Naftëtarët e Ballshit thirrje qeverisë: Paga 1-vjeçare po mbaron, hapni uzinën, është buka jonë

Shqipëria

Naftëtarët e Ballshit thirrje qeverisë: Paga 1-vjeçare po mbaron, hapni uzinën, është buka jonë

Më: 25 maj 2021 Në ora: 20:29
Foto ilustrim

Faqja e historisë ka ndryshuar prej 3 dekadash, por absurdi i diktatit, rëndon mbi naftëtarët e Ballshit edhe në kohëra lirie. 870 syresh janë lënë jashtë dyerve të uzinës. Punësimi i detyruar i ish-të burgosurve në diktaturë, i ka lënë vend papunësisë së imponuar ndaj këtyre naftëtarëve në qeveritë demokratike.

Prej shtatorit të vitit 2019 kombinati është në gjendje kome, duke i përngjasuar gjithnjë e më shumë varrezës së Panahorit. Asnjë këmbë naftëtari nuk shkel në 90 hektarë sipërfaqe të “miniqytezës” industriale, për të vënë në punë impiantet që dita-ditës i dorëzohen amortizimit. Uzina, ku ata punuan për dekada, ku humbën kolegë e ndërtuan jetën e tyre mes sakrificash, sot është e ndaluar për ta.

Prej saj, shteti, e “privatët” problematikë që përzgjodhi e ndërroi nga viti 2008, u kanë lënë statusin si kreditorë e të papunë. Vorbulla e tymit të rafinerisë s’duket veçse në vështrimet e tyre, teksa mblidhen sërishmi para kombinatit për të parë se ç’ndodh me të. Mëngjeset duket se përsëritin njëri-tjetrin, në diskutimet e tyre për të fituar pagat e mbartura, e mbi të gjitha të drejtën për t’u rikthyer në vendet e tyre të punës.

Me investimet minimale në infrastrukturë në 3 dekada demokraci, për naftëtarët s’ka qenë aspak e lehtë të mbanin në këmbë uzinën e Ballshit, e bashkë me të dhe bazën ekonomike të familjeve e qytetit.

Më të vjetrit, me mbylljen e Teknikumit të Naftës në qytet, janë kujdesur që të trashëgojnë zanatin tek brezat e rinj. Ata e kanë përjetuar rafinerinë gjatë shkëlqimit si dhe kanë bërë rezistencë ndaj rënies, sepse nuk duan ta lëshojnë “Bazilikën” e tyre të naftës, ndonëse qiramrrësit privatë, kanë shënuar në çdo cep shifra të larta borxhesh, si epitaf mbi historinë e saj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat