Vettingu, shtyrja e mandatit gati për votim në seancë

Shqipëria

Vettingu, shtyrja e mandatit gati për votim në seancë

Më: 21 janar 2022 Në ora: 23:36
Këshilli i Legjislacionit dhe Komisioni parlamentar i Ligjeve, pro ndryshimeve per zgjatjen e mandatit te institucioneve te Vettingut

Në Shqipëri, Këshilli i Legjislacionit dhe Komisioni parlamentar i Ligjeve, votuan sot në favor të ndryshimeve kushtetuese që mundësojnë shtyrjen e mandatit të institucioneve të vettingut.

Në qershor të këtij viti skadon afati për Komisionin e Pavarur të Kualifikimit (KPK) dhe Komisionerët publik, ndërkohë që llogaritet që deri në atë kohë të paktën 30 përqind e gjyqtarëve dhe prokurorëve të mos i jetë nënshtruar procesit të rivlerësimit. Sipas propozimit të shumicës, zgjatja e mandatit duhet të bëhet deri në fund të viti 2024.

Në bazë të legjislacionit në fuqi, pas përfundimit të mandatit të KPK-së, rivlerësimi të mund të bëhet nga Këshilli i Lartë Gjyqësor për gjykatësit dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë, për prokurorët. Por në këtë fazë, siç shprehet në Opnionin e tij dhe Komisioni i Venecias, një gjë e tillë rrezikon të çojë në mospërputhje të standardeve dhe praktikave të ndjekura deri tani.

Në dhjetor të vitit të kaluar Komisioni i Venecias u shpreh në favor të zgjatjes së mandatit të institucioneve të Vettingut, e po ashtu dhe Operacioni ndërkombëtar i monitorimit.

Më herët, në mbështetje të ndryshimeve të propozuara ishin shprehur përveç ambasadës amerikane dhe Delegacionit të Bashkimit europian në Tiranë, edhe Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit (ONM), struktura e përbërë nga ekspertë të huaj që mbikqyr procesin e rivlerësimit.

MIratimi sot i ndryshimeve kushtetuese i hap rrugë kalimit të çështjes për votim në sallën e parlamentit, ku socialistëve u duhen dhe vota nga opozita. Demokratët nuk morën pjesë në mbledhjen e sotme. Ata kanë patur kritika të forta ndaj zbatimit të reformës në Drejtësi, dhe nuk kanë dalë ende me një vendim të prerë ndaj zgjatjes ose jo të mandatit./VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat