Rama takim falenderues në Mat dhe Klos për besimin e 14 majit

Shqipëria

Rama takim falenderues në Mat dhe Klos për besimin e 14 majit

Më: 22 maj 2023 Në ora: 16:17
Edi Rama

Kryeministri Edi Rama ka kryer ditën e sotme një takim falenderues me banorët e Matit dhe Klosit për besimin që i dhanë socialistëve në zgjedhjet e 14 majit. 

Kryeministri Rama falenderoi qytetarët për besimin e treguar përmes votës, teksa premtoi se investimin e tyre në besim dhe mbështetje, qeveria do ta kthejë në punë të mira dhe mbarësi për komunitetin.

Deklarata e Ramës:

Shumë faleminderit për këtë mikpritje! Më vjen shumë mirë që jeni këtu sot. Nuk kemi ardhur për t’ju kërkuar vota, por kemi ardhur për t’ju falënderuar për të gjitha votat që na dhatë sepse juve bëtë detyrën tuaj, ndërsa tani na takon ne të bëjmë tonën që këtë investim, sepse është një investim në besim, në mbështetje, tua u kthejmë në punë të mira dhe tua u kthejmë në mirësi dhe në mbarësi në komunitetin tuaj.

Shpeshherë ju e keni dëgjuar dhe shpeshherë shumëkush parapëlqen që t’i bjeri shkurt dhe të thotë që politika nuk ia vlen, vota nuk ia vlen, asgjë nuk ndryshon, të gjithë janë njësoj, por besoj që këtu në Mat, ashtu sikur besoj dhe në vende të tjera kushdo që të kuptojë duke parë me sytë e tij dhe duke menduar me mendjen e tij i ka të gjitha mundësitë për të kuptuar se e kundërta është e vërtetë. Politika vlen, vota vlen dhe nuk janë të gjithë njësoj se po të ishin të gjithë njësoj edhe gjërat do ishin gjithmonë njësoj dhe kurrë asgjë nuk do ndryshonte, përkundrazi gjërat do shkonin keq e më keq. E vërteta është që gjërat kanë ndryshuar dhe unë besoj që në këtë votë kaq plebishitare për Partinë Socialiste dhe për kandidatët tanë është dhe konfirmimi i ndryshimit, por nga ana tjetër unë besoj që në këtë votë ka dhe një pritshmëri të madhe prej nesh, gjë që neve na nderon sepse pas jo pak tanimë vitesh në qeveri, kjo pritshmëri është një provë shumë e rëndësishme e faktit që ne mund dhe do të vazhdojmë të ushqejmë shpresën dhe t’i përgjigjemi shpresës së njerëzve me edhe më shumë punë, edhe më shumë angazhim edhe më shumë rezultate sepse unë jam shumë i vetëdijshëm që ndryshimet që kanë ndodhur janë të mjaftueshme për të parë se sa shumë rrugë kemi bërë, por janë krejt të pamjaftueshme për tu ndalur dhe për të qenë të kënaqur, sepse çka ne duhet të bëjmë është ende shumë akoma dhe në fund të fundit ju nuk na keni votuar për atë që kemi bërë, por na keni votuar për atë që prisni prej nesh, për atë që ne duhet të bëjmë. Dua të them edhe dy fjalë lidhur me diçka që përgjithësisht ka qenë dhe një fenomen në këto zgjedhje po këtu në këtë qark dhe posaçërisht në Klos, por edhe pastaj do të shkojmë në Peshkopi, do flasim edhe për Dibrën edhe për Bulqizën, ka pasur një theks të veçantë. Theksi që kësaj fitoreje i kanë vënë votuesit e djathtë, theksi që këtij rezultati i kanë vënë ata që në 30 e kusur vite, qyshkur janë bërë zgjedhjet e para pluraliste nuk kanë votuar kurrë për Partinë Socialiste dhe siç më ka treguar Belinda, të cilën dua ta falenderoj për përkushtimin e jashtëzakonshme që ka vënë në këtë punë siç bën në të gjitha punët në fakt, do thoni ju “detyrën ka bërë”, por detyrën duhet të bëjnë të gjithë, por këtu ndahen njerëzit se ka disa që e bëjnë mirë detyrën, ka disa që nuk e bëjnë mirë dhe siç kam dëgjuar nga Belinda dhe nga të tjerët, por po citoj Belindën sepse nuk hyn tek njerëzit që fantazojnë apo i bëjnë qejfin vetes me tregime dhe me rrëfime imagjinare, ka pasur shumë njerëz të cilët janë të njohur në komunitetet tuaja për përkatësinë e tyre djathtas, të cilët janë rreshtuar dhe publikisht në vite me kandidatët që dolën të humbur nga këto zgjedhje dhe të cilët e kanë shprehur hapur që do të votojnë këtë herë ndryshe, do të votojnë për Valbonën.

Apo siç ka ndodhur në Bulqizë ku ishte bërë zakon të besohej dhe të mendohej se ishte një vend trimash, në thonjëza kuptohet, një vend muskujsh, një vend burrash që tregonin bëmat e tyre nëpër klube, legjenda e të cilëve i pararendte përpara dhe këngët pastaj do ju vinin nga mbrapa. Fitoi një grua! Fitoi një grua që i mori të gjithë burrat përpara dhe që provoi se në këto komunitete, njerëzit nuk janë aspak ndryshe nga çdo komunitet tjetër, njerëzit e dinë shumë mirë se çfarë duan, e dinë shumë mirë se kush mund tu shërbejë atyre më mirë dhe natyrisht, nëse nuk u jep një zgjedhje, atëherë detyrohen të zgjedhin atë që kanë, por kur kanë një zgjedhje tjetër, bëjnë zgjedhjen tjetër. Ishte shumë domethënëse që dhe Klosin e Bedrinjve legjendarë e fitoi një grua, e fitoi një grua e cila i ka shërbyer përulësisht komunitetit për shumë vite, e cila nuk është ndër më të spikaturat kur merr mikrofonin por pa diskutim është ndër më të spikaturat kur merr prej njerëzve atë që ata duan të thonë dhe kur i përgjigjet atyre me përkushtim, ne angazhim dhe me një sens përkujdesjeje që e ka bërë Valbonën të jetë një ndër njerëzit më të respektuar në komunitetin e saj. Kështu që edhe për këtë, unë besoj që historia e këtyre zgjedhjeve në qarkun e Dibrës është një histori e jashtëzakonshme ndryshimi, dy vendet më të karakterizuara nga mustaqet imagjinare do t’i drejtojnë dy gra dhe unë jam i bindur që nën drejtimin e tyre edhe Bulqiza edhe Klosi apo edhe Klosi dhe Bulqiza meqë këtu jemi për të falenderuar Klosin dhe për të falënderuar edhe Matin, do të jenë në këto 4 vite në pararojë të ndryshimeve në komunitetet e tyre.

Patjetër që falënderimi duhet bërë pa i ndarë majtas dhe djathtas të gjithë votuesit, të gjithë ata që na votuan. Unë dua të falenderoj dhe ata që nuk dolën në votim, në fakt, sepse dhe ata, duke mos qenë në gjendje ta bëjnë kapërcimin dhe të vijnë të votojnë Partinë Socialiste, të vijnë të votojnë për kandidatët tanë, nuk bënë as tjetrën, nuk e ngarkuan veten, nuk e ngarkuan familjen e tyre, nuk e ngarkuan traditën e tyre të djathtë me turpin e një vote për Bashkë Fitojnë me Like Floririn. Unë i falenderoj dhe ata sepse duke i hequr një votë dhe në fakt i kanë hequr shumë vota atyre që dolën për t’i tërhequr zvarrë pas Berihait problemet e tyre personale, kontribuuan realisht në këtë rezultat.

Ky nuk është një rezultat i mirë për Partinë Socialiste, ky është një rezultat i jashtëzakonshëm për Shqipërinë. Është detyra jonë që atë përmbysje edhe ngjyrash në hartë ne ta kthejmë në një përmbysje në mendësi, ta kthejmë në një përmbysje në ekonomi, ta kthejmë në një përmbysje në të gjitha aspektet e jetës në mënyrë që Shqipëria të mos funksionojë më asnjëherë në të ardhmen, kur të zgjedhë si një copë lart blu dhe një copë tjetër mavi, por të funksionojë gjithmonë kuq e zi, duke bërë zgjedhjen për ata që i bëjnë më mirë punët, kuq e zi duke i parë njerëzit jo vetëm nga ato që thonë, por dhe nga ato që bëjnë, duke i vlerësuar për atë që njerëzit ofrojnë dhe jo duke shkuar në votime symbyllur si tifozë, që pavarësisht se si e qysh, vazhdojnë dhe qëndrojnë symbyllur në njërën anë. Ndryshimet që kanë ndodhur janë një sfidë shumë e madhe për ne sepse duke na votuar ne, Klosi na ka sfiduar ne. Duke na votuar ne, të gjitha ato bashki të cilat kanë qenë tradicionalisht të djathta na kanë sfiduar ne duke na hedhur dorashkën dhe duke na thënë, “në rregull, doni ta provoni? po ju japim mundësinë. Tani na e provoni që vota për ju vlen dhe që ju me votën tonë do të sillni atë ndryshim që të tjerët që i kemi votuar për 30 vjet e nuk e sollën kurrë”. Kjo është një sfidë shumë e madhe dhe ne do të bëjmë çmos me shumë përkushtim që ta fitojmë këtë sfidë.

E fundit fare që dua t’iu them dhe ju falënderoj shumë edhe një herë që jo vetëm erdhët, por nuk ikët kur erdhi dhe shiu. E fundit që dua t’iu them është kjo, po flisja me Valbonën dhe me Agronin, bashkë me Belën kuptohet dhe me këshilltarët e sapo zgjedhur dhe i thashë që është e pamundur që të zgjidhen të gjitha problemet. Gjithmonë në jetë dëshirat dhe nevojat janë më shumë sesa janë dhe mundësitë, për të gjithë. Për çdo familje se ke diçka, ke shumëçka do të kesh më shumë, është në natyrën njerëzore për çdo vend, edhe për vendet më të zhvilluara. Dëshirat, nevojat, kërkesat janë më shumë sesa mundësitë. Asnjëherë, askush që ka përgjegjësinë t’i zgjidhi, nuk i zgjidh dot të gjitha, por ka një gjë që gjithkush e ka në dorë. Të bëjë atë që thotë populli ynë, hallin që s’ma zgjidh, të paktën ma qaj dhe për këtë arsye, ne do bëjmë çmos që bashkitë tona, edhe bashkitë që i kemi qeverisur, kanë vend shumë për tu përmirësuar. Se çfarë ka bërë Agroni në Mat apo ç’kanë bërë të tjerët në bashkitë e tjera, e kemi thënë dhe stërthënë, po tani ajo shumëzohet me zero. Tani është një mandat tjetër dhe tani ne jemi këtu për të kërkuar që Agroni të bëjë më shumë dhe që të gjithë të zgjedhurit e rinj të bëjnë më shumë. Nuk jemi këtu për të vazhduar të themi sa shumë gjëra të mëdha kanë bërë dhe ajo që duhet të bëjmë me çdo kusht që ta çojmë në një nivel tjetër marrëdhënien me njerëzit. Ta çojmë në një nivel tjetër komunikimin me të gjithë dhe kur themi që kanë ardhur shumë të djathtë dhe kanë votuar, duhet të kemi parasysh që ne nuk e dimë kush janë ata që kanë votuar. Disa e kanë shprehur hapur “do votojmë për ju”, po shumë të tjerë as nuk kemi mundur t’i takojnë dhe ata kanë votuar. Që do të thotë që asnjë i djathtë edhe ai që del në rrugë me gjoksin hapur ku shkruan ‘’Partia Demokratike’’ nuk duhet paragjykuar se edhe ai mund të ketë votuar për ty. Prandaj duhen trajtuar të gjithë me maksimumin e respektit gjë që duhet të bëjë që edhe merita të marrë një vlerë edhe më të madhe dhe të jetë një kusht edhe më i palëvizshëm kur zgjedhim njerëzit që duhet të bëjnë punët, sepse ne na duhet të bëjmë punët. Ne nuk duhet të gjejmë një punë për dikë, por t’i gjejmë çdo pune, atë që i duhet punës. Do të shikojmë sesi, por do të marrim dhe iniciativa konkrete për të bëra bashki më ta hapura, për të pasur më shumë komunikim, për të pasur më shumë ndërveprim me qytetarët dhe për të krijuar një ndjenjë edhe më të fortë të komunitetit që në këtë punë, në këtë rrugë, në këtë përpjekje, në këto halle, në këto probleme jemi të gjithë bashkë dhe duhet të jemi të drejtpërdrejtë çfarë mund të bëhet, çfarë s’mund të bëhet dhe pse s’mund të bëhet dhe kur mund të bëhet, nëse s’bëhet dot sot. Sa më të hapur dhe sa më të drejtpërdrejtë të jemi, aq më shumë do të krijojmë dhe sensin e një familje e cila mund të ketë njerëz që mendojnë shumë gjëra ndryshe, por në fund të ditës janë të gjithë bashkë se nga puna e përbashkët, të gjithë marrin më shumë. Shumë faleminderit të gjithëve edhe një herë tjetër. Dua të bëj një falënderim shumë të posaçëm. Më vjen shumë keq për burrat që janë këtu, por duke qenë se unë ua kërkova posaçërisht grave mbështetjen dhe ndihmën dhe jam i bindur që ato e kanë luajtur rolin e tyre, dua të falenderoj në mënyrë të posaçme gratë dhe vajzat e Matit dhe të Klosit sepse ndryshimi im me burrat e tjerë, është që unë e njoh varësinë nga gruaja. Këta bëjnë si të pavarur, është puna e tyre. Shumë, shumë faleminderit edhe një herë tjetër. Ky është një takim falenderimi, por pas falenderimit vjen puna, puna, puna dhe ne do të jemi përsëri e përsëri e përsëri këtu në krye të punës që të bëjmë sa më shumë dhe ju siguroj që nëse në këto 4 vite, këtu në Mat, natyrisht Agroni është ai që ka rolin kryesor. Ne kemi mundur të bëjmë një numër gjërash për të cilat ju na keni vlerësuar. Në 4 vitet e ardhshme, do të bëjmë katërfishin e atyre gjërave.
Faleminderit!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat