Rruga e Golemit mbetet “ferri” i trafikut, probleme dhe në Vlorë

Shqipëria

Rruga e Golemit mbetet “ferri” i trafikut, probleme dhe në Vlorë

Më: 4 korrik 2021 Në ora: 08:21
Ilustrim

Në çdo sezon turistik, problemet nuk mungojnë. Ndryshojnë herë pas here, por ka diçka të mbetur njëlloj prej vitesh dhe nuk gjen zgjidhje: “ferri” i trafikut në zonën e Golemit. Në ditët e pikut të sezonit (por këtë herë u pa edhe gjatë qershorit), trafiku në këtë zonë bëhet me radhë kilometrike.

Të gjithë ata që zgjedhin plazhin e Durrësit janë të detyruar të kalojnë disa orë për të lënë këtë destinacion, pasi kanë pushuar. Kjo problematikë shqetëson edhe tur-operatorët të cilët shprehen se tashmë një zgjidhje mund të ishte gjetur nëse do të kishte vullnet të mirë për një zonë që mban një peshë të madhe të turizmit në vend.

“Trafiku është një tmerr në këtë zonë. Duhet bërë diçka që t’i jepet zgjidhje, pasi prej vitesh është e njëjta situatë. Për tek tuneli i Golemit, që të arrijnë të shmangin trafikun dhe të futen në autostradë, shumë prej turistëve janë të detyruar të futen në kodra, në një rrugë tërësisht të amortizuar kur mund të ishte bërë një lidhje e shkurtër Stacioni i Trenit i Golemit. Ne kemi folur me një pjesë të mirë të institucioneve dhe na është premtuar për zgjidhje, por se kur do marrë realisht zgjidhje, mbetet për t’u parë” – tha Rrahman Kasa, nga Happy Tours.

Por zona e Durrësit, autostradës që e lidh me Tiranën, Gjiri i Lalëzit nuk janë të vetmet problematike. Mjaftoi një fundjave që të gjithë të shkonin drejt plazhit dhe Vlora të kthehej në një epope më vete për trafikun. Radha e makinave u bë kilometrike dhe njerëzit u detyruan për orë të tëra të qëndrojnë në rrugë. Qeveria premtoi hapjen e Bypass-it të Vlorës në korrik të këtij viti, si një zgjidhje alternative që do të pakësojë trafikun përmes qytetit. Mbetet për t’u parë nëse do të arrihet të përmbushet për të lehtësuar disi këtë sezon veror.

Kufizimet po pengojnë sezonin turistik, tur-operatorët kërkojnë rishikimin e masave

Turistët në bregdetin shqiptar kanë nisur të ankohen gjithnjë e më shumë në lidhje me masat kufizuese. Sipas tyre, ora policore për qarkullimin por dhe ajo për muzikën, po i kufizon gjatë pushimeve. Në përcjellje të këtyre ankesave, Unioni Turistik Shqiptar vetëm pak ditë më parë i kërkoi Ministrisë së Shëndetësisë nëpërmjet një letre që të rishikonte masat kufizuese. Zyrtarisht ende nuk ka një vendim por tur-operatorët thanë se do të shqyrtohet mundësia për të bërë lëshim aty ku ka vend.

Ministrisë së Shëndetësisë i kërkohet në linja të përgjithshme që të zgjerohet fasha orare e lejimit të qarkullimit dhe muzikës, si dhe lejimi i eventeve me më shumë se 50 persona.

“Ne përfaqësuesit e sipërmarrjeve private, nën grupimin e Unionit Turistik Shqiptar, shoqata më e madhe e industrisë së turizmit, e cila që nga viti 2005 e në vazhdim përfaqëson mbi 250 subjekte, Operatorë Turistikë, Hotele, Agjenci Udhëtimi, Guida, Restorante, Transport turistik, etj., nëpërmjet kësaj letre duam t’ju shprehim shqetësimin tonë, i cili lidhet me disa barriera që po bëhen pengesë për mbarëvajtjen e sezonit, siç janë; mbajtja në fuqi e orës policore, nga 23:00 deri në orën 6:00, moslejimi i muzikës në lokale pas orës 22:00 dhe moslejimi i eventeve mbi 50 persona”, thuhet në shkresën e Unionit.

Kufizimi i fashës orare për muzikën dhe daljen sidomos janë bërë shkak për pakënaqësi për turistët, të cilët janë të detyruar të mbyllen në dhoma.

“Për shkak të moslejimit të muzikës pas orës 22:00 kemi marrë shumë ankesa nga turistët të cilët janë të pakënaqur ngaqë nuk kanë ardhur për t’u mbyllur në dhomë, po për të pushuar dhe për t’u argëtuar, me qëllim që turistët të marrin kënaqësinë e pushimeve, sugjerojmë që ky orar të zgjatet deri në orën 24:00 në mënyrë që të mos u shkaktohet mërzitje, pasi ora 22:00 nuk mjafton duke pasur parasysh faktin që gjatë periudhës së verës kjo orë është koha që errësohet dhe gjatë ditës, njerëzit janë në punë dhe darkat ngelen më të frekuentuara nga qytetarët, nënvizon Unioni.

Një tjetër element që sjellin në vëmendje operatorët është transporti nga aeroporti në hotele apo anasjelltas që janë jashtë orës së lëvizjes së lirë. “Për shkak të kufizimit të lëvizjes nga mesnata deri në orën 6:00 të mëngjesit po krijohen pengesa në mundësimin e shërbimeve të partnerëve ndërkombëtarë të cilët operojnë me fluturime charter në Aeroportin e Rinasit, pasi një numër i këtyre charterave mbërrijnë pas orës 12:00 të natës dhe sipas marrëveshjeve, të gjithë turistët duhet që të priten në aeroport nga delegatët e autorizuar prej tyre, të cilët janë shtetas të origjinës së turistëve, të cilët presin, orientojnë dhe ju japin kontaktet turistëve të tyre për problemet që mund të kenë gjatë qëndrimit në Shqipëri, këta persona udhëtojnë me makina që marrin me qira nga aeroporti dhe për në aeroport dhe rregullisht ndalohen nga policia e cila në mjaft raste i ka penalizuar”, theksojnë operatorët.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat