spanja mos njohëse, Lajqak nga Sllovakia, Peter Stano nga Sllovakia mos njohëse, Dora Bokojanis nga Greqia mos njohëse!? Shtrohet pyetja; A është kjo qëllimshme? Apo nuk mundë të jetë e rastësishme?! Përfaqësuesit e Kosovës duhet ta vënë në dijeni këtë deformim e të kërkojnë ekuilibrim përfaqësimi nga BE- ja”, nënvizoi ai.

Ndër të tjera, analisti potencoi se marrëveshjet duhet të përfshihen zyrtarisht si pjesë përbërëse të proceseve të anëtarësimit të Kosovës në BE.

“Nuk mjafton vetëm njohja e Marrëveshjes që është ligjërisht e detyrueshme. Por për të siguruar përparim në bisedime, Marrëveshjet dhe Aneksi i Zbatimit duhet të përfshihen zyrtarisht si pjesë përbërëse të proceseve përkatëse të anëtarësimit të Kosovës në BE.

Mendoj se çdo shtyrje ose vonesë për ta bërë këtë vetëm e forcon status quo-në. Dhe status quo-ja e këtij çelësi strategjik për një fqinjësi paqësore dhe evropiane në mes të Evropës nuk i shërben vetë sigurisë së Evropës”, përmbylli Haki Latifi për “Bota sot”.

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat