Kishin hapur tunel të nëndheshëm për grabitjen e një banke në Tiranë, si u zbuluan autorët nga policia

Shqipëria

Kishin hapur tunel të nëndheshëm për grabitjen e një banke në Tiranë, si u zbuluan autorët nga policia

Më: 22 shkurt 2022 Në ora: 16:18
Foto nga vendi i ngjarjes

Grabitja e një banke të nivelit të dytë është parandaluar nga policia në Tiranë. Autorët janë zbuluar teksa po kryenin gërmime në bulevardin “Zogu i Parë”.

Policia dyshon se autorët kishin planifikuar 3 muaj më parë që të grabisin një bankë të nivelit të dytë, duke shfrytëzuar hyrjen e këtij tuneli, që ndodhet poshtë korsisë së biçikletave në bulevardin tek Ministria e Drejtësisë. Për të zbritur në tunel, ata kanë përdorur një shkallë druri, që u mor nga policia si provë materiale.

Sipas grupit hetimor, punimet për hyrjen në bankë nëpërmjet kanalizimeve të ujërave të zeza, kanë nisur para një muaji. Banka që do grabitej ndodhet rreth 290 metër nga kryqëzimi i Ministrisë së Drejtësisë, ku ndodhet hyrja tek kanalet e kullimit. Autorët sipas policisë ishin veshur me jelekët të punonjësve të mirëmbajtjes, në mënyrë që të kamufloheshin për të lehtësuar punën e tyre për të hyrë në kanalet e ujërave të zeza pa rënë në sy, dhe më pas për të gërmuar me qëllim depërtimin në ambientet e brendshme të bankës. Gërmimet janë kryer me matrapik, ndërsa puna kryhej gjatë ditës për shkak të zhurmave që janë në rrugë nga qarkullimi i mjeteve, në mënyrë që të mos kuptoheshin.

Grupi hetimor u rikthye sërish në vendin e ngjarjes, për të mbledhur prova që mund të çojnë në identifikimin e autorëve. Hetuesit bashkë me disa punonjës vendosën hekura në hyrje të tunelit për të parandaluar hyrjen e personave të paautorizuar.

Në njoftimin zyrtar për mediat, policia shprehet se po vijojnë hetimet për veprën penale të vjedhjes së bankave dhe arkave të kursimit e kryer në bashkëpunim.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat