Rrëmbimi dhe vrasja e biznesmenit Ruzhdi Hoxha, prokuroria e Tiranës mbyll hetimet!

Shqipëria

Rrëmbimi dhe vrasja e biznesmenit Ruzhdi Hoxha, prokuroria e Tiranës mbyll hetimet!

Më: 8 shtator 2022 Në ora: 09:10
Foto ilustrim

Prokuroria e Tiranës ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar në gjykatë dosjen penale për rrëmbimin dhe vrasjen e biznesmenit Ruzhdi Hoxha një vit më parë pa arritur të gjejë armën dhe makinën e përdorur në krim. I akuzuar për ngjarjen është shtetasi Fredi Rrushi, i cili u vu në pranga më 26 nëntor 2021 për “vrasje me paramendim”.

Në përfundim të hetimeve, ndaj Rrushit Prokuroria ka ngritur edhe akuzat e armëmbajtjes pa leje, zhdukjes së provave dhe zhdukjes së kufomës së viktimës që u gjet disa ditë pas krimit në Dajt. Burimet nga grupi i hetimit, thanë se me gjithë përpjekjet, nuk është arritur të gjendet automjeti tip “Volksvagen Passat” me të cilin u rrëmbye Ruzhdi Hoxha dhe pistoleta me të cilën ai u ekzekutua në zonën e Dajtit, ndërkohë që prokuroria e çon dosjen në gjykatë pa një motiv konkret të kësaj vrasjeje!

Autori atëherë dhe as më vonë nuk e ka pranuar autorësinë dhe as përfshirjen në krimin horror. Ngjarja e rëndë ndodhi në 6 nëntor 2021 kur Ruzhdi Hoxha shkoi për të takuar disa të njohur të tij dhe nuk u kthye më në banesë. Ai u gjet i vrarë dhe i mbuluar me zallishte pas malit të Dajtit, 17 ditë pas humbjes së kontakteve me familjen. Denoncimin për ngjarjen e bëri në polici djali i viktimës, i cili tregoi edhe personat që kishin kërkuar të takoheshin me babanë e tij.

Detajet e dhëna nga djali i viktimës zbardhën itinerarin e ndjekur nga automjeti që rrëmbeu 43-vjeçarin. Makina kishte kaluar në zonën e Treshit, në Paskuqan dhe më pas është parë në një repart ushtarak ku ka humbur gjurmët shfaqet për herë të fundit mjeti. Policia ka deklaruar pas ngjarjes se shtetasi Fredi Rrushi, është autor i rrëmbimit dhe i vrasjes së shtetasit Ruzhdi Hoxha.

Ai është vënë në pranga më datë 26 tetor 2021, si person i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet ligjzbatuese italiane për veprën penale të trafikimit të narkotikëve. Këtë aktivitet ai dyshohet se e ka kryer edhe në Shqipëri pasi dyshohet si porositësi dhe organizatori i kultivimit të bimëve narkotike në fshatin Ballenj.

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat