Adoleshenti u qëllua me armë zjarri. Forcat e rendit zbardhin ngjarjen dhe arrestojnë autorin e dyshuar

Shqipëria

Adoleshenti u qëllua me armë zjarri. Forcat e rendit zbardhin ngjarjen dhe arrestojnë autorin e dyshuar

Më: 17 nëntor 2022 Në ora: 13:22
Foto ilustrim

Një adoleshent mbeti i plagosur në rrethana ende të pasqaruara mirë. Ngjarja u regjistrua në fshatin Ceren të Njësisë Administrative të Kalasë së Dodës gjatë së martës, ku mbeti i plagosur një 15-vjeçar, i cili përfundoi në Spitalin e Dibrës për të marrë mjekim.

Kanë qenë stafi mjekësor i këtij spitali ai që ka lajmëruar më pas Policinë se i riu kishte marrë plagë nga armë zjarri. Pas këtij momenti, forcat e rendit janë vënë në lëvizje, duke nisur hetimet për të zbardhur rastin. Pasi mbërriti në fshatin Ceren, është zbuluar se autor i ngjarjes ishte shtetasi Korab Visha, 21-vjeç, i cili u prangos. “Shërbimet e Komisariatit të Policisë Dibër, pas marrjes së njoftimit se një shtetas kishte shkuar në spital, i dëmtuar, dyshohej me armë zjarri, kanë organizuar punën për zbardhjen e ngjarjes.

Falë veprimeve të shpejta profesionale dhe hetimore, të kryera nga grupi hetimor, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Dibër, u bë e mundur zbardhja e rrethanave të ngjarjes. Nga hetimet rezultoi se shtetasi K. V., 21 vjeç, mbi fshatin Ceren, në Njësinë Administrative Kala e Dodës, dyshohet se ka plagosur aksidentalisht me armë zjarri 15-vjecarin, banues në fshatin Ceren, i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën”, sqaroi Policia.

I RIU FSHEHU ARMËT

Pas plagosjes së 15-vjeçarit, mësohet se autori i dyshuar i plagosjes, ka fshehur armën me të cilën qëlloi mbi adoleshentin. Gjatë kërkimeve, në një shkëmb, forcat e policisë kanë gjetur jo një por dy armë zjarri, njëra e llojit kallashnikov dhe tjetra e llojit pushkë. Pas ekzaminimeve do të mësohet se me cilën armë është qëlluar i plagosuri, i cili ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën. “Menjëherë pas ngjarjes, 21-vjecari ka fshehur në një shkëmb mbi fshatin Ceren, dy armë zjarri, kallashnikov dhe pushkë (me njërën nga të cilat dyshohet se ka plagosur 15-vjeçarin), si dhe një sasi municioni luftarak.

Në përfundim të veprimeve, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Dibër kanë bërë arrestimin në flagrancë të shtetasit K. V., 21 vjeç, banues në fshatin Ceren, Dibër”, sqaroi policia. Ndaj Korab Vishës, Policia ka ngritur dy vepra penale, ajo e “Prodhimit dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit” dhe “Plagosja e rëndë nga pakujdesia”. Gjithashtu, në vijim të veprimeve u referuan materialet në prokurori dhe nisi procedimi në gjendje të lirë, për shtetasin A. L., 21 vjeç, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”, pasi ka qenë i pranishëm gjatë ngjarjes, por nuk ka kallëzuar krimin. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Dibër, për veprime të mëtejshme.

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat