Euro e lëkundur në këmbimin valutor, specialistët gjejnë zgjidhjen se çfarë duhet të bëjmë me paratë

Shqipëria

Euro e lëkundur në këmbimin valutor, specialistët gjejnë zgjidhjen se çfarë duhet të bëjmë me paratë

Më: 25 qershor 2023 Në ora: 07:28
Foto ilustrim

Rënia e euros dhe ndikimi i saj në ekonominë shqiptare ishte tema e trajtuar këtë të shtunë në emisionin Money në Euronews Albania.

Sezoni turistik veror është në pjesën e parë të tij dhe në historikun e kësaj periudhe, monedha e huaja kanë humbur pikë, të cilat i kanë fituar në stinët e tjera të vitit. Ky vit është ndryshe, pasi euro është bërë e pabesë këmbyesit në tregun valutor, sipërmarrësit dhe qytetarët janë të interesuar të dinë se si t’i menaxhojnë paratë e tyre.

“Qytetarët duhet të shpenzojnë aq sa kanë për nevojat e tyre bazike dhe të përditshme, për arsye se, nëse tentojnë të bëjnë rolin e kambistit, më së shumti do të dalin të humbur. Kjo për arsye se tregu është i paqartë vetë dhe nuk vjen për arsye të parashikueshme. Për sa kohë kemi sezonin veror që krijon flukse, nuk mund të thuash që do fitosh apo humbasësh. Ajo që duhet të bëjnë është të shohin me durim për të ardhmen dhe të mbajnë shpenzimet bazë pa planifikuar shpenzime të mëdha që i detyrojnë edhe të jenë pjesë më aktive e tregut”,-tha Eduard Gjokutaj.

Nuk mundet t’i përjashtojmë të ardhurat nga tregtia, remitancat dhe flukset e mundshme nga aktiviteti kriminal, por nëse shohim të veçuara paratë e turizimit, gjatë verës ato mund të arrijnë ndërmjet 2.3 dhe 2.6 mld euro. Këto shuma që dalin nga flukset turistike dhe prenotimet e periudhës, mund të reflektojnë në një kurs me rënie të vazhdueshme.

“Normalisht në këtë sezon, me vizitat që priten jo vetëm nga emigrantët, por edhe nga turistët, mund të kemi efektin sezonal që mund të ndikojë në zhvlerësim të mëtejshëm të euros. Se sa mund të jetë masa, atë nuk e dimë, por mund të ketë edhe faktorë të tjerë ekonomikë nëse ekonomia ecën në ritmin e këtyre viteve; për fat ne duhet t’i gëzohemi treguesve makro të ekonomisë, është ngushtuar defiçiti tregtar, janë rritur eksportet, ka më shumë të ardhura në valutë etj. kjo është ana pozitive. Pastaj, të mësuar nga fakti që euro është këmbyer 140 lekë dhe sot këmbehet 105 lekë, sigurisht që kjo na krijoi një shok. Por, nëse euro do ishte 110 dhe do binte në 105 lekë, nuk do kishim këtë diskutim, por diskutimi lind sepse rënia është në 3 vjet, dhe jo nga janari në prill”,-tha Spiro Rrumbulli, sekretar i përgjithshëm i shoqatës së bankave.

“Ka disa faza që presioni i euros për t’u dobësuar është më i madh, por duke marrë në konsideratë të gjithë fakorët që kanë prodhuar këtë sasi kaq të madhe eurosh në tregun monetar, më duket si një tendencë që do vazhdojë më gjatë se sa shpresa që në shtator-tetor gjendja do rikthehet”,-tha Adrian Civici.

“Më së shumti euro lidhet me inflacionin dhe normat e interesit. Janë pjesë e një trekëndëshi interesant, por që funksionon në ekonomitë, ku kanë kontekst informaliteti. Në kushtet kur në Shqipëri, informaliteti është faktor ndikues, ku dhe paraja që vjen nga aktivitete të pista, natyrshëm që në momentin kur nuk do të  ulet intensiteti, (kjo lidhet jo vetëm me sektorin e ndërtimit, por edhe sektorë të tjerë) do të kemi këto situata dhe do të duhet të mësohemi me këtë qasje. Megjithatë, kjo është në institucioneve të qeverisë, për të thënë objektivat, dhe nga ana tjetër të bëjnë gjithçka publike për qytetarët, të cilët kanë humbur besimin që kjo monedhe po luan gjithë levat e ekonomisë shqiptare”,-tha Eduard Gjokutaj. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat