Simbolika e manovrave të NATO-s para derës së Ilir Metës

Shqipëria

Simbolika e manovrave të NATO-s para derës së Ilir Metës

Më: 24 maj 2021 Në ora: 10:04
Pamje e manovres së NATO-s

Në një nga ditët e manovrave të ‘Defender 21’, stërvitjes më të madhe të NATO-s në 30 vitet e fundit, trupat e aleancës zhvilluan sot një demonstrim të “çuditshëm” para portave të Presidencës.

Me Ilir Metën të ftuar, por të injoruar si nga SHBA ashtu edhe nga qeveria shqiptare, u dhanë mesazhe të forta politike por edhe ushtarake, pas qëndrimeve krejtësisht antiamerikane të Presidentit, tashmë në rrugën drejt shkarkimit.

Ambasadorja amerikane Yuri Kim, ritheksoi se “aleanca mes SHBA dhe Shqipërisë do të jetë e përjetshme”, çka i ka bërë të qartë Ilir Metës se nuk ka asnjë hap prapa në qëndrimet që Uashingtoni ka ndërmarrë për të udhëhequr atë që quhet “kryeqëzata ndaj korrupsionit të lartë politik në shqiptari”.

Një ditë më parë, Yuri Kim tha: “Askush, askush nuk do të jetë mbi ligjin dhe do t’i jepet fund pandëshkueshmërisë në Shqipëri”.

Gjatë fjalës që mbajti në sheshin “Nënë Tereza”, Yuri Kim nuk e përmendi fare Ilir Metën duke e injoruar.

Ja si fillonte fjalimi i saj: “Kryeministri Rama, ministra dhe gjeneralë, burra dhe gra në uniformë, çfarë ditë e bukur për të ekspozuar ushtritë tona. Është një moment historik për aleancën e NATO-s. ‘Defender 21’ ka qenë një sukses, javët e fundit ushtarët nga Shqipëria, Bullgaria, Hungaria, Kosova, Mali i Zi, Holanda, Rumania, Britania e Madhe dhe SHBA janë stërvitur së bashku për të forcuar strategjinë tonë, në mënyrë që aleatët e NATO-s dhe partnerët të kryejnë çdo sukses përtej detit dhe në ajër”.

Pra përmendi vetëm kryeministrin dhe ushtarakët, ashtu siç bëri edhe Edi Rama, që ju drejtua ushtarakëve, edhe falënderoi posaçërisht ambasadoren e SHBA.

Një taktikë “cinike” që duket e çmendi Ilir Metën, gjë që shihej nga gjuha e tij e trupit.

Por Yuri Kim, ka vijuar më fort në mesazhin politik, që dukej qartë që ishte një shuplakë tjetër ndaj Sali Berishës dhe Ilir Metës, që konsiderohen si njerëzit e lobit antiamerikan në Tiranë.

“Amerika ka një mike të guximshme, ku nuk ka më të fortë dhe të vërtetë se Shqipëria. Kjo stërvitje i hap rrugë një partneriteti strategjik. Unë besoj që suksesi i “Defender 21” është përfitim për popullin e Shqipërisë. Vlerësojmë që pavarësisht nga dallimet, të gjithë ju e pranoni që gjendeni në një moment të rëndësishëm në histori dhe të gjithë ne jemi të bashkuar, se kjo marrëdhënie mes SHBA-ve dhe Shqipërisë është e rëndësishme.

‘Defender 21’ vjen në 30 vjetorin e përfundimit të diktaturës, instalimit të demokracisë.

Ne qëndrojmë me ju sot, në mbështetje të fortë dhe solidaritet të fortë, për një Shqipëri demokratike të pavarur. Jam krenare që jam këtu me ju sot, jam krenare që jemi këtu si aleate me ju, sot, nesër, krahë për krahë përgjithmonë”, tha Yuri Kim.

Një qëndrim i qartë se nuk do të ketë asnjë kthim prapa në planin tashmë të nisur.

Por, përveç mesazhit politik, metaforë e rëndësishme ishte edhe operacioni ushtarak që u demonstrua në shesh.

I pari ishte një simulim zbarkimi nga helikopteri me litarë në një objekt në tokë, e më pas simulimi i “pushtimit” të një ndërtese “armike”.

Kjo u bë në selinë e Universitetit, pak hapa larg Presidencës, të cilën Ilir Meta është betuar se do ta kthejë në “fortesë kundër mafies ndërkombëtare”, në rast shkarkimi të tij nga posti i Presidentit.

Simbolika ishte ashiqare e pa pasur nevojë për një mesazh të dyfishtë.

Amerikanët i thanë Metës se jemi gati të nxjerrim nga ndërtesa nëse e mban me dhunë.

Ndërkaq, në Kuçovë bëhet sot simulimi i raketave Patriot, të cilët sipas gjasave, së bashku me ekipin amerikan të saj do të qëndrojnë për një kohë të caktuar në Shqipëri, çka është një tjetër mesazh për Metën, i cili deklaroi para zgjedhjeve se “raketa ka edhe Rusia”.

Natyrisht që çdokush e kupton se Rusia nuk ka luajtur mendësh si Likja që të lëshojë raketa, por SHBA i ka perceptuar deklaratat e Ilir Metës si mesazhe politike, dhe përgjigjen e ka marrë të fuqishme dhe direkte. Raketat Patriot janë një sistem anti-raketor të provuar 100% të suksesshme për të shkatërruar çdo raketë ruse.

Suksesi i tyre është provuar në Luftën e Gjirit në 1991 por edhe në Lindjen e Mesme, në luftën e Sirisë, ku raketat ruse të Iranit nuk arrinin asnjëherë caqet e Izraelit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat