Asgjësohen 3659 rrënjë kanabisi në Tropojë, procedohen 2 inspektorë mjedisi

Shqipëria

Asgjësohen 3659 rrënjë kanabisi në Tropojë, procedohen 2 inspektorë mjedisi

Më: 1 korrik 2023 Në ora: 12:57
Droga

Asgjësohen nëpërmjet djegies, 3659 rrënjë kanabisi që u gjetën të kultivuara në territoret e fshatrave Gjonpepaj dhe Curraj i Epërm.

Burime zyrtare nga policia bënë me dije se ka nisur procedimi penal për 2 inspektorë mjedisi të këtyre zonave, të dyshuar për moskallëzim të krimit dhe për shpërdorim të detyrës.

NJOFTIMI I POLICISE

Gjatë fazës së parë të këtij operacioni, ditën e djeshme, në fshatin Gjonpepaj, u asgjësuan 297 bimë narkotike cannabis sativa, si dhe u procedua penalisht kryetari i këtij fshati.

Procedohen penalisht edhe 2 inspektorë mjedisi të këtyre zonave, të dyshuar për moskallëzim të krimit dhe për shpërdorim të detyrës. Në vijim të kontrolleve antikanabis, me shërbime nga toka dhe me dronë, shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Kukës, kanë finalizuar fazën e dytë të operacionit policor të koduar “Bjeshkët e Nemuna”, në kuadër të të së cilës:

-në fshatin Gjonpepaj, janë gjetur të kultivuara 3543 bimë të tjera narkotike cannabis sativa;

-në fshatin Curraj i Epërm, janë gjetur të kultivuara 116 bimë narkotike cannabis sativa.

Bimët narkotike, pas kryerjes së veprimeve procedurale, u asgjësuan nëpërmjet djegies. Në vijim të veprimeve procedurale për këto raste, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë, për shtetasit A. Q. dhe Gj. P., inspektorë të mjedisit në të dy këto fshatra, të dyshuar për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Moskallëzimi i krimit”.

Vijojnë veprimet hetimore, me qëllim identifikimin dhe arrestimin e autorit/ëve të kësaj veprimtarie kriminale. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës, për veprime të mëtejshme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat